| E merkure, 17.09.2025, 06:59 PM |
Dokrra patriotike dhe patriotë pa cilësi
Nga
Ndue Ukaj
“Atdhetarizmi,
zanafilla e shenjave kombëtare, ka lindur në Europë dhe është prodhim dhe tipar
thellësisht europian. Perandoritë mesjetare, me të cilat, për fatin e keq ka
patur punë Shqipëria, si ajo bizantine, e sidomos ajo otomane, nuk e njohin
kombin”, thotë Ismail Kadare te libri “Mbi krimin në Ballkan.”
Në
këtë fjali të Kadaresë, shpjegohet esenca e krizës dhe mosbesimit, që e ka
kidnapuar të ardhmen e Kosovës dhe po rrezikon të kthehet në tragjedi.
Sa
për qartësi: atdhetarizmin me tipare perëndimore, ne e përbrendësuam, herët, në
vitet e 90-ta, falë një lideri të mençur e oskidental, si Ibrahim Rugova, dhe
luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po në këtë linjë. Këtë lloj
atdhetarizëm të frytshëm, ka vite që kur
e shteti i Kosovës e ka bjerrë, duke e kthyer mendësinë otomane e bizantine, në
veprime dhe mendime politike.
Prandaj,
Kosova sot po lëngon.
Sepse,
në krye të vendit ka dy karikatura patriotike, patriotë pa cilësi, që më shumë
dinë të tregojnë sa forcë kanë për të urryer të tjerët sesa forcë kanë për të
dashur vendin e tyre e njerëzit e tij, dhe, në emër të dokrrave patriotike, të
njëjtit janë kthyer në varrmihës të shtetit të Kosovës, duke e rrezikuar
ekzistencën perëndimore të tij.
Kaq
serioze janë zhvillimet e fundit në vendin tonë, sa kanë të gjitha tiparet e
një tragjizimi politik, prologun e të cilit tashmë e kemi kaluar dhe po
rrezikojmë të hyjmë në kulmin e tragjedisë, pas së cilës bie perdja dhe për
gjithçka bëhet tepër vonë.
E,
në këtë mjedis kaq të ndotur moral, të pritesh që të reflektojnë çifti politik,
Kurti e Osmani, është e kotë. Ata kanë dëshmuar se janë imunë përballë së
keqes, sepse nuk janë patriotë perëndimorë, nuk njohin fajin e as pendimin, nuk
dinë të thonë kurrë “për fajin tim”, dhe për këtë kanë dhënë prova të pafundme.
Sepse, janë injorantë politikë dhe patriotë pa cilësi, dhe betejën për shtet e
kanë luftë për pushtet.
Dytë,
nuk kanë vepra të dukshme politike, që i bëjnë krenarë, nuk shquhen për snjë
cilësi në jetën intelektuale, prandaj pushtetin e kanë konstruktuar në atë
mënyrë, që ta ushqejnë me propagandë dhe t’i ndërsejnë njerëzit e tyre kundër
çdo kujt që guxon të thotë të vërtetën e të mos rreshtohet pas tyre. Kurse,
vendin e tyre e kanë futë nën sanksione, janë bërë gazi i botës, e kanë ndarë e
përçarë shoqërinë, dhe e kanë shkatërruar dialogun, që është thelbi i
demokracisë. Këto janë arsyet pse pushteti shfaqet kaq i frustruar e kaq i
egër, sepse nuk i përfill më askush në botën e qytetëruar, ngaqë janë zhveshë
në sytë e të tjerëve, si politikanë të paqytetëruar dhe mashtrues.
Çifti
politik, Kurti e Osmani, pra, nuk e kanë kaluar as provën e parë të
adoleshencës politike, prandaj, duke e ditë se janë dështakë, përballë fakteve
dhe realiteteve sociale, janë veshë trashë, me petka patriotike, të bindur se
ashtu ngrohen në këtë dimër të egër politik dhe shkëlqejnë përpara publikut.
Dhe vërtet, për vite të tëra, ky çift politik, dhe oborri i tyre i mbushur plot
budallenj, i kanë shtyrë qindra e mijëra njerëzit të këtij vendi, drejt këtyre
iluzioneve patriotike.
...
Historia
njeh plot shembuj të patriotizmit pozitiv dhe patriotizmit negativ, patriotë me
cilësi të larta, që lënë pas vete vepra të mëdha humane për brezni të reja, dhe
patriotë pa cilësi, me retorikë të ashpër, që kur bien prej pushteti, prapa
lënë mjerim dhe gjuhë të helmatisur.
Shembuj
të tillë kemi kudo përreth nesh.
Një
kalvar të tillë e ka kaluar Shqipëria jonë, prej së cilës, e pakta, do të duhej
të mësonim ç’pasoja sjell izolimi, mbyllja, kërkimi, kudo, i armiqëve të
brendshëm.
Ne,
sot, jemi duke u përvëluar në ujërat e patriotizmit negativ, që lidhje nuk ka
me interesat e Kosovës së sotme demokratike, të shpallur me 17 shkurt 2008, në
partneritet të plotë me perëndimin.
Ky
soj patriotizmi pa cilësi, është negacion i zhvillimit dhe e ka ndalë rriten e
shtetit tonë, duke e mjegulluar krejtësisht të ardhmen e tij dhe duke e çuar
buzë humnerës.
Propaganda
e pushtetit, ndërkaq, në anën tjetër, nuk pushon asnjë çast: ajo ka vërshuar,
dhe çdo gjëje ia mvesh petkat patriotike, të gjoja shtrirjes së sovranitetit në
veri dhe të luftës kundër të tjerëve, Serbisë, Listës Serbe, armiqëve të
brendshëm. Ky diskurs, për një njeri normal, është neveritës. A në fakt, siç
thotë diku shkrimtari Milan Kundera, sovraniteti në kohët moderne është një iluzion.
Për
patriotët pa cilësi, që ngjiten me parulla të rreme në maja të pushtetit, ne,
ende nuk kemi folë si duhet. Këtë ves e kemi fshehur në emër të disa pseudo
kauzave, herë nacionaliste e herë për shkak të injorancës absolute, që sundon
ashpër mbi jetën tonë sociale. Ama ky soj njeriu, është problemi i vërtetë i
Kosovës dhe pengesa kryesore që ajo të zhvillohet e të ecë krahë për krahë
vendeve të përparuara të botës.
Nacionalizmi
si material propagande shtetërore, sot është kthyer në helm kundër vetë Kosovës.
Ky nacionalizëm surrogat, ka depërtuar aq thellë në shoqërinë tonë, sa, bota që
dikur na mirëmbante e na lartësonte, më
nuk na njeh e nuk na kupton.
Sepse,
vendi ynë është kthyer në vend destruktiv, ku tentohet të përmbysen vlerat
perëndimore, me politikanë keqdashës, që u sulen mediave, drejtësisë, opozitës,
pra një vend anomalish të shumta, ku secili është kundër secilit, ku njerëzit e
politikës e mundojnë gurmazin e jo mendjen, pa e ditë kush më kënd është e për
çka shërben.
Kosova,
dikur, kishte fatin e mrekullueshëm, unik në histori, që të kishte krejt botën
demokratike krahë saj; e kishte në ditët më të vështira e më të mira. Në luftë
dhe në paqe.
Sot,
Kosova është e vetmuar, sepse destruktivitetin e saj nuk e kupton askush dhe
nuk ka sesi ta shpërblej, pos ta dënojë, sa më butë që të jetë e mundur.
...
Shtetet
nuk janë krijime të përkryera, përkundrazi, ato kanë defekte pafund, kanë plot
sfida, probleme, por, të thuash se krye problemi i Kosovës është Serbia e Lista
Serbe, është një gënjeshtër e madhe. Kjo
është gënjeshtër e pastër për efekte elektorale dhe parullë për të kidnapuar
pushtetin, pa ide, pa vlera e pa punë.
Problemet
themelore të Kosovës, duhet t’i kërkojmë brenda saj, më saktësisht, ato ujiten
e mirëmbahen prej politikës destruktive, e sidomos prej injorancës dhe
patriotëve pa cilësi, pastaj, prej atyre që shurdhohen sa herë e dëgjojnë të
vërtetën dhe i hapin veshët që t’i dëgjojnë me afsh gënjeshtrat. Po, krye
problemi i Kosovës sot është mos aftësia për ta zhvilluar vendin, arkitektura e
shëmtuar, shëmtia gjuhësore në institucione, mjedisi i ndotur moral, shkollat e
dobëta, intelektualizmi herë servil e herë i rrëzuar përtokë...dhe vargu është
i gjatë.
Në
këtë mënyrë, vendi ynë po paguan çmimin e injorancës absolute patriotike dhe po
e paguan shumë shtrenjtë: me izolim,
tkurrje të shtetit dhe stagnim të plotë. Shtoja kësaj faktin e demoralizimit
dhe krizës së thellë ekonomike, vendi ynë, sot, ka tiparet e një vend që duket
qëllimshëm se ka zgjedhë ta privojë veten nga të mirat e qytetërimit
demokratik, në emër të dokrrave patriotike.
Duhet
ta përsërisim sa ma shpesh, ngaqë ne kemi kujtesë të varfër: injoranca politike
e dokrrat patriotike, këtu, janë fermentuar me ideologji dhe tregime të këqija
antiperëndimore, pak otomane e pak komuniste, gjithmonë kundër Europës,
perëndimit, prandaj, dehja prej kësaj pije është e rrezikshme dhe njeriut ia
humb arsyen.
Kosova
politik sot e ka humbur arsyen. Nëse nesër nuk kthjellet, pasojat mund të jenë
fatale.