Mendime
Prend Buzhala: Atmosfera e dyfishtë e fushatës zgjedhore
E merkure, 17.09.2025, 06:55 PM
ATMOSFERA E DYFISHTË E FUSHATËS ZGJEDHORE
(Tubime
civilizuese dhe media e rrjete sociale të helmuara)
Nga
Prend BUZHALA
Atmosfera
e fushatës së zgjedhjeve komunale në Kosovë është pa dyshim e ndarë mes një
realiteti të dyfishtë. Në terren, qytetarët po përballen me një proces më shumë
apo më pak të zakonshëm zgjedhor, që në përgjithësi, duket se ka një përpjekje
për t’u mbajtur në një nivel të civilizuar. Ata që votojnë apo janë të
angazhuar në fushatën zgjedhore iu përmbahen rregullave dhe nuk ka ndodhur
ndonjë akt i dhunës. Megjithatë, ajo që është vërtet shqetësuese është
atmosfera që mbizotëron në media dhe, në mënyrë të veçantë, në rrjetet sociale.
Ato janë bërë një arenë ku secili debat politik kthehet në një fushëbetejë, ku
fyerjet, sulmet personale dhe shpërthimet histerike janë të pranishme çdo ditë.
Rrjetet sociale, në veçanti, kanë krijuar një klimë të tillë, ku polemikat
përshkallëzohen dhe shërbejnë si mekanizëm për manipulim të opinioneve dhe për
formimin e perceptimeve të mbrapshta për kundërshtarët politikë. Pavarësisht se
çfarë ndodh në terrenin e qerë, këto akuza dhe sharje janë të pandërprera, duke
e bërë situatën gjithnjë më të tensionuar dhe të pasigurt.
Fjaët
fyese, të shpeshtën plasohen si elemente
që përforcojnë diskurs polarizues: “ti
je kriminel”, “ti bashkëpunon me armiqtë”, “ti nuk e do Kosovën” etj. Kjo çon
në ndezjen e emocioneve, për t’i
realizuar gjërat personale dhe për prodhimin e shpërthimeve .
Shtrohet
pyetja: përse TV mediat dhe rrjetet sociale janë kaq toksike, krejt në
kundërshtim me terrenin?
1.
Kur
njerëzit komentojnë online, ndihen më të lirë që të përdorin gjuhën e fyerjeje apo sharjeve ekstreme, sepse nuk
janë përballë me pasojat direkte. Portalet dhe mediat përdorin tituj bombastikë dhe provokues për
të tërhequr vizitorë. Kanë motivim klikimet e reklamat. Kur partitë ose liderët politikë shohin se fushata është “betimi për
reputacionin” ose “çështje jetë ose vdekje” për pozicionin e tyre politik, ata
nxisin aq sa të mundet retorikë të fortë për ta mobilizuar elektoratin.
Dezinformimi a shpërndarja e lajmeve të pavërteta bëhet dukuri, madje bëhet fenomen. Kur lajmi nuk verifikohet mirë
ose kur informacioni është i pjesshëm, përdoret për sulme ose diskreditime.
Raportet
tregojnë se aktorë komunalë, por edhe të jashtëm (media ose individë që nuk
janë brenda Kosovës) përfshihen në
përhapjen e diskurseve që i pëlqejnë
dikujt; për shembull, ndezin përçarje të ndryshme, zhvillojnë një diskurs (a
narrativë) për patriotizëm (unë jam patrioti, ti je tradhtari).
Deri
tani nuk ka raportime të masës së incidenteve që devijojnë procesin zgjedhor në
terren; institucione si policia dhe autoritetet zgjedhore funksionojnë.
Rreziku
më i madh është që kjo gjuhë helmuese të përzihet me lajme të rreme, me dëgjime
selektive dhe me copëzime, përçarje e shpërbërje të opinionit publik, që çon në
mosbesim të qytetarëve ndaj institucioneve e ndaj partive, deri te manipulimi i
zgjedhjeve, apo deri te tensionet
artificiale...
2.
Krahasimet
dehumanizuese janë formë e gjuhës së
urrejtjes ku kundërshtari politik paraqitet jo si person, por si diçka më pak
se njeri : si kafshë, insekt, sëmundje, objekt i pistë; për ta poshtëruar dhe për t’ia hequr
dinjitetin. Ky tip të foluri e të shkruari është fyerje e rëndë: ai sugjeron se
tjetri nuk meriton respekt, madje as të drejtat themelore njerëzore; duke rritur rrezikun e dhunës simbolike ose
reale. Raportet e monitorimit të BIRN-it
dhe Demokracisë në Veprim evidencojnë shembuj tipikë: krahasime me kafshë apo
parazitë, p.sh. oponentët quhen “ujq”,
“qen”, “mace të zeza”, “parazitë” ose “insekte” (siç e përdori fjalën e fundit
këto ditë një shkrimtar, për fat të keq, kështu viruse i quan gjysmë milioni
votues të Kosovës), të cilët “duhen shkelur” ose dëbuar jashtë! Vërshojnë
etiketime si sëmundje “virusi i partisë X”, “kancer që po e ha shtetin” etj.
“Armik” i kombit" është shprehje që i shndërron kundërshtarët në
“tradhtarë”, “spiunë të Serbisë” apo “servilë të Hagës”, duke i përjashtuar nga
kolektiviteti kombëtar.
Një
tjetër faktor është ndikimi i mediave dhe liderëve që e "ushtrojnë"
këtë sjellje të fyerjes dhe shpifjes për përfitime politike. Këta liderë
ndihmojnë në krijimin e një kulture të polarizimit dhe urrejtjes, duke i
përdorur rrjetet sociale si mekanizëm
për t’i ushqyer ndarjet dhe për
të fituar mbështetje përmes emocionesh negative. Përveç kësaj, shumë individë
janë mësuar të shohin se "reagimi emocional" është më efektiv se një
qëndrim racional dhe i matur. Kjo është një shenjë e një trendi më të gjerë që
lidhet me atë që mund të quhet KRIZË E KOMUNIKIMIT dhe e etikës publike në
nivel global.
Mungon
kërkimfalja.
Në
disa qarqe sociale ose mediatike, të kërkosh falje shihet si dobësi, jo si
virtyt. Kjo ndihmon në përhapjen e një paradigme ku agresioni është normë, e jo
përjashtimi i së keqes.
Në
këtë spektakël, shpërblimi nuk është financiar, por emocional dhe social:
pëlqime, shpërndarje, komente mbështetëse. Sa më ekstreme ose provokuese të
jetë deklarata, aq më shumë rritet vëmendja dhe “statusi” virtual i individit.
Mediat
dhe figurat publike shfaqin shëmbëlltyrën e tyre: kur liderë politikë,
opinionistë ose portale përdorin gjuhë agresive dhe nuk përballen me ndëshkime
reale, individët mësojnë se kjo është e pranueshme. Ky edukim është i padukshëm
dhe i heshtur, por efektiv: qytetarët dhe komentuesit mësojnë se, që të shprehen
ashpër, është e dobishme dhe shpërblehet, ndërsa respektimi i etikës dhe
pendesa shihen si dobësi!
Gjendja
e tillë e normalizon urrejtjen: kur dikush shihet si “jonjeri”, sulmi verbal
ose edhe fizik duket më i pranueshëm; e dëmton debatin demokratik: vëmendja
largohet nga programet, politikat dhe kontrolli qytetar; i fryn polarizimit:
krijon kampe “ne kundër tyre”, ku kompromisi duket tradhti!!! Institucione si
Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa kanë vendosur gjoba për gjuhë të tillë
në të kaluarën, por raportet theksojnë se një pjesë e materialeve mbeten online
dhe shpërndahen sërish në rrjetet sociale, duke e bërë të vështirë frenimin e
efektit.
Pra,
krahasimet dehumanizuese, përpos që janë retorikë e shëmtuar; ato janë një
mekanizëm politik për ta nënçmuar kundërshtarin dhe që të manipulohen emocionet e elektoratit, gjë që e rrezikon
cilësinë e procesit zgjedhor dhe klimën shoqërore, vërtet civilizuese, në
terren.
3.
Kur
themi GJUHË HELMUESE, kemi parasysh
ligjërimin publik që bart armiqësi, fyerje dhe shpërndarje të urrejtjes,
pra një komunikim që “helmon” hapësirën shoqërore. Nuk ka një përkufizim
juridik të fiksuar, por në analizat e mediave dhe të proceseve zgjedhore këtë
shprehje po e përdor për disa dukuri të njohura. Bie fjala, tonalitet i ashpër,
agresiv, përbën fyerje personale,
sarkazëm poshtërues, kërcënime të tërthorta. Ka demonizim të kundërshtarit:
portretizimi i tij si armik, tradhtar, apo si “rrezik për kombin”. Ka
dezinformim të qëllimshëm: shpërndarje lajmesh të rreme për ta njollosur famën,
autoritetin a prestigjin e dikujt, kryesisht të liderëve kryesorë politikë. Ka
nxitje emocionale me përdorim të gjuhës që zgjon frikë, zemërim ose panik te
publiku.
Në
raportet e dy organizatave të sipërpërmendura theksohet se gjuha helmuese është
veçanërisht e përhapur në rrjetet sociale: KOMENTE ANONIME me sharjet më
bestiale, akuza për “tradhti kombëtare”, krahasime me kafshë ose sëmundje.
Ndërsa nëpër portale dhe debate televizive shfaqen tituj provokues, sulme AD
HOMINEM (dmth bëhen argumente false, kur
dikush sulmon personin që bën një pohim në vend që të sulmojë vetë argumentin
ose tezën e tij).; bëhen insinuata për lidhje me Gjykatën e Hagës etj. etj. nga
të "dy palët" gjoja "kundërshtare"!
Natyrisht
që vërehet edhe në fushatën politike këso paraqitjesh: kandidatët përdorin
retorikë frikësuese (“po na shkatërrojnë”, “duhet t’i zhdukim këta” etj.) për
ta mobilizuar elektoratin. Atmosfera e tillë helmon opinionin publik, krijon
mosbesim e përçarje dhe mbyll kanalet e dialogut racional. Situatat e rënduara
E NORMAIZOJNË urrejtjen: kur sharjet dhe akuzat bëhen normë, kufijtë e dhunës
verbale e fizike zbehen. Mirëpo, kështu dëmtohet edhe procesi demokratik: vëmendja
largohet nga programet dhe zgjidhjet konkrete, duke e reduktuar zgjedhjen në
“luftë klanesh”.
4.
Së
këndejmi, jo më kot e thashë në fillim, se atmosfera e zgjedhjeve komunale në
Kosovë është pa dyshim e ndarë mes një REALITETI TË DYFISHTË. Ata që votojnë
apo që janë të angazhuar në fushatën zgjedhore, iu përmbahen rregullave dhe nuk
ka ndodhur ndonjë akt dhune. Tubimet e partive, takimet me qytetarë dhe
veprimtaritë e fushatës ruhen në një kornizë civile, pa dhunë masive. Ndryshe,
pra, ndodh me diskursin politik që shndërrohet në gjuhë helmuese, me sulme
personale, krahasime dehumanizuese dhe dezinformim.
Tonaliteti
i ashpër, agresiv, nënkupton mënyrën e të shprehurit, ritmin, zgjedhjen e
fjalëve, intonacionin, që e bën
komunikimin të ndihet si sulm, jo si debat. Nuk mjafton vetëm përmbajtja
ofenduese; edhe kur fjalët janë formalisht “neutrale”, toni agresiv e kthen
mesazhin në provokim.
Nga
aspekti i tipave të ligjërimit, do të thoshim se ka rritje të tensionit në
gjuhë: përdorim i foljeve urdhërore (“duhet t’i zhdukim”, “do t’i
shkatërrojmë”) ose epitetesh nënçmuese. Ka ritëm të shpejtë të të folurit,
fjalë të forta: shprehje me superlativa (“katastrofë”, “tradhti e pafalshme”)
që e dramatizojnë çdo çështje. Ka gjestikulime dhe mimikë kërcënuese (në debate
televizive): ngritje zëri, ndërprerje e kundërshtarit, shfrytëzim i trupit për
të dominuar.
Demonizimi
i kundërshtarit është një strategji komunikimi ku kundërshtari politik nuk
paraqitet thjesht si rival me ide të tjera, por si armik moral ose kërcënim
ekzistencial për shoqërinë. Në vend që të kritikohet programi, kritikohet vetë
identiteti i tij, duke i veshur cilësi “të liga” ose duke e paraqitur si
tradhtar.
Në
diskurs ky fenomen shfaqet me etiketime emocionale: “tradhtar i kombit”,
“shkatërrues i shtetit”, “vegël e Serbisë”, ose "vegël e qeverisë"
etj. Kështu, ndodh edhe mitizimi i rrezikut: përshkrimi i kundërshtarit si
“virus”, “kancer”, “armik që po na merr tokën” etj. Realiteti ngarkohet me
personalizime ekstreme: fokusi zhvendoset nga politikat te karakteri (“njeri i
keq”, “i pashpirt”, “antishqiptar”). Efektet negative shfaqen që në fillim: e
polarizon publikun, krijon ndarje “ne kundër tyre” ku kompromisi shihet si
tradhti; e legjitimon urrejtjen, kur tjetri
paraqitet si kërcënim e armiqësia bëhet e pranueshme; e zëvendëson debatin
racional , ku programet, faktet dhe zgjidhjet zhduken pas retorikës.
Një
nga shkaqet kryesore është mjedisi virtual, dixhital, ku anonimati dhe distanca
nga pasojat reale e lejojnë secilin individ të shprehë gjithçka, pa u përballur
me ndëshkime konkrete. Kjo hapësirë e pakontrolluar ka bërë që individë të
caktuar të ndihen të fuqishëm dhe të lirë për të sulmuar, shpifur dhe fyer, pa
pasur asnjë pengesë. E gjithë kjo ka ndodhur në një periudhë kur shumë njerëz
kanë filluar t’i shohin rrjetet sociale jo si hapësirë për informim,
bashkëbisedim etj., por si një arenë për ta
“ndërtuar” imazhin e tyre personal dhe politik, ndonjëherë në kurriz të
të tjerëve.
Përveç
kësaj, fenomeni i "shfryrjes" apo vetë-afirmimit është shumë i lidhur
me frustrimin e papërpunuar të individëve, që po kalojnë një periudhë të
pasigurisë ekonomike, sociale dhe politike ose edhe psikologjike, frustruese
(mungesë pushteti etj.).
Kur
njerëzit ndihen të pafuqishëm për ta ndryshuar situatën në jetën e tyre reale,
shpesh e gjejnë mundësinë për shpërthime
në këtë frustrim dhe pasiguri përmes shpifjeve dhe sulmeve në rrjetet sociale,
ku ndihen të fortë dhe të pasigurt në të njëjtën kohë.
5.
Sanksione
institucionale, për linçimet e tilla publike, duhet të veprojnë (jo vetëm ai
Paneli për Ankesa dhe Parashtresa me gjoba për partitë që përdorin gjuhë
nxitëse), por të bëhet edhe monitorim i mediave, ku organizata të shoqërisë
civile duhet të bëjnë raporte periodike
dhe t'u kërkojnë mediave të heqin përmbajtje që nxit urrejtje dhe dhunë.
Edukimi medial mungon: le të nxiten
qytetarët t'i verifikojnë burimet dhe të reagojnë ndaj gjuhës ofenduese.
Opinionistët,
liderët politikë dhe figurat publike që argumentojnë me respekt dhe maturi,
duhet të promovohen si shembuj. Kjo sjellje e ndihmon ndryshimin e normave dhe
tregon se mund të fitohet audiencë dhe influencë pa përdorur gjuhë agresive,
apo cinizëm mediatik. Ka mundës të organizohen forume qytetare, diskutime
komunale dhe platforma të hapura për debate të qeta dhe të faktuara që e
kompensojnë spektaklin online. Kështu krijohet një hapësirë ku qytetarët e
ndiejnë veten të dëgjuar, pa u bërë pjesë e kulturës së shfryrjes agresive.