Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Florim Zeqa: Thirrje kandidatëve - Bëni fushatë të qetë dhe dinjitoze

| E marte, 23.09.2025, 06:55 PM |


Thirrje kandidatëve për kryetarë të komunave:

Bëni fushatë të qetë dhe dinjitoze

Shkruan: Florim Zeqa

Për fat të keq, të zhgënjyerit e shumtë, në vend që të ndërmarrin hapa për ndryshimin e situatës së krijuar, me organizimin e protestave dhe demonstratave për bllokimin e dyerëve të komunave të familjarizuara, e zgjodhën heshtjen dhe ikjen nga vendlindja!

Një pyetje për shumë përgjigje prej lexuesve të këtij shkrimi

Kjo u shkoj për shtati vetëm uzurpatorëve të institucioneve komunale, që në pushtet po mbeten dhe po vijnë me votën e blerë me një vend pune apo të kushtëzuar paraprakisht në mënyrë të pandershme dhe abuzive përmes shitjes së diplomave universitare, çertifikatave, mirënjohjeve dhe dekoratave pa mbulesë!

Të mos flasim për procesin e veteranomanisë apo të shitjes së statutit të veteranit, dëshmorit dhe heroit të paqenë!

Më shumë "gjeneralë" dhe "veteranë" të luftës ka Kosova sesa të gjitha shtetet e ish federatës jugosllave!

Kjo e shtron pyetjen logjike, pas kësaj armate parazitësh funksional, për çfarë arsye po qëndrojnë trupat e NATO-s në Kosovë!?

Përgjigjen në këtë pyetje po ua lë lexuesve, që secili në mënyrën e vet le ta zbërthejë siq është më së miri realitetin e hidhur kosovarë!

Jo pse unë nuk e di përgjigjën në këtë pyetje, por pse gjithnjë del dikush e thotë, e paske harruar edhe ketë pa e thënë këtë, etj!

Sikurse unë, edhe ju lexues të këtij shkrimi mund të kontribuoni me mendimet e lira, sesi mund të vijmë më lehtë deri tek zgjidhja e problemeve shoqërore të akumuluara ndër vite e dekada në Kosovë!

Ka ikur koha e mashtruesve, ka ardhur koha e së vërtetës

Sikurse që ka ikur koha e grumbullimit të votave me veteranë të rrejshëm, me emrin e Adem Jasharit, me emrin e Ibrahim Rugovës, ashtu ka ikur koha e mashtrimit të qytetarëve duke u thirrur në emrin sakrificës sublime të heronjve dhe dëshmorëve të lirisë.

Po ashtu ka ikur koha e mashtrimit të "Akademikëve" me plagjiaturë, pa dije dhe pa guxim intelektual, të cilët grumbullonin vota duke u thirrur në emrin e vrasjeve politike, pa e zbuluar asnjë rast të vetëm!

Kandidatët për kryetarë të komunave, duhet të bëjnë fushatë të ndershme, të qetë dhe dinjitoze, pa sharje dhe ofendime, me programe dhe ide konkrete për zgjidhjen e mijëra problemeve të qytetarëve, të akumuluara ndër vite e dekada, për t'a mbajtur në Kosovë atë popullatë të mbetur.