Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Prend Buzhala: Fatmir Halimi - Shkrimtari që bashkon fjalën, artin dhe virtytet

| E shtune, 13.09.2025, 06:59 PM |


FATMIR HALIMI: SHKRIMTARI QË BASHKON FJALËN, ARTIN DHE VIRTYTET

(Homazh: profil në fushën e letrave e të veprimtarisë së tij)

Nga Prend BUZHALA

Shkoi në përjetësi Fatmir Halimi (1972- 2025), romansier, studiues letrar, poet, pedagog e publicist nga komuna e Besianëns (Podujevës).  Lajm i trishtë dhe humbje e madhe për familjen, për miqtë krijues e për letrat shqipe. Është humbje e madhe, sespe Fatmir Halimi ishte figurë shumëdimensionale që ka dhënë kontribut të dallaur në disa fusha të krijimtarisë, studimeve letrare, arsimit, publicistikës etj.

Ka botuar këto vepra:

"Kornizat e burgut", poezi, 1996, ribotim 2008.

"Postmoderniteti në prozën e Zejnullah Rrahmanit", kritikë letrare, 2015.

"Prej modernes kah postmodernia", kritikë letrare, 2016, ribotim 2021.

"Dy vdekjet e një jete", roman, 2017, i finacuar nga Ministria e Kulturës së Kosovës. Ky roman ka marrë vlerësime të shumta.

"Makthi", roman, 2021.

"Letërsia shqipe në dy dekadat e fundit", kritikë letrare, 2024.

Këto aspekte e pozicionojnë Fatmir Halimin si zë të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqipe. Me formim pasuniversitar,  kontributi i tij në studimet e në kritikën letrare është i dallueshëm dhe zë të besueshëm dhe të nevojshëm në botën e kritikës, veçanërisht në pikëpamjet e zhvillimit të letërsisë shqipe moderne dhe postmoderne.

1.

Si themelues i Shtëpisë Botuese ProkultPress, Halimi ka redaktuar dhe botuar mbi 150 libra, duke krijuar një platformë të rëndësishme për krijues anembanë trojeve shqiptare, meqë vetë, te një punim studimor, ai e sheh letërsinë shqipe unike e të pandashme. Do theksuar se me sukses ai ka qenë promotor i disa manifestimeve e veprimtarive letrare, siç janë S=Festivali i letërsie apo Panairi i Librit në Podujevë.

Roli i tij si profesor i gjuhës dhe letërsisë po ashtu, është i dallueshëm.

Ai përfaqëson një aset kombëtar, siç shprehen edhe vetë kolegët e tij, dhe është model i rrallë për përkushtim, humanizëm dhe vizion artistik. Po ashtu, lidhja e tij me brezat e rinj dhe ndikimi i tij si pedagog dhe shkrimtar janë të dukshme.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është portreti personal i Fatmir Halimit. Ai është vlerësuar  si një njeri i thjeshtë dhe fisnik, një prind dhe familjar shembullor. Ky portret njerëzor, që e bën atë të afërt me ata që e njohin, është një faktor i rëndësishëm për krijimin e një imazhi të qëndrueshëm dhe të respektuar në shoqëri.

2.

Herën e fundit që u takuam me të, ishin Takimet e Mërgatës në atdhe “Ditët e Verës” organizuar nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë Takimet tradicionale «Ditët e Verës» qe u mbajtën në Prishtinë më datë 05 gusht 2025. Ai u paraqit me kumtesën “Vlerësime për romanet e kristaq turtullit”.

Më ka ra puna shume herë të jem së bashku me të në juri letrare, në manifestime të shumta letrare në shumë qendra të Kosovës. Në punë të vlerësimeve letrare kishte prirje t'i hetojë vlerat e mirëfillta. Ishte vërtet dashamirës e fisnik. Kam kujtim nga ai librat studimorë letrarë dhe prozën e tij.

Fatmir Halimin miqtë e njihnin si një njeri të jashtëzakonshëm, ku virtytet e tij shfaqeshin në shumë forma: fisnikëria, dashamirësia, bujaria dhe përkushtimi i pakushtëzuar ndaj artit dhe kulturës. Këto cilësi janë thelbësore për personalitetin dhe veprën e tij, që e bënin atë  figurë të dashur dhe të respektuar në shoqëri dhe në fushën letrare.

Fisnikëria e Fatmir Halimit është një nga cilësitë më të dallueshme në portretin e tij. Ky virtyt si cilësi e natyrshme, ishte edhe një mënyrë jetese që ai e tregonte përherë. Fisnikëria, në këtë kontekst, shkoj në bashkë me ndershmërinë, nderin dhe respektin për të tjerët. Fisnikëria e tij gjithashtu rrezatonte në marrëdhëniet që kishte me miqtë, kolegët dhe të njohurit e tij. Bujaria e Fatmir Halimit duket gjithashtu në angazhimin e tij për të ndihmuar kolegët dhe shkrimtarët e rinj. Ai ka botuar librat e miqve dhe autorëve të tjerë, duke ua mundësuar atyre të arrijnë një audiencë më të gjerë dhe të jenë të njohur në fushën letrare. Pavarësisht titujve dhe arritjeve, Fatmir Halimi ishte njeri i thjeshtë, i hapur dhe i afërt me njerëzit. Ai ka ruajtur një qëndrim modest dhe të natyrshëm.

3.

Në punimin e tij "Kosova dhe letërsia shqipe" ofron një vështrim historik, krahasues dhe kritik mbi zhvillimin e letërsisë shqipe në Kosovë dhe Shqipëri.  Autori synon të evidentojë ndarjet ideologjike, kulturore dhe krijuese që kanë ekzistuar ndër dekada; synon të nxisë bashkërendimin dhe integrimin e dy letërsive brenda një kanoni të përbashkët kombëtar. Mbasi bën një periodizim nga Rilindja Kombëtare e këndej, a i tërheq dy paralele të ndara: Letërsia në Kosovë dhe Shqipëri. Në Kosovë letërsia fillon pas Luftës së Dytë Botërore (vitet ’50–’60), me emra të hershëm: Martin Camaj, Esad Mekuli, Enver Gjergjeku. Në vitet ’60 shënojnë lulëzimin me Dedajn, Mehmetin, Shkrelin, Podrimjen, me motivet: jeta rurale, etnia, kultura tradicionale. letërsia e pasluftës në Shqipëri është nën ndikimin e realizmit socialist, ku Heroi mitologjik-kombëtar zëvendësohet me “heroin socialist”. Kadareja dhe Agolli përfaqësojnë talentin brenda këtyre kufijve ideologjikë:. Pra, kemi dy rryma krejtësisht të ndara që funksionojnë në dy realitete politike e kulturore. Në vitet '70 bëhet Unifikimi i gjuhës letrare shqipe si një pikë kthese. Në Kosovë botohet vepra e autorëve nga Shqipëria dhe klasikët e rilindjes, por pa Fishtën dhe Konicën, të ndaluar politikisht. Rënia e diktaturës solli çlirimin e fjalës dhe krijimin e një letërsie moderne, të pavarur nga pushteti.

4.

Romani i tij “Dy vdekjet e një jete”, është një shembull i dallueshëm i artit letrar që përmes një rrëfimi emocional, përmbys pengesat e kohës, qenies dhe ekzistencës për ta shpallur një të vërtetë universale: dashuria e vërtetë nuk vdes kurrë. Ky roman, i vlerësuar si një ndër veprat më të arrira të viteve të fundit, është vepër ku gërshetohen dy forma të dashurisë: dashuria ndaj atdheut dhe dashuria ndaj një njeriu të shtrenjtë. Këto dy forca përplasen e bashkohen në një protagonist të vetëm,  Astritin, njeriun që përjeton dy vdekje për një jetë të vetme. Personazhi kryesor, Astriti, është mishërimi i asaj që mund të quhet sublimi i sakrificës për vendin. Ai e lë jetën e rehatshme në perëndim, për t’u kthyer në Kosovën e pushtuar, në kohën e luftës, për të luftuar në betejën e madhe të Koshares. Ky është momenti i vdekjes së parë, vdekja fizike, apo më saktë, ajo që perceptohet si e tillë nga shokët e luftës. Trupi i Astritit nuk gjendet menjëherë, por dokumentet e tij po, dhe për këtë arsye emri i tij shkruhet mbi një varr. Por në të vërtetë, ai nuk ka vdekur, ka shpëtuar nga disa njerëz nga Shqipëria, mrekullisht i gjallë. Megjithatë, për botën dhe për vetë jetën që ka lënë pas, ai është tashmë një i vdekur. ky motiv na e kujton romanin e Nazmi Rrahmanit "Mbas vdekjes". Kështu, Halimi nuk flet vetëm për vdekjen biologjike, por për vdekjen metafizike të identitetit të tjetrit, për humbjen e vendit tënd në botë. Astriti tani është një "fantazmë" që jeton mes të gjallëve, një simbol i ringjalljes që vetëm dashuria e vërtetë mund ta shpëtojë. Dashuria romantike është vdekja e dytë dhe rilindja shpirtërore.

Pas luftës, Astriti mëson se forcat serbe kanë shfarosur familjen e tij, një tjetër dhimbje që ngjason me një vdekje të brendshme. Megjithatë, në vend që të largohet përfundimisht nga toka që e plagosi dy herë, ai kthehet sërish, këtë herë jo për të luftuar, por për të dashuruar. Dashuria e tij për Valberën, vajzën që kishte dashur para luftës, bëhet arsyeja e dytë për kthimin e tij. Por asgjë nuk është më si më parë. Valbera është tashmë e martuar, dhe përballja e tyre me realitetin është e trishtë dhe e bukur njëkohësisht. Kjo dashuri e hershme, e cila nuk mund të realizohet më në këtë jetë, mbijeton në një dimension tjetër: ajo bëhet përjetësi.

Në skenën më të thellë të romanit, Astriti, i plagosur rëndë, përjeton vdekjen e dytë, këtë herë përfundimtare. Por vdekja e tij ndodh në krahët e Valberës, në një atmosferë të mbushur me dritën e një dashurie që tejkalon jetën. Është një vdekje që ngjan më shumë me një kthim në shtëpi, se sa me një fund. Në buzë të vdekjes, Astriti bën një prekje hyjnore të shpirtit të dashurës, duke e bërë dashurinë e tyre të përjetshme. Në këtë pikë, fatmir  Halimi prek thelbin filozofik të konceptit të dashurisë. E pra, dy vdekje, një jetë: është metaforë e ekzistencës sonë. Titulli i romanit nuk është vetëm një fiksion a imagjinatë estetike. Ai përmbledh gjithë filozofinë e jetës moderne shqiptare, veçanërisht të brezit që ka kaluar luftën, mërgimin, humbjet dhe rikthimet. Të dyja këto janë në thelb jo përfundime, por transformime. Në fund, Astriti pëson një aksident për të cilin nuk arrihet të shpëtojë; vdekja e dytë është vdekja përfundimtare.

Dashuria romantike (Astriti e Valbera) që nuk shuhet, edhe pse është  jetëshkurtër dhe e vështirë. Është dashuri që përballon kohën, mungesën, ndryshimet. Dashuria për atdheun, për lirinë, si temë madhore e romanit, spikatet, kur Astriti nuk lejon që klasa politike, okupimi, mungesa e drejtësisë ta shpërfytyrojnë identitetin e tij dhe detyrën që ndjen ndaj vendit të vet. Astriti bën sakrifica për liri, për atdhe. Humbja e familjes, përballja me vdekjen, lufta – të gjitha këto janë pjesë e identitetit të tij. Identiteti i tij është “i vrarë” në momentin kur njerëzit besojnë se ai është vrarë, e që ndikon te mënyra si Astriti dhe ata rreth tij perceptohen dhe trajtohen. Përshkruan masakrën e familjes së Astritit, ndarjen e Valberës nga familja, identitetin e të zhdukurve, dhe vuajtjen e shoqërisë post-konflikt. Beteja e Koshares shfaqet si simbolikë e lavdisë, por edhe tragjedisë.

Trauma, humbjet, të pagjeturit, masakrat, shpërnguljet, vuajtjet e pasluftës janë temë e pranishme dhe trajtohen me ndjeshmëri. Dëshira për normalitet, për dashuri, për jetë që nuk u mor, nostalgjia dhe përpjekjet për rindërtim shpirtëror, përbëjnë një tjetër sfond tematik. Kujtimet ruajnë dashurinë. Dashuria që Astriti dhe Valbera kanë për njëri tjetrin mbijeton edhe kur kushtet e jashtme (vdekja, martesa, largësia) duket se e kanë shuar. Shkrimtari përdor reminishencat narrative, kur ndonjëherë shfaqen ngjarje të së kaluarës që shpjegojnë situata aktuale të personazheve si humbjet, lufta, diaspora. Dramatike janë skenat e vdekjeve, me dialogë që emocionalizojnë, me takimet e fundit, me ballafaqimet morale me vetveten dhe me realitetin.

E, pra, është roman që rrëfen historinë e Astrit Gashit, një luftëtar i UÇK-së. Në frymën e fundit, Astriti i lë një porosi prekëse Burimit: “Ti do ta ruash Valberën në këtë jetë. Në jetën tjetër, ajo do të jetë e imja.”  Dashuria në kohë lufte përjetësohet siç përjetësohet liria. Astriti dhe Valbera përfaqësojnë një dashuri të pamundur në kohë të pamundura. Megjithëse të ndarë nga lufta, dhuna, vdekja dhe koha, ndjenja e tyre për njëri-tjetrin nuk shuhet. Motoja “Unë ty do të pres në botën tjetër” bëhet simboli i dashurisë absolute, që tejkalon jetën. Astriti është figurë e shpresës që nuk shuhet, edhe pas një "vdekjeje". Në fund, ai kthehet për të mbyllur një cikël dashurie dhe jete, duke e ngjitur vetveten në mitologjinë e dashurisë që triumfon përtej jetës.

Dyzimi tematik, gërshetimi i dy realiteteve, siç janë  lufta dhe dashuria, jeta dhe vdekja, identiteti i vërtetë dhe ai i zhdukur, e bëjnë romanin të jetë vepër shumëplanëshe e të ndërliqshme. Romani “Dy vdekjet e një jete” është homazh për të zhdukurit, për të vdekurit gabimisht, për të harruarit. Një histori dashurie që mbijeton vdekjen. Një roman modern shqiptar, që e vendos dashurinë, atdheun, vdekjen dhe identitetin në një linjë të fuqishme narrative dhe stilistike. Letërsia shpesh bëhet streha më e sigurt ku historia kolektive e një kombi rrëfehet në mënyrë të ndjeshme, të sinqertë dhe të thellë. Romanin “Dy vdekjet e një jete” të shkrimtarit Fatmir Halimi mund ta lexosh si një rrëfim për dashurinë dhe luftën, por po aq lehtësisht si një dramë identiteti, ku vdekja, jeta, shpresa dhe përjetësia ndërthuren në mënyrë tragjike e madhështore. Ky roman e tejkalon formën e zakonshme të tregimit, duke u shndërruar në një trup të ndjeshëm letrar, ku përmes një strukture moderne dhe ngjarjesh të dyfishta, eksplorohet një temë tepër e rrallë: ajo e dy vdekjeve të një jete.

Romani “Dy vdekjet e një jete” është një sprovë e guximshme dhe e suksesshme për të sjellë një model të ri të prozës shqiptare, një prozë që nuk kënaqet me rrëfime të rrafshëta, por që zhytet në thellësinë e përjetimeve njerëzore, duke ngritur pyetje të mëdha për jetën, kujtesën, identitetin dhe dashurinë.

5.

Studimi “Prej modernes kah postmodernia”, botuar nga “ProkultPress” në Prishtinë, është një kontribut i rëndësishëm në fushën e studimeve  letrare shqipe, ku autori Fatmir Halimi sjell një shqyrtim të hollësishëm dhe të balancuar të dy periudhave kryesore të zhvillimit të letërsisë bashkëkohore: modernizmin dhe postmodernizmin. Ky libër është rezultat i një pune shumëvjeçare të autorit, i cili nga viti 2008 ka ndjekur me përkushtim zhvillimet letrare dhe ka komunikuar vazhdimisht me lexuesin përmes studimeve, kritikave dhe analizave të ndryshme. Përmes këtij botimi, Halimi na ofron një përmbledhje të pasur, që jo vetëm përmbledh mendimet dhe studimet e tij, por gjithashtu krijon një udhërrëfyes për studentët, studiuesit dhe të gjithë ata që duan të kuptojnë më mirë tranzicionin nga modernizmi në postmodernizëm në letërsinë shqipe dhe më gjerë. Në pjesën e parë, autori ndalet në periudhën e modernizmit, duke u fokusuar në format, modelet dhe gjinitë letrare që u zhvilluan në këtë kohë. Ai sjell për shembull shkrimtarë të shquar si Gjergj Fishta, Migjeni dhe Lasgush Poradeci, të cilët përfaqësojnë pika kyçe të modernizmit në letërsinë shqipe. Përmes veprave të tyre të njohura, si “Lahuta e Malcis”, “Vargjet e Lira” dhe “Vallja e Yjeve”, Halimi analizon stilin, temat dhe formën, duke nxjerrë në pah rolin që luajtën këto krijime në modernizmin shqiptar. Kjo pjesë është e rëndësishme sepse ndihmon lexuesin të kuptojë bazat dhe evoluimin e letërsisë para se të hynte epoka e postmodernizmit. Në pjesën e dytë, Halimi trajton postmodernizmin, duke paraqitur fillimet e këtij diskursi kritik, përdorimin e parë të termit dhe diskutimet e shumta që ky term ka sjellë në botën letrare, si në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe në atë shqiptare. Ai përqendrohet në figura të rëndësishme të letërsisë sonë postmoderne, si Zejnullah Rrahmani, duke analizuar veprën e tij “Sheshi i Unazës”, e cila konsiderohet nga kritikët si një kryevepër e kësaj periudhe. Një tjetër vepër e trajtuar është romani “Dashuri e Humbur” i autores së re Behare Rexhepi, që tregon se postmodernizmi në letërsinë shqipe po merr jetë dhe formë përmes krijuesve të rinj, duke hapur rrugë për interpretim të gjallë dhe të freskët të elementeve stilistike postmoderne. Ky libër është i strukturuar  me një qëllim të qartë: të sjellë në mënyrë të organizuar dhe të përmbledhur ndryshimet stilistike, tematike dhe filozofike që kanë ndodhur në letërsinë shqipe gjatë kalimit nga modernizmi në postmodernizëm. Ai është i dobishëm për studentët dhe studiuesit, sepse paraqet në mënyrë të qartë dhe të thelluar konceptet e rëndësishme letrare, duke ofruar një pikënisje për studime më të avancuara dhe për të kuptuar më mirë veprat që janë pjesë e kësaj periudhe. Libri është edhe dialog i vazhdueshëm mes së kaluarës dhe së tashmes letrare, ku autori lidh traditën me risitë dhe kuptimet e reja që sjell postmodernizmi.

Në veprën e tij, Halimi thekson se mendimi kritik mbi postmodernizmin është më i vonë se vetë praktika letrare e postmodernizmit. Ai identifikon Borhesin si autorin pinjoll të letërsisë postmoderne, ndërsa Umberto Ekon e shikon si një nga romanistët kryesorë të kësaj rryme, duke përmendur veprën “Emri i Trëndafilit” si një pikë kulmore të kësaj letërsie.

Në letrat shqipe, Halimi përmend si përfaqësues kryesorë të postmodernizmit shkrimtarë si Zejnullah Rrahmani, Anton Pashku, dhe Rexhep Qosja, ndërsa nga Shqipëria përmend Aurel Plasarin dhe të tjerë. Ai i analizon veprat e këtyre autorëve duke treguar se ato i kalojnë kufijtë e modernizmit dhe hyjnë në territorin e letërsisë postmoderne, ku lojërat me kohën, fragmentimi i narracionit, pluralizmi i zërave dhe ironia përbëjnë elemente kyçe.

Një meritë e veçantë e librit është ndarja në dy pjesë: pjesa e parë trajton modernizmin me fokus te shkrimtarë klasikë si Gjergj Fishta, Migjeni dhe Lasgush Poradeci, ndërsa pjesa e dytë i kushtohet postmodernizmit dhe diskutimit kritik rreth tij. Në këtë mënyrë, lexuesi përfitohet nga një kontekst i plotë historik dhe stilistik që e ndihmon ta kuptojë më mirë evolucionin e letrave shqipe.

Në lidhje me modernizmin, Halimi thekson rëndësinë e veprave monumentale si “Lahuta e Malcis”, që jo vetëm ka krijuar bazën për letërsinë kombëtare, por ka shërbyer si frymëzim për krijime të mëtejshme artistike në fushën e letërsisë, historisë dhe artit në përgjithësi. Ai vlerëson edhe “Vallja e Yjeve” të Lasgush Poradecit dhe “Vargjet e Lira” të Migjenit si vepra me vlera të veçanta, të cilat kanë sjellë risitë stilistike dhe tematike të rëndësishme në poezinë moderne shqipe.

Përmes analizave të kujdesshme dhe argumenteve bindëse, Halimi tregon se këto vepra jo vetëm që reflektojnë ndryshime në stil dhe formë, por sjellin edhe një ndryshim në mënyrën e të kuptuarit dhe interpretimit të letërsisë.

Ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve!

I përjetshëm qoftë kujtimi për të!

(12 shtator 2025)