| E marte, 16.09.2025, 07:01 PM |
Zhvillohet në qytetin e Fierit veprimtaria dyditore "Trashëgimia dhe kultura arumune, së bashku dhe në një tryezë”
Nga
Entela Binjaku
Më 13 dhe 14 shtator 2025 në mjediset e Kompleksit "APOLLON" në qytetin e Fierit u mbajt veprimtaria dyditore kushtuar promovimit të trashëgimisë kulturore të pakicave kombëtare në Shqipëri. Në përurimin e projektit që realizohet nga Fondacioni "H.Martineau" me titull: "Trashëgimia dhe kultura arumune, së bashku dhe në një tryezë” morën pjesë anëtare të këtij komuniteti në qytetin e Fierit, dashamirës dhe qytetarë të interesuar për vlerat e pakicave. I pranishëm në këtë ceremoni ishte z.Margit Jica, Anëtar i Pakicës Kombëtare Arumune në Komitetin për Pakicat Kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Në këtë veprimari një vend të vecantë zuri edhe artizanati arumun. Në një nga këndet e ekspozitës demonstruese ishin vendosur edhe objekte të rëndësishme artizanale që dëshmonin pasurinë kulturore të kësaj pakice dhe ndërthurjen mes artit të kulinarisë dhe atij artizanal. "Jemi të ndërgjegjshëm që ky ekspozim gatimesh nuk ka të bëjë thjesht me promovimin e kulinarisë arumune, por edhe me përgjegjësinë për t´i njohur, ruajtur dhe përcjellë ato më tej. Për këtë po punojmë ngushtë me komunitetin arumun vendas, me artizane dhe amvisa për të ngritur një ofertë promovuese të kulinarisë arumune sa më të plotë, të qëndrueshme dhe të lidhur me vlerat tona", shprehet znj. E. Binjaku koordinatorja e projektit. Veprimtaria vijoi edhe ditën e dielë me 14 shtator ku vizitorë dhe qytetarë kuriozë ju afruan tryezave për t´u njohur me kulinarinë arumune që bazohet kryesisht në përbërës të thjeshtë, por cilësorë: djathi, gjalpi, bylmeti, mishi i qingjit i rritur në kushtet e shtëpisë dhe brumërat të përgatitura sipas recetave të trashëguara në breza. Gatimet dhe rrëfenjat autentike që qëndrojnë pas tyre, zbulojnë jo vetëm shijet, por edhe vlerat kulturore të kësaj pakice. Projekti: "Trashëgimia dhe kultura arumune, së bashku dhe në një tryezë” realizohet me mbështetjen e Komitetit për Pakicat Kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Ky projekt zhvillohet në kuadër të Thirrjes së Dytë për vitin 2025 me moton “Diversiteti na bashkon: Ruajmë traditat dhe zakonet, ndërtojmë të ardhmen”. Projekti do të vijojë me veprimtaritë promovuese të trashëgimisë kultu rore të pakicës kombëtare arumune në Shqipëri me Korçën dhe me Elbasanin. Nëpërmjet paraqitjes së kulinarisë tradicionale nga duart e amvisave arumune që jetojnë në zona të ndryshme të Shqipërisë, synohet të promovohen prodhimet që më pas do të jenë edhe pjesë e botimit të një broshure mbi "Trashëgiminë Kulinare" që nga përgatitja e ushqimit tradicional, historiku i tyre, deri tek recetat përkatëse.