Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Prend Buzhala: Atmosfera e dyfishtë e fushatës zgjedhore

| E merkure, 17.09.2025, 06:55 PM |


ATMOSFERA E DYFISHTË E FUSHATËS ZGJEDHORE

(Tubime civilizuese dhe media e rrjete sociale të helmuara)

Nga Prend BUZHALA

Atmosfera e fushatës së zgjedhjeve komunale në Kosovë është pa dyshim e ndarë mes një realiteti të dyfishtë. Në terren, qytetarët po përballen me një proces më shumë apo më pak të zakonshëm zgjedhor, që në përgjithësi, duket se ka një përpjekje për t’u mbajtur në një nivel të civilizuar. Ata që votojnë apo janë të angazhuar në fushatën zgjedhore iu përmbahen rregullave dhe nuk ka ndodhur ndonjë akt i dhunës. Megjithatë, ajo që është vërtet shqetësuese është atmosfera që mbizotëron në media dhe, në mënyrë të veçantë, në rrjetet sociale. Ato janë bërë një arenë ku secili debat politik kthehet në një fushëbetejë, ku fyerjet, sulmet personale dhe shpërthimet histerike janë të pranishme çdo ditë. Rrjetet sociale, në veçanti, kanë krijuar një klimë të tillë, ku polemikat përshkallëzohen dhe shërbejnë si mekanizëm për manipulim të opinioneve dhe për formimin e perceptimeve të mbrapshta për kundërshtarët politikë. Pavarësisht se çfarë ndodh në terrenin e qerë, këto akuza dhe sharje janë të pandërprera, duke e bërë situatën gjithnjë më të tensionuar dhe të pasigurt.

Fjaët fyese, të shpeshtën  plasohen si elemente që përforcojnë  diskurs polarizues: “ti je kriminel”, “ti bashkëpunon me armiqtë”, “ti nuk e do Kosovën” etj. Kjo çon në ndezjen e  emocioneve, për t’i realizuar gjërat personale dhe për prodhimin e shpërthimeve .

Shtrohet pyetja: përse TV mediat dhe rrjetet sociale janë kaq toksike, krejt në kundërshtim me terrenin?

1.

Kur njerëzit komentojnë online, ndihen më të lirë që të përdorin gjuhën e  fyerjeje apo sharjeve ekstreme, sepse nuk janë përballë me pasojat direkte. Portalet dhe mediat  përdorin tituj bombastikë dhe provokues për të tërhequr vizitorë. Kanë motivim klikimet e reklamat.  Kur partitë ose liderët politikë  shohin se fushata është “betimi për reputacionin” ose “çështje jetë ose vdekje” për pozicionin e tyre politik, ata nxisin aq sa të mundet retorikë të fortë për ta mobilizuar elektoratin. Dezinformimi a shpërndarja e lajmeve të pavërteta bëhet dukuri, madje  bëhet fenomen. Kur lajmi nuk verifikohet mirë ose kur informacioni është i pjesshëm, përdoret për sulme ose diskreditime.

Raportet tregojnë se aktorë komunalë, por edhe të jashtëm (media ose individë që nuk janë brenda Kosovës)  përfshihen në përhapjen e diskurseve  që i pëlqejnë dikujt; për shembull, ndezin përçarje të ndryshme, zhvillojnë një diskurs (a narrativë) për patriotizëm (unë jam patrioti, ti je tradhtari).

Deri tani nuk ka raportime të masës së incidenteve që devijojnë procesin zgjedhor në terren; institucione si policia dhe autoritetet zgjedhore funksionojnë.

Rreziku më i madh është që kjo gjuhë helmuese të përzihet me lajme të rreme, me dëgjime selektive dhe me copëzime, përçarje e shpërbërje të opinionit publik, që çon në mosbesim të qytetarëve ndaj institucioneve e ndaj partive, deri te manipulimi i zgjedhjeve, apo deri te tensionet  artificiale...

2.

Krahasimet dehumanizuese janë  formë e gjuhës së urrejtjes ku kundërshtari politik paraqitet jo si person, por si diçka më pak se njeri : si kafshë, insekt, sëmundje, objekt i pistë;  për ta poshtëruar dhe për t’ia hequr dinjitetin. Ky tip të foluri e të shkruari është fyerje e rëndë: ai sugjeron se tjetri nuk meriton respekt, madje as të drejtat themelore njerëzore;  duke rritur rrezikun e dhunës simbolike ose reale.  Raportet e monitorimit të BIRN-it dhe Demokracisë në Veprim evidencojnë shembuj tipikë: krahasime me kafshë apo parazitë,  p.sh. oponentët quhen “ujq”, “qen”, “mace të zeza”, “parazitë” ose “insekte” (siç e përdori fjalën e fundit këto ditë një shkrimtar, për fat të keq, kështu viruse i quan gjysmë milioni votues të Kosovës), të cilët “duhen shkelur” ose dëbuar jashtë! Vërshojnë etiketime si sëmundje “virusi i partisë X”, “kancer që po e ha shtetin” etj. “Armik” i kombit" është shprehje që i shndërron kundërshtarët në “tradhtarë”, “spiunë të Serbisë” apo “servilë të Hagës”, duke i përjashtuar nga kolektiviteti kombëtar.

Një tjetër faktor është ndikimi i mediave dhe liderëve që e "ushtrojnë" këtë sjellje të fyerjes dhe shpifjes për përfitime politike. Këta liderë ndihmojnë në krijimin e një kulture të polarizimit dhe urrejtjes, duke i përdorur rrjetet sociale si mekanizëm  për t’i  ushqyer ndarjet dhe për të fituar mbështetje përmes emocionesh negative. Përveç kësaj, shumë individë janë mësuar të shohin se "reagimi emocional" është më efektiv se një qëndrim racional dhe i matur. Kjo është një shenjë e një trendi më të gjerë që lidhet me atë që mund të quhet KRIZË E KOMUNIKIMIT dhe e etikës publike në nivel global.

Mungon kërkimfalja.

Në disa qarqe sociale ose mediatike, të kërkosh falje shihet si dobësi, jo si virtyt. Kjo ndihmon në përhapjen e një paradigme ku agresioni është normë, e jo përjashtimi i së keqes.

Në këtë spektakël, shpërblimi nuk është financiar, por emocional dhe social: pëlqime, shpërndarje, komente mbështetëse. Sa më ekstreme ose provokuese të jetë deklarata, aq më shumë rritet vëmendja dhe “statusi” virtual i individit.

Mediat dhe figurat publike shfaqin shëmbëlltyrën e tyre: kur liderë politikë, opinionistë ose portale përdorin gjuhë agresive dhe nuk përballen me ndëshkime reale, individët mësojnë se kjo është e pranueshme. Ky edukim është i padukshëm dhe i heshtur, por efektiv: qytetarët dhe komentuesit mësojnë se, që të shprehen ashpër, është e dobishme dhe shpërblehet, ndërsa respektimi i etikës dhe pendesa shihen si dobësi!

Gjendja e tillë e normalizon urrejtjen: kur dikush shihet si “jonjeri”, sulmi verbal ose edhe fizik duket më i pranueshëm; e dëmton debatin demokratik: vëmendja largohet nga programet, politikat dhe kontrolli qytetar; i fryn polarizimit: krijon kampe “ne kundër tyre”, ku kompromisi duket tradhti!!! Institucione si Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa kanë vendosur gjoba për gjuhë të tillë në të kaluarën, por raportet theksojnë se një pjesë e materialeve mbeten online dhe shpërndahen sërish në rrjetet sociale, duke e bërë të vështirë frenimin e efektit.

Pra, krahasimet dehumanizuese, përpos që janë retorikë e shëmtuar; ato janë një mekanizëm politik për ta nënçmuar kundërshtarin dhe që  të manipulohen  emocionet e elektoratit, gjë që e rrezikon cilësinë e procesit zgjedhor dhe klimën shoqërore, vërtet civilizuese, në terren.

3.

Kur themi GJUHË HELMUESE, kemi parasysh  ligjërimin publik që bart armiqësi, fyerje dhe shpërndarje të urrejtjes, pra një komunikim që “helmon” hapësirën shoqërore. Nuk ka një përkufizim juridik të fiksuar, por në analizat e mediave dhe të proceseve zgjedhore këtë shprehje po e përdor për disa dukuri të njohura. Bie fjala, tonalitet i ashpër, agresiv, përbën  fyerje personale, sarkazëm poshtërues, kërcënime të tërthorta. Ka demonizim të kundërshtarit: portretizimi i tij si armik, tradhtar, apo si “rrezik për kombin”. Ka dezinformim të qëllimshëm: shpërndarje lajmesh të rreme për ta njollosur famën, autoritetin a prestigjin e dikujt, kryesisht të liderëve kryesorë politikë. Ka nxitje emocionale me përdorim të gjuhës që zgjon frikë, zemërim ose panik te publiku.

Në raportet e dy organizatave të sipërpërmendura theksohet se gjuha helmuese është veçanërisht e përhapur në rrjetet sociale: KOMENTE ANONIME me sharjet më bestiale, akuza për “tradhti kombëtare”, krahasime me kafshë ose sëmundje. Ndërsa nëpër portale dhe debate televizive shfaqen tituj provokues, sulme AD HOMINEM (dmth bëhen  argumente false, kur dikush sulmon personin që bën një pohim në vend që të sulmojë vetë argumentin ose tezën e tij).; bëhen insinuata për lidhje me Gjykatën e Hagës etj. etj. nga të "dy palët" gjoja "kundërshtare"!

Natyrisht që vërehet edhe në fushatën politike këso paraqitjesh: kandidatët përdorin retorikë frikësuese (“po na shkatërrojnë”, “duhet t’i zhdukim këta” etj.) për ta mobilizuar elektoratin. Atmosfera e tillë helmon opinionin publik, krijon mosbesim e përçarje dhe mbyll kanalet e dialogut racional. Situatat e rënduara E NORMAIZOJNË urrejtjen: kur sharjet dhe akuzat bëhen normë, kufijtë e dhunës verbale e fizike zbehen. Mirëpo, kështu dëmtohet edhe procesi demokratik: vëmendja largohet nga programet dhe zgjidhjet konkrete, duke e reduktuar zgjedhjen në “luftë klanesh”.

4.

Së këndejmi, jo më kot e thashë në fillim, se atmosfera e zgjedhjeve komunale në Kosovë është pa dyshim e ndarë mes një REALITETI TË DYFISHTË. Ata që votojnë apo që janë të angazhuar në fushatën zgjedhore, iu përmbahen rregullave dhe nuk ka ndodhur ndonjë akt dhune. Tubimet e partive, takimet me qytetarë dhe veprimtaritë e fushatës ruhen në një kornizë civile, pa dhunë masive. Ndryshe, pra, ndodh me diskursin politik që shndërrohet në gjuhë helmuese, me sulme personale, krahasime dehumanizuese dhe dezinformim.

Tonaliteti i ashpër, agresiv, nënkupton mënyrën e të shprehurit, ritmin, zgjedhjen e fjalëve, intonacionin,  që e bën komunikimin të ndihet si sulm, jo si debat. Nuk mjafton vetëm përmbajtja ofenduese; edhe kur fjalët janë formalisht “neutrale”, toni agresiv e kthen mesazhin në provokim.

Nga aspekti i tipave të ligjërimit, do të thoshim se ka rritje të tensionit në gjuhë: përdorim i foljeve urdhërore (“duhet t’i zhdukim”, “do t’i shkatërrojmë”) ose epitetesh nënçmuese. Ka ritëm të shpejtë të të folurit, fjalë të forta: shprehje me superlativa (“katastrofë”, “tradhti e pafalshme”) që e dramatizojnë çdo çështje. Ka gjestikulime dhe mimikë kërcënuese (në debate televizive): ngritje zëri, ndërprerje e kundërshtarit, shfrytëzim i trupit për të dominuar.

Demonizimi i kundërshtarit është një strategji komunikimi ku kundërshtari politik nuk paraqitet thjesht si rival me ide të tjera, por si armik moral ose kërcënim ekzistencial për shoqërinë. Në vend që të kritikohet programi, kritikohet vetë identiteti i tij, duke i veshur cilësi “të liga” ose duke e paraqitur si tradhtar.

Në diskurs ky fenomen shfaqet me etiketime emocionale: “tradhtar i kombit”, “shkatërrues i shtetit”, “vegël e Serbisë”, ose "vegël e qeverisë" etj. Kështu, ndodh edhe mitizimi i rrezikut: përshkrimi i kundërshtarit si “virus”, “kancer”, “armik që po na merr tokën” etj. Realiteti ngarkohet me personalizime ekstreme: fokusi zhvendoset nga politikat te karakteri (“njeri i keq”, “i pashpirt”, “antishqiptar”). Efektet negative shfaqen që në fillim: e polarizon publikun, krijon ndarje “ne kundër tyre” ku kompromisi shihet si tradhti;  e legjitimon urrejtjen, kur tjetri paraqitet si kërcënim e armiqësia bëhet e pranueshme; e zëvendëson debatin racional , ku programet, faktet dhe zgjidhjet zhduken pas retorikës.

Një nga shkaqet kryesore është mjedisi virtual, dixhital, ku anonimati dhe distanca nga pasojat reale e lejojnë secilin individ të shprehë gjithçka, pa u përballur me ndëshkime konkrete. Kjo hapësirë e pakontrolluar ka bërë që individë të caktuar të ndihen të fuqishëm dhe të lirë për të sulmuar, shpifur dhe fyer, pa pasur asnjë pengesë. E gjithë kjo ka ndodhur në një periudhë kur shumë njerëz kanë filluar t’i shohin rrjetet sociale jo si hapësirë për informim, bashkëbisedim etj., por si një arenë për ta  “ndërtuar” imazhin e tyre personal dhe politik, ndonjëherë në kurriz të të tjerëve.

Përveç kësaj, fenomeni i "shfryrjes" apo vetë-afirmimit është shumë i lidhur me frustrimin e papërpunuar të individëve, që po kalojnë një periudhë të pasigurisë ekonomike, sociale dhe politike ose edhe psikologjike, frustruese (mungesë pushteti etj.).

Kur njerëzit ndihen të pafuqishëm për ta ndryshuar situatën në jetën e tyre reale, shpesh  e gjejnë mundësinë për shpërthime në këtë frustrim dhe pasiguri përmes shpifjeve dhe sulmeve në rrjetet sociale, ku ndihen të fortë dhe të pasigurt në të njëjtën kohë.

5.

Sanksione institucionale, për linçimet e tilla publike, duhet të veprojnë (jo vetëm ai Paneli për Ankesa dhe Parashtresa me gjoba për partitë që përdorin gjuhë nxitëse), por të bëhet edhe monitorim i mediave, ku organizata të shoqërisë civile duhet të  bëjnë raporte periodike dhe t'u kërkojnë mediave të heqin përmbajtje që nxit urrejtje dhe dhunë. Edukimi medial mungon:  le të nxiten qytetarët t'i verifikojnë burimet dhe të reagojnë ndaj gjuhës ofenduese.

Opinionistët, liderët politikë dhe figurat publike që argumentojnë me respekt dhe maturi, duhet të promovohen si shembuj. Kjo sjellje e ndihmon ndryshimin e normave dhe tregon se mund të fitohet audiencë dhe influencë pa përdorur gjuhë agresive, apo cinizëm mediatik. Ka mundës të organizohen forume qytetare, diskutime komunale dhe platforma të hapura për debate të qeta dhe të faktuara që e kompensojnë spektaklin online. Kështu krijohet një hapësirë ku qytetarët e ndiejnë veten të dëgjuar, pa u bërë pjesë e kulturës së shfryrjes agresive.