Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Llesh Ndoj: Bo(sh)llëku (dez)informativ dhe konsumatori

| E diele, 28.09.2025, 06:50 PM |


BO(SH)LL ËKU (DEZ)INFORMATIV DHE KONSUMATORI

- Persiatje mendimesh e shqetësime të aktualitetit -

Nga Llesh NDOJ

Brezi aktual i mbi pesëdhjetëvjeçarëve, me shkollë e pa shkollë, janë në gjendje të dallojnë qartë së paku dy periudha: ajo e sistemit të shkuar monopartiak e diktatorial, ku çdo gjë mbërrinte tek ne pasi “e përtypte” fillimisht partia, siç bëjnë nënat e mira me ushqimin e fëmijës, por me qëllime të ndryshme e diametrisht të kundërta, periudhë kjo që për shkaqe teknologjike apo edhe si vijimësi tradite, zgjati deri në fund të shekullit të kaluar dhe periudhën pas viteve dymijë ku konsumojmë me bollëk informacion e dezinformacion, ashtu si edhe të mira materiale, por pa e ditur se çfarë realisht konsumojmë. Ata më fatlumët jetëgjatë, që i kanë kaluar të tetëdhjetat, mbajnë mend edhe periudhën pararendëse, periudhë kur mungonte tërësisht informacioni e kur njerëzit “konsumonin” veten.

Kjo periudha pararendëse nuk mund të veçohet e mbahet mend për asnjë të mirë, ndërkohë që dy të tjerat vijuese kanë mes veti një raport të përmbysur mes të mirave dhe të këqijave, që sjellin për konsumatorin. Këtu, në këtë aspekt, do të ndalem e të përpiqem të hedh disa mendime, sidomos lidhur me aktualitetin e nevojën e ndërtimit të filtrave e mekanizmave bashkëkohore, që “të hamë”, por edhe të dimë “çfarë hamë”, apo më saktë të dimë të ushqehemi, jo vetëm për barkun, por për kokën e për shëndetin e gjithanshëm, mbi të gjitha. Këta rrjeshta më sollën ndërmend profesorin e shkencëtarin e shquar të kohës së vet, pedagogun tim e të shumë brezave brenda dhe jashtë Shqipërisë, të paharruarin Aleko Xoxe. Ai, që në atë kohë pati botuar një broshurë të vogël por shumë me rendësi për kohën të titulluar “Dimë të hamë, apo të ushqehemi”, ku hidhte dritë rreth këtij problemi gjithmonë aktual, në aspektin e të ushqyerit material e trupor. Një ditë, pas mësimit e gjej profesorin e nderuar duke mbledhur në vreshtin sipër fakultetit barishte të egra për sallatë. Me duart e mbështjella me plastmas dhe një thikë të vogël në dorë i këpuste ato me kujdes dhe i fuste në plastmasin që mbante në dorën tjetër. Ai ishte edhe shakaxhi i madh dhe s’i mbetej hatri edhe për ndonjë shaka nga studentët e tij, as nuk përtonte t’ua kthente atyre në menyrë të njëjtë, prandaj pasi e përshëndeta, me njëfarë ndrojtje që vinte sa nga personaliteti i tij i lartë shkencor e pedagogjik, po aq edhe nga natyra ime serioze, iu drejtova:

- A nuk të duket se po iu hy në hak lopëve, profesor?

Qeshi me të madhe, u drejtua e nisi të më shpjegonte seriozisht se ato që ai po mblidhte kishin më shumë vlera ushqyese se lakrat foragjere (me nënteksin e profesionit për të cilin studjoja si zooteknik!), por se ato nuk mjaftonin për nevojat e shtuara të ditës, dhe më mbajti një leksion të kandshëm mbi raportet sasi - cilësi, arësye kjo pse e solla edhe unë në këtë shkrim timin.

Le t’a shohim këtë raport shkurtimisht në dy periudhat e mësipër përmendura, të lidhura ato me “ushqimin” e stomakut dhe të “kokës”.

Lidhur me të ushqyerit e trupit, sistemi i kaluar e quajti suksesin e saj më të madh plotësimin e nevojave bazë të njerëzve sa i përket bukës, ushqimit dhe veshmbathjes, e në këtë aspekt thuajse nuk pati asnjë përkujdesje për cilësinë. Sigurimi i bukës në vend dhe pse me racion, diçka kjo që nuk duhet injoruar, u quajt suksesi i saj më i madh, ndonëse për shumicën absolute të popullsisë, cilësia e saj ishte larg çdo standarti. Buka e misrit e varjeteteve të famshme “Rozafa”, shtuar edhe cilësinë e dobët të përgatitjes së saj, sot nuk konsiderohet e mjaftueshme as për kafshët, ndërkohë që buka e grurit në fshat ishte privilegj 2 - 3 mujor, edhe kjo pa cilësinë e duhur, përveç faktit se vinte nga gruri natyral me përpunime minimale. Veshmbathja nga ana tjetër ishte më e bollshme, por “mollë e ndalueme” për arësye financiare dhe pa shije për shkak të kufizimeve ideologjike edhe aty. Doku kinez që hynte një pëllëmbë në ujë në larjen e parë, seilonet e përlonet artificiale krejt të pashëndetshme për trupin, teritalet e shtrenjta e rrobaqepësitë standarte komuniste, e bënin të pandjeshëm edhe atë njëfarë bollëku sasior që mbërriti pas disa kohësh. Televizorë, lavatriçe e të tjera si këto, konsideroheshin mjete luksi e privilegj i pakicës dhe jepeshin me autorizim si shpërblime për shërbimet ndaj pushtetit të kohës, por ato edhe nuk përballoheshin dot financiarisht nga shumica e popullsisë për shkak të çmimeve të kripura që kishin..

Po lidhur me informacionin, apo ushqimin e trurit?

Këtu partia e kohës u përkujdes në sensin e anasjelltë të asaj vëmendjes që pati për ushqimin e stomakut e plotësimin e nevojave minimale të njeriut, sa më pak sasi informacioni, por “cilësorë” në kuptimin e kontrollit të tij në mënyrë të plotë e të gjithanshme, ishte deviza e kësaj përkujdesje. Nuk kishte internet, gazetat kalonin në filtra të rreptë edhe pse ishin me bollëk, nuk kishte libra të lexoje, veç veprave të shokut Enver, të klasikëve dhe të atyre që përçonin vijën e partisë me besnikëri e pa ekuivoke. Edhe tekstet mësimore e librat ngushtësisht shkencorë duhej të përshkoheshin nga “filli i kuq” i ideologjisë marksiste - leniniste dhe i vijës së partisë, qartësisht e dallueshme kjo, ashtu si për filmat, shfaqjet teatrale, këngët, humorin e gjithçka tjetër. Librat artistikë që botoheshin kalonin nëpër filtrat e autocensurës e të censurës dhe vetëm ndonjë fatlum, si Fishta ynë i madh, mund të përhapej gojë më gojë edhe pse i ndaluar. Radioja u këndonte arritjeve të partisë, televizori me 2 - 6 orë program gjithsejt e në një kanal të vetëm me ndonjë përsëritës lokal, fillonte e mbaronte me arritjet madhështore, me modelet robot të “Njeriut të Ri” komunist dhe asgjë tjetër s’pipëtinte aty. Për vetëm pak ritëm më jetësor në Festivalin e 11-të të këngës në radiotelevizion, u prenë koka që nga udhëheqja e lartë e deri tek tekstshkruesit e këngëtarët. Gazeta “Zëri i Popullit” duhej të mbërrinte kudo e kuadrot shtetërorë e partiakë t’a zbërthenin atë me masat, format e edukimit zhvilloheshin kudo, bile edhe brenda në parti. Feja e besimi fetar konsideroheshin opium për popullin e “Zoti” kishte zbritur në tokë dhe ne s’kishim pse t’a kërkonim në qiell! Gjithçka ishte e kontrolluar, madje edhe mendimi ishte i kontrolluar. Nuk guxoje as të mendoje ndryshe se të nesërmen mund të përfundoje në burg. Ç’cilësi informacioni ishte kjo, mund të merret lehtë me mend edhe nga ata që nuk e kanë jetuar asnjë ditë atë kohë. Po sot?

Tregu është plot e për gjerat bazike vuan vetëm ai që është pa mend, ose fizikisht i pamundur. Nëntë llojë buke i ke kudo nëpër dyqane, qumësht e djathë pa fund, mish po ashtu, fruta e perime kudo dhe në dymbëdhjetë muaj pandërprerë “të freskëta”, edhe veshmbathje ka sa të duash e me çmime të përballueshme, paisje teknologjike e industriale “pa autorizim”, veç a ke lekë? Sasia është e tillë sa që po ndot edhe mjedisin sepse ato kalben dhe hidhen pa kujdes. Po cilësia? Vërtetë ne dimë se po hamë, por jo çfarë po hamë! Buka “s’ka shpirt”, vetëm “fytyrë”, perimet e frutat shkëlqejnë nga pamja, por jo nga vlerat ushqyese dhe vrasin shëndetin tonë përditë me shijen e kënaqësisë, përmes helmeve e ndotjes me lëndë kimike të ndaluara, mishi s’ka “nevojë” të zihet e piqet, se vjen i kalbur nga pastrimi i frigoriferëve nga Brazili, Singapori e gjetkë, bashkë me hormone e agjentë të tjerë shëndetdëmtues. Mungon kontrolli, mjetet efikase e specialistët e duhur për t’a ndaluar këtë fenomen shqetësues për popullin tonë, ose më e keqja, “ndalohen” pasi të konsumohen, sipas parimit “armiku u zhduk në drejtim të paditur”. Veshmbathjet po ashtu, i blenë të re dhe të griset pa e veshur. Në produktet ushqimore gjendet data e prodhimit dhe ajo e skadencës e stampuar në amballazhe, por ato fallsifikohen lehtësisht, ndërsa nuk kanë çertifikatë sanitare. Ndërkohë që në veshmbathje askund nuk shkruhet e askush nuk të thotë ku, kur e nga kush është prodhuar produkti. Por edhe ato skadojnë, në kuptimin e parë të fjalës, jo vetëm në aspektin e modës, apo atë moral. Markat me shkëlqim perëndimor vijnë nga Turqia, Kina apo India e largët dhe ne blejmë varakun për flori e hamë sapunin për djathë. Shteti ka ngritur struktura legjislative ndoshta edhe me nivelin e atyre të Evropës, ku synojmë të integrohemi, por ato nuk funksionojnë, sepse “Maliqi” është më i fortë se ligji, sepse nuk ka specialistë, më saktë nuk u duhen specialistët, nuk ka mjete efikase analize e kontrolli e nuk adaptohen protokolle efikase parandaluese. Hamë helmet e botës e helmojmë edhe tokën, ujërat e mjediset nga prodhimet shqiptare që groposen me mllef të justifikuar, e pa kujdes nga fermerët tanë. Pse? Sepse shteti nuk ka investuar të ketë laboratorë modernë, personel të kualifikuar e kontroll “diktatorial” në kufi për prodhimet që hynë andej, por edhe për pesticidet e helmet e tjera bujqësore që importohen. Rezultati i dukshëm i kësaj situate është braktisja e fermave tona në favor të emigracionit, e ai i padukshmi që na gërryen si krimbi trungun e pemës, shëndeti në përkeqësim serioz i popullsisë mbetet edhe më i rrezikshëm. Po na vret tregu përditë, por vrasësi s’ka autor sepse, siç thame, ai “ikën në drejtim të pa ditur”.

Kjo që thamë sa më sipër ka të bëjë kryesisht me “barkun”, por situata me “kryet” paraqitet edhe më e rëndë se kaq e shumë më e rëndë se sa konceptohet nga njerëzit e zakonshëm. E kam fjalën për informacionin. Në aspektin sasior ai është ku e ku larg me të shkuarën. Interneti nga njëra anë, dhe paisjet teknologjike nga ana tjetër, e kanë bërë atë të bollekshëm e të aksesueshëm kudo e nga kushdo. Radioja ka dalë nga moda, televizioni është në lulëzim, shtypi dhe libri i shkruar konsiderohen “mision i tejkaluar”, ndërkohë që rrjetet sociale me lloj - lloj platformash harxhojnë dhunshëm kohën tonë e trullosin mendjet e të gjithëve. Problemi qëndron jo tek sasia e liria e informimit, apo edhe mundësia e të pasurit akses ndaj tij, të cilat janë arritje të padiskutueshme, por tek cilësia. Në vend të librit të shkruar, emisioneve televizive formuese dhe edukative, formave individuale, familjare e kolektive të marrjes së informacionit të dobishëm, pornografia, pedofilia, gjuha e urrejtjes, ndasia fetare e nacionale, racizmi e vulgariteti depërtojnë lirshëm në “godinën” tonë, që për hir të së vertetës jo vetëm s’ka dyer e dritare, po as hatlla. Familja s’merret me selektimin e përfitimit nga informacioni, shkolla jo e jo, shoqëria ka rrëshqit dukshëm drejt pragmatizmit material dhe e ardhmja është në pikëpyetje reale. Gjendja është e njejtë në çdo fushë. “Letërsia” dominohet nga prodhues të begatë, por s’ka konsumatorë. Shkrimtarët ankohen, se pse po shkruajnë të gjithë, ndërkohë që unë mendoj se e keqja s’vjen prej të marrurit të shumë njerëzve me letërsi, ku kuptohet lehtë se cilësia le shumë për të dëshiruar, por sepse s’kemi mekanizmat apo filtrat e duhur të promocionit të atyre që përbëjnë vlera reale arti. Të ndalosh njëzit të shkruajnë, si dinë e si duan ata, është mision i pamundur në demokraci, por edhe shkelje e të drejtave të njeriut, ndërkohë që të promovuarit e vlerave reale është detyrë e gjithë shoqërisë e duhet të jetë edhe mision i institucioneve të posaçme shtetërore ose jo qofshin ato. Edhe metoda e edukimit në tërësi sot nuk kalon përmes të ndaluarit të gjësë, por përmes të pohuarit të atyre që kanë vlera e të krahasuarit. Nëse i thua tjetrit s’do të shkruash ti, se nuk është zeje për ty, atë e ke fyer dhe i ke shkelur të drejtat njerëzore, por nëse i bëhet jehonë gjerave të mira e dobive që ato sjellin, nëse në shkolla sillen shembuj e libra edhe nga autorë lokalë, nëse analizohen me kujdes veprat letrare e artistike të çdo forme duke pohuar vlerat e tyre, hierarkia vendoset vetiu. Por kush më thotë, a funksionon kritika letrare sot? Ku janë redaktorët profesionistë e korrektorët letrarë, që e njohin e paguhen për këtë punë? As shumica e shtëpive botuese relativisht të mëdha s’kanë të tillë e personalitete të fushës “shesin” emrin e tyre si redaktorë e lektorë për pak lekë, pa e lexuar fare apo parë veprën përkatëse. Ku janë shkollat tona, që kanë mbetur akoma në forma arkaike të promovimit të gjuhësisë e letërsisë? Ku janë institucionet shtetërore, jo për censurë, por për promovim vlerash krijuese dhe letrare. Asgjë në këtë fushë thuajse nuk funksionon, ose vjen e mangët, sepse trendi është të pasuruarit, jo të kulturuarit e njerëzve me çdo kusht, rrugë e mjet. Në Kosovë, ky problem më duket pak më ndryshe. Kritika letrare atje, falë traditës dhe personaliteteve të saj që për fat jetojnë, vijon edhe sot, shoqata letërsie dhe arti funksionojnë thuajse kudo dhe janë jo për të penguar, por për të promovuar dhe përhapur vlera, komunat dhe ministritë përkatëse akordojnë fonde për botime cilësore të veprave të autorëve të mëdhenj, sponsorizojnë shoqatat dhe aktivitetet e tyre letrare e atdhetare, në shumë rajone zhvillohen konkurse letrare, koncerte artistike, promovime librash, veprimtari patriotike e të tjera forma që synojnë të ruajnë e t’i krijojnë kushte zhvillimi tharmit të së mirës. Në Shqipëri, ndonëse me më shumë kushte e mundësi, gjëra të tilla nuk ndodhin ose ndodhin rrallë, por edhe kur ndodhin dukshëm marrin formën e zgjatimeve propogandistike e korruptive të pushtetit. Kështu ndodh edhe në shkolla, ku mësuesit e drejtuesit promovojnë veten, shokët e miqtë e tyre dhe thuajse asnjëherë ndonjë nga autorët e rinj lokalë, jo për të zëvendësuar Frashërin, Fishtën, Nolin, Camajn, Agollin e Kadarenë, por për t’u thënë brezit të ri më tepër frymëmarrje, dhe se edhe ata mund t’a zënë kohën e tyre me punë të dobishme, duke sjellë ndoshta shembullin e të ndjerit Atjon Zhiti e shumë të tjerëve që s’kemi si t’i njohim, në vend të videove pa shpirt që përhapen në internet, memeve e vulgaritetit që tashmë merr edhe “vulë” nga inteligjenca artificiale (IA), duke e bërë njeriun një qënie “të panevojshme” e duke zhvlerësuar vlerat e vërteta dhe primare që mund t’i gjeneroje vetëm ai. Themi pastaj pse po bie kështjella jonë më e lavdishme familja, pse po ulen martesat, pse po rritet tej çdo arësye mosha e tyre mesatare, pse po shtohen divorcet e lindjet po bien dukshëm, pse po shtohet krimi, po përçudnohet gjuha, flamuri e tradita?

E shkuara pa shpirtë mos u riktheftë kurrë, por e ardhmja pa frymë e pa jetë, më mirë mos ardhtë!

Lezhë, më 25 shtator 2025