Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Zholi: Lush Susaj - Pasojat nga pesticidet janë të mëdha në shëndet dhe imazh

| E premte, 19.09.2025, 06:54 PM |


Flet Prof. Dr. Lush SUSAJ:

Pasojat nga pesticidet janë të mëdha në shëndet dhe imazh dhe vijnë nga mungesa e zbatimit korrekt të protokolleve të përdorimit të tyre

- Pjesa më e madhe e pesticideve vijnë përmes importuesve të paisur me leje dhe me liçensë ndërsa një pjesë tjetër në mënyrë ilegale me çanta nga dogana

- Analizat treguan se domatet kishin nivel të preparatit "Chlorfenapyr" mbi normat e lejuara, 0.06 mg/kg nga 0.01 mg/kg

- Në mënyrë të fshehtë hyri Klorpirifosi, Oksamili, apo edhe Metirami nga Greqia, Italia dhe Maqedonia e Veriut, apo aktualishtë Falconi nga Kosova.

- Futja dhe përdorimi i këtyre preparateve të ndaluara sjell pasoja të jashtëzakonshme për sigurinë ushqimore dhe imazhin e eksporteve shqiptare.

- Ndërsa shqetësimi dhe problemi më  kryesorë që ka Shqipëria me pesticidet dhe mbetjet e tyre është teknologjia apo protokollet e përdorimit të PMB-ve.

- Shqipëria ka mungesa në laborator të çertifikuar për analizat kimike të përmbajtjes dhe të gjendjes së lëndës aktive (vepruese).

-Ka mungesë dhe uri për stafet e trajnuara e të specializuara për këtë qëllim, për njerëz që të dinë të zbatojnë protokollet e marrjes së mostrave, ruajtjes, transportit, analizës.

- Fiktiviteti në dokumetat e cilësisë, duket që po shkatërron besueshmërinë, strukturat dhe kapacitetet administrative dhe menaxheriale të bujqësisë shqiptare.

Intervistoi Albert Z. ZHOLI

Para disa ditësh Kroacia bllokoi 8 ton domate me pesticide. Analizat treguan se domatet kishin nivel të preparatit "Chlorfenapyr" mbi normat e lejuara, 0.06 mg/kg nga 0.01 mg/kg që duhet të jetë. Gjatë kontrollit që kanë kryer në këtë subjekt që eksportonte prodhimet doli se kanë plotësuar praktikën në mënyrë fiktive. Njëkohësisht u sekuestruan perime të ndryshme, të cilat dyshohet të jenë të kontaminuara me sasi preparati.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe në drejtimin e Prokurorisë së Beratit, pas informacioneve të marra se në një subjekt grumbulloheshin dhe eksportoheshin perime, për të cilat kishte paligjshmëri në eksportim, organizuan punën dhe finalizuan operacionin "Again".

Gjatë operacionit u vunë në pranga 3 shtetas,  banues në Kuçovë, administratori i subjektit të grumbullimit dhe eksportimit të perimeve. Ky shtetas kishte prodhuar dhe më pas kishte eksportuar drejt shtetit Kroat, 8 tonë domate, të cilat pas analizave të kryera kishin rezultuar me përbërje të lartë të preparatit "Chlorefenapyr", dhe ishin asgjësuar nga autoritetet kroate. Gjithashtu, për të shmangur përgjegjësisë ligjore ky shtetas ka përdorur fatura fiktive blerjeje nga fermerë të tjerë; Nga kontrolli i ushtruar në magazinën e shtetasit M. Q., u sekuestruan perime të ndryshme dhe u morën mostra për analiza, pasi dyshohet se mund të jenë me përbërje të lartë preparatesh.Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme", njoftoi policia.

Profesor një situatë tejet e ndëlikuar që prish gjithë imazhin e prodhimeve bujqësore shqiptare. Kush i fut pesticidet në Shqipëri, cila firmë.... Dhe a ka përgjegjësi për futjen e tyre?

Pesticidet në Shqipëri vijnë në dy mënyra dhe nga disa burime. Sikurse dihet Shqipëria, nuk është vënd që prodhon pesticide, ama importon dhe konsumon sasi të mëdha për njësi të sipërfaqës së mbjellë dhe për numër të banorësh. Pjesa më e madhe e pesticideve vijnë përmes importuesve të paisur me leje dhe me liçensë nga Ministria e Bujqësisë dhe nga strukturat e tjera të kontrollit doganorë e tatimorë. Këto produkte, që vijnë në mënyrë legale, janë të kontrolluara, të sigurta dhe brenda afatit trevjeçar të skadencës së tyre. Ndërsa pjesa më problematike e pesticideve të ndaluara, duket që është ajo që futet me çanta, me pako dhe me bagazhe makinash, gjithënjë në këmbim të pagesave, që fermerët apo transportuesit paguajnë tek kontrolloret në dogana. Në këtë mënyrë hyri Klorpirifosi, Oksamili, apo edhe Metirami nga Greqia, Italia dhe Maqedonia e Veriut, apo aktualishtë Falconi, që vazhdon që të futet nga Kosova, etj. Futja dhe përdorimi i këtyre preparateve të ndaluara sjell pasoja të jashtëzakonshme për sigurinë ushqimore dhe imazhin e eksporteve shqiptare. Ndërsa shqetësimi dhe problemi më kryesorë që ka Shqipëria me pesticidet dhe mbetjet e tyre është teknologjia  apo protokollet e përdorimit të PMB-ve, protokollet e kushteve dhe mënyrave të ruajtjes, të kombinimit të tyre, si dhe mosnjohja dhe mosrespektimi i periudhes së skadencës dhe karencës të çdo pesticide.

Shqipëria, sikurse edhe vëndet e BE, e ka miratuar listën me 356 pesticidet e lejuara, jashtë të cilës nuk duhet të futet e as nuk duhet të përdoret asnjë preparat. Sikurse duhet patur parasysh edhe faktin që edhe pesticidet e lejuara të kësaj liste, paraqesin rrezikshmëri shumë të lartë sa herë që nuk zbatohet teknologjia shkencore, që lidhet me dozën, me karencën, me afatin dhe me mënyrën e përzierjes dhe kombinimit të pesticideve.

Lind pyetja a kontrollohen nga shteti kur futen këto pesticide? A ka amsa sigurie kur futen?!

Në lidhje me hallkat e kontrollit, mendoj se nuk ka qenë dhe nuk është në nivelin dhe as në cilësinë e duhur. Kjo për shkak se Shqipëria ka mungesa në laborator të çertifikuar për analizat kimike të përmbajtjes dhe të gjendjes së lëndës aktive (vepruese). Sikurse mungojnë edhe laboratoret e çertifikuar të anlizës për përmbajtjen e pesticideve në fruta, në perime, në drithëra, etj. Shoqëruar edhe me mungesë dhe uri për stafet e trajnuara e të specializuara për këtë qëllim, për njerëz që të dinë të zbatojnë protokollet e marrjes së mostrave, ruajtjes, transportit, analizës dhe përcaktimit të saktë të nivelit të përmbajtjes së mbetjeve inorganike, nga ku përcaktohet edhe mundësia apo jo e konsumit dhe eksportit të produkteve bujqësore. Për mua dhe çdo specialistë bujqësie, kjo nuk është një situatë e rastësishme dhe as e panjohur. Sepse të gjithë e dimë që BE ka dhënë disa herë projekte dhe fonde për filierat e prodhimit, për ndërtimin dhe funksionalizimin e laboratorëve, si dhe për përgatitjen e stafeve nga ku korrupsioni dhe fiktiviteti duket që i ka përpirë të gjitha projektet dhe fondet, duke cenuar rëndë edhe sigurinë ushqimore, mjedisore dhe tregjet. Edhe pse në terren nuk ka laboratorë funksionalë e as profesionistë për pesticidet dhe mbetjet organike dhe inorganike të tyre, akoma nuk ka asnjë njeri të hetuar e as të dënuar për vjedhjen e projekteve dhe të fondeve të laboratorëve dhe të aseteve të institucioneve të bujqësisë. Mendoj se në kushtet e pamundësisë absolute për të kryer analizat kimike të produkteve bujqësore dhe për të bërë gjurmimin e origjinës së mbetjeve kimike në fruta, në perime, në drithëra, etj, nuk mund të ketë asnjë kontroll efektiv dhe as siguri ushqimore e mjedisore.

Në fakt produktet tona a kanë çertifikatë të pranueshme me standartet e BE? Kur ne pretendojmë të hyjmë në BE a duhet të përshtatemi me këto standarte që njëkohësisht janë të domosdoshme për shëndetin e popullsisë?

Prodhimet shqiptare, në pjesën më të madhe të tyre janë ndër më të mirat e kësaj bote, e që konsumatori shqiptarë dhe i huaj, pavarësishtë nga këto raste shqetësuese, nuk duhet me i braktisë. Përkundrazi duhet me pas edhe më shumë besim dhe siguri tek djersa dhe mundi i fermerëve të Shqipërisë. Prodhimet tona bujqësore dhe blegtorale po i shkatërron në cilësi, në sasi dhe në imazh menjanimi dhe dëbimi i specialistëve të mirfilltë të prodhimit, si dhe infrastruktura shumë e dobët e kontrollit, analizave dhe ballafaqimit të treguesve të cilësisë. Kjo situatë shoqërohet edhe me atë pamjen e shkatërrimit të shërbimit agronomikë kombëtarë, nga ku duket që buron vetëm padije (injorancë) e thellë ligjore dhe teknologjike për prodhuesit, konsumatorët, grumbulluesit dhe eksportuesit. Të mos harrojmë faktin që ngarkesat me specat dhe domatët e ndaluara në BE, para se të shkojnë në Kroaci, Slloveni, etj, duhet që të analizohen në laboratoret e vëndit të origjinës, ku duhet që me patjetër të bëhët edhe krahasimi dhe analiza shkencore e fakteve se, përse me fletë analizën e laboratorit të Shqipërisë produktet kalojnë? Ndërsa rezultatet e marra nga analizat në laboratorët e BE janë ndryshe, e për pasojë produktet tona kthehen pas. Fiktiviteti në dokumetat e cilësisë, duket që po shkatërron besueshmërinë, strukturat dhe kapaciëtetet administrative dhe menaxheriale të bujqësisë shqiptare. Fiktiviteti duket që ka dalë sheshit edhe nga fakti që asnjë nga laboratoret e vëndit tonë nuk guxojë që të kërkojë e as të mbrojë analizën e vet. Askush nuk guxoj të kërkojë ballafaqim dhe debat për të mbrojtur analizat e kryera. Kjo tregon se si jemi pajtuar me mashtrimin dhe me fiktivitetin në letra.

Sikurse kudo në vëndet e BE, të gjithë e dinë faktin që cilësia dhe siguria ushqimore prodhohen përmes protokolleve teknologjike, në parcelat e prodhimit bujqësorë, e jo duke manipuluar rezultatet e analizave kimike të zhgarravitura mbi fletë analiza fiktive, pa marrë kampione dhe pa bërë analiza. Shtojmë këtu edhe disa fakte të njohura si përshëmbull Falkoni, etj (një preparat sistemik, kundër hirit), ndonëse i hequr nga lista e PMB të lejuara, tregëtarët dhe fermerët e Shqipërisë po e sjellin pa pengesa nga Kosova (apo edhe nga Greqia, Serbia, etj), me nga 4-10 litra njëherësh, e po e përdorin në mënyrë masive në perime dhe vreshta, duke kryer nga 2-3 spërkatje në vit. Për të tilla preparate, fermerët e Shqipërisë duhet me u informue nga agronomët, ndërsa agronomët duhet me u trajnue dhe informue nga profesorët e UBT, e jo nga shoqatat dhe OJF e partive. Jemi në këtë situatë, pikërishtë se politika brutale e ka përmbysur piramidën e vlerave të dijes dhe të ekspertizës, duke mënjanuar profesorat dhe universitetet, e duke i zëvendësuar ato me OJF parazite dhe me njerëz pa dije dhe pa përvojë në prodhimin bujqësorë. Prodhimet tona bujqësore ngjajnë me atë shtëpinë pa çati, ku në kohë me reshje, askush nuk mund të thotë se si hyri shiu brenda. Njëlloj edhe me strukturat e kontrollit dhe sigurisë, ku dihet që nuk ka asgjë që nuk pritej në kushtet aktuale të mungesës së shërbimit të mirfilltë agronomik, të laboratoreve, të protokolleve dhe të stafeve laboratorike. Në këto kushte, pavarësishtë nëse produktet tona janë apo nuk janë brenda standarteve, që të gjitha vëndet e rajonit dhe të BE e kanë shumë të lehtë për të sfiduar prodhimet tona duke i bllokuar e duke i kthyer pas, pasi Shqipëria nuk e ka as strukturën, as sigurinë dhe as kapacitetet për ballafaqim dhe as për oponencë. Unë nuk e vë fare në dyshim faktin se prodhimet tona të bllokuara e të groposura në Kroaci, Slloveni, etj, kanë patur përmbajtje pesticidesh dhe metalesh mbi normat e lejuara, sikurse edhe rezultoi. P.sh Nikeli me mbi 0,4 mg/kg tek pjeshkët, apo mbetjet e tre pesticideve tek specat dhe domatet. Për këtë arsye, unë mendoj që duhet të bëjmë një analizë më të përgjegjëshme që të mund të vetëkorrigjohemi sa më parë përmes funksionalizimit të strukturave agronomike të kontrollit dhe të zbatimit të teknologjive bujqësore dhe të krijimit të stafeve laboratorike të analizave kimiko-teknologjike të sigurisë. Janë struktura jetike që nuk i kemi funksionale vetëm për shkak të megakorrupsionit me fondet e BE, sidomos të IPARD-it, si dhe për shkak të menjanimit të ekspertizës dhe të mendimit të specialistëve të mirfilltë e më të mirë të vëndit. Unë mëndoj që drejtuesit dhe hallkat e qeverisjes duhet që ta mësojnë faktin që vëndet, tregjet dhe popujt e vëndeve të BE, nuk mund të mashtrohen dhe as nuk mund të helmohen me çertifikatat e plotësuara kuturu e përpara gotës së rakisë. Duhet ta kuptojmë edhe faktin që BE, na njeh më mirë nga sa e njohim vetën, sepse BE po na vëzhgon nga afër e në çdo hap.