| E premte, 26.09.2025, 07:30 PM |
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (45)
GRATË E VAJZAT DËSHMORE
TË UÇK-SË
XHEVË (AVDYL)
KRASNIQI-LLADROVCI
(1.6.1955
– 22.9.1998)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Kur
mora telefonatën e kolegut tim të nderuar, prof. dr. Nuridin Ahmeti, i cili më
kërkoi me mirësi dhe besim të veçantë të shkruaja një artikull për revistën e
mirënjohur “Shenjat”, kushtuar figurës madhore të Xhevë Krasniqi-Lladrovcit,
ndjeva një kënaqësi të veçantë, një lloj mirënjohjeje të qetë për vlerësimin që
më bëhej. Megjithatë, bashkë me këtë ndjenjë të këndshme, më pushtoi edhe një
ndjenjë e thellë përgjegjësie – një barrë e rëndë morale e profesionale. Sepse
të shkruash për Xhevën, nuk është thjesht të hartosh një tekst, por të
përballesh me madhështinë e një figure që ka hyrë në historinë tonë kombëtare
si simbol i rezistencës, i guximit dhe i përkushtimit ndaj lirisë.
Si
t’i jepja trajtë mendimeve të mia për këtë heroinë të shquar të të gjitha
trojeve shqiptare? Për këtë grua të pathyeshme, që nuk u tërhoq përballë asnjë
sfide dhe që diti të mishëronte virtytin e trimërisë në forma konkrete dhe të
guximshme? Çfarë gjuhe të përdorja për të përshkruar gjeneral-majoren e UÇK-së,
një grua që theu paragjykime, tejkaloi kufij të zakonshëm gjinorë dhe u
shndërrua në model frymëzimi për breza të tërë?
Në
mendjen time vërshonin imazhe të shumta të bëmave të saja, të angazhimeve të
saja ushtarake dhe politike, të jetës së saj të përkushtuar, të sakrificës së
saj sublime. E gjithë kjo ma shtonte peshën e përgjegjësisë. Si të arrija të
ruaja balancën mes respektit të thellë dhe qartësisë analitike? Këto pyetje më
shoqëronin ndërsa mendoja për artikullin, sepse kisha bindjen se kujtimi i
Xhevë Krasniqi-Lladrovcit meriton jo vetëm respekt, por edhe një trajtim të
denjë dhe të ndërgjegjshëm akademik, që e vendos figurën e saj në kontekstin
historik dhe kulturor të luftës sonë për liri dhe dinjitet kombëtar.
Gjatë
jetës sime kam ushqyer vazhdimisht dëshirën dhe përpjekjen për të shkruar diçka
të denjë për nënën time. Megjithatë, çdo herë jam përballur me një pengesë të
brendshme, jo pse më mungonin fjalët apo kujtimet për të, por sepse gjithçka që
arrija të hidhja në letër më dukej e paktë, e papërshtatshme për të shprehur
madhështinë dhe meritat e saj të vërteta. Kjo ndjenjë e vazhdueshme e
pamjaftueshmërisë më bënte të ndalesha e të rimendoja, duke mos qenë kurrë e
sigurt se kisha arritur t’i jepja nderimin e duhur.
Pikërisht
kjo përvojë më shoqëroi edhe kur mora përsipër të shkruaj për figurën e shquara
të historisë sonë të re – Xhevë Krasniqi-Lladrovcin. Tek mendohesha për këtë
detyrë, ndjeja të më rëndonte e njëjta dilemë dhe përgjegjësi morale: si të
flas për të, për këtë luftëtare të pakrahasueshme të rezistencës kombëtare, në
një mënyrë që të mos jetë sipërfaqësore apo reduktuese? Çfarëdo përpjekjeje për
të përshkruar heroizmin e saj, frikësohesha se do t’i mungonte thellësia dhe
plotësia që ajo e meriton.
Sepse,
pavarësisht zellit, është e vështirë të shndërrosh në fjalë dimensionin e
vërtetë të sakrificës së saj. Gjithmonë mbetet diçka thelbësore e pathënë, një
madhështi që sfidon kufijtë e gjuhës dhe të përshkrimit. Prandaj, ngurrimi im
nuk ishte shenjë mosdëshire apo mospërkushtimi, por shprehje e vetëdijes se për
të nderuar siç duhet njerëz të tillë, duhet një përkujdesje dhe ndershmëri e
jashtëzakonshme. Në fund të fundit, ky është detyrimi ynë moral dhe intelektual
që të synojmë gjithnjë ta përshkruajmë të vërtetën e tyre të madhe, edhe pse
ajo do të mbetet përherë përtej çdo përshkrimi të plotë.
Kur
ndërmora detyrën për të shkruar mbi figurën e Xhevë Krasniqi-Lladrovcit, mu duk
e pamundur të bëja një trajtesë të plotë dhe të ndershme pa përfshirë në të
edhe emrin dhe veprën e Fehmi Lladrovcit, bashkëshortit të saj e shokut të
idealit. Çdo përpjekje për ta veçuar njërin nga tjetri do të përfundonte e
cunguar dhe e paplotë, sepse identiteti i tyre historik dhe moral është i
ndërthurur në mënyrë të pandashme. Ata nuk ishin vetëm bashkëshortë në jetën
private, por edhe bashkëveprimtarë të përkushtuar në kauzën e madhe kombëtare, duke
ndarë të njëjtin ideal dhe duke ndjekur të njëjtën rrugë të vështirë të
rezistencës dhe sakrificës.
Xheva
dhe Fehmiu përbëjnë një binom unik të lirisë shqiptare, një çift që e jetoi në
mënyrë të plotë dhe të pandashme misionin e shenjtë të çlirimit kombëtar. Nuk
mund të mendohet njëra pa tjetrin, sepse ata ishin mishërimi i unitetit në
veprim, i vendosmërisë së përbashkët dhe i sakrificës së përbashkët. Bashkimi i
tyre nuk ishte thjesht bashkim personal, por një aleancë e thellë shpirtërore
dhe ideologjike, e cila i dha formë dhe forcë një lëvizjeje të tërë.
Në
këtë kuptim, ata nuk janë vetëm figura individuale të lavdisë, por simbole të
bashkuara të një Kosove që ka derdhur gjak për shekuj me radhë për lirinë e
saj. Jeta dhe veprimtaria e tyre përfaqësojnë frontin e përbashkët të
rezistencës, vlerën e bashkërenduar të qëndresës dhe shembullin e idealizmit të
pastër. Prandaj, çdo analizë serioze e njërit prej tyre kërkon patjetër një
reflektim mbi tjetrin, sepse vetëm së bashku ata mishërojnë plotësisht atë që
mund ta quajmë fryma dhe etika e vërtetë e çlirimit kombëtar.
Fehmi
Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci zënë një vend qendror në panteonin e
figurave më emblematike të historisë sonë të re. Ata nuk janë thjesht dy
individë që kontribuuan në kauzën kombëtare, por përfaqësues të një ideali të
madh dhe të një etike të pashoqe të sakrificës. Në rrëfimin tonë historik, pas
familjes heroike të Jasharëve – që mishëron kulmin e qëndresës dhe martirizimit
për lirinë e Kosovës – emrat e Fehmiut dhe Xhevës shfaqen si një model i
përkryer i përkushtimit të plotë dhe të ndërgjegjshëm ndaj atdheut.
Ata
e sublimuan nocionin e sakrificës përtej kufijve të zakonshëm të veprimeve
individuale, duke u bërë simbol i një përpjekjeje kolektive dhe i një bashkimi
të shenjtë për lirinë. Historia e tyre është dëshmi e gjallë se liria nuk
fitohet rastësisht apo me gjeste të izoluara, por me një përkushtim të plotë,
të vetëdijshëm dhe të përbashkët. Për këtë arsye, kujtimi i tyre nuk është
thjesht një element biografik në historinë kombëtare, por një pikë referimi
moral dhe edukativ për brezat që vijnë. Ata na kujtojnë se vetëm përmes
sakrificës së thellë dhe të ndërgjegjshme mund të ndërtohet liria dhe dinjiteti
i një kombi.
Shkrimi
për heronjtë nuk mund të jetë vetëm një akt i thjeshtë rrëfimi apo përshkrimi
biografik – është, para së gjithash, një akt përulësie dhe respekti të thellë
ndaj madhështisë së veprës së tyre. Në thelb, është një mënyrë për të njohur
dhe nderuar përmasën monumentale të sakrificës dhe përkushtimit që ata
përfaqësojnë në ndërgjegjen tonë kolektive. Kjo vepër nuk është thjesht e jona,
e lidhur vetëm me brezin tonë, por është një trashëgimi e vyer që do të mbetet
e gjallë dhe frymëzuese për të gjitha brezat e ardhshëm shqiptarë.
Heroizmi
i tyre është një burim i pashtershëm frymëzimi që tejkalon kufijtë e kohës dhe
rrethanave historike. Ajo na mëson vlerën e gatishmërisë për vetësakrificë kur
kombi përballet me sfida dhe rreziqe, duke u bërë shembull i ndritshëm i
qëndresës dhe i mbrojtjes së lirisë. Por njëkohësisht, vepra e tyre na kujton
edhe përkushtimin që kërkon koha e paqes, nevojën për punë të ndershme dhe të
palodhur, për ndërtim dhe zhvillim shoqëror, si mënyra më e mirë për të nderuar
gjakun e derdhur dhe idealet për të cilat ata u flijuan.
Në
këtë kuptim, shkrimi për ta nuk është vetëm një ushtrim memorial apo
historiografik – është një akt përgjegjësie morale dhe edukative, që synon të
ruajë të gjallë ndërgjegjen tonë kombëtare dhe të ushqejë aspiratat për një
shoqëri më të drejtë, më të lirë dhe më të denjë për sakrificën e tyre.
Në
rrjedhën e historisë njerëzore, është e rrallë të shohësh përsëritje të plotë
të ngjarjeve apo të modeleve të rezistencës, pasi çdo periudhë bart
karakteristikat dhe sfidat e veta unike. Megjithatë, në historinë tonë
kombëtare, kjo përsëritje tragjike ndodhi – madje në formën më të ashpër dhe të
pamëshirshme. Nuk ishte një zgjedhje e jona e vetëdijshme të ecim të njëjtën
rrugë të mundimeve dhe sakrificës, por një nevojë e imponuar prej ambicieve
grabitqare të pushtuesve të shumtë që kanë rrethuar dhe kërcënuar vazhdimisht
hapësirat tona etnike.
Kjo
është arsyeja pse në kujtesën tonë historike, figura si Shota dhe Azem Galica
zënë një vend të veçantë, ata janë shembulli i qartë i qëndresës së përbashkët
dhe të pathyeshme, të bashkuar jo vetëm në dashuri dhe jetë, por edhe në armë
dhe ideal për lirinë e Kosovës. Lufta e tyre krah për krah përbën një model të
pavdekshëm bashkimi në shërbim të atdheut.
Në
të njëjtën mënyrë, Xhevë dhe Fehmi Lladrovci trashëgojnë dhe mishërojnë këtë
traditë të lavdishme të rezistencës së dyfishtë, atë të bashkëshortëve dhe atë
të bashkëluftëtarëve. Përmes veprës dhe jetës së tyre të flijuar, ata
përcjellin mesazhe të fuqishme të qëndresës heroike të popullit të Kosovës
përballë dhunës dhe terrorit sistematik të Serbisë. Ata nuk janë vetëm
dëshmitarë të një epoke të dhimbshme, por bartës të një fryme të palëkundur
rezistence, që frymëzon ndërgjegjen kombëtare për breza të tërë dhe afirmon të
drejtën tonë të patjetërsueshme për liri, dinjitet dhe vetëvendosje.
Xhevë
Krasniqi (Lladrovci) lindi në vitin 1955 në fshatin Drenoc të Malishevës, një
mjedis që nuk ishte thjesht vendlindja e saj, por edhe vatër e një tradite të
thellë atdhedashurie dhe rezistence. Ajo ishte bijë e një familjeje me rrënjë
të thella patriotike, ku ideali i lirisë nuk ishte koncept abstrakt, por një
mision i trashëguar brez pas brezi, shpesh i paguar me çmimin më të lartë –
jetën dhe gjakun.
Babai
i saj- Abdyl Krasniqi, që në moshë të re, kishte zgjedhur rrugën e vështirë të
angazhimit në lëvizjen kombëtare shqiptare, duke u bërë pjesë e përpjekjeve për
të kundërshtuar pushtimin dhe për të afirmuar të drejtën e shqiptarëve për
vetëvendosje. Kjo traditë e rezistencës nuk ishte një episod i shkëputur, por
një vazhdimësi e gjatë dhe e përkushtuar.
Pas
vitit 1945, kur Kosova – kundër vullnetit të popullit të saj – u vendos nën
administrimin jugosllav dhe serb, shumë anëtarë të familjes Krasniqi vazhduan
të mos pajtoheshin me status quo-në e imponuar. Dokumente dhe dëshmi të shumta
tregojnë se ata u përfshinë në mënyrë aktive në organizatat ilegale shqiptare,
si Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH), “Besa Kombëtare” dhe të tjera
formacione që synonin çlirimin e Kosovës dhe realizimin e aspiratave kombëtare.
Në
këtë kontekst, formimi dhe personaliteti i Xhevës nuk mund të kuptohet pa këtë
sfond të pasur dhe të vështirë historik. Ajo ishte produkt i një edukimi që e
kishte përshkuar ndërgjegjësimin kombëtar dhe detyrimin moral për t’i shërbyer
çështjes së shenjtë të lirisë. Ky trashëgim familjar i dha asaj forcën,
vendosmërinë dhe idealizmin që do ta shoqëronin gjatë gjithë jetës dhe do ta
bënin një prej figurave më emblematike të rezistencës shqiptare në Kosovë.
Duke
u rritur në ambientin e veçantë të odave të Krasniqëve – ku debatohej me pasion
mbi çështjet kombëtare dhe ku kultivohej kujtesa e rezistencës – Xhevë Krasniqi
nuk mund të mbetej indiferente apo pasive. Që në moshë të re, ajo i kishte
veshët dhe sytë hapur për gjithçka që diskutohej rreth fateve të atdheut dhe
dhimbjes kolektive të popullit të saj. Ky mjedis e formësoi dhe e ushqeu
shpirtërisht, duke i ngulitur bindjen se nuk mjaftonte të ndjeje, por duhej të
veproje.
Fillimisht,
Xheva u shqua për dashurinë e saj të thellë për librat, duke i konsideruar ato
si mjet për emancipim personal dhe kombëtar. Por pasioni për dijen nuk qëndroi
vetëm si një dëshirë individuale, ajo e kuptoi se leximi dhe studimi duhej të
shndërroheshin në veprim konkret kundër pushtuesit, në forma të ndryshme të
angazhimit dhe rezistencës.
Kjo
qasje përparimtare ishte thellësisht e rrënjosur në familjen Krasniqi. Ata
ishin të vetëdijshëm se liria dhe barazia kombëtare nuk mund të konceptoheshin
pa emancipimin e gruas, pa përfshirjen e saj të plotë në jetën publike dhe
arsimore. Në këtë frymë, babai i saj nuk ngurroi asnjë çast ta dërgonte Xhevën
e vogël në shkollën fillore të fshatit Drenoc, ku ajo shkëlqeu me rezultate të
larta dhe tregoi përkushtim të jashtëzakonshëm.
Ky
sukses i hershëm ishte vetëm hapi i parë i një rruge më të gjatë, ajo vazhdoi
shkollën e mesme me të njëjtin nivel angazhimi e përgjegjësie dhe më pas, si
kulm i kësaj rruge arsimore, ndoqi studimet universitare në Universitetin e
Prishtinës në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, të cilat i përfundoi me
rezultate të admirueshme. Krenaria e familjes për arritjet e saj nuk ishte
vetëm kënaqësi prindërore, por dëshmi e një filozofie të tërë jetësore që lidhi
lirinë e kombit me dijen dhe emancipimin.
Pas
përfundimit të studimeve, Xheva e konkretizoi këtë vizion përmes punës si
mësuese e gjuhës shqipe në gjimnazin e Kievës, duke edukuar brezin e ri dhe
duke e bërë shkollën një tjetër front të rezistencës kulturore dhe kombëtare.
Kështu, ajo u shndërrua jo vetëm në simbol të dijes dhe përparimit, por edhe në
model të angazhimit atdhetar të gruas shqiptare në një kohë sfidash të mëdha
historike.
Është
e domosdoshme të theksohet se profesoresha Xhevë Krasniqi-Lladrovci nuk e
kuptonte mësimdhënien thjesht si detyrë të transmetimit mekanik të njohurive
për gjuhën dhe letërsinë shqipe. Për të, klasa ishte një hapësirë e shenjtë
formimi qytetar dhe kombëtar, një arenë ku nuk ndërtohej vetëm kultura
gjuhësore, por edhe ndërgjegjja historike dhe identiteti kombëtar i nxënësve.
Përveç
programit zyrtar, ajo e pasuronte mësimin me rrëfime dhe shpjegime të thella
për historinë e vërtetë të popullit shqiptar, duke përmbushur një mision që e
ndiente si obligim moral dhe patriotik. Në ligjëratat e saj, ajo shpesh ndalej
me pasion tek epopetë e lavdishme të rezistencës shqiptare, duke evokuar figurën
e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut – si simbol i unitetit, qëndresës dhe
krenarisë kombëtare.
Ajo
nuk ngurronte të diskutonte me nxënësit e saj për aktin madhor të shpalljes së
Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, duke ua shpjeguar se ky moment historik,
megjithëse i shenjtë dhe themelor, ishte shoqëruar edhe me padrejtësinë e madhe
të copëtimit të tokave shqiptare. Në këtë mënyrë, Xheva jo vetëm që i mësonte
gjuhën dhe letërsinë si instrumente të komunikimit dhe kulturës, por i pajiste
nxënësit me vetëdije kritike dhe ndjenjë përgjegjësie ndaj historisë, duke i
formuar si qytetarë të ndërgjegjshëm, të aftë për të kuptuar dhe vlerësuar të
kaluarën dhe për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë.
Në
këtë sens, ora e mësimit tek ajo nuk ishte vetëm një aktivitet arsimor, por një
mision edukues dhe kombëtar, që synonte të forconte lidhjen e brezit të ri me
rrënjët e tij historike dhe të kultivonte tek ata ndjenjën e përkatësisë dhe të
përgjegjësisë ndaj fatit të atdheut.
Qysh
në hapat e parë të karrierës së saj si mësuese dhe intelektuale e angazhuar,
Xhevë Krasniqi-Lladrovci u vu nën vëzhgimin e rreptë të organeve të sigurimit
jugosllav, të njohura si UDB-a. Nuk ishte rastësi ky survejim i hershëm. Autoritetet
e asaj kohe e dinin mirë prejardhjen e saj dhe faktin se vinte nga një familje
me tradita të spikatura atdhetarie dhe rezistence kundër pushtimeve të huaja.
Për këtë arsye, që në fillim, ata e konsideruan një subjekt potencialisht
“problematik”, një grua e rrezikshme për rendin e vendosur politik.
Survejimi
i ngushtë nuk bëri tjetër veçse i konfirmoi dyshimet e tyre: ata panë tek ajo
jo vetëm një mësuese të përkushtuar, por edhe një personalitet me ndikim që
mund të ushqente ndërgjegjen kombëtare dhe ndjenjat e rezistencës në mesin e të
rinjve. Kjo i alarmoi strukturat shtetërore, të cilat e identifikuan si një
rrezik të vazhdueshëm, një burim rebelimi të heshtur që duhej neutralizuar.
Si
rezultat, në fillim të viteve ’80, autoritetet ndërmorën një veprim drastik dhe
të qartë politikisht të motivuar, e përjashtuan Xhevën nga puna e saj si
profesoreshë në gjimnaz. Justifikimi zyrtar ishte se ajo kishte kryer
“veprimtari të hapura që binin ndesh me kushtetutën e R.S.F.J-së” – një akuzë e
zakonshme për të shënjestruar dhe shtypur çdo shprehje të vetëdijes kombëtare
shqiptare.
Ky
akt nuk ishte thjesht një dënim profesional, ai kishte për qëllim të dërgonte
një mesazh kërcënues, duke i treguar Xhevës dhe familjes së saj se tashmë rruga
drejt represionit dhe burgosjes ishte e hapur. Për ta, kjo ishte një gjendje e
njohur historikisht – e njëjta logjikë shtypëse që kishte goditur gjenerata të
tëra të familjes Krasniqi.
E
vetëdijshme për klimën politike gjithnjë e më kërcënuese dhe për pasojat që kjo
mund të sillte për të dhe familjen, Xheva mori vendimin e dhimbshëm të largohej
përkohësisht nga Kosova. Megjithatë, ky largim nuk nënkuptonte dorëzim apo
shkëputje nga ideali. Përkundrazi, ajo i dha një zotim vetes se kudo që të
gjendej, do ta vazhdonte pandërprerë veprimtarinë e saj atdhetare, duke e bërë
luftën për liri dhe të drejta kombëtare pjesë të pandashme të jetës dhe
identitetit të saj.
Jeta
e Xhevë Krasniqi-Lladrovcit nuk mund të përshkruhet kurrë si e lehtë apo e butë
– ajo nuk e njohu asnjëherë përkëdhelinë e komoditetit apo sigurinë e rreme të
dorëzimit. Që në rininë e hershme, ajo tregoi përkushtim të jashtëzakonshëm dhe
guxim të rrallë, duke marrë pjesë aktive në demonstratat studentore të vitit
1981, një kulm i pakënaqësisë së organizuar kundër padrejtësisë dhe shtypjes.
Më pas, ajo nuk hoqi dorë as në vitin 1989, kur lëvizja shqiptare në Kosovë
rifilloi me forcë për të kundërshtuar heqjen e autonomisë dhe për të kërkuar të
drejtat e mohuara.
Por
angazhimi i saj nuk mbeti i kufizuar në ato ngjarje historike. Përkundrazi,
aktiviteti i Xhevës ishte i dendur dhe i gjithanshëm kudo që ajo jetonte apo
vepronte: në Kosovë, në Maqedoni, në Kroaci, në vende të ndryshme të Evropës
Perëndimore dhe në Shqipëri. Në të gjitha këto hapësira, ajo nuk u mjaftua me
mbështetje simbolike, por kontribuoi me energji të pashtershme në organizimin
dhe përhapjen e ideve të lirisë dhe të bashkimit kombëtar.
Që
nga ditët e para të përfshirjes në veprimtarinë ilegale në Kosovën e pushtuar,
Xheva u dallua për vendosmërinë e pathyeshme. Ajo nuk njohu lodhje, frikë apo
hezitim. Edhe në kohët më të vështira, kur dukej se çdo rrugë ishte e mbyllur,
ajo vazhdoi të ecte përpara, duke shkelur mbi frikën dhe duke sfiduar pamundësinë.
Figura
e Xhevës sintetizon dy dimensione të thella dhe të ndërthurura të përvojës
shqiptare. Nga njëra anë, ajo mishëron modelin e besnikërisë dhe qëndresës
femërore, të asaj pritjeje mitike e sakrificës të bashkëshortes që ruan me nder
kujtimin dhe idealin e burrit të saj. Nga ana tjetër, ajo ngrihet si pasardhëse
e denjë e traditës së Shotë Galicës – bashkëshortja luftëtare, e barabartë në
armë dhe në mision, që ndan me shokun e saj jo vetëm dashurinë, por edhe
frontin dhe fatin e përbashkët të atdheut.
Kështu,
jeta e Xhevë Krasniqi-Lladrovcit përbën një mozaik të pasur të guximit, të
përkushtimit dhe të sakrificës – një testament moral dhe historik që mbetet
shembull i gjallë për të gjitha brezat e ardhshëm.
Xhevë
Krasniqi-Lladrovci zë një vend krejtësisht të veçantë dhe të paharrueshëm në
historinë e rezistencës së armatosur shqiptare. Ajo nuk ishte vetëm dëshmitare
e kohës së luftës, por një pjesëmarrëse aktive, e angazhuar që në radhët e para
të rezistencës së organizuar. Veprimtaria e saj filloi me pjesëmarrjen në
njësitin e parë shqiptar të armatosur, të njohur si njësiti luftarak për
mbrojtjen e Gospiqit në Kroaci, ku ajo shërbeu me përgjegjësi të veçantë si
kujdestare e moralit të brigadës. Në një mjedis të dominuar nga burrat, ajo nuk
ishte thjesht pjesë e strukturës, por e uniformuar dhe e angazhuar si
luftëtarja e vetme femër – një shenjë e qartë e guximit dhe vendosmërisë së
saj.
Por
kontributi i Xhevës nuk mbeti i kufizuar në atë fazë të hershme të formimit të
forcave shqiptare të armatosura. Më 2 shtator 1998, ajo mori një përgjegjësi
edhe më të madhe dhe më të rëndë- detyrën e komandantes së Brigadës 114 të
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një nga momentet më të rrezikshme, ajo
arriti ta nxjerrë brigadën nga rrethimi dhe t’i shpëtojë luftëtarët nga një
vdekje e sigurt – një akt i jashtëzakonshëm trimërie dhe udhëheqjeje që vulosi
reputacionin e saj si stratege dhe udhëheqëse e lindur.
Në
shenjë të këtij kontributi të jashtëzakonshëm, Ushtria Çlirimtare e Kosovës i
akordoi gradën e gjeneral-majorit – një nderim i rrallë jo vetëm për kohën, por
edhe në gjithë historinë ushtarake shqiptare. Xhevë Krasniqi-Lladrovci mbetet
deri më sot e vetmja grua nga radhët e UÇK-së që ka mbajtur këtë gradë, duke
shënuar një kulm të pandarë të historisë sonë të luftës për liri. Kjo nuk ishte
një dekoratë formale, por një vlerësim i merituar për udhëheqjen, trimërinë dhe
vendosmërinë e saj të patundur.
Në
këtë kuptim, grada e gjeneral-majorit nuk është vetëm një simbol ushtarak, por
edhe një dëshmi historike dhe morale që e njeh Xhevën si figurën më të denjë
për të mishëruar idealin e luftëtares dhe të udhëheqëses – një grua që jo vetëm
sfidoi armikun, por edhe paragjykimet gjinore, duke lënë një trashëgimi të vyer
për brezat që do të vijnë.
Xhevë
Krasniqi-Lladrovci nuk ishte vetëm një figurë e rëndësishme në strukturat e
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por një pjesëmarrëse aktive dhe e vendosur në
betejat më të rëndësishme të saj, gjithmonë krah për krah me bashkëshortin e
saj, Fehmi Lladrovcin. Ky binom i pathyeshëm i rezistencës shqiptare mishëronte
idealin e përbashkët të lirisë dhe përkushtimit total ndaj çështjes kombëtare.
Në vijat e frontit, midis qindra luftëtarëve që komandonte Fehmiu, Xheva nuk
qëndronte prapa, por ishte në pozicionet e para të luftës, duke dëshmuar
guximin dhe vendosmërinë e saj të pashoqe.
Kështu
u arrit deri tek agimi i 22 shtatorit 1998 – një ditë e cila u gdhi me zjarrin
e një beteje të përgjakshme dhe të pabarabartë. Forcat ushtarake serbe kishin
nisur një ofensivë masive mbi Drenicë, synimi i tyre i qartë ishte të thyenin
vijën e mbrojtjes së UÇK-së dhe të depërtonin në zemrën simbolike dhe
strategjike të rezistencës shqiptare.
Në
këtë moment kritik, Fehmi Lladrovci, me autoritetin dhe guximin që e
karakterizonte, lëshoi kushtrimin e parë, duke thirrur bijtë dhe bijat e
Drenicës që të ngriheshin me armë në dorë dhe me besën e lashtë shqiptare në
zemër. Forcat serbe, të pajisura me tanke dhe artileri të rëndë, ushtronin
presion të madh dhe përpiqeshin të thyenin mbrojtjen me çdo kusht.
Detyra
e luftëtarëve të UÇK-së ishte jetike, të mbronin çdo pëllëmbë të tokës, të mos
lejonin armikun të depërtonte në “Dardaninë e lashtë”, këtë zemër të simbolit
historik dhe shpirtëror të shqiptarëve. Në çastet më të rënda, kur gjithçka
dukej e humbur dhe rreziku i shkatërrimit të plotë ishte i afërt, komandanti
Fehmi Lladrovci doli nga pozicioni i tij dhe me zë të fuqishëm lëshoi
kushtrimin e dytë, duke mobilizuar të gjithë forcat për një kundërsulm të
vendosur.
Kundërsulmi
që pasoi zgjati me orë të tëra, duke u bërë dëshmi e heroizmit, qëndresës dhe
sakrificës së jashtëzakonshme të këtyre burrave dhe grave që, të bashkuar në
ideal dhe betejë, mbrojtën me gjak pragun e shtëpisë. Ishte një betejë që nuk
mund të shihet thjesht si një ngjarje ushtarake, por si një moment kulmor i
ndërgjegjes kombëtare shqiptare, ku Xheva dhe Fehmiu u shndërruan në simbole të
përhershme të besnikërisë ndaj atdheut dhe popullit të tyre.
Sulmi
i forcave serbe mbi pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte i ashpër
dhe i pamëshirshëm, një përpjekje e përqendruar për të thyer rezistencën dhe
për të depërtuar në zemër të Drenicës. Luftëtarët shqiptarë, megjithatë,
qëndruan të vendosur dhe të disiplinuar. Pas orësh të tëra luftimesh të egra,
ata dalluan shenja të qarta të tërheqjes së armikut. Forcat serbe, përballë
kundërsulmit të vendosur dhe moralit të lartë të mbrojtësve, nisën të
zmbrapseshin.
Por
ndërsa shpresa për një fitore taktike dukej se po merrte formë, vërejtja e tyre
u ndal me shqetësim tek pozicioni i komandant Fehmi Lladrovcit – ai vend,
zakonisht i gjallë me urdhrat dhe zërin e tij të fuqishëm, tashmë ishte bërë i
heshtur. Trupi i komandantit, që gjithnjë kishte qëndruar në ballë të rrezikut,
kishte marrë plagë vdekjeprurëse. Ai ra në atë mënyrë siç kishte jetuar – me
trimëri dhe dinjitet të plotë – duke u ngjitur me nder në shkallët e historisë,
për të zënë vend në altarin e pavdekësisë që është rezervuar vetëm për
heronjtë.
Për
Xhevë Krasniqi-Lladrovcin, ky lajm qe një goditje e rëndë dhe therëse në
shpirt. Humbja e bashkëshortit, shokut të idealit dhe armëve, përbënte një
dhimbje që nuk mund të përshkruhej lehtë me fjalë. Pavarësisht kësaj dhimbjeje
të pamasë, ajo nuk u shkatërrua nga dëshpërimi. Menjëherë, me një instinkt të
thellë të përgjegjësisë dhe besnikërisë ndaj kauzës, ajo u nis me nxitim drejt
vendit ku ndodhej ai.
Koha,
megjithatë, nuk ishte në anën e saj. Nuk pati hapësirë për të qarë mbi trupin e
tij apo për t’i dhënë lamtumirën që do ta meritonte. E kuptonte qartë se beteja
nuk kishte mbaruar dhe se përkushtimi i saj duhej të ishte i plotë. Me
vendosmëri të hekurt, ajo porositi shokët që të mos përhapnin lajmin e vdekjes
së Fehmiut – duke shmangur kështu goditjen morale që mund të shpërbënte vijën e
mbrojtjes. Pastaj, pa hezitim, ajo u hodh në vijën e parë të frontit, duke
marrë e para barrën e sulmit dhe duke dëshmuar me veprim, e jo vetëm me fjalë,
se trimëria dhe besnikëria ndaj atdheut nuk i lejonin asnjë çast dorëzim.
Në
këtë akt të jashtëzakonshëm, Xheva jo vetëm që mbajti gjallë moralin e luftëtarëve,
por edhe mishëroi në mënyrë të plotë idealin e sakrificës së pastër, duke
treguar se dashuria për atdheun dhe për bashkëluftëtarët ishte më e madhe se
dhimbja personale. Kështu, ajo u bë jo vetëm bashkëluftëtare, por simbol i
gjallë i forcës shpirtërore në kohët më të vështira të historisë sonë.
Dëshmitë
e mbledhura nga bashkëluftëtarët dhe të mbijetuarit e asaj dite të rëndë
përshkruajnë me ndjenjë të thellë tragjedinë dhe madhështinë e fundit të Xhevë
Krasniqi-Lladrovcit. Thuhet se mjaftuan vetëm dy orë përleshje të pamëshirshme,
ku dhuna e luftës mori trajta të papara dhe gjakderdhja arriti kulmin, që
plumbat e armikut të gjenin rrugën drejt zemrës së Xhevës. Me këtë akt të
fundit të sakrificës, ajo e mbylli kapitullin personal të një jete të tërë të
përkushtuar, duke e përmbyllur njëherazi edhe epopenë e përgjakshme të 22
shtatorit 1998 në Drenicë.
Në
këtë betejë të pabarabartë, në të cilën vendosmëria dhe ideali u përballën me
dhunën brutale të pushtuesit, kombi shqiptar shkroi dy emra të rinj në altarin
e tij të pavdekësisë: Fehmi dhe Xhevë Lladrovci. Ata nuk ishin më thjesht
bashkëshortë të kurorëzuar në emër të Zotit, por u shndërruan në simbole të
shenjta të një kurorëzimi të dytë, të një niveli më të lartë dhe më të thellë-
kurorëzimi me dashurinë dhe mirënjohjen e përjetshme të kombit të tyre.
Ky
komb, që nëpër shekuj ka ditur të mbijetojë përballë pushtimeve dhe dhunës, që
kurrë nuk ka pranuar të vdesë shpirtërisht, i pranoi ata si bij të tij të
pavdekshëm. Emrat e tyre nuk janë më thjesht pjesë e regjistrit të dëshmorëve,
por janë bërë pjesë e ndërgjegjes sonë kolektive, shembuj të gjallë të sakrificës
së pastër dhe të dashurisë sublime për atdheun. Në këtë mënyrë, përmes rënies
së tyre heroike, ata na lanë një trashëgimi të paçmuar- kujtesën e gjallë të
asaj që do të thotë të jesh i lirë dhe të jetosh me nder.
Heroina
Xhevë Krasniqi-Lladrovci ishte e lidhur me Fehmi Lladrovcin jo vetëm me një
dashuri të zakonshme bashkëshortore, por me një besë të shenjtë, të dhënë që në
vitet e hershme të njohjes së tyre. Në letrën që i shkroi më 28 nëntor 1988 –
një datë simbolike për gjithë shqiptarinë – ajo e formuloi këtë premtim me
fjalë të qarta dhe të fuqishme: “Edhe jetën, edhe vdekjen i kemi bashkë.” Ky
nuk ishte një premtim romantik në kuptimin e ngushtë, por një akt solemn dhe i
ndërgjegjshëm që përshkonte tërë thelbin e angazhimit të tyre kombëtar. Dhe
ashtu ndodhi, ata jetuan dhe ranë bashkë, duke e përmbushur këtë besë në
mënyrën më të plotë dhe më të dhimbshme.
Kjo
lidhje e tyre ishte një aleancë e thellë shpirtërore dhe kombëtare, që e
tejkalonte dimensionin individual dhe bëhej shembull kolektiv i unitetit dhe
sakrificës për atdheun. Për këtë arsye, shumë studiues e njohës të jetës së
tyre i kanë trajtuar Fehmiun dhe Xhevën si figurë të dyfishtë, të pandarë në
kuptimin historik dhe moral.
Një
prej njohësve më të mirë të veprës së tyre, Bedri Islami, ka hedhur dritë mbi
këtë dimension të veçantë përmes analizës së dokumenteve personale të Xhevës.
Në një nga shkrimet e tij, ai citon ditarin e saj, ku ajo shpreh qartë vizionin
politik dhe moral për të ardhmen e kombit. Fjalët e saj janë një testament i
vërtetë i ndërgjegjes kombëtare dhe strategjisë së lirisë:
“Mjaft më të robëruar, të vrarë, të copëtuar. Nuk është koha
të luftojmë për pushtet, është koha të mblidhemi tok, të lidhemi me besa-besë,
të luftojmë për liri. Pastaj të përcaktohemi për demokraci, në suazat e jetës
dhe të traditës shqiptare, pa praninë e asnjë ideologjie të huaj, që me
vullnetin e popullit, me vetëvendosje të zgjidhet çështja jonë kombëtare. Dhe
atëherë do të lulëzojë edhe mendimi i gruas shqiptare, fisnikëria e saj e njohur,
mendimi logjik e zemra e zjarrtë. Liria fillon nga zemra e nënës.” përfundon citati.
Ky
pasazh i ditarit të saj është më shumë se një reflektim personal – është një
thirrje programatike, një udhërrëfyes për të gjithë ata që do të donin të
ndërtonin një shoqëri të lirë dhe të drejtë. Në të përvijohen qartë vlerat që
ajo dhe Fehmiu mbronin, uniteti kombëtar përtej ndarjeve të brendshme, refuzimi
i ideologjive të importuara që deformojnë traditën, respekti për vullnetin e
popullit dhe, mbi të gjitha, afirmimi i rolit të gruas shqiptare si shtyllë e
lirisë dhe e qytetërimit kombëtar.
Për
Xhevën, liria nuk ishte vetëm një koncept politik, por një realitet i rrënjosur
në shpirtin e njeriut, që fillon në mënyrën më themelore tek “zemra e nënës” –
burimi i dashurisë, i edukatës dhe i formimit moral. Në këtë sens, mesazhi i
saj tejkalon kufijtë e kohës dhe mbetet një testament i gjallë për brezat që
vijnë, duke na kujtuar se ndërtimi i lirisë kërkon jo vetëm trimëri në betejë,
por edhe ndershmëri mendimi, unitet dhe dashuri të thellë për njeriun dhe
atdheun.
Literatura:
1. Sabile
Keçmezi-Basha, Xhevë Krasniqi-Lladrovci-Flakadan i pashuar lirie, Kosova sot,
16 qershor 2012.
2. Bedri
Islami, Përjetësia e dyfishtë – Fehmiu dhe Xheva, një jetë e jashtëzakonshme,
2008,
3. Hamdi
Thaqi, Drenica djep i UÇK-së dhe Batalioni I i Brigadës 114 ‘Fehmi Lladrovci’,
2017
4. Hanëmshahe
Ilazi, Gra të njohura të trojeve shqiptare, Prishtinë 2015
5. https://sq.wikipedia.org/wiki/Xhev%C3%AB_Krasniqi_-_Lladrovci
6. https://www.radiokosovaelire.com/xheve-avdyl-krasniqi-lladrovci-1-6-1955-22-9-1998-2/
7. https://www.kosovarja-ks.com/behen-24-vjet-nga-renia-e-fehmi-dhe-xheve-lladrovcit/
8. https://www.kosovarja-ks.com/tag/xheve-krasniqi/
9. https://hogoshti.blogspot.com/2011/10/fehmi-e-xheva-lladrovci.html
10. https://indeksonline.net/20-vjet-nga-renia-e-fehmi-dhe-xheve-lladrovcit/
11. https://www.radiokosovaelire.com/dr-hakif-bajrami-tri-heroinat-shqiptare-shote-galica-marie-shllaku-dhe-xheve-krasniqi-lladrovci/
12. https://www.dukagjini.com/kurti-jeta-e-fehmi-e-xheve-lladrovci-ka-qene-lavd-dhe-kryeveper-per-lirine-e-kosoves/
13. https://www.wikiwand.com/sq/articles/Ilaz_Kodra
14. https://gazetademos.com/vellai-i-xheve-lladrovcit-krasniqit-motra-ime-ka-shkuar-nuse-kur-fehmiu-ishte-ne-burg-kane-qene-te-pandashem/
15. https://drenicaonline.com/2025/06/04/xheve-krasniqi-lladrovci-gruaja-qe-u-be-simbol-i-luftes-per-liri/
16. https://indeksonline.net/zbulohet-shtatorja-e-heronjve-fehmi-dhe-xheve-lladrovci/