| E merkure, 17.09.2025, 06:57 PM |
Durrësakët, në krye të universiteteve prestigjioze europiane (1396, 1497)!
Nga
Jahja Drançolli
Bëhet
fjalë për Gjon Durrsakun, rektori i parë i Universitetit të Zarës (Studium
generale; Universitas Jadertina,1396), i cili lidhet me faktin se universiteti
kroat në fjalë kishte trashëguar një pjesë të stafit të Universitetit të
Durrësit, i cili u tërhoq në Zarë për shkak të trazirave në rritje nga sulmet
osmane në Arbëri, një çështje që është trajtuar më shumë se një herë në
studimet e mia.
Në
të njëjtin post universitar, një shekull më vonë, respektivisht në vitin 1497
do të takojmë Leonik Nikollë Tomeun (1456 -1531), babai i të cilit lindi në
Durrës të Arbërisë (Nicolaus Tomaeus Epirota patre Venetiis genitus, aetatem a
primis unguiculis omnem egit Patavii”). Edhe familja e Leonikut u zhvendos nga
Atdheu në kohën e sulmeve osmane dhe u vendos në Venedik (shekulli i 15 -të).
Leoniku i kaloi vitet e fëmijërisë me vëllezërit e tij në lagunat venedikase
dhe në Padova. Leoniku kishte përfunduar studimet në Padova (1485), ku iu dha
titulli i doktorit të shkencave "in artibus" ("filozofi dhe
mjekësi"). Shumë studiues me të drejtë mendojnë se origjina e familjes së
Leonikut është nga zona bregdetare e Arbërisë, përkatësisht nga Durrësi ose
Shkodra. Stdudiuesi M. E. Cosenza, shpjegon mbiemrin e Tomeut sipas malit të
famshëm Tomor (Tomarus), i cili përmendet në Epir. Leonik, ndërkohë është
anagrami jo i plotë i emrit Nicolò-Nikollë.
Emri
I Leonikut ka pasur gjerësinë e dijetarit të madh të periudhës së Humanizmit
dhe Rilindjes. Me të drejtë mund të thuhet se ai ishte një studiues erudit. Kjo
dëshmohet nga njohuritë e tij të shkëlqyera në fusha të ndryshme shkencore:
filozofi, histori, mjekësi, fizikë, astronomi, matematikë dhe letërsi. Veprat e
tij kryesore janë: De varia historia libri tres ("Tregime të ndryshme në
tre libra", 1531); Dialogët ("Dialogët", 1524), etj.
Pas
veprave origjinale dhe shumë përkthimeve, Tomeu gjithashtu shkroi poezi në
formën petrarkeske kushtuar personaliteteve të shquara dhe mjedisit në të cilin
ai jetoi. Opusi i tij poetik u vlerësua nga eruditët Pietro Bembo (1470-1547),
Girolamo Tiraboschi (1731-1794), etj.
Edhe
pse ai zotëronte pasuri të madhe në Padova, Tomeu ishte akoma i lidhur ngushtë
me studimet. Senati Venedikas e kishte emëruar Rektor, si dhe profesor në
Universitetin e Padovës (1497), të cilin e braktisi për të ligjëruar letërsinë
greke dhe latine në Katedralen Rialto-s në Venedik (1504). Edhe pas emërimit të
tij këtu si pedagog, ne e takojmë Leonikun në jetën publike dhe universitare të
Padovës, ku ai mbylli sytë në vitin 1531.
Disa
faqe të një dorëshkrimi të Leonikut, që konsiderohet një dorëshkrim
autobiografik, dëshmojnë për emrin e Benediktit (Benedetto), një nga vëllezërit
e tij, autori i një traktati që merret me çështjen e shpirtrave të rebeluar dhe
burimin e mëkatit dhe “Fjalës Hyjnore". Përveç tij njihet edhe një vëlla
tjetër i quajtur Bartolomeo, i njohur për një poezi të botuar në gjuhën latine
(1558).
Pjesë
e dokumentit që merret me emërimin e Leonikut si rektor dhe profesor në
Universitetin e Padovës!