| E merkure, 24.09.2025, 06:56 PM |
Besa, guximi, mikpritja dhe bujaria shqiptare e familjes me tradita të Ded Kol Mirit Dedvukaj (1953-2025), në vendlidje dhe diasporë
Lajmi i hidhur erdhi më 12 shtator 2025, kur u nda nga jeta atdhetari dhe
miku i shquar i të gjithë shqiptarëve Ded Kol Miri Dedvukaj (1953-2025), në
moshen 72 vjeçare, i cili tronditi të gjithë komunitetin e madh
shqiptaro-amerikanë dhe Malësinë në vendlindje, qe e kanë njohur këtë atdhetar
të palodhur dhe zemërbujar të përhershëm me të gjithë bashkatdhetarët
pavarësisht fesë, krahinës dhe ideve. Disa vite më parë ishte ndarë nga jeta
bashkëshortja e të ndjerit e ndjera Lene Nikollia Dedvukaj. Kjo ngjarje solli pikëllimin e djemëve Pashko dhe Joseph; Reja - Marta; Vajzave:
Christina, Ruzhe, Mri dhe Valbona; Vellezërit
e të ndjerit: Marash dhe Noc, Kunata - Vitore dhe Maria, si dhe motrat: Ageja, Marja, Terezia, Filja. Gjithashtu shumë
të pikëlluar janë edhe 21 nipërit dhe
mbesat si dhe 2 stërnipërit e tij. Kjo dhimbje përfshiu familjen e madhe të Kol Mirit si dhe farafesin Dedvukaj. Funerali u mbajt në Shtepinë Mortore “Yorktown Funeral
Home”, ditën e marte me 16 shtator nga ora 2:00pm-9:00pm. I ndjeri u përcjell
për tu varrosë në vendlindje, Vuksanlekaj, në Malësi. Famullitari i kishës katolike shqiptare Zoja e
Shkodrës dom Pjetër Popaj, mbas meshës të përshpirtshme, i shprehu ngushllimet
të sinqerta familjes dhe gjithe farefisit. “Deda, pastë dritë
në amshim dhe të gjallëve Zoti u dhashtë forcë.” Pastë
tokën e lehtë të vendlindjes së Hotit, njeriu kreshnik e fisnik i Malësisë e i
shqiptarisë. Komunitetit të madh shqiptaro-amerikan në New York, Detroit dhe më
gjerë, do t’i mungojë shumë prania, fjala dhe veprimtaria e këtij
personalitetit të shquar të botës shqiptare.
Nga
Klajd Kapinova
Historia e paharruar e nacionalizmit
shqiptar të familjes Dedvukaj dhe pinjollit Ded Kol Mirit Dedvukaj
Një
pjesë e mirë e malësorëve tanë trima të pamposhtur, historikisht kanë qenë një qendrese e madhe
dhe e vendosur në luftën kundër komunizmit në trojet etnike shqiptare. Ndër shekuj dhe deri në ditët tona,
gjatë historisë së saj të lavdishme populli shqiptar ka dhënë shumë trima të
guximshëm, dëshmorë e heronj kombëtarë, që kanë dhënë jetën, për lirinë,
dinjitetin njerëzor e kombëtar, besën dhe besnikërinë tipike dhe tradicionale
amtare.
Sikurse mësojmë nga
historia, kujtimet e bashkëkohsve, librat me kujtime të botuara kohët e fundit
si dhe nga vetë pjesëtarët e familjes Dedvukaj, del se disa dekada më parë me
ardhjen e komunistëve në pushtet, kapiten Gjelosh Luli, qëndroi i fshehur nëpër
male, duke u strehuar tek miqtë e tij, sa në malësitë e Hotit të përtej kufirit
dhe atë të Kastratit këtej kufirit, ku u rrethua dhe ra disa herë në përpjekje
me Forcat e Ndjekjes.
Nga ajo familje e madhe,
përveç Dedë Gjon Lulit, kanë qenë tepër të njohur edhe dy djemtë e tij, Kola me
Gjergjin, të cilët patën luftuar përkrah babait të tyre. Kola vdiq tepër i ri,
pasi u helmua nga serbët në një hotel të Vlorës në vitin 1910, në shenjë
hakmarrje ndaj Dedës, ndërsa Gjergji mbeti i vrarë një vit më vonë në Luftën e
Deçiqit me 6 prill 1911, kur po ngrinte flamurin shqiptar së bashku më babain e
tij.
Sikurse dihet nga historia
e populli shqiptar në vitin 1913, kur asokohe u bë ndarja e kufijve të
Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha europiane të kohës, fshati etnik shqiptar Traboin mbeti nën juridiksionin sllav të Malit të
Zi. Asokohe familja e Dedë Gjon Lulit u shpërngul që andej dhe erdhi e u
vendos në afërsi të qytetit të Shkodrës, afër fshatit Shtoj, e cila edhe sot
njihet me emërin: Hoti i Ri.
Heroizmi, qendresa stoike dhe bujaria fisnike
shqiptare e Kol Miri, të fisit Dedëvukaj
Në historinë e re
shqiptare, me fakte dhe prova origjinale, të zbardhur nga investigimi i
vijueshëm mbas viteve 1990 deri në ditët tona nga gazetarët, studiuesit dhe
publicistët poskomunist të paanshëm, është hedhur dritë më në fund në një
nga ngjarjet dhe faqet më të ndritura të historisë së dhimbshme të Kapitenit
Gjelosh Luli, ku del në pah edhe heroizmi,
qendresa stoike dhe bujaria tradicionale fisnike shqiptare e fisnikëve të
pamposhtur të patriotëve sypatrembur Mark
e Kol Miri, të fisit Dedëvukaj në Malësi të Tuzit.
Nga shfletimi i faqeve të
ndritura dhe të përgjakura të heroizmit të tyre shembullor del se viti 1945-1947, atë e strehuan dy familje
malësore, ose kushërinjtë e tij matanë kufirit, Mark e Kol Miri, të fisit
Dedëvukaj.
Në vitin 1946, forcat
shqiptare të Ndjekjes e rrethuan shtëpinë e Mark e Kol Mirit në Traboin të
Malit të Zi, ku Gjeloshi mundi që të shpëtonte dhe iku ndër male. Pas kësaj
forcat e Sigurimit e lidhën Kol Mirin këmbë e duar dhe i ndezën dy zjarre anash
tij. Ndërsa filloi t’i fryhej mishi i trupit nga flakët e zjarrit…
Nga burimet e reja historike dhe
shkrimet e shumta të studiuesve dhe hulumtuesve malësore të rinj bashkëkohorë,
mësojmë se në këtë familje u kalit edhe
Nora e Hotit, e shoqja e Kolë Dedës, e cila mbeti vejë tepër e re, por vazhdoi
të jetojë në familjen e burrit të vet. Ajo ishte krah i djathtë i vjehrrit
të vet Dedë Gjon Lulit, duke marrë pjesë aktive në Kryengritjen e Malësisë dhe
në shumë luftëra tjera.
Familja e madhe e trime e Lul Doç Dedvukajt, lindi edhe
kapitenin Gjelosh Luli, i cili së bashku me
major Llesh Marashin, u vu në ballë të frontit të nacionalistëve shqiptarë të
Malësisë së Madhe, për ta shpëtuar atdheun nga kulshedra komuniste, e cila e
shkretoi vendin e i shkaktoi dëme popullit shqiptar për 50 vjet me radhë, shkruan studiuesi dhe publicisti bashkëkohorë dr. Fran Camaj.[1]
“
Të rralla janë rastet në historinë e njerëzimit, si rasti i
vëllezërve Kolë e Mark Miri Dedvukaj. Organet
e Sigurimit të Shtetit të Shqipërisë, i kishin rënë në gjurmë Gejlosh Lulit dhe
kishin angazhuar forca të mëdha, për të rrethuar malin Drenas, ku ishte
strehuar trimi i maleve, në një shpellë të cilën nuk e dinin shumë njerëz.
Vëllezërit Miri e
kuptuan se forcat djallëzore partizane, gjegjësisht të Sigurimit Shtetëror, i
kanë rënë në gjurmë vendit se ku ishte i strehuar kushëriri i tyre dhe fillojnë
të mendojnë mënyrën se si ta nxjerrin nga rrethimi komandantin e vet trim. Kola
ishte njeri me trup të shkurtër, i zhvilluar dhe shumë i fuqishëm. Nuk besoj se
ka pasë duar më të fuqishme në Malësi se ato të Kolë Mirit Dedvukaj.
Isha fëmijë dhe isha kurjoz ta shikoja atë njeri me fytyrë
të gjërë e me rrulla të ashpëra, me qafë të trashë e të shkurtër, me sy të
kaltër e mustaqe të zgjatura si grep, kurse nga dora nuk e heqte kurrë një
shkop të trashë druri.[2]
Nuk bisedonte shumë, por kur të
shikonte të bënte të kuptosh se është një njeri i veçantë, besnik e guximtar e
i fortë si shkëmbi. Nuk dëshironte të fliste për ngjarjet e asaj kohe, në të
cilat ai kishte qenë protagonisti kryesor. Në një udhëtim 10 orësh me të nga
Detroiti deri në Nju Jork, me automobil, në verën e vitit 1977, e pyeta Kolën
se si kishte ndodhur ajo ngjarje me Gjelosh Lulin në Shpellën e Drenasit.
“Janë
kohë t’ shtira ato djalosh e nuk të lypet gja mej dijtë. I shalla mos i provosh
ti as anmiku yt”- më tha Kola, por unë përsëri insistova të më tregojë për atë
ngjarje: “Lëne djalosh se nuk t’ duhen gja. Ti don me’ u kthye atje me jetua e
muç me ja pa sherrin edhe për kaq sa po flasim. Je i ri e nuk i njeh ti ata.
Mos u përsëritshin ma ato kohna, se nuk di çka me than tjetër!”- më tha dhe
rrulli ato vetulla të trasha.[3]
Kur e pa se jeta e kushëririt të tij dhe kapitenit të
Malësisë Gjelosh Lulit ishte në rrezik, Kola mori konopin e kmesën dhe u nis,
gjoja se po shkonte për të marrë kashtë për bagëti. I veshur si punëtor i
thjeshtë, kaloi nëpër turmën e ushtarëve, të cilët vërtetë mendonin se është
ndonjë bari. Iu afrua ngadalë dhe me kujdes të madh shpellës ku strehohej
Gjeloshi.
Pasi e nxori nga shpella, e futi në dëngën e kashtës dhe e ngarkoi
në shpinë. Me dengë të kashtës mbi krah, në të cilën fshehej kapiteni i
Malësisë Gjelosh Luli, Kola kaloi nëpër turmën e ushtarëve, të cilëve nuk u
shkonte ndërmend se aty fshehej njeriu më i kërkuar i Malësisë dhe ndër më të
kërkuarit në tërë Shqipërinë.
Ushtarët e ngushtonin rrethimin, të bindur se ndokush duhet
t’ i çojë ushqim Gjeloshit në shpellë ose do të detyrohet të dorëzohet ai vetë.
Mirëpo, nuk ndodhi as njëra as tjetra. Ushtarët pritnin, ngase as nuk dinin
mirë ku është shpella, por edhe nga frika se Gjeloshi nuk është vetëm, por me
shokë dhe është i armatosur.
E dinin po ashtu, se Gjeloshi do të bënte rezistencë dhe se
më parë do të vdiste se do t’ u binte në dorë atyre. Ngase për një kohë shumë
të gjatë nuk vërejtën asnjë lëvizje, iu afruan shpellës me kujdes të madh.
Më në fund u bindën se aksioni i tyre kishte dështuar, edhe
pse kishin pasë informatë të sigurt se ku gjendet Gjeloshi. Vetëm atëhere u
kujtuan se askush tjetër, përveç Kolë Mirit, nuk ka mundur ta nxjerrë nga
shpella trimin Gjelosh Luli. Dikujt nga ata i ra ndërmend, se ka mundur ta
kalojë vetëm të fshehur në dëngën e kashtës dhe vrap mësynë shtëpinë e
vëllezërve Kolë e Mark Miri.[4]
Kur e pyeta Kolën nëse është e vërtetë
kjo që e thashë unë, ai vetëm lëvizi kokën më shikoi pak e tha: “Gjeloshin e kem kalua shpesh herë në jarën
herë në anën tjetër të kufinit. E kem fsheh në gjeth, në kashtë ose në sanë, në
shpinë, në kuaj e si kem mujt ndryshe. Asht dashtë disi”.
Kolën, pas kësaj ngjarjeje, menjëherë e
kishin kapur forcat e Sigurimit shqiptar dhe e kishin munduar në mënyrë më
mizore për të treguar dhe për ta dorëzuar trimin e maleve. E futën në mes dy
zjarresh, të lidhur këmbë e duar, dhe e sjellnin si fërlikun, por trimi nuk
flsite. Pasi trupi filloi t’ i fryhet nga flaka e zjarrit dhe të nxehtit e
madh, për të shpëtuar nga kjo situatë e rëndë dhe për të fituar në kohë, Kola
premtoi se do t’ i çojë te shpella ku strehohet Gjeloshi për të cilën tha se
gjendet dikund larg nga aty dhe se duhet kohë e gjatë derisa të arrijnë atje.
Të bindur se ia arritën qellimit, ushtarët e larguan Kolën nga mesi i zjarreve
dhe me duar të lidhura u nisën malit për të shkuar atje ku u thoshte Kola se
gjendet Gjelosh Luli. Duke i shetitur malit andej e këndej, i zuri nata….
Ushtarët gjuajtën me automatikë në drejtim të tij dhe iu
vunë pas, por ai, edhe pse me duar të lidhura, iku për të mos u dukur në
opinion për një kohë të gjatë, kurse Markun e kapën forcat jugosllave dhe e
denuan me 8 vjet burg të rëndë. Në procesin e përsëritur gjyqësor, kur situata
ishte qetësuar pak, gjykatësi që mbiemërin e kishte Gjuroviq, e pyeti Mark
Mirin.
-Shoku Mark, na thuaj t’vërtetën çka
t’ka shty çi ta vësh jetën në rrezik për at anmik t’popullit? A ke kenë i
vetëdishëm se çka ka mujt me t’toll ty e familjes sate?
-Shoku gjyqtar! Do t’flas t‘vërtetën e ti merre si t‘ duesh.
Ta jap besën e Zotit edhe ti tëm kishe ra n’dorë, si m’ka ra Gjelosh Luli,
t’njajtën gja e kisha ba edhe për ty edhe për çdo njeri tjetë e jo për ata çi e
kam kushri.
Ater gjykatsi, çi duket ite pa ken njer i mirë, lapsin çi e
kite n’dorë e lëshou më tavolint, vuni gishtin n’tamthin e djathtë, e shikjoi
Markun e pas pak, tha:
-T’ lumtë shoku Mark! Do ta marr parasysh këtë pranim tatin
t‘sinqertë e burrnor.
Pas disa ditësh ia lexuan dënimin, çi ja kishin ul prej 8 në
3 vjet. Kola ite dënua ma parë vetëm me 3 muaj burg se Marku kite marrë më
vetit tetanë fajin e përgjegjësinë.
Marku ishte vëllai i madh dhe ishte mjaft i çmuar në Malësi,
jo vetëm si burrë besnik e guximtar, por edhe si njeri i mençur, i cili gjente
dalje edhe nga situatat më të vështira për të cilat shpeshherë mendohej se nuk
ka zgjidhje.[5]
Kalon në amshim njeriu fisnik dhe atdhetari i shquar Ded Kol
Miri Dedvukaj (1953-2025)
Gjatë gjithë jetës së
tij, atdhetari i përkushtuar Ded Kol Mirit Dedvukaj, ishte dhe mbeti një aktivist i dalluar
i komunitetit shqiptaro-amerikan, burrë i zgjuar e fisnik dhe patriot i
devotshëm i Malësisë së Madhe dhe mbarëshqiptarisë.
Qysh se kam ardhur në SHBA
dhe jam vendosur në shtetin e madh metropolitan të New York-ut dhe deri tani Dedën e kam njohur si një ndër zërat dhe
organizatorët më të palodhur të komunitetit tonë, i cili për dekada të tëra dha
një kontribut me vlera të jashtëzakonshëm, në ruajtjen e identitetit, kulturës
dhe gjuhës shqipe, si dhe në mbështetjen e vazhdueshme të kauzës kombëtare.
Gjatë punës time si
gazetar dhe redaktor i gazetës “Illyria”
(1992) me redaksi në Manhattan, New York, si dhe ne revistën fetaro-kulturore “Jeta Katolike” (1966) dhe disa gazeta në
Shqipëri e Kosovë si dhe në shumë website të ndryshme të botës shqiptare, ku
kam pasqyruar vazhdimisht aktivitetet e komunitetit tonë, gjithnjë kam parë dhe jam takuar me aktivistin e palodhur të komunitetit
këtu patriotin e palodhur dhe të
përkushtuar Ded Kol Mirit Dedvukaj.
Kujtoj vazhdimisht me
respekt dhe mirënjohje, bashkëpunimin e ngushtë dhe fisnik të tij, në
angazhimin e pandërprerë dhe në mbarëvatjen e të gjithë aktiviteteve kulturore,
historike, fetare dhe kombëtare, sidomos në New York, Boston, Detroit, etj., që
bëri ky personalitet dhe njeri shumë i mirë e i qetë për nga natyra dhe tepër
modest, një njeri serioz dhe fisnik në shpirt, duke spikatur përherë si figurë
shumë e dashur dhe e respektuar nga të gjithë bashkatdhetarët pa dallim feje, krahine
dhe ideje.
Me përkushtim të veçantë, ai qëndroi gjithnjë
në krah të aktiviteteve të shumta me frymë të pasur atdhetare, të cilat sot
ruajnë në thellësi kujtesën e madhe historike dhe nderojnë figurat e shumta të
kombit shqiptar.
Duke shfletuar albumet e
shumta fotografike historike, që ruhen me kujdes si pasuri kombëtare në
familjen e tij, të bie në sy takimet e shumta për disa dekada me shumë
personalitete të botës shqiptare dhe amerikane, për çeshtjen shqiptare në
trojet etnike.
Fatmirësisht për këto
veprimtari të pasura dhe të larmishme atdhetare, ai është vlerësuar me të
drejtë me respekt dhe mirënjohje të shumta nga shoqata dhe organizata kulturore
në diasporë dhe në trojet etnike shqiptare si dhe në vendlindjen e tij në
Malësi.
Ded Kol Miri Dedvukaj, kujtohet si shembull i
gjallë i përkushtimit, fisnikërisë dhe dashurisë për Shqipërinë, Kosovën dhe
shqiptarët e Malit të Zi, mbasi veprimtaria e tij e tij e pasur dhe e gjerë
atdhetare mbetet një frymëzim i madh për brezat që vijnë.
Po kush ishte Ded Kol Miri Dedvukaj?
Atdhetari dhe veprimtari i palodhur Ded Kol Miri
Dedvukaj, vjen nga një prej fiseve më të vjetra dhe më të njohura shqiptare
të Hotit,
ku jetën e tij atdhetare e përjetoi si një urë lidhëse mes traditave të
Malësisë dhe komunitetit shqiptar të Amerikës.
Deda ishte dhe mbeti deri në fund i thjeshtë në sjellje
dhe jetesë, një njeri shembull i modestisë fisnike në veprime dhe shumë i
dashur e fjalë ëmbël me të gjithë. Ende sot të gjithë e mbajnë të freskët në
kujtesë Dedën si shembull i një njeriu me shpirt të madh fisniku dhe zemërbujar i
përheshëm për nga natyra. Buzeqeshja e tij e pastër, spikati vazhdimisht në
sjelljet dhe komunikimet e përditshme me të gjithë bashkatdhetarët e tij në
vendlindje dhe kudo në SHBA.
Ai ishte një malësor tipik dhe
shqiptar krenar, me tradita të lashta shqiptare, duke mbetur kështu gjithmonë
deri sa mbylli sytë, sepse ai ishte i palëkundur në vlerat familjare dhe kombëtare,
duke u konsideruar nga bashkëkombësit e tij si një udhëheqës i heshtur, që
punoi për forcimin e lidhjeve të diasporës me vendlindjen dhe ruajtjen e
vijueshme të identitetit të pastër kombëtar.
Rrënjët e hershme të familjes tipike malësore të Ded Kol Miri
Dedvukajt i gjejmë tek historikisht tek fisi i tij, që ka shpalosur ndër shekuj një histori të pasur kombëtare të luftës
për liri dhe pavarësi të zones së tij.
Deda u lind në një familje që mbart me nder, privilegj dhe
krenari emrin e fisit Dedvukaj, një
nëndarje me vijimsinë e fisit Hoti, një nga bajraktërit me emër e zë shumë të
fuqishëm dhe me histori të lavdishme në të gjithë Malësinë e Madhe. Sipas
traditës së Malsisë kreshnike, dihet se Fisi
Hotit, ka qenë gjithmonë në ballë të luftërave dhe përpjekjeve titanike për
pavarësinë shqiptare, duke sfiduar Perandorinë Islame Otomane dhe fqinjët
sllav shovinistë malazez.
Etimologjia ose emri kuptimplotë Dedvukaj, rrjedh nga
patriarku Dedë Vukaj, kur
sikurse mësojmë nga historia e lavdishme e krahinës së
Malësisë, del se ky fis ka dhënë figura legjendare si Ded Gjon Luli Dedvukaj (1840-1915), heroi i madh i kryengritjes së
Malësorëve më 6 Prill të vitit 1911. Ded Gjo’ Luli, udhëhoqi me nder e lavdi
historike bajrakun e Hotit në betejën e Deçiqit, ku u ngrit flamuri ynë për
herë të parë, pas shumë shekujsh pushtimi sundimi barbar otoman, një moment
historik, që simbolizon ringjalljen e shpirtit dhe vlerat e pastra kombëtare
shqiptare.[6]
Shumë vite më parë, heroi lejendar
antipushtues i trojeve shqiptare dhe flamurit kombëtar kuq e zi, fatosi zemërluan i lirisë Ded Gjon Luli,
është vlerësuar pas kalimit në amshim me
titullin e lartë kombëtar Hero Kombëtar dhe sot shtëpia e tij në fshatin Bardhaj të Hotit është
muze historik, duke kujtuar sakrificat e fisit për autonominë dhe dinjitetin
iliro-arbëror shqiptar.
Jeta dhe veprimtaria e pasur atdhetare e patriotit të
përkushtuar Ded Kol Mirit në SHBA-Malësi
Të shkruash për bilancin pozitiv apo
aktivistin e palodhur të Dedës fisnik, brenda komunitetit tonë këtu është sot nder dhe kënaqësi, mbasi çdo njeri nga ne, që jetojmë dhe punojmë në
SHBA edhe pa qenë gazetar apo studiues, mund të rrëfei papushim me krenari të
gjithë devocionin e tij të madh, për çështjen e shenjtë kombëtare, përgjatë
shumë dekadave në SHBA dhe vendlindjen e tij Malësinë, të cilën për asnjë
moment nuk e hiqte nga goja dhe zemra e tij, për t’iu gjend sa më pranë me mish
dhe shpirt. Njerëz të tille fisnik si
Deda, janë të rrallë dhe të papërsëritshëm në historinë e komunitetit tonë.
Familja e tij migroi në SHBA, në
valën e hershme të migrimeve të shqiptarëve, para viteve ’70, kur shqiptarët e Malësisë të lënë mbas dore nga regjimet sllave malazeze erdhën këtu, për të shmangur luftërat dhe për të kërkuar
mundësi më të mira jetese dhe ekonomike. Ato asokohe shumë shpejt u integruan
në jetën e re dhe të vrudhshme amerikane dhe në jetën e komuniteteve të vogla
shqiptare të Boston-it, Detroit-it, New York-ut etj., ku fisi Hoti formoi
rrjete miqësie dhe lidhje të forta familjare dhe kulturore.
Deda me qetësi dhe urtësi malësori mbeti një mbrojtës
aktiv i komunitetit shqiptar
Qysh në fillim jeta e Ded Kol Miri
Dedvukaj, ishte e lidhur ngushtë me këto grupe shqiptarësh, që asokohe ishin vendosur si pararendës veteran në mërgim. Ai punoi si punëtor i palodhur në industrinë e
shërbimeve imobilare, duke dërguar ndihma financiare për familjen në Malësi,
por mbi të gjitha si njeri me zemër shumë bujare, mbështeti organizatat dhe
aktivitetet atdhetare, që mbanin gjallë identitetin dhe frymën dhe idetë
shqiptare, në këtë shtet multietnik apo “oqean” të madh, që asimilon ndër shekuj vazhdimisht
kultura dhe emigrantë të popujve të ndryshëm të botës.
Jeta në diasporën shqiptare të
vjetër, dhe lidhja e tij me organizatat e grupet patriotike të reja la
fatmirësisht gjurmë shumë të mira. Edhe
të tjerët që e kanë njohur nga afër, tregojnë me admirim se Deda si patriot
pati aktivitet të vazhdueshëm dhe
kontriute të veçanta me Federatën Panshqiptare “Vatra”, në fillim në Boston dhe
pastaj këtu në New York.
Ai u bë pjesë e kontributit historik
të shqiptarëve të Amerikës para viteve ’90, në përpjekjet e tyre, për të
drejtat e liritë e shqiptarëve nën ish Jugosllavi, si dhe në rrëzimin e
diktaturës apo ideologjisë bastardhe dhe vrastare të komunizmit në Shqipëri
(1944-1990), lirinë e plotë të fesë dhe rihapjen e dyerve të kishave dhe
objekteve të tjera fetare në vend.
Me një bujari të madhe, Deda si një humanist shembullor
dhe si besimtar i devotshëm katolik, ishte ndër të parët që me bujari fisnike
dha një kontribut të vijushëm financiarë, për rindërtimin dhe restaurimin e
kishave të lashta katolike
në Shqipëri, Mal të Zi dhe Kosovë.
Gjatë kohës dhe viteve të ndryshme,
kur diaspora shqiptare në SHBA, para viteve ’90 ishte një forcë active dhe
vendimtare, për kauzën kombëtare, Deda
ishte pjesë e Lidhjes së Prizrenit, Shoqatës Atdhetare “Malësia”,
Federatës PanShqiptare “Vatra” dhe në vitin 1990, ai iu bashkëngjit me vullnet
të plotë Albanian American Civic League me drejtues ish kongresistin republikan
të shtetit të New York-ut, arberesho-italianin Joseph DioGuardi.
Me kujtohet
një rast në vitin 2002 New York, kur po shoqëroja misionarin dhe aktivistin e
palodhur nga Shkodra Gjin Mekshi, asokohe Kryetar i Shoqatës të Pajtimit
Mbarëkombëtar “Nënë Tereza” në Shqipëri. Ai gjatë vizitës në zyrën e Federatës
Panshqiptare “Vatra” këtu, kishte shpreh idenë qëllimmirë, që të krijonte një
degë të re të Shoqatës në New York. Mes njerëzve të shumtë që ishin mbledhur në
një sallë të Vatrës, ai u ngrit në këmbë dhe tha: “Gjatë këtyre ditëve, që po qëndroi këtu në New York, kam
takuar fatmirësisht shumë njerëz të mirë dhe aktivistë të palodhur nga trojet
etnike shqiptare. Midis këtyre njerëzve, më kanë mbetur në mendje për
kontributin e madh që kanë dhënë prej shumë dekadash dy personalitete të
mirënjohura dhe te shquara te komunitetit shqiptaro-amerikanë: Ata janë: Dedë
Kolë Miri Dedvukaj, të cilin e propozoi për n/Kryetar i Shoqatës të Pajtimit
Mbarëkombëtar “Nënë Tereza”, si përfaqsues i Malësisë dhe studiuesin dhe
publicistin Tomë Mrijaj Nënkryetar si përfaqsues i Kosovës martire”.
Ai iu bashkëngjit çdo aktiviteti dhe
kontruti financiarë në komunitet, të cilat lobuan në Washington, D.C., dhe New
York, para OKB-së, për pavarësinë e Kosovës, demokratizimin e Shqipërisë dhe
mbrojtën e lirive dhe të drejtat e shqiptarëve në Ballkan.
Ded Kol Miri u rrit dhe jetoi në
mënyrë aktive në këtë ambient të madh metropolitan të New York-ut, duke
kontribuar në jetën e përditshme të komunitetit tonë. Në New York, ku jetoi
pjesën më të madhe të jetës, ai ishte aktiv në kishën katolike shqiptare “Zoja
e Shkodrës” në Hartsdale NY, ku ai ka ndihmuar dhe kontribuar vazhdimisht në
festën e Pavarësisë dhe Ditë në Flamurit (28 Nëntori), festën e Kryengritjes së
Malësisë së Madhe (6 Prill 1911) si dhe mori pjesë në çdo demostratë
nacionaliste në Washington, D.C., dhe New York.
Ded Kol Miri Dedvukaj, si pjesë e këtyre aktiviteteve, ishte një shembull i
integrimit. Ai, ka mbështetur politikanët shqiptarë nga Ballkani, Mali i Zi,
Kosova dhe Shqipëria si dhe edukoi përherë me traditat e pasura malësore
familjen, bijtë dhe bijat e tij, për historinë e lavdishme dhe heroizmin ndër
shekuj të Malësisë. Sikurse e dijnë të gjithë, Deda është axha i heroit Simon Dedvukajt, shqiptaro-amerikani, i cili humbi jetën në mënyrë tragjike më 11
shtator të vitit 2001 në Kullat Binjake, në Manhattan, New York.
Në politikën dhe jetën e përgjithshme
të komunitetit, Ded Kol Miri ishte me kontribute të mëdha dhe të paharruara nga
të gjithë ne. Duke shfletuar faqet e shumta të historisë së komunitetit
tonë, del se jeta e tij reflekton dhe duket se ishte një urë e fortë
lidhjeje mes së kaluarës dhe së ardhmes.
Dhe këtë aspekt shumë të rëndsishëm e tregon më së miri
puna dhe veprimtaria e tij e pasur, ku del në pah pjesëmarrja aktive në
protesta për liritë dhe të drejtat e njeriut dhe për Pavarësinë e Kosovën nga
nata e gjatë e pushtimit shekullor serb, për shqiptarët etnik në Mal të Zi,
Luginës së Presheves, Maqedoninë e Veriut dhe sidomos ato aktivitete
patriotike, që përfshijnë periudhën e viteve 1988-1999, për rrëzimin e sllavo
komunizmit etj.
[1] Dr. Fran Camaj, “Gjelosh Luli, figurë e shquar e lëvizjes antikomuniste”, Marrë nga www.zemrashqiptare.net 2008
[2] Po ai, po aty.
[3] Po ai, po aty.
[4] Po ai, po aty.
[5] Po ai, po aty.
[6]
Klajd
Kapinova, “Dritë
dhe hije historike në New York” (Figura, analiza, reçensione dhe këndvështrime), “Shpalosja e historisë
së kontributit të elementit dhe klerit katolik për atdhedashurinë
dhe Malësia
e Madhe si kryefjalë
në vite”, f. 497-512,
New York, 2024, amazon.com barnesandnoble.org eBay.com etj.