| E marte, 23.09.2025, 06:56 PM |
Nëse të mendoj, nuk mëkatoj, apo jo?
Nga
Albert Vataj
Ti
nuk e di, as... ndoshta nuk ke për ta marrë vesh kurrë, megjithatë, vetëm ti
mundesh të ma thuash, se nëse të mendoj mëkatoj, ose jo?
Sepse,
siç mund të ta kenë thënë edhe ty, mëkati është trazim i shpirtit dhe lëndim i
zemrës, siç është shpërthim i forcës që i kundërvihet rregullit, dhe... një
shenjë e hapur rebelimi i karakterit, që më shumë se askënd sëmbon dhe fton në
këtë perandori zjarresh dhe rreziku, mallkimi dhe çmendurish, poetët dhe
artistët, ata që u ndëshkuan me dëbim nga Edeni, duke i dhënë njeriut vetveten
e lundur për konflikt dhe përpasje, në një kafshim fruti të ndaluar.
Në
mendimet e mia, ti vjen, në momentet kur jam përpjekur që t’i jap një kuptim
racional dhe një shpjegim të pranueshëm kësaj gjendje që më rrëmben.
Besoj,
por më shumë e ndjej, se ti vjen në mendimet e mia atëherë, kur diçka krejt
ndryshe me patjetër duhet të bëhet pjësë e zakonshmërisë sime të trazimtë; kur
dikush i rëndësishëm e shfaq mungesën; kur më rrëmben nevoja e dikujt që edhe
në mungesë fizike, vetëm përmes përfytyrimit dhe kujtesë vizuale, në heshtjen
që flet me ligjërim erërash e këngë zogjsh, ajo vjen duke sjellë një prani që
ende nuk e kam kuptuar nëse pikon nga lart apo gufon nga thellë brenda meje.
Është
aty për të pështjelluar dhe dalldisur, aty në ato momente e ndjej se kaq shumë
më kishte munguar ky mungim.
Ti
vjen, atëherë kur vetmia tenton të marrë nën diktatin e kontrollit gjendjen time
emocionale, shpirtin, mendimet, fjalët, duke më kredhur në një pamotivim dhe
apati, si në një boshllëk përpirës, por je aty edhe në një prani të potershme
gjendjesh dhe përjetimesh.
Shfaqesh
si vegimet që mbushin me besim beduinët e shkretëtirës në gjendjet rraskapitëse
të transit.
Ti
nuk ke si ta dish se sa herë vjen te unë, sa rri dhe kur dhe pse ikën. Sepse
mes nesh nuk është krijuar ajo biofushë komunikimi etern, që të mundim të
dërgojmë dhe të marrim sinjale, të vendosim të jemi pranë njëri-tjetrit apo të
refuzojmë këtë përmbushje.
Bota
e mistershme e mendimeve, në kozmosin kaotik, me gjithë rreptësinë e lëvizjes,
qasshmëritë në përplasje dhe dorëzimit të fushave përpirëse të vrimave të zeza
që na shpien në të tjerë dimensione, vetëm se rreket të deshifrojë enigmën që
rri pezull kësaj gjasshmërie.
Po
pse pikërisht ti, duhet të bëhesh pjesë e mendimeve të mia?
Këtë
pyetje i’a bëj vetes, sapo ti largohesh dhe unë i kthehem vetmisë time, gjërave
që përbëjnë angazhimet, të cilat nuk më ndajnë nga bota dhe njerëzit,
përkundrazi, arrijnë të më vendosin në kontakt, me ta në një tjetër prizëm, atë
të komunikimit përmes, fjalës, artit, të panjohurës, shpirtërores, dhe të
bukurës, si një akt marrëdhënie.
Por
ti, ashtu siç shkon, sërish vjen, duke mbetur gjithnjë e njëjta, ndoshta edhe
tunduese edhe lodërtare, nazile dhe trillane, djallushe dhe engjëllore,
tokësore dhe qiellore, meditative dhe ndjellëse.
Gjithsesi
ti nuk do ta marrësh vesh kurrë se kjo ndodh, sepse unë i jam frikësuar
gjithnjë zgjimit nga magjia e ëndërrimit. Kam preferuar të jetoj në idilikën e
saj, duke e mbajtur, pasionin të ndezur, mendimit gjithnjë të bukur, dhe
shpirtin të dritur.
Ti
rishkon dhe rivjen, në mendime, për të qenë dhe për të mbetur mendim, dhe si e
tillë je në gjithë qenien time dhe në të gjitha përmasat e asaj qenësie, e
pandryshueshme, e pashpërbëshme, e përgjithmonshme.
Mendim,
sa do të doja të isha i përbërë vetëm prej mendimesh, sepse vetëm ato të
lejojnë të jesh vetja.