E merkure, 17.09.2025, 11:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Armela Hysi: Cicërimat shqip në Parkun për fëmijët dhe kulturën

E merkure, 17.09.2025, 06:58 PM


Cicërimat shqip në Parkun për fëmijët dhe kulturën

“Gjuha Amtare, shtëpia jonë”

Nga Armela Hysi

Në Athinë për Ditën Botërore të Shkrimit & Leximit me organizatën «Duke lexuar, rritem»

Po hyjmë pothuajse në dekadën e dytë që aktivitete të ndryshme në Ditën Ndërkombëtare të Shkrimit e Leximit, përkujtuar në fillim të Shtatorit, gjejnë edhe komunitetin shqiptar të Athinës në përkushtim të kësaj date të përzgjedhur, kundër analfabetizmit dhe të drejtave themeltare të njeriut për arsimim e dije.

Ejani tek pema Portokalli, ishte sërish edhe këtë vit thirrja publike që grishi. Një ditë kur trungjet e pemëve të parkut, vishen me ngjyrat e ndezura të ëndrrave dhe jetës, e aty edhe gjuha jonë amtare, shtëpia jonë e ngrohtë, jo vetëm që gurgullon ëmbël, për të treguar të rejat e takimit pas pushimeve, mes fëmijëve e të rriturve, por edhe lexohet, në përralla, e vjersha, merr jetë në lojëra e rrëfime, kthehet të marrë energji të re në kujtimet dhe rrënjët e atdheut.

Mësuesit pjesëmarrës, Eriketa Qorlazja Kollçaku, Kristina Roshi dhe Pjerin Lleshi, me vëmendjen e Komunitetit Shqiptar, dhe personalisht të Kryetares Rovena Xhori, të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, nën kupolën e programit të organizatës “Duke lexuar, rritemi, realizuan një pasdite të veçantë për të vegjlit e prindërit e tyre, dhe mjaft bashkatëdhetarëve që iu përgjigjën thirrjes për t’u bërë pjesë e këtij aktiviteti. Mësuesit lexuan përralla ku fëmijët plotësonin vijimin e fjalëve apo germave që mungojnë, histori për qytete të Shqipërisë, tregime se sa i vyer është roli i mësuesit dhe shkollimit në jetën e njeriut, lojëra me fjalë për t’u përgjigjur të vegjlit dhe përherë ndezën buzëqeshjet e tyre të çiltra gjatë përjetimit të kësaj veprimtarie.

I pranishëm në këtë aktivitet edhe Liter-Art, shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në Greqi. Poetja Armela Hysi, e nxitur nga vogëlushët lexoi për ta dy poezi të shkruara kur ajo vetë kishte qenë ende vogëlushe në moshën e tyre, të cilat ishin lexuar në atë kohë edhe në programin e Radios kombëtare të RTSh-së dhe vlerësuar me çmim të parë në edicionin përkatës; ndërkohë që mësuese Kristina lexoi dy vjersha për fëmijë nga autorja Valentina Satka, e cila bëri edhe paraqitjen e dy librave të saj për të mitur, dhe ndau me pjesëmarrësit kujtime të vegjëlisë.

Fëmijët, që kishin dhe fjalën e parë në këtë eveniment, - kryesisht nxënës të kurseve mbështetëse të mësimit të gjuhës shqipe në Athinë - gjithashtu recituan ose dëftuan mbresa të bukura e ngjarje që kalojnë me gjyshërit e familjarë të tyre, të cilët jetojnë në atdhe a gjetkë, tanimë që dinë të komunikojnë më mirë në gjuhën shqipe dhe sesi lidhjet me ta e me miqtë që zënë në atdhe kur shkojnë me pushime janë më të ngushta dhe më cilësore.

Të shumtë ishin gjithashtu fëmijët grekë apo të komuniteteve të tjera që banojnë në Athinë, që kalonin pranë “pemës me ngjyrë portokalli” stolisur me tullumbacet që shkëlqenin me lloj-lloj nuancash për të dëgjuar, të joshur nga të qeshurat e fëmijëve, për t’u hedhur një sy librave të ndryshëm me figura e ngjarje fantastike, ose edhe për të marrë ndonjë nga sheqerkat e karamelet, që ëmbëlsuan këtë pasdite të këndshme pranë librit, pranë miqve e gjuhës amtare. Kjo datë e shtuar në aktivitetet e përvitshme për gjuhën shqipe, e kthyer tashmë në një traditë simbolike është një nga përpjekjet e shumta që bëhen për të vendosur vëmendjen që i nevojitet çdo fëmije me prindër emigrantë të mësojë e të komunikojë në gjuhën e vet, përveçse si detyrë shoqërore e shpirtërore, e padyshim si një mjet më tepër për mbarëvajtjen dhe përgatitjen e tij akademike, por dhe një dritare më tepër në vizionin e tij për jetën, perceptim më sublim të vetes e shoqërisë, ndjeshmëri më të lartë e humanizëm. Është dhe një ndihmë psikologjike për të konceptuar harmoninë me veten e të tjerët, në një jetë e një botë që përherë të vë në sprovë, sa më i mbarsur me dashuri për rrënjët të jesh, aq më e lehtë mbarvajtja e përgjithshme!

Nga Athina

Armela Hysi



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx