Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjekë Gjonaj: Veprimtaria shkencore e Dr. Martin M. Bojaj

| E shtune, 20.09.2025, 06:57 PM |


Veprimtaria  shkencore e  Dr. Martin M. Bojaj - ekonomist, poet, prozator, piktor,  fiolozof, teolog dhe astronom

Një figurë e njohur dhe e besueshme në botën akademike

Nga Gjekë Gjonaj

Dr. Martin M. Bojaj lindi në vitin 1976 në qytetin industrial dhe kulturor të Mannheimit, Gjermani, në një familje të ndershme dhe punëtore shqiptare. Djali i Marashit dhe Dilës, ai filloi udhëtimin e tij të dijes dhe arsimit të hershëm në Gjermani, ku ndoqi mësimin parashkollor në Birstadt. Që nga fëmijëria, horizonti i tij u shënjua nga ndërthurja e kulturës evropiane me vlerat tradicionale shqiptare, duke i dhënë një dimension të veçantë botëkuptimit të tij.

Fillimi i formimit intelektual dhe kthimi në Malësi

Ky fillim i formimit intelektual do të shërbejë si bazë për një udhëtim të jashtëzakonshëm akademik dhe profesional, i cili më vonë do ta transformojë atë në një nga figurat më të shquara shqiptare në Mal të Zi dhe më gjerë. Familja Bojaj, pas viteve të para të kaluara në Gjermani, u kthye në Malësi, ku rrënjët dhe traditat shqiptare lanë gjurmët e tyre më të thella. Në këtë rajon, Martin Bojaj vazhdoi udhëtimin e tij arsimor, duke përfunduar shkollën fillore dhe më pas Gjimnazin  në Tuz. Ky ishte hapi i parë drejt një udhëtimi të gjatë dhe ndriçues shkencor.

Rrugëtimi i gjatë shkencor  në kërkim të  njohurive të reja

Rruga e dijes e çoi më tej në Tiranë, ku filloi studimet universitare, dhe më pas në SHBA, ku iu hapën dyert e botës akademike dhe profesionale. Ai u diplomua në Universitetin Shtetëror Wayne në Detroit me një diplomë në administrim biznesi, ku mori disa bursa dhe çmime, përfshirë Bursën Përkujtimore Stanton P. Bockneck, një bursë prestigjioze që jepet vetëm një herë në 40 vjet.

Në Amerikë, sukseset e tij nuk kaluan pa u vënë re. Ai u bë pjesë e projekteve kërkimore dhe universitare të rëndësishme, duke fituar respektin e profesorëve dhe institucioneve akademike. Madje, karriera e tij e re premtonte aq shumë saqë iu ofrua edhe një mundësi e rrallë për të punuar në Shtëpinë e Bardhë, Washington D.C.

Pesha dhe thirrja e vendlindjes më e fortë se çdo ofertë ndërkombëtare

Përkundër këtij horizonti të pafund, pesha e vendllindjes dhe thirrja e Malësisë qenë më të forta se çdo ofertë ndërkombëtare. Ai vendosi të rikthehej aty ku zemra e tij ndiente përkatësinë më të thellë - në tokën që e kishte rritur. Në këtë kthim, përveçse e gjeti veten, Dr.Martin Bojaj gjeti edhe dashurinë e jetës. Në Malësi u njoh me Shpresën, me të cilën krijoi një familje të bukur. Nga kjo lidhje erdhën në jetë dy fëmijët e tyre, Barleti dhe Mati, të cilët u bënë jo vetëm bekim familjar, por edhe simbol i vazhdimësisë së një rrugëtimi ku dija, përkushtimi dhe dashuria për vendin e vet janë gurët themelorë.

Qysh në moshën 23-vjeçare, Dr.Martin Bojaj u dallua si një talent i rrallë akademik. Në Wayne State University në Detroit, ai u angazhua si profesor asistent në lëndët kyçe të makroekonomisë, duke u bërë pjesë e botës universitare shumë herët. Megjithatë, brenda tij digjej një ambicie që shkonte përtej mësimdhënies tradicionale. Ai e ndiente se duhej të ecte më thellë në hulumtime, në krijimin e njohurive të reja dhe në zbulimet shkencore që do t’i shërbenin shoqërisë në një dimension më të gjerë. Ky vizion e udhëhoqi drejt kthimit në vendlindje, aty ku zemra e tij e ndiente se kishte misionin më të madh..

Pas kthimit të tij, ai filloi punën në NLB Bankë në Tuz, ku punoi si drejtor dege për më shumë se 16 vjet. Në atë rol, ai nuk ishte vetëm një bankier; ai është bërë një urë që lidh Malësinë me botën. Duke u shërbyer qytetarëve, kompanive dhe pensionistëve me përkushtim, ai krijoi besim të palëkundur të komunitetit në sistemin bankar. Përmes punës së stij, Malësia është lidhur ngushtë me diasporën e saj, nga Amerika, Gjermania, Zvicra, Australia, Belgjika, Britania e Madhe dhe shumë vende të tjera evropiane dhe botërore. Ishte ky rol që i dha Malësisë mundësinë të merrte frymë me ritmin e ekonomisë globale. Jo rrallë, përveç zyrave bankare, Bojaj shfaqej edhe në rrugët më të pjerrëta të Malësisë. Në Delaj, Selisht dhe Traboin, ai ngjitej në male për t'u shpërndarë pensione të moshuarve, që nuk mund të shkonin në bankë. Ai ishte po aq i përkushtuar ndaj kompanive lokale;  ai ndihmoi në hapjen e bizneseve të reja, krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik, duke u bërë një nga figurat kryesore në zhvillimin financiar dhe social të Malësisë. Po aq i rëndësishëm ishte kontributi i tij në institucionet lokale, të cilat i ndihmoi thellësisht në riorganizimin financiar dhe modernizimin e shërbimeve, duke u dhënë atyre forcën për të ecur me hapin e kohës.

Puna hulumtuese dhe arritjet shkencore

Në fushën e kërkimit shkencor, Dr. Martin M. Bojaj është bërë një emër i njohur ndërkombëtarisht. Ai ka botuar libra, kapituj studimi dhe dhjetëra artikuj shkencorë në revista prestigjioze si Empirical Economics, Applied Economics Letters, Finance Research Letters, Economic Modelling, International Reviewof Economics& Finance, duke trajtuar tema të thella që lidhin politikën monetare dhe fiskale me sfidat globale të kohës: inflacionin, ndryshimet klimatike, teknologjitë financiare, pabarazitë sociale dhe transformimet në tregjet ndërkombëtare. Për Dr. Martin Bojaj, ndryshimet klimatike dhe pabarazia nuk janë vetëm fusha kërkimore, as terma të ftohtë statistikorë. Këto janë shenjat e kohës sonë, paralajmërime të qarta se bota rrezikon të humbasë ekuilibrin e saj natyror dhe moral. Kur flet për ndryshimet klimatike, ai nuk nënkupton vetëm grafikët e temperaturës ose shifrat e emetimeve të karbonit; ai mendon për një fushë që nuk jep më fryte, për një lumë që thahet, për një familje që humbet burimin e ekzistencës, për një fëmijë që rritet në një botë më të varfër dhe më të padrejtë.

Në mënyrë të ngjashme, për të, pabarazia nuk është ndryshimi midis kolonave të tabelave ekonomike; është një plagë e shoqërisë, një shenjë e thellë që prek zemrën e komuniteteve. Manifestohet në mundësi të mohuara, në talente të lëna pas dore, te prindërit që punojnë shumë, por nuk arrijnë t'u sigurojnë fëmijëve të tyre jetën dinjitoze që meritojnë. Në këtë kuptim, për Bojaj, pabarazia është një sëmundje morale që shkatërron besimin midis njerëzve, minon solidaritetin dhe shkatërron shpresën.

Prandaj, puna e tij shkencore nuk është vetëm analizë ekonometrike ose parashikim makroekonomik; është një akt besimi në drejtësi dhe barazi njerëzore. Ai e sheh kërkimin si një mision për të ndriçuar shtigjet e errëta ku politikat dhe vendimmarrja shpesh humbasin, për të treguar se pas çdo numri, pas çdo treguesi statistikor, fshihet një jetë njerëzore, një fytyrë konkrete, një histori e gjallë. Është një dimension i padukshëm, por thelbësor që karakterizon qasjen e tij: ndërthurja e shkencës me etikën, e dijes me ndërgjegjen, e llogaritjes me humanizmin.

Për Dr. Bojajn, çdo njeri ka të drejtë për dinjitet, drejtësi dhe shpresë, dhe është pikërisht ky besim i brendshëm që e shtyn të shohë në klimën dhe në pabarazitë jo vetëm probleme teknike, por sfidat më të mëdha morale të njerëzimit në shekullin XXI.

Në analizat e tij, dimensioni akademik gërshetohet me një ndjeshmëri të thellë humane. Ndaj, çdo artikull i tij për inflacionin, çdo model makroekonomik për pasojat e krizave globale, dhe çdo parashikim mbi ndryshimet klimatike është më shumë se një studim – është një thirrje për veprim, një përpjekje për t’u kujtuar institucioneve dhe shoqërive se shkenca duhet të vihet në shërbim të njeriut dhe të krijesës.

Me  një  përvojë të pasur akademike dhe praktike, Dr. Martin Bojaj është bërë një nga zërat më të besueshëm në fushën e makroekonomisë dhe politikave monetare dhe fiskale. Ekspertiza e tij përfshin modelimin makroekonomik, parashikimin ekonomik dhe politikat anti-inflacioniste, si dhe     sektorë të ndryshëm të ekonomisë si energjia, banking dhe zhvillimi qeveritar. Ai ka një përvojë të gjerë në përdorimin e modeleve të avancuara ekonometrike - nga ARDL modelet, panel modelet dhe modelet volatile në EViews, deri tek modelet e kompleksuara të riskut, stabilitetit financiar dhe makrostrukturës ekonomike. Puna e tij shtrihet nga diagnostikimi i vulnerabilitetit ekonomik deri tek hartimi i politikave monetare dhe fiskale që prekin stabilitetin e vendeve të tëra.

Çmimet ndëkombëtare

Kjo qasje e ka bërë atë të dallohet jo vetëm si ekonomist e hulumtues, por edhe  si një zë moral në arenën akademike. Pikërisht ky vizion  i gjerë ka sjellë që punimet e tij të vlerësohen me çmime të shumta ndërkombëtare: Best Researcher Award-Visionary Leadership, Green Award për kontributin mbi ndryshimet klimatike nga Banka Qëndrore e Malit të Zi;, Outstanding Scientist Award (2024)dhe së fundmi Breakthrough Innovations Laureate Award (2025). Secili prej këtyre vlerësimeve përfaqëson jo vetëm një arritje shkencore, por një njohje të faktit se puna e tij prek thelbin e sfidave të njerëzimit sot. ( vazhdon).