| E hene, 22.09.2025, 07:00 PM |
IN MEMORIAM
Mirash Ivanaj,
dishepulli i arsimit, sakrifica e një shpirti që u martirizua për dijen
Nga
Albert Vataj
Mirash
Ivanaj mbetet një zë, emër, vlerë dhe vepër ikonike e shërbestarisë plot
devocion dhe përkushtim për arsimin dhe dijen në Shqipërinë e kapërcyellit të
kohërave dhe epokave. Jeta dhe kontributi i tij nuk do të kishin si njësi
matëse, detyra dhe poste, por me shpirtin e tij të ngadhënjimtë për atë që më
shumë se e obligonte, ai e besonte, përpjekjen e palodhur dhe të ngulmëta për
të ngjallur dritën e dijeve në zemrat e të rinjve, atyre që do të ishin dielli
i ditës së zgjimit kombëtar. Edhe pse ai kërkoi me këmbëngulje dhe e përmbushi
që arsimi të ishte laik dhe një e drejtë për të gjithë, ai ishte dishepull i
vërtetë i arsimit. Ai nuk kursente asnjë sakrificë, duke u përballur me sfida,
shtypje dhe padrejtësi, gjithnjë me qëllimin e shenjtë të formimit të një brezi
të ditur dhe të lirë në mendim. Blatimet e tij nuk ishin të zakonshme në kohën
e rrëmeteve, ishte martirizim i shpirtit për dijen.
Në
kujtesën tonë historike ka emra që shndrisin jo për shkëlqimin e pushtetit që
kanë pasur gjatë rrugëtimit të tyre në dëshmimin mëtues dhe mëkues, por edhe
për peshën e veprës së vlertë që kanë lënë pas, si gurëthemel i aktit
kontribues. Një nga këto figura është Mirash Ivanaj (12 mars 1891-22 shtator
1953), reformatori i madh i arsimit shqiptar, i cili me vizionin dhe guximin e
tij ngriti themelet e një sistemi shkollor kombëtar, duke e shkëputur arsimin
nga varësitë dhe ndikimet e huaja.
Në
historinë e arsimit shqiptar, pak emra ndriçojnë me aq forcë sa ai i Mirash
Ivanajt.
I
lindur në Podgoricë, në një familje të shquar malësore nga fisi Bekaj i
Trieshit, me rrënjë në Shkodër, Mirash Ivanaj që në moshë të hershme dëshmoi
një prirje të jashtëzakonshme për dije. Studimet e para i kreu në Serbi, ku
përfundoi gjimnazin klasik me rezultate të shkëlqyera. Më pas, vijoi studimet
universitare në Beograd dhe Romë, duke u diplomuar në dy degë, Filozofi-Letërsi
dhe Jurisprudencë, me titullin “cum laude” dhe një tezë mbi Kodin e Stefan
Dushanit të shekullit XIV.
Jeta
e tij personale u shënua nga humbje të mëdha, vdekja e vëllait, e prindërve dhe
e të dashurës së zemrës, trauma që e shoqëruan gjatë gjithë jetës. Megjithatë,
ai nuk u tërhoq nga rruga e dijes dhe përkushtimit publik. Në vitin 1923, u
kthye në Shqipëri dhe u emërua mësues në Liceun e Korçës. Po atë vit, themeloi
gazetën “Republika” së bashku me kushëririn Nikollë Ivanaj, një platformë e
guximshme për ide demokratike, laicitet dhe reformë arsimore.
Në
vitin 1933, u emërua Ministër i Arsimit, ku realizoi një reformë të thellë dhe
vizionare. Reforma Ivanaj synonte shkollimin shtetëror, barazinë në arsim dhe
modernizimin e sistemit edukativ shqiptar. Ai besonte se arsimi duhej të ishte
i pavarur nga ndikimet fetare dhe politike, një qëndrim që e vuri në konflikt
të hapur me klerin dhe disa qarqe konservatore.
Pas
pushtimit italian më 7 prill 1939, Ivanaj u detyrua të largohej nga Shqipëria.
Emigrimi e çoi në Greqi, Turqi, Liban, Egjipt dhe Izrael, ku kërkoi punë dhe
mbijetoi me dinjitet. Në vitin 1945, me garanci nga qeveria komuniste, u kthye
në Shqipëri dhe filloi punë si mësues. Por u arrestua më 15 maj 1947 dhe iu
nënshtrua torturave çnjerëzore për gati një vit. Akuzat ndaj tij ishin
politike, të pabaza dhe të motivuara nga hakmarrja ideologjike.
–
A e more vesh, mor ti?- Jo mor zotni, ç’ka me marr vesh?- Je i dënuar me 7 vjet
burg!- Po për ç’ka jam dënue mor zotni?- Për agjitacion e propagandë kundër
pushtetit popullor.- Po unë sa kam ardhë prej Turqie, s’kam fole me njeri,
përveç punës arsimore.- Po me atë mendim ke ardhur prej andej që të bësh
propagandë.- Po pse a ka ligje në botë zotni, që të dënojë mendimin?- Mbylle
gojën se je i dënuar!
Akti
i fundit i këtij absurdi që tejkalon logjikën kafkiane të absurdit shënoi
farsën bolshevike që mbetet dëshmi e hidhur e padrejtësisë që iu bë një figure
të madhe të kombit. Të dënosh me shtatë vjet burg një njeri që gjithë jetën e
kishte vënë në shërbim të dijes dhe të ardhmërisë së vendit, ishte jo vetëm akt
i barbarisë politike, por edhe plagë e rëndë në ndërgjegjen shqiptare.
Në
burg, Ivanaj vazhdoi të punonte si përkthyes, duke përkthyer literaturë nga
fusha të ndryshme: filozofi, histori, matematikë, art ushtarak. Në një takim me
Mehmet Shehun dhe Bedri Spahiun, ai deklaroi me krenari:
“Jam
një mendimtar dhe një demokrat që, edhe sikur të kthehesha prapë në jetë, do të
ndiqja të njëjtën rrugë.”
Mjerimi
i jetës së tij të fundit është i pashlyeshëm, disa javë para lirimit, i
rraskapitur nga puna dhe nga vuajtjet, iu lut drejtorit të burgut që ta mbante
ende aty, sepse nuk kishte ku të shkonte, asnjë strehë, asnjë të ardhur për të
jetuar. Një lutje që tingëllon si epitafi më i dhimbshëm i një njeriu që i dha
kombit gjithçka dhe nuk mori asgjë.
Më
22 shtator 1953, vetëm dymbëdhjetë ditë para përfundimit të dënimit, Mirash
Ivanaj mbylli sytë përgjithmonë, i thyer nga kushtet çnjerëzore të burgut dhe
nga një ndërhyrje e thjeshtë kirurgjikale që trupi i tij i rraskapitur nuk
mundi ta përballonte. Ishte 62 vjeç.
Vdekja
e tij nuk ishte vetëm humbja e një njeriu, por një kapitull tragjik i një kohe
që dënoi mendimin dhe dritën.
Mirash
Ivanaj, kryereformatori i arsimit kombëtar, u shua jo mbi bankat e shkollës, jo
në sallat e ligjërimit, por në qelitë e errëta të burgut, i detyruar të
përkthente për të mbijetuar.
E
megjithatë, Mirash Ivanaj nuk u shua. Ai jeton në çdo faqe historie, në çdo
brez që mëson, në çdo bankë shkolle që mbetet e hapur. Figura e tij emblematike
është thirrje që na kujton se arsimi është themeli i kombit dhe se drita nuk
shuhet kurrë, sado errësirë të derdhet mbi të. Kujtimi i tij është një monument
i heshtur i dinjitetit dhe i sakrificës, që na mëson se mendimi nuk burgoset,
as nuk vdes: ai rron dhe udhëheq
Trupi
i tij u përdor pa leje për eksperimente anatomike në Fakultetin e Mjekësisë,
një akt që flet për mungesën e respektit institucional ndaj një prej mendjeve
më të ndritura të kombit.
Pas
vdekjes, figura e Mirash Ivanaj u rehabilitua. Në vitin 1992, iu dha Medalja
“Martir i Demokracisë” dhe në 1995 titulli “Mësues i Popullit”. Sot, Mirash
Ivanaj mbetet një simbol i dijes, guximit dhe përkushtimit ndaj Shqipërisë.
Mirash
Ivanaj mbetet jo thjesht një emër në faqet e historisë sonë arsimore, por një
udhëheqës shpirtëror i mendimit shqiptar, një themelues i shkollës moderne që i
dha kombit instrumentin më të fuqishëm të mbijetesës: dijen. Ai është figura
emblematike e arsimit shqiptar, njeriu që e deshi shkollën si tempull të lirisë
dhe si laborator të së ardhmes. Edhe pse jeta e tij u shënjua nga padrejtësia
dhe harresa, vepra e tij mbeti si një testament që nuk shlyhet. Në çdo klasë ku
ndizet drita e diturisë, në çdo brez që ngrihet mbi themele të qëndrueshme,
rron fryma e Mirash Ivanajt. Kujtimi i tij është një dritare që na mëson se
kombi bëhet i pavdekshëm vetëm përmes shkollës, përmes dijes, përmes idealit të
së vërtetës.
Sot,
në një kohë kur arsimi përballet me sfida të reja, kujtimi i Mirash Ivanajt
është më aktual se kurrë. Ai na kujton se drita e dijes nuk shuhet kurrë, se
mësuesit e vërtetë nuk vdesin, por jetojnë në mendjet dhe zemrat e brezave që
formojnë. Të kujtojmë Ivanajn nuk është thjesht një akt nderimi, është një
detyrim moral, një thirrje për të rikthyer dinjitetin e arsimit dhe për të
ndërtuar një të ardhme mbi themelet që ai hodhi me aq përkushtim.