| E diele, 14.09.2025, 07:00 PM |
LIRIA KA FYTYRËN EDHE TË GRUAS SHQIPTARE
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Në
punën time kërkimore- shkencore kam trajtuar gjerësisht figurën e gruas
shqiptare dhe angazhimin e saj të shumëfishtë në proceset historike të luftës
për çlirim kombëtar. Përmes punimeve të shumta, kam synuar të ndriçoj jo vetëm
praninë e saj, por edhe rolin vendimtar që ajo ka luajtur në mbajtjen gjallë të
rezistencës dhe në përballjen me sfidat e kohës. Gruaja shqiptare nuk ishte
thjesht një figurë ndihmëse në prapaskenë, ajo u shndërrua në një subjekt aktiv
të historisë, e gatshme të sakrifikojë dhe të marrë pjesë në çdo formë të
qëndresës.
Për
ta argumentuar këtë dimension në mënyrë të paanshme dhe shkencore, kam kryer
hulumtime të thelluara si në arkivat vendore, ashtu edhe në ato të jashtme.
Analizat arkivore më kanë mundësuar të nxjerr në pah dokumente, dëshmi dhe
rrëfime autentike që vërtetojnë kontributin e grave shqiptare në luftën për
liri. Këto burime janë dëshmi e qartë se pjesëmarrja e tyre nuk ishte
episodike, por pjesë përbërëse e një procesi të gjerë shoqëror e kombëtar.
Kësisoj,
nëpërmjet punimeve kam synuar të vendos gruan shqiptare në vendin që i takon në
histori, jo vetëm si një figurë simbolike, por si aktere reale dhe të
pazëvendësueshme në luftën për çlirim e në formësimin e identitetit tonë
kombëtar.
Sot,
(13 shtator, 2025), teksa rilexova me kujdes komentin e të nderuarës, zonjës
Sadbere Emshiut mbi punimin tim kushtuar dëshmores së kombit, Mervete Salih
Maksutaj, ndjeva sikur një dritë e re më përfshiu ndërgjegjen. Fjalët e saj më
ndezën një ndjesi të fuqishme, një thirrje të brendshme që më shtynte të
reflektoja, ndoshta duhet shkruar më shumë, duhet hulumtuar më thellë dhe duhet
lëvizur çdo gur, për të dëshmuar me forcën e fakteve se gratë shqiptare, në
asnjë periudhë të historisë, nuk e braktisën kurrë frontin e përballjes.
Kontributi
i tyre nuk ishte vetëm në prapaskenë apo në dimensionin mbështetës, por në
vijën e parë të qëndresës, atje ku vendi dhe kombi e kërkonin. Në çaste
vendimtare, ato u shfaqën me guxim dhe sakrificë, duke mishëruar idenë se liria
dhe ardhmëria e brezave të rinj nuk mund të siguroheshin pa pjesëmarrjen e
plotë të gruas shqiptare. Shembulli i Mervete Salih Maksutajt është dëshmi e
kësaj të vërtete historike, por ai është vetëm një ndër shumë të tjerë që
presin të ndriçohen me seriozitetin dhe peshën që meritojnë.
Prandaj,
reagimi i Sadbere Emshiut më rikujtoi edhe njëherë se ky mision nuk duhet
ndalur. Historia e grave shqiptare në luftën për liri është një mozaik i pasur,
i cili meriton të dokumentohet me kujdes, jo vetëm për t’iu bërë drejtësi
figurave të sakrificës, por edhe për t’i dhënë brezave të ardhshëm vetëdijen se
emancipimi dhe liria jonë kolektive janë ndërtuar mbi gjakun dhe qëndresën e
përbashkët të burrave dhe grave.
Fjalët
që ajo më shkruante, më tingëlluan aq të afërta, saqë më krijuan ndjesinë sikur
e njihja prej kohësh. Në ato rreshta ndjeva jo vetëm sinqeritet, por edhe një
përzierje të fuqishme mllefi dhe dashurie për sakrificën e grave tona, të cilat
historia shpesh i ka lënë në hije. Ishte sikur zëri i saj më bënte një thirrje
të drejtpërdrejtë, të mos ndalesha, të mos e lija këtë rrugëtim, por ta çoja më
tej, duke i dhënë zë dhe hapësirë heroinave të kombit tonë.
Mesazhi
i saj më rikujtoi me forcë se ato gra, që pa iu dridhur qerpiku morën armët dhe
dolën maleve për të dëbuar armikun shekullor, nuk e bënë këtë vetëm si akt
vetjak trimërie, por si një mision të brendshëm, të diktuar nga përgjegjësia
ndaj atdheut dhe gjeneratave që do të vinin. Ato nuk u tërhoqën përballë rrezikut,
nuk e njohën frikën, por me vendosmëri dhe guxim u bënë pjesë të historisë së
lavdishme shqiptare.
Ndaj,
thirrja që më përcolli në heshtje ky mesazh ishte e qartë: duhet të shkruhet më
shumë, duhet të ndriçohet e vërteta e tyre, që sakrifica e grave shqiptare të
mos mbetet vetëm në kujtesën e familjeve apo të komuniteteve lokale, por të
zërë vendin e merituar në historiografinë kombëtare. Sepse pa to, mozaiku i
qëndresës sonë do të ishte i paplotë dhe liria e sotme do të ishte më e varfër
në kuptim dhe në shpirt.
Kështu
më shkruante: “me shkrimin tuaj ju hapët një dritare të madhe mbi varrezat ku
prehen gratë tona, të cilat dhanë jetën për lirinë e mbarë kombit, pa dallime e
pa kushte. Ju na i kujtuat me dinjitet e me zë të fuqishëm ato emra që shpesh i
mbuloi heshtja, duke i ngritur aty ku meritojnë – në piedestalin e qëndresës
sonë kombëtare”. Dhe për këtë koment mirënjohës të Sadberes ndiej një
falënderim të thellë. Ajo më bëri të kuptoj se shkrimi im nuk ishte thjesht një
analizë, por një hapje horizontesh – një dritare e madhe mbi varrezat ku
pushojnë gratë tona, të cilat, pa dallim dhe pa kushte, flijuan jetën për
lirinë e kombit. Fjalët e saj më rikujtuan se këto figura nuk janë vetëm
kujtime të largëta, por gurë themeli të historisë sonë, që shpesh herë janë
mbuluar nga pluhuri i heshtjes dhe harresës.
Me
shkrimin tim, siç më shkruante ajo, ishin risjellë në dritë emra që kishin
mbetur në margjinat e kujtesës kolektive, duke u dhënë atyre dinjitetin e
merituar. Ato nuk ishin thjesht gra të zakonshme, por heroinat e heshtura të
kombit, të cilat duhet të vendosen në piedestalin e qëndresës kombëtare, aty ku
u takon. Ky vlerësim i saj ishte për mua një shtysë e fuqishme, një thirrje që
ky mision nuk duhet të mbetet i papërfunduar: të vazhdohet të shkruhet, të
hulumtohet dhe të kujtohet, sepse vetëm kështu sakrifica e grave shqiptare do
të ruhet përjetësisht në kujtesën e historisë.
Shkrimi
vazhdonte më tej duke theksuar se homazhi për Mervete Salih Maksutajn nuk ishte
vetëm një kujtim i thjeshtë, por një thirrje e fuqishme ndërgjegjeje, e cila na
përfshin të gjithëve, e sidomos institucionet e shtetit. Ky homazh na rikujton
një të vërtetë të rëndësishme: se kemi një borxh historik, moral dhe shoqëror
ndaj grave shqiptare që u flijuan në altar të lirisë. Ky borxh nuk është vetëm
i studiuesve, historianëve apo familjeve të tyre, por mbi të gjitha i çdo
qeverie dhe institucioni që ka detyrën të kujdeset për ruajtjen e kujtesës
kombëtare.
Në
thelb, është e papranueshme që sakrifica e këtyre grave të mbetet në hije. Ato
u bënë kurban i luftës dhe i politikës, duke dhënë jo vetëm kontributin e tyre,
por edhe jetën, për lirinë dhe pavarësinë tonë. Flijimi i tyre nuk kishte si
qëllim harresën, por përkundrazi, ndërtimin e një të ardhmeje më të lirë e më
të drejtë për gjeneratat që do të vinin.
Prandaj,
kujtimi i tyre duhet të bëhet pjesë e pandarë e kujtesës sonë të përhershme.
Është detyrë e institucioneve të sigurojnë që emrat dhe veprat e tyre të
nguliten në tekstet shkollore, në memoriale publike dhe në narrativen zyrtare
të historisë sonë. Vetëm kështu do të mund t’u japim atyre vendin e merituar
dhe të ruajmë të paprekur mesazhin që sakrifica e tyre mbart: se liria dhe
pavarësia nuk u arritën pa pjesëmarrjen e grave shqiptare, të cilat, krah
burrave, mbajtën barrën më të rëndë të kohës.
Në
mbyllje të mesazhit të saj, ajo më shkruante fjalë që më prekën thellë: “Ju
falënderoj nga zemra, si grua dhe si nënë, që me penën tuaj nuk e lini të
shuhet kjo sakrificë.” Ky pohim nuk ishte thjesht një shprehje mirënjohjeje personale,
por një dëshmi e ndjesisë së përbashkët që mbartin gratë shqiptare për fatin
dhe historinë e tyre. Në vështrimin e saj, shkrimi im nuk ishte vetëm një
rrëfim i zakonshëm historik, por një akt i mirëfilltë nderimi – një mënyrë për
ta shlyer sadopak borxhin që kemi ndaj atyre që flijuan gjithçka.
Ajo
e kishte lexua këtë shkrim si një dritë kujtese, që na rikujton se liria që
gëzojmë sot nuk ka vetëm emrat e burrave të njohur, por edhe fytyrat e grave që
nuk u kursyen për atdheun. Këto gra, shpesh të harruara në rrëfimet zyrtare,
ishin pjesë e pandashme e sakrificës kolektive. Fjalët e saj përforconin
bindjen se çdo përpjekje për të shkruar mbi to nuk është vetëm një akt
akademik, por edhe një gjest human dhe moral: mbajtja gjallë e kujtesës së tyre
në ndërgjegjen e kombit.
Në
këtë mënyrë, mesazhi i saj më rikujtoi edhe njëherë detyrimin e penës: që fjala
e shkruar mund të bëhet formë e rezistencës së kujtesës, urë mes së kaluarës
dhe së ardhmes, duke mos lejuar që flijimi i grave shqiptare të zhduket nga
kujtesa kolektive. Sepse pa to, historia jonë e lirisë do të ishte jo vetëm e
cunguar, por edhe e padrejtë.
Në
fund të mesazhit të saj, ajo e mbyllte shkrimin me një gjest që i jepte edhe më
shumë peshë fjalës së thënë: “me mirënjohje të thellë” dhe kishte vendosur
emrin e saj – “Sadbere Emshiu”. Ky akt, në dukje i thjeshtë, ishte në të
vërtetë një dëshmi e gjallë, një vulë e sinqeritetit dhe e përkushtimit që ajo
mbartte për çështjen e kujtesës historike.
Nënshkrimi
i saj nuk ishte vetëm një formalitet, ai përfaqësonte një qëndrim moral dhe
intelektual. Ishte mënyra e saj për të marrë mbi vete përgjegjësinë e fjalës së
thënë, për ta bërë atë pjesë të historisë së dokumentuar. Emri i shkruar në
fund ishte shenjë besimi se kujtimi i grave shqiptare që u flijuan për liri nuk
duhej të mbetej thjesht një shënim i rastësishëm, por një amanet i vulosur me
nderim dhe dinjitet.
Në
këtë mënyrë, përmbyllja e saj shndërrohej në një akt simbolik: një grua që
nënshkruan me zemër e ndërgjegje për gratë e tjera që kishin sakrifikuar
gjithçka. Një emër që nuk shënon vetëm autorësinë e një komenti, por që bëhet
vetë dëshmi e gjallë se kujtesa është detyrë dhe mirënjohja është borxh.
Me
plot krenari mund të pohoj se lufta jonë e drejtë mbart edhe fytyrën e grave
shqiptare. Ajo fytyrë, e cila shfaqet në çdo faqe të historisë sonë, është
simbol i guximit, i vendosmërisë dhe i sakrificës pa kushte. Në çdo kohë dhe në
çdo rrethanë, gratë shqiptare qenë të gatshme të dilnin përpara, të sfidonin
rrezikun dhe të sakrifikoheshin për lirinë e atdheut.
Ky
kontribut nuk ishte i rastësishëm, por i vazhdueshëm dhe i pandërprerë. Ai na
rikujton se rezistenca dhe fitorja jonë nuk do të kishin qenë të mundura pa
angazhimin e tyre. Fytyra e gruas shqiptare, që mbart plagët e historisë dhe
dritën e shpresës, është pasqyra më e qartë e faktit se liria u arrit përmes
përpjekjes së përbashkët, ku burrat dhe gratë qëndruan krah për krah, duke
ndarë të njëjtin ideal dhe të njëjtën sakrificë.
Prandaj,
kur flasim për luftën tonë të drejtë, nuk mund ta kuptojmë të plotë pa e parë
në të edhe fytyrën e grave tona – fytyrën e përkushtimit të heshtur, të
qëndresës së palëkundur dhe të gatishmërisë për t’u flijuar, që atdheu të
jetojë i lirë.
Gruaja
shqiptare nuk u dallua vetëm për pjesëmarrjen e saj aktive në frontet e luftës,
ajo tregoi guxim dhe qëndresë edhe në momentet më të dhimbshme, kur përballej
me humbjen e bijve të saj. Pamja e arkivoleve që silleshin nga ushtria
jugosllave nuk e thyen shpirtin e saj, përkundrazi, e forcoi më tej ndjenjën e
sakrificës dhe të qëndresës. Në vend që të shuhej nga pikëllimi, ajo e
shndërronte dhimbjen në forcë, duke dëshmuar se sakrifica e djemve nuk ishte e
kotë, por pjesë e një ideali më të madh – lirisë së atdheut. Kjo fytyrë e gruas
shqiptare, e cila qante në heshtje, por ngrihej krenare para të tjerëve,
mishëronte një heroizëm të heshtur, po aq të madh sa edhe ai i armëve në beteja.
Pra,
gruaja jonë nuk ishte vetëm pjesëmarrëse e luftës me pushkë në dorë, por edhe
gardiane e dinjitetit dhe e moralit kombëtar. Ajo u bë simbol i një sakrifice
të dyfishtë: si luftëtare dhe si nënë që, edhe në mes të tragjedisë, qëndronte
e palëkundur, duke i dhënë popullit shpresën se liria do të vinte.
Gruaja
shqiptare u dëshmua si një shtyllë e pathyeshme e qëndresës jo vetëm në frontet
e luftës, por edhe në përditshmërinë e dhimbjes dhe të vuajtjes. Ajo qëndronte
e patrembur dhe krenare, edhe atëherë kur burri, djali apo vëllai i saj
dënoheshin me vite të gjata e marramendëse burgimi nga gjykatat e pushtetit
jugosllav. Në ato çaste kur shumëkush do të ishte thyer nën peshën e
tragjedisë, ajo shfaqej si një heroinë e heshtur, që me dinjitet dhe vendosmëri
i përballonte stuhitë e jetës.
Kjo
figurë e gruas shqiptare, e cila nuk u përkul as para dhimbjes së humbjes dhe
as para terrorit shtetëror, u bë shembull i forcës morale të popullit. Ajo nuk
e shihte vuajtjen vetëm si fat personal, por si pjesë të një sakrifice të madhe
për kauzën kombëtare. Qëndresa e saj e heshtur, ballëhapur e me dinjitet, ishte
një formë tjetër lufte – një rezistencë e brendshme, që ushqente shpresën dhe
mbante të gjallë idealin e lirisë në rrethana ku çdo gjë dukej e pamundur.
Në
këtë kuptim, gruaja shqiptare ishte më shumë se një bashkëshorte, nënë apo
motër e të dënuarve politikë: ajo ishte simbol i qëndresës kolektive, bartëse e
peshës së një historie të padrejtë, por edhe e krenarisë që nuk u shua kurrë.
Gruaja shqiptare, në shumë raste, përtej barrës së përditshme dhe sakrificës
familjare, e kaloi pjesën më të bukur të jetës së saj brenda burgjeve të errëta
dhe të pista jugosllave. Ajo nuk u thye nga prangat, nga izolimi, as nga
kushtet çnjerëzore që synonin t’ia thyenin shpirtin dhe të shuanin vullnetin.
Përkundrazi, ajo e përballoi burgimin me një guxim të jashtëzakonshëm, duke
dëshmuar se frika nuk kishte vend në zemrën e saj.
Vuajtja
e saj nuk ishte thjesht personale. Çdo ditë e kaluar pas hekurave ishte një
dëshmi e gjallë e qëndresës shqiptare, një formë tjetër lufte që zhvillohej jo
në male, por në qelitë e ftohta, ku secila ditë bëhej betejë për dinjitet dhe
për mosnënshtrim. Ajo, gruaja shqiptare, e transformoi burgun në një shkollë të
qëndrueshmërisë morale, duke e kthyer dhimbjen në forcë dhe humbjen në krenari.
Në
këtë mënyrë, vitet e humbura në kazamatet jugosllave nuk ishin thjesht kohë e
zhdukur nga jeta e saj personale, por pjesë e historisë sonë kombëtare. Ato u
bënë dëshmi se sakrifica për lirinë nuk njeh gjini dhe se qëndresa e grave
shqiptare është po aq e lavdishme sa ajo e burrave që ranë në fushën e betejës.
Gruaja
shqiptare meriton të përmendet me krenari dhe emri i saj duhet të zërë vend të
denjë në historinë tonë kombëtare. Ajo, e cila me guxim, sakrificë dhe
vendosmëri kontribuoi që atdheu të mos mbetej i nënshtruar. Çdo akt i saj,
qoftë në fushën e betejës, në burgjet e errëta apo në qëndresën e përditshme,
ishte pjesë e një përpjekjeje të madhe për ta bërë vendin më të lirë e më të
drejtë.
Ky
kontribut nuk mund të mbetet në hije. Është detyrë e brezave të sotëm dhe
institucioneve tona që t’i japin gruas shqiptare vendin e merituar, duke e
kujtuar jo vetëm si nënë, motër apo bashkëshorte, por si heroinë që mbajti mbi
supet e saj barrën e kohës dhe të historisë. Respekti për të nuk është vetëm
një mirënjohje për sakrificat e së shkuarës, por edhe një borxh moral e
kombëtar, që duhet të përcillet brez pas brezi.
Prandaj,
emri i gruas shqiptare duhet të përmendet me dinjitet, sepse ajo gjithçka që
bëri, e bëri vetëm për një qëllim madhor: që vendi i saj të jetojë i lirë dhe
që gjeneratat e ardhshme të rriten nën dritën e lirisë e jo nën hijen e
robërisë.
E
unë, çfarë më mbetet tjetër veçse të shkruaj për to – për këto gra të
pathyeshme – dhe t’ia rikujtoj popullit tim se liria e Kosovës ka edhe fytyrën
e gruas shqiptare. Është një detyrë morale dhe historike që emrat e tyre të mos
mbeten të harruar, sepse ato e bartën mbi supe një dhembje të shumëfishtë, të
cilën historia shpesh e ka anashkaluar.
Për
gruan shqiptare, jeta nën robëri nuk ishte vetëm një barrë e rëndë, por një
plagë e trefishtë. Ajo vuante si nënë, teksa shihte djemtë e saj të kalbeshin
në burgjet e errëta jugosllave; vuante si bashkëshorte, kur burri i saj
likuidohej tinëzisht diku, duke mos i lënë as varr ku të derdhte lotin; dhe
vuante si bijë e këtij populli, duke parë kombin e vet të dërmuar nga skamja,
mjerimi dhe padrejtësia.
Gratë
tona ishin simbole të kësaj sakrifice të trefishtë. Ato mishëronin qëndresën e
heshtur, dhimbjen e mbajtur brenda, por edhe krenarinë që nuk u shua kurrë.
Përmes tyre, kuptohet më së miri se liria nuk u fitua vetëm me armë në dorë,
por edhe me durim, sakrificë dhe një dashuri të pafund për atdheun.
Prandaj,
ta shkruash këtë histori nuk është vetëm akt shkencor, por edhe një borxh
shpirtëror, që brezat e ardhshëm të mësojnë se liria jonë ka lindur nga gjaku i
burrave dhe grave, të cilat, megjithë
dhembjen, nuk e humbën asnjëherë besimin se e ardhmja do të ishte më e drejtë.
Po,
padyshim se për to duhet shkruar, dhe jo pak, por shumë dhe vazhdimisht.
Shkrimi për to nuk duhet të mbetet i kufizuar vetëm në përvjetorët e rënies së
tyre, kur kujtesa kolektive zgjohet përkohësisht nga ritmi i përditshmërisë.
Përkundrazi, ato figura duhet të jenë gjithmonë të pranishme në mendjet dhe
zemrat tona, si kujtesë e përhershme dhe si pjesë e pandashme e identitetit
kombëtar.
Rikthimi
i vazhdueshëm i emrave të tyre në diskursin publik, në literaturën historike,
në tekstet shkollore e në rrëfimet tona të përditshme është mënyra e vetme për
t’i dhënë atyre vendin që meritojnë. Sepse sakrifica e tyre nuk ishte një akt i
çastit, por një investim i përjetshëm për lirinë tonë. Ajo sakrificë është
themel mbi të cilin është ngritur e ardhmja jonë, dhe për këtë arsye nuk duhet
të përkujtohet vetëm si ngjarje, por të përjetohet si trashëgimi e gjallë.
Në
këtë kuptim, shkrimi dhe kujtimi për to nuk është vetëm detyrë historike, por
edhe obligim moral. Vetëm duke i mbajtur të pranishme në ndërgjegjen tonë të
përditshme, ne arrijmë të ruajmë jo vetëm kujtimin e tyre, por edhe mesazhin e
madh që sakrifica e tyre përcjell: se liria dhe dinjiteti kombëtar janë dhuratë
e një gjenerate që dha gjithçka për ne.
Gruaja
shqiptare e meriton një nderim dhe një përkujtim të denjë e të devotshëm për
gjithçka që ka bërë, që ka sakrifikuar dhe që vazhdon të bëjë kudo ku jetojnë
shqiptarët. Ajo nuk është thjesht një figurë e së shkuarës, e lidhur vetëm me
episodet e luftës dhe të rezistencës, por një prani e gjallë që ka bartur mbi
supe barrën e historisë dhe të jetës së përditshme.
Kontributi
i saj nuk kufizohet në një periudhë të caktuar, por shtrihet në kohë dhe
hapësirë. Nga fshatrat e Kosovës e deri në diasporën shqiptare, gruaja
shqiptare ka ditur të ruajë gjuhën, traditën, kujtesën dhe përkushtimin për
kombin. Ajo ka qëndruar në ballë të sfidave – në luftë si luftëtare, në burgje
si e pathyeshme, në familje si shtyllë e qëndresës, dhe në shoqëri si bartëse e
emancipimit.
Pikërisht
për këtë arsye, përkujtimi i saj nuk duhet të jetë një akt i rastësishëm, por
një detyrim i vazhdueshëm. Nderimi për gruan shqiptare është një mënyrë për të
nderuar vetë historinë tonë dhe për të pranuar se liria dhe identiteti ynë
kolektiv janë të pandashëm nga sakrifica dhe veprimi i saj.
Ne,
si popull, kemi çdo arsye të ndihemi krenarë që në gjirin tonë kemi pasur e
kemi nëna, bija dhe motra të tilla, të cilat me sakrificën dhe qëndresën e tyre
kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare. Ato nuk ishin
vetëm pjesë e familjes dhe shoqërisë, por u shndërruan në shtylla të forta të
qëndresës kolektive, duke e mbrojtur nderin, gjuhën dhe lirinë me guxim të
pashoq.
Krenaria
jonë nuk buron vetëm nga heroizmi i tyre i jashtëzakonshëm në kohë lufte, por
edhe nga përkushtimi i tyre i heshtur në përditshmëri. Ato dinin të përballonin
dhimbjen dhe mungesën, të mbijetonin në kushte të pamundura, dhe megjithatë të
ruanin dinjitetin e familjes dhe të kombit. Çdo nënë që e përcillte të birin
drejt burgut, çdo bijë që i qëndronte pranë babait të ndëshkuar, dhe çdo motër
që mbante mbi supe barrën e familjes, ishte një heroinë e heshtur, e cila e
bëri më të lehtë udhën drejt lirisë.
Prandaj,
të jesh krenar për to nuk është thjesht një emocion, por një detyrim moral dhe
kombëtar. Ato përfaqësojnë shpirtin më fisnik të kombit tonë – fuqinë për të
mos u thyer, për të mos u nënshtruar dhe për të besuar se sakrifica e tyre do
të shpërblehej me një të ardhme më të lirë për gjeneratat që do të vinin.
Lavdia
u takon të gjitha grave shqiptare që ranë në altarin e lirisë, duke e bërë
trupin e tyre mburojë dhe shpirtin e tyre flijim për idealin më të madh
kombëtar. Ato nuk ishin thjesht viktima të një kohe të përgjakshme, por
protagoniste të një historie që u shkrua me gjak dhe me sakrificë. Çdo jetë e
humbur prej tyre ishte një gur themeli mbi të cilin u ngrit liria jonë e sotme.
Ky
nderim nuk është vetëm një akt solemn, por një obligim i përhershëm moral.
Gratë që u flijuan nuk e bënë këtë për t’u harruar, por për të jetuar në
ndërgjegjen e popullit si shembuj të pathyeshmërisë dhe të guximit. Ato dëshmojnë
se liria nuk është dhuratë, por fryt i gjakut, i dhimbjes dhe i qëndresës.
Prandaj,
çdo thirrje e kujtesës sonë duhet të përmbyllet me respektin më të lartë për
to: lavdi të gjitha grave që ranë në altarin e lirisë, sepse në sakrificën e
tyre jeton përjetësisht shpirti i kombit tonë.
13 shtator, 2025
Prishtinë