| E hene, 22.09.2025, 06:29 PM |
PEZULLIMI I DIALOGUT STRATEGJIK - NDËSHKIM KOLEKTIV I KLASËS POLITIKE!
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Pezullimi i Dialogut Strategjik mendoj
se është përtej ndëshkimit diplomatik të Qeverisë Kurtit. Ky dënim është për
tërë klasën politike të Kosovës dhe më gjerë për shoqërinë kosovare. Vërtet,
një popull i pushtuar, poshtuar dhe i sunduar nga të huajt, për shekuj dhe i
përçmuar e maltretuar përgjatë gjithë shekullit 20-të, ka rrënjosur ndjenjën e
robit, nënshtrimit.
Pas Plenumit të 4-të të LKJ, të mbajtur
në ishullin Brione, të Kroacisë, me 1966, presidenti jugosllav Tito, i
"qeroi hesapet" me klanin-bandë të serbit Aleksandër Rankoviq,
ministër i Brendshëm jugosllav, filloi një frymëmarrje e shpenguar e
shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Republikat tjera, ku jeton në trojet
e tyre, komuniteti kolektiv shqiptar. Dhe, pas denoncimit të krimeve makabre,
të bëra ndaj popullit shqiptar, të cilat pushteti i quante
"deformime", kam menduar se ajo kohë zezonë, kurrë nuk do të kthehet
më në Kosovë.
Përgjatë atij 10 vjeçarit Kosova avancoi
me disa të drejta elementare, të munguara padrejtësisht, si e drejta e
përdorimit të flamurit kombëtar, hapja e Universitetit në Prishtinë,
amendamentet, ndryshimet kushtetuese 1974.
Megjithatë, të shpenguar dhe të
ngazëllyer, nga ajo "liri" relative, edhe pse Kosova numëronte 48
mijë studentë, Serbia, nën ombrellën e jugosllavizmit, iu kthyer zanatit të
vjetër goditës: burgut, dajakut, plumbit për shqiptarët. Zullumi po trashej
deri në heqjen e asaj autonomie të vitit 1974. Vetëm 10 nga deputetët reaguan
me trimëri dhe dinjitet. Serbia e kishte "kolonën e pestë" brenda
vetë Kuvendit të Kosovës, madje edhe zyrtarë bollshëm të shkolluar, deri në
thirrjen: "Me ndryshimet kushtetuese, heqjen e autonomisë, Kosova nuk
humbet asgjë!"
Edhe sot, me polarizimet e brendshme,
klasa politike është e ndarë, e përçarë, gjithnjë në dëm të Kosovës. E
ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane, Annu Prattipati kumtoi vendimin e
administratës amerikane, për pezullimin e "Dialogut
Strategjik", i cili përfshinë mbrojtjen, sigurinë, mjedisin, energjinë,
bashkëpunimin diplomatik e tjera.
"Ra ky mort dhe u pamë",-
thotë populli, kur përballja është sy me sy. Ishte nismë e mençur dhe fisnike e
Presidentes unike Vjosë Osmani, që Kosova ta gëzojë Dialogun Strategjik me
SHBA. Por, opozita kishte planet e veta sabotuese, me qëllim të ndëshkimit dhe
të "qërimit të hesapeve" me Albin Kurtin dhe LVV të tij. Opozita bëri
koalicionin e pashpallur, madje të paligjshëm, sepse koalicionet bëhen para
zgjedhjeve, "të gjithë kundër njëshit, duke bllokuar zgjedhjen e
institucioneve kuvendore. Në ndihmë të opozitës ishte Vuçiq me Listen Serbe të
tij, Grenell dhe Hill.
Sidomos Grenell, i mësuar me
konspiracione, rrëzimin e Qeverisë Kurti 1, i lidhur edhe me familjen e të parit
të Shtëpisë së Bardhë, ndikoi dukshëm në masën në fjalë, sepse durimi po sosej
në lidershipin aktual të Kosovës, stërzgjatën e bllokadës kuvendore.
Mendoj se fajësia e Albin Kurtit është
e hershme, me disa mendime të shprehura publike. Kulmore dhe e paqëndrueshme
është të thuhet se "partneriteti me Amerikën i përket së kaluarës dhe jo
të tashmes dhe të ardhmes!?" Por, para se ta thuash këtë, duhet të kesh
siguruar partner më të mirë, më të fuqishëm, se sa Amerika aktuale!
Partneriteti besnik i Amerikës fillon me Presidentin Woodrow Vilson, më 1915,
kur Shqipëria rrezikonte ndarje, deri në shuarje! Lakeu serbo-rus, Enver Hoxha,
rrënoi miqësinë që kishte krijuar Mbreti i Shqiptarëve, Zogu i Parë.
Realisht, e gjithë e majta shqiptare,
në Kosovë dhe Shqipëri, janë pro Lindjes, pro Rusisë dhe kundër Perëndimit, me
Amerikën në krye. PDK-AAK-NISMA, pra, PAN-i, janë pjellë e LPK-së. Ka dëshmuar
këtë, duke protestuar kundër rrëzimit të "Murit të Berlinit", sepse
sipas tyre, "po dobësohej Rusia, përkatësisht, komunizmi në shkallë
botërore!"
CIA, FBI dhe Shërbimet tjera
Informative Perëndimore, mund të ofrojnë dhe rekrutojnë agjentë nga radhët e
PAN-it, të shantazhuar me dosje penalizuese, kriminale, në këmbim të lirisë së
tyre, të cilët falsifikueshëm janë shpallur si subjekte të "djathta"!
Roli i vetëm i këtyre "biçim agjentësh" mund të jenë shpifjet brenda
llojit, LPK-së, për t`i bërryluar për çështje karriere, pushteti. Duke qenë të
shantazhuar me dosje penalizuese, deri në vrasje, ata, aktualisht, bëhen të
dëgjueshëm në dëm të Atdheut. Dhe, kjo ka ndodhur, duke bërë Demarkacionin, me
dhënie falas territor, duke nënshkruar Asociacionin e deri në tradhtinë e
madhe, ndarjen e Kosovës, siç bëri Hashim Thaçi me bandën e tij PAN-iste!
Lirimi i kriminelëve faktik, qoftë
serbë, malazezë, boshnjakë apo shqiptarë, nuk u bënë nder Shërbimeve
Informative të Quintit, përfshi SHBA-në. Mjerisht, kjo ka ndodhur në të
kaluarën dhe mund të përsëritet edhe në të ardhmen!
Megjithëse i vonuar, Albin Kurti ka
reflektuar pozitivisht në raportet me SHBA. Padyshim, ndikim pozitiv tek Albini
kanë pasur Vjosë Osmani, Donikë Gërvalla dhe bashkëmendimtarët e tyre të
subjektit GUXO, që në politikë udhëhiqen nga filozofia e Presidentit Rugova, se
"shtëpia pa miq nuk mbahet".
LDK-ja si parti e qendrës së djathtë, e
ruan dhe kultivon në mënyrën më të mirë miqësinë me Amerikën, të lënë
trashëgim, deri në amanet, nga Presidenti Rugova, vizionar i pashoq. LDK-ja po
shkon "si Muqa pas daive", duke miratuar prapësitë e partive-banda të
PAN-it.
Lind dyshimi, mos vallë, Lidershipi
aktual i LDK-së është i porositur nga ndërkombëtarët, qoftë edhe nga Grenell, t`i
bashkohet kampanjes të PAN-it, kundër Kurtit dhe Qeverisë së tij, për ta mundur
atë me bllokada, deri në ndëshkimin diplomatik të Kurtit, siç është pezullimi i
Dialogut Strategjik, pa asnjë masë tjetër paraprijëse, "si rrufeja në mot
të kthjelltë!" Një agjent legal, madje me pagesë nga Beogradi, siç është
Richard Grenell, nuk merakoset fare për dëmin që i shkaktohet Kosovës dhe
popullit të saj.
Bllokada e opozitës për pushtet, po
rrezikon shtetin!
Pa mëdyshje, Kosova lakmon dhe xhelozon
pozitivisht, pse vendet e rajonit, si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po
thellojnë lidhjet me SHBA-në. Realisht, pezullimi i Dialogut Strategjik nuk ka
bazë reale, madje është masë aksidentale, njësoj si rrëzimi i Qeverisë Kurti 1,
që i solli dëme të mëdha Kosovës, por me ndikim negativ edhe në rajon.
Shtrirja legjitime e sovranitetit
shtetëror në veriun e Kosovës është një "keqkuptim" i shtirur dhe
krejt artificial nga BE-ja, përfshi edhe SHBA-në. PAN-i, por edhe LDK-ja
trumbetojnë se "ne e kishim shtrirë sovranitetin në veri!" Këtij
legeni të shpuar i bie vegla e Hashimit, Edita Tahiri, e cila ka gënjyer
shqiptarët, për vite radhazi, se "po bëjmë vetëm dialog teknik",
ndërkohë që ajo me Hashimin bënin dialog puro politik!
Realisht, as fije sovraniteti nuk
kishte në veriun e Kosovës. Atje qeverisnin bandat çetnike, me dirigjim të
drejtpërdrejtë nga Beogradi zyrtar. Albin Kurti dhe Qeveria e tij i ka kërkuar
BE-së, sidomos shteteve të Quintit, SHBA-së, për të vendosur rend dhe ligj në atë
pjesë integrale të Kosovës. Ose kanë heshtur me injorim të një kërkese
legjitime ose kanë thënë "duhet të bisedohet në Bruksel, me palën
serbe!"
Për çfarë duhet biseduar, kur
Kushtetuta, me ligjet e saj, përcakton qartazi, për të gjitha ndërhyrjet e
Qeverisë, të cilat ishin super-legjitime. Krahas reagimit, kundërshtisë
kriminale të Beogradit zyrtar, e pasonte BE-ja dhe, jo rrallë, SHBA, duke e
konsideruar si provokim të minoritetit serb në Kosovë. Absolutisht, fajësia bie
mbi BE-në dhe ndërkombëtarët, të cilët e miklojnë Serbinë dhe e sanksionojnë,
madje padrejtësisht dhe arbitrarisht, Kosovën!
Ishte logjike kërkesa e BE-së dhe SHBA
se Kosovës i duhet një Qeveri stabile, respektivisht, një koalicion me shumësi
deputetësh. Kurti me LVV e tij, e pranoi këshillën e sinqertë të
ndërkombëtarëve dhe ofroi bashkëqeverisje LDK-së, si parti e pa kriminalizuar.
Nuk pati ofertë për PDK-në dhe AAK-në, duke i cilësuar "të pa reformuara,
përkatësisht, të kriminalizuara". Sepse, pranimi i tyre në bashkëqeverisje,
e kriminalizon tërë qeverinë! Propozimet e opozitës për qeveri teknike dhe
propozime të tjera të ngjashme, ishin jashtë çdo standardi dhe logjike.
Rrjedhimisht, opozita destruktive, me kushtin e marrjes të pushtetit në
tavolinë, solli edhe pezullimin e Dialogut Strategjik me SHBA.
Megjithatë, Presidentja Vjosë Osmani
është optimiste, se do të mbizotërojë arsyeja. LDK-ja si parti institucionale,
do të reflektojë dhe kompromisi për bashkëqeverisje, do të jetë përmbajtësor
dhe lëndor, duke shmangur rrezikun e izolimit. Përvoja e hidhur e karrierizmit
në LDK, rrënoi partinë e Presidentit Rugova. Ky pësim, duhet t`i shërbejë
klasës politike të sotme. Qenia i parë apo i dytë, në një koalicion të
sinqertë, për hirë të Kosovës, do të ishte domethënës.
Ndoshta, nuk do të kishte asgjë të
keqe, sikur LumirAbdigjiku ta kryesonte Qeverinë e koalicionit, duke qenë se
kanë punuar ekipe profesionale, në hartimin e një plan-programi zhvillimor.
Pavarësisht, Albini apo Lumiri, reciprokisht, në kryesim të Qeverisë, me një
marrëveshje të brendshme, me kusht që të gjitha vendimet qeveritare, të
konsultohen dhe aprovohen bashkërisht.
Pozita, opozita, gjykata dhe mediat, të jenë palë me popullin!
Vërtet, Amerika nuk është aq modeste,
sa për të duruar sfidimin nga mini-shtetet, siç është Kosova. Shprehjet banale,
në mos idioteske se "Amerika na mbështeti", "Amerika na
përkrahu", nuk janë reale dhe as adekuate. Duhet pranuar se Amerika, me
aleatet e saj, e çliroi Kosovën dhe këtë duhet thënë me zë të lartë. Dhe, kjo
nuk zvetnon aspak luftën e shenjtë të dëshmorëve dhe të luftëtarëve të
mbijetuar, për lirinë e Atdheut-Kosovë.
"Ne e fituam Luftën, ju fitoni
Paqen",- ka deklaruar, madje prerazi, Presidenti Bill Clinton, i cili dha
firmën e parë, për nisjen e Apaç-ve bombardues të NATO-s mbi Serbinë agresore
serbo-sllave.
Ndërkohë, merakosja e SHBA-së për të
ashtuquajtura "sulme" të Albin Kurtit, kundër Gjykatës Kushtetuese
dhe të mediave në Kosovë, është dezinformim i skajshëm e kriminal, i bërë nga
opozita PAN-iste, rrast e kriminalizuar. Sistemi i Drejtësisë në Kosovë,
përfshi edhe Gjykatën Kushtetuese, është tërësisht e kapur nga PAN-i. Sipas
historianit Jusuf Buxhovi, vetëm në shtrirjen kohore një-vjeçare, qershor 1999
- qershor 2000, janë kryer mbi 600 vrasje. Dhe, pothuaj se, të gjitha kanë
mbetur vrasje pa autorë, të pa hetuara, të pa zbuluara, të pandëshkuara!
Shumë mijëra lëndë penale janë stoqe,
ndër vite e dekada, të cilat presin të parashkruhen, siç ndodhë jo
rrallë! Mesatarisht, 8 vite i duhet një lënde penale, për t`u zgjidhur!
Kjo nuk ka të bëjë fare me mungesën e personelit gjyqësor, por, ekskluzivisht,
me burokracinë korruptive.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
është pajtuar me mediat e kapura nga subjektet e koaliciouara në PAN. Asfare
nuk i bënë përshtypje kur në debatet televizive, çdo ditë e natë, nga 6
analistë, 5 syresh janë PAN-istë të sertë, të cilët shajnë e shpifin LVV dhe
LDK-në. Edhe vetë televizioni publik, RTK, sulmon Gjykatën Speciale të Kosovës,
me seli në Hagë, edhe pse ajo është krijesë e Kuvendit të Kosovës. Për më keq,
himnizon krimin dhe kriminelët! Pikërisht, kjo propagandë lehaqene e subjekteve
politike të kriminalizuara, janë burime informimi, më sakt, dezinformimi për
ndërkombëtarët, të cilat i plason edhe Shoqëria Civile, gjithashtu pjesë e
PAN-it.
Megjithatë, pas kumtimit të pezullimit
të Dialogut Strategjik, nga e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane, Annu
Prattipati, natyrisht, me një ashpërsi, paksa të tepruar, dy ditë më vonë, nga
SHBA, pati mesazhe shprese, se "Kosova edhe më tej do ta gëzojë
mbështetjen tonë". Por, parashtroi disa kushte të pranueshme se
"Amerika donë partnerë serioz, të përgjegjshëm, bashkëpunues dhe të
dëgjueshëm".
Reflektimi i klasës politike,
respektivisht, konsultimi dhe koordinimi, sidomos me SHBA-në, por edhe me
BE-në, është i nevojshëm, bilëz i domosdoshëm, madje edhe i mundshëm. Por,
ndërkombëtarët duhet ta mbajnë pjesën e tyre të përgjegjësisë, qoftë për
sanksionet e padrejta të vëna Kosovës, qoftë për ndëshkimin e radhës,
pezullimin e Dialogut Strategjik, duke toleruar dhe mikluar, cinikisht,
Serbinë, me qëllim të shkëputjes nga tutela ruse. Realisht, oferta për
bashkëpunim me BE-në dhe Amerikën e qeverive të Kosovës, për ta kthyer
sovranitetin e humbur në veriun e Kosovës, nuk ka munguar. Por, me keqardhje,
është shpërfillur me premtime boshe dhe heshtje, për një çerek shekulli
radhazi.
Qeveria e Kosovës ta shfrytëzojë
vullnetin e mirë integrues
të arsimit dhe shëndetësisë të zonjes
Prattipati!
Një javë më parë, zonja Annu
Prattipati, për herë parë deklaroi se edhe sistemi paralel i arsimit dhe i
shëndetësisë, duhet të integrohet në sistemin shtetëror të Kosovës. Aprovimi i
kësaj mase, sa logjike, aq edhe legjitime nga SHBA dhe BE, do të lehtësonte
shumë punën e organeve komunale dhe qendrore të Kosovës, për ta realizuar këtë
të drejtë. Sepse është absurditet "sui generis", që shteti pushtues i
djeshëm, të këtë qasje në këto dy institucione vitale të shtetit të Kosovës,
siç është arsimi dhe shëndetësia.
Për çudë, vetëm 5 ditë më vonë, një
zyrtar gjerman tërheq vërejtjen se Qeveria Kurti, nuk duhet ta prekë sistemin
paralel në arsim dhe shëndetësi të serbëve të Kosovës!? Paradoks, që nuk ka
asnjë bazë ligjore, që edhe pas një çerek-shekulli, Serbia përzihet dhe
provokon shtetin e Kosovës, me institucione të ndryshme paralele!
Kryeministri shqiptar, Edvin Rama, në
Tiranë, i kërkoi sekretarit të shtetit amerikan, Blinken, ta largojë Kurtin nga
posti i kryeministrit. Por, zotëria i mençur amerikan, u përgjigj se
"Albini ka shumë përkrahje në popull", duke e refuzuar kërkesën e
argatit të Vuçiqit dhe të Grenellit.
Me punën voluminoze e ligjore që
kryeministri Albin Kurti, të bërë në spastrimin e institucioneve paralele, në
veriun e Kosovës, duke u lehtësuar punën edhe ndërkombëtarëve. Pikërisht për
këtë SHBA e vlerësojnë atë, pa e humbur mbështetjen amerikane edhe më tej.
Natyrshëm, kërkohet maturi dhe koordinim, jo duke e lutur Serbinë, por, duke
kërkuar mirëkuptim nga zyrtarët amerikanë në Kosovë dhe Uashigton, si dhe nga
miqtë tanë, BE-ja.
Le të urojmë që pezullimi i Dialogut
Strategjik me Amerikën zë madhe, të jetë një taktikë presioni e përkohshme nga
Vashingtoni. Por, angazhimi i klasës politike të Kosovës duhet të jetë i
konsultuar, koordinuar, për ta arrirë sërishmi Dialogun Strategjik me SHBA-në.