| E enjte, 25.09.2025, 07:00 PM |
MARRËDHËNIET E SERBISË ME VENDET JODEMOKRATIKE
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Një parti politike në Kosovë, për t’u
regjistruar si e tillë, duhet të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e saj,
tërësinë tokësore dhe sovranitetin e saj. Kështu veprohet në çdo vend të botës.
Ndryshe, ajo parti nuk mund të regjistrohet si e tillë.
Partia “Lista Serbe” që vepron kryesisht
në veri të Kosovës:
- krijoi në veri pushtet paralel;
- nënkryetar i saj ka qenë Milan
Radoiçiqi i cili më 24 shtator 2023 ndërmori sulm terrorist në fshatin Banjskë
në veri të Kosovës, me ç’rast mbeti i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës
Afrim Bunjaku;
- nuk e njeh pavarësinë, tërësisë
tokësore dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës;
- nuk i respekton ligjet dhe Kushtetutën
e Kosovës;
- është vegël e Beogradit dhe e
politikës ekspansioniste serbomadhe;
- vepron sipas direktivave të Vuçiqit;
- nuk i njeh institucionet dhe organet
politike, shoqërore, ekonomike, kulturore të Kosovës;
- Kosovën e quan “Kosovë dhe Metohi”;
- thotë se Kosova është pjesë e pandarë
e Serbisë, djep i Serbisë, Jerusalem i Serbisë; Serbi e Vjetër;
- nuk e njeh historinë e Kosovës, mohon
historinë e saj;
- Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e quan
ushtri terroriste;
- nuk e njeh autoritetin e Prishtinës,
njeh autoritetin e Beogradit.
* * *
Autoritetet e Kosovës me të drejtë
tentuan ta parandalojnë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet vendore të
Kosovës që do të mbahen më 12 tetor 2025. Kundër synimit të autoriteteve të
Kosovës u ngritën – pa të drejtë - ShBA-ja dhe BE-ja. Merr pjesë
në zgjedhje një parti serbe që nuk e njeh shtetin e Kosovës. Absurde! Kjo s’ka
ndodhur kurrë në historinë e botës.
Sistemi i arsimit dhe ai i shëndetësisë
në veri punojnë sipas plan-programeve dhe rregullave të Beogradit, d.m.th. janë
jashtë sistemit arsimor dhe shëndetësor të Republikës së Kosovës.
Pakica serbe në veri, historinë e mëson
sipas plan-programeve të Beogradit. Kosova nuk mund të ketë dy histori:
historinë çlirimtare shqiptare dhe historinë pushtuese gjenocidale serbomadhe dhe serbo-çetnike.
Historia e Kosovës nuk është ajo e car
Dushanit, e car Lazarit, e Rankoviqit, e Milosheviqit, e Sheshelit dhe e
Vuçiqit.
Historia e Kosovës është ajo e Adem
Demaçit, e Ibrahim Rugovës, e Adem Jasharit, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Luftën
çlirimtare duhet dalluar nga lufta pushtuese.
* * *
Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së,
më 24 shtator 2025 mbajti fjalim edhe kryetari i Serbisë, Vuçiqi. Ai tha: “Kosova dhe Metohia janë pjesë e pandarë e
Serbisë. Serbia kurrë s’ka për ta njohur shtetin e Kosovës. Serbët në Kosovë i
nënshtrohen dhunës së autoriteteve të Prishtinës”.
Ky kriminel, rrenacak, gënjeshtar,
mashtrues i opinionit botëror e ka vendin në Hagë që të përgjigjet para
Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për krime lufte dhe krime kundër
njerëzimit. Dikur, ky dhe një pjesë e kabinetit të tij ishin pjesë e politikës
së Milosheviqit dhe të Sheshelit.
Më 20
korrik 1995, nga foltorja e Kuvendit të Serbisë, Vuçiqi deklaroi: “Bombardoni ju, vritni një serb, ne do të
vrasim njëqind myslimanë dhe të shohim në guxon bashkësia ndërkombëtare t’i godasë pozicionet serbe.”
Përkundër
një deklarate të tillë ndaj myslimanëve të BH-së, shumë vende islamike nuk e kanë
njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Madje ka do shtete arabe apo
islamike që në mosmarrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë, mbajnë anën e
Beogradit.
Më 23 maj 2024, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të
Bashkuara në Nju-Jork miratoi Rezolutë për Srebrenicën. Me këtë dokument 11
korriku shpallet Ditë ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave të gjenocidit në
Srebrenicë, dënohet mohimi i gjenocidit dhe glorifikimi i krimeve të luftës.
Fjalimi
i Vuçiqit në Asamblenë së Përgjithshme të OKB-së se ndaj serbëve në veri
ushtrohet dhunë, nuk është veçse propagandë e kulluar. Ujku i thotë qengjit: “Mos ma turbullo ujin!” E vërteta është
kjo: Serbët në Kosovë i gëzojnë të gjitha të drejtat, si asnjë pakicë në asnjë
vend të BE-së. Problemi qëndron në faktin se ata dhe Beogradi nuk duan të
drejta, duan territor.
U bënë
gati një vit që kundër Vuçiqit, në shumë qytete të Serbisë protestojnë studentë
dhe qytetarë. E quajnë tiran, despot, autokrat, autoritar, totalitar dhe
diktator. Në Ballkanin Perëndimor ai ndjek politikë luftënxitëse, militariste
dhe destabilizuese. Është në mosmarrëveshje pothuajse me të gjitha shtetet e
rajonit. E ka shndërruar Serbinë në marionete të Moskës.
Përse ky
njeri me ide retrograde, anakronike dhe antihistorike sillet kështu?! Sillet
ngase Serbia është e përkëdhelura e Uashingtonit, e Berlinit, e Parisit dhe e
Londrës. Përkëdheljen dhe ledhatimin e Serbisë së Vuçiqit, fuqitë perëndimore e
arsyetojnë kësisoj: “E përkëdhelim
Serbinë për qëllime gjeopolitike. Duam ta nxjerrim nga zona ruse e ndikimit dhe
nga sfera ruse e interesit”.
Ta
nxjerrim Serbinë nga gjiri i ariut të veriut, duke e shpërblyer për këtë me një
pjesë të territorit të Kosovës. Atëherë përse u bë lufta?! Për ta amputuar
Dardaninë?!
Në vend
që të shpërblehet Kosova dhe të ndëshkohet politika klerofashiste serbe, ndodh
e kundërta!! Perëndimorët e vënë Kosovën nën sanksione, kurse në Serbi
investojnë miliarda euro. Në këtë mënyrë kriminelit prorus dhe prokinez ia
zgjatin jetën politike.
* * *
Në Treguesin
e ligjit dhe të rendit të vitit 2025, të publikuar nga Instituti Amerikan
Gallup, Kosova renditet e para në Evropë dhe e treta në botë. Nga 100 pikë të
mundshme, Kosova ka marrë 94 pikë. Për qytetarët e vet, ajo rezulton si shteti
më i sigurt në botë.
* * *
Amerikë, ja miqtë e Vuçiqit!
Beogradi prej vitesh mban lidhje me
regjimet në Rusi, Kinë, Bjellorusi, Venezuelë dhe Iran. Kryetari i Serbisë,
Aleksandar Vuçiq, njoftoi se së shpejti do të mbahet një takim i zyrtarëve të
Serbisë dhe Rusisë “në nivelin më të lartë”. Po qe se takimi do të ndodhë , atëherë
ky do të jetë i dyti i këtij lloji këtë vit, pas vizitës së Vuçiqit në Moskë në
maj të viti 2025;
Më 9 maj 2025 Putini dhe Vuçiqi realizuan
një takim në Moskë;
Po atë ditë, Vuçiqi njoftoi se kishte
zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e Venezuelës, Nikolas Maduro, për të cilin BE-ja thotë
se nuk e ka legjitimitetin e një kryetari të zgjedhur në mënyrë demokratike për
shkak të parregullsive zgjedhore. Megjithëkëtë, Vuçiqi e quajti atë “mik të madh” të Serbisë;
Forcimi i fuqive rajonale - Pozicioni i Serbisë në planin ndërkombëtar mund të
kuptohet po qe se analizohet nga perspektiva e parimeve kryesore të politikës
së jashtme të Rusisë dhe të Kinës që përmblidhen me frazën: një botë multipolare. Kështu thotë profesori i sociologjisë
politike në Departamentin për Studime Sllave dhe të Evropës Lindore të
University College London – Erik Gordi
(Eric Gordy, 1989 - ).
“Kjo do të thotë se janë më të orientuar në forcimin e
fuqive rajonale, sesa të fuqive globale. Synimi është të dobësohet fuqia e
shteteve me ekonomi të forta si SHBA-ja dhe shtetet evropiane”, thotë Gordi.
Në “përqafimin” e Rusisë - Pavarësisht thirrjeve të Brukselit që të mos shkonte në
Moskë, më 9 maj 2025 Vuçiqi mori pjesë në shënimin e Ditës së fitores mbi
fashizmin në Luftën e Dytë Botërore. Kjo ishte vizita e parë e Vuçiqit në Rusi
që kur Moska ndërmori pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Prej
zyrtarëve evropianë, përpos Vuçiqit në këtë paradë morën pjesë vetëm
kryeministri prorus i Sllovakisë, Robert
Fico (1964- ) dhe kryetari i Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko.(1954- ). Me këtë rast Vuçiqi u takua me Putinin
të cilin e falënderoi për “mbështetjen e
madhe” që ia jep Beogradit lidhur me Kosovën. Pas vizitës së Vuçiqit në
Moskë, BE-ja “shprehu keqardhje të thellë” për vajtjen e tij në Moskë, duke
shtuar se Serbia duhet “ta bindë” Brukselin për “orientimin e saj strategjik drejt BE-së”.
Që nga maji, nga Moska kanë ardhur
mesazhe të paqarta për Beogradin – prej kritikave për pretendimet se armët
e prodhuara në Serbi përfundojnë
në Ukrainë, deri te mesazhet mbështetëse për shtypjen “e revolucionit me ngjyra”, siç i quajnë autoritetet serbe dhe ruse
protestat antiqeveritare që zgjasin qe nëntë muaj. Kremlini e ka mbështetur
regjimin e Serbisë për shtypjen “e
revolucionit me ngjyra”. Me këtë term, zyrtarët serbë i cilësojnë protestat
studentore dhe qytetare që kanë filluar në nëntor të viti 2024.
Edhe pse Serbia në OKB e ka dënuar
pushtimin rus të Ukrainës dhe e ka mbështetur tërësinë tokësore të saj, përfshi
edhe territoret e pushtuara, ajo është një nga shtetet e pakta të Evropës që
nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.
Miqësi prej çeliku - Miqësi
prej çeliku është shprehja që e përdorin zyrtarët serbë për t’i përshkruar
marrëdhëniet me Kinën. Homologun kinez, Xi
Jinping, Vuçiqi e quan “mik të madh dhe vëlla”. Në fund të korrikut, Vuçiq
njoftoi se më 3 shtator do të takohet me kryetarin kinez në Pekin. Takimi paraprak
i tyre u realizua në maj 2025 në Moskë, gjatë paradës së mbajtur me rastin e Ditës
së fitores mbi fashizmin. Xi Jinping për herë të fundit e vizitoi Beogradin në
maj të vitit 2024. U prit nga mijëra qytetarë me flamuj të Serbisë dhe të Kinës. Kompanitë kineze janë të përfshira në realizimin
e shumë projekteve infrastrukturore në Serbi, përfshi edhe rindërtimin e
hekurudhës Beograd-Budapest. Me shembjen e strehës së stacionit hekurudhor në
Novi-Sad, humbën jetën 16 persona.
Për intensifikimin e bashkëpunimit
politik dhe ekonomik me Kinën, Beogradi është kritikuar dhe është paralajmëruar
disa herë nga ShBA-ja dhe BE-ja. Serbia thotë se dëshiron të jetë në BE, e në
anën tjetër lidhet me Rusinë dhe Kinën.
Me rastin e vizitës së kryetarit kinez
Xi Jinping në maj të viti 2024, për ta përshëndetur, qytetarët u tubuan para
Pallatit “Serbia” në Beograd.
Pranë autokratëve në Venezuelë dhe Bjellorusi - “Pse të mos shkoj në
Venezuelë? Serbia nuk është vend që merr urdhra nga jashtë”, deklaroi më 15 janar kryetarja e Kuvendit të Serbisë,
Ana Bërnabiq (1975- ), kur u pyet
nga REL-i për praninë e saj në inaugurimin e Nikolas Maduros (Nicolás Maduro, 1962- ) në Karakas. Në janar të
vitit 2025 Bërnabiq mori pjesë në inaugurimin e Nikolas Maduros.
Komisioni Evropian deklaroi se Serbia
duhet të përmbahet nga veprimet që janë në kundërshti me politikën e jashtme të
BE-së.
Që nga viti 2006, ShBA-ja ka vendosur
sanksione ndaj Venezuelës. Në janar të vitit 2024 ato u zgjeruan. Maduro
akuzohet nga Uashingtoni për korrupsion, trafik droge dhe shkelje të
demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Në zgjedhjet presidenciale të mbajtura
në korrik të vitit 2024, ai shpalli fitoren. Opozita i konsideroi të
manipuluara dhe në mbarë vendin organizoi protesta masive. Në mesin e pak
zyrtarëve botërorë që ia uruan Maduros mandatin e tretë ishte edhe Vuçiqi.
Më 9 maj 2025 Nikolas Maduro dhe gruaja
e tij Cilia Flores (1956- ) morën
pjesë në paradën ushtarake të Ditës së fitores mbi fashizmin në Moskë.
Në fillim të vitit 2025 kryetari autoritar
i Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko
shpalli mandatin e tij të shtatë. Zgjedhjet në Bjellorusi Perëndimi i
konsideroi të manipuluara. Beogradi ishte ndër të parët që ia uroi Lukashenkos.
Ish-zëvendëskryeministri Aleksandar
Vulin (1972- ), i njohur për lidhjet e ngushta me Kremlinin dhe Minskun, e
uroi Lukashenkon si “mik të Serbisë”.
Për lidhjet e tij me Rusinë, Vulini u fut në listën e sanksioneve të ShBA-së. Në
tetor të vitit 2024 në samitin e BIRKS
në Kazan të Rusisë, ai u takua me Lukashenkon.
Për rolin e saj në pushtimin rus të
Ukrainës, Bjellorusia është nën sanksione të BE-së. Serbia iu bashkua
sanksioneve vetëm pjesërisht.
Roli i armëve – Profesor Erok Gordi
thotë: “Serbia realizon fitime të mëdha
nga shitja e armëve në shumë vende të botës, sidomos në vendet që dikur kanë
qenë klientë të Jugosllavisë”.
Me nisjen e konfliktit midis Izraelit
dhe Iranit më 23 qershor 2025, Vuçiqi deklaroi se Serbia ka pezulluar eksportin
e armëve. Në qershor të viti 2025, Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme i Rusisë
e fajësoi Serbinë se municionet e saj, nëpërmjet vendeve të NATO-s, përfundojnë
në Ukrainë. Beogradi e mohoi një gjë të tillë, duke thënë se pas shitjes së
armëve në vende të treta, nuk ka kontroll mbi destinacionin përfundimtar të
tyre.
Kjo çështje i vuri në qendër të
vëmendjes edhe marrëdhëniet e Serbisë me Iranin. Edhe pse Beogradi zyrtar ka
pretenduar se në konfliktin midis Izraelit dhe Iranit mban qëndrim asnjanës, të
dhënat tregtare tregojnë një prirje më të madhe drejt Tel Avivit.
Serbia në shumë raste nuk i përfilli vendimet
e BE-së për sanksione ndaj Iranit, si për veprimtaritë bërthamore, ashtu edhe
për shkeljen e të drejtave të njeriut.
Pse mungon BE-ja? - Erik Gordi e lidh këtë me projektin e nxjerrjes së
litiumit “Jadar” nga kompania australiane “Rio Tinto” që ka shkaktuar protesta
të mëdha në Serbi. Sipas tij, ky projekt nuk mund të realizohet në Evropë për
shkak të standardeve mjedisore dhe rezistencës publike. Prandaj BE-ja shpesh e mbyll
njërin sy ndaj shkeljes së parimeve demokratike nga Vuçiqi.
Më 4 qershor 2025, Komisioni Evropian, projektin
“Jadar” e përfshiu në mesin e 13 projekteve strategjike me lëndë të para
kritike, pavarësisht pasigurisë për vazhdimin e tij.
Analiza e Fondit ISAC (Qendra për
Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë / The
International and Security Affairs Centre - ISAC Fund) tregon se në vitin 2024, përputhshmëria e Serbisë me
deklaratat e politikës së jashtme të BE-së ka qenë 59%. Pra më shumë se një vit
më parë, por përsëri më e ulëta ndër vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor.
Megjithëkëtë, BE-ja nuk ka ushtruar mbi
Serbinë ndonjë farë trysnie të njëmendët për kontaktet e saj me regjimet
jodemokratike.