| E hene, 15.09.2025, 06:51 PM |
Rruga e famshme Egnatia, me dy pikat e saj të fillimit në Durrës dhe Vlorë, dhe rëndësia e saj historike!
Nga
Jahja Drançolli
Rruga
e famshme Egnatia, në kohët e lashta, lidhte Romën dhe Kostandinopojën, dy
kryeqytetet e Perandorisë Romake. Kjo rrugë, e cila të çonte nga bregu Adriatik
i Ilirisë në kryeqytetin e ardhshëm osman të Stambollit, ishte zgjatimi
horizontal i Rrugës Apia, e cila shtrihej vertikalisht nga Roma në Brindisi në
Italinë jugore. Portat e Durrësit dhe Vlorës në Ilirinë e lashtë, përkatësisht
në Arbërinë mesjetare, ishin dy qendra në Adriatikun juglindor ku fillonte
Rruga Egnatia, një nga rrugët më të rëndësishme në Europën Juglindore!
Ishte
pikërisht përgjatë kësaj rruge që Sulltan Mehmeti II (1451–1481) ëndërroi të
ripërtërinte Perandorinë e lashtë Romake duke ribashkuar dy kryeqytetet e saj
të mëparshme. Për më tepër, humanisti venedikas Niccolò Sagundino, pasi u takua
me pushtuesin njëzet e një vjeçar të Kostandinopojës (1453) gjatë negociatave
të paqes venecedikase të atij viti, raportoi se sundimtari i ri besonte se
kalimi i Detit Adriatik nga Durrësi në Brindisi nuk do të paraqiste vështirësi.
Prandaj, ai ishte i vendosur të bëhej sundimtar i Romës dhe i Italisë pa u
përpjekur të barazohej me Skënderbeun!