Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Mentalitetet tona paramoderne

| E shtune, 13.09.2025, 06:56 PM |


Prof. Blerim Latifi:

Kush e njeh historinë e Ballkanit e di se ndërtimi i shteteve të tij, gjatë dy shekujve të fundit, zakonisht ka ndjekur një formulë të përsëritur: një kryengritje lokale, e përkrahur nga fuqitë e mëdha europiane, përfundon me krijimin e një shteti të pavarur, i cili për një periudhë të caktuar mbetet nën mbikëqyrjen e tyre, qoftë përmes drejtimit të drejtpërdrejtë, qoftë përmes formave të tjera të kontrollit. Kjo ndodhi sepse shtetet ballkanike nuk kishin kapacitetet e nevojshme politike dhe kulturore për t’u vetëqeverisur mbi bazën e normave të shtetit modern. Shembuj klasikë janë Greqia, Rumania, Bullgaria, Shqipëria dhe Bosnja.

Pak a shumë e njëjta formulë u aplikua edhe në rastin e Kosovës, përmes atyre që de fakto ishin mekanizma të një pavarësie të mbikëqyrur. Mirëpo, duke qenë tepër optimiste për kapacitetet tona qeverisëse, fuqitë perëndimore i hoqën shpejt këta mekanizma. Përditë e më shumë po më forcohet bindja se ky ka qenë një gabim i madh. Shteti modern demokratik është një teknologji e sofistikuar institucionale, e cila nuk mund të funksionojë mbi një bazë të dobët kulturore e politike, të mbetur peng i mentaliteteve paramoderne.

Për një kohë kemi besuar se i kishim lënë pas këto mentalitete, por erdhën rrjetet sociale për të na provuar se ky besim ishte iluzion. Sikurse një përmbytje që nxjerr në sipërfaqe ujërat e zeza të kanaleve të padukshme nën qytet, po ashtu rrjetet sociale kanë nxjerrë në sipërfaqe ujërat e zeza të mentaliteteve tona paramoderne. Ato e kanë përmbysur rendin logjik të gjërave që ndjek një shoqëri e maturuar dhe nga kundërmimi i rëndë miqtë e këtij vendi kanë filluar pak nga pak të distancohen prej tij.

_________________

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, Kushtetuta dhe vetë arkitektura e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës janë produkte të jurisprudencës dhe teknologjisë institucionale perëndimore. Përkundër vetëmburrjes së juristëve tanë, dihet fare mirë se juristët perëndimorë i hartuan tekstet themelore, ndërsa ekspertët e state-building ndërtuan organikën e sistemit institucional mbi parime liberale dhe demokratike të shteteve perëndimore.

Ajo që ata nuk mund të krijonin ishte një elitë kulturore dhe politike e aftë ta përvetësonte dhe ta përbrendësonte këtë sistem institucional. Në mungesë të një elite të tillë, sistemi shtetëror i Kosovës mbetet si një “shtresë e huaj” e ngjitur mbi një trup shoqëror që frymon me mentalitet dhe standarte të tjera. Pikërisht këtu qëndron edhe arsyeja fundamentale pse projekti shtetformues kosovar po shkërmoqet para syve tanë, para syve të miqve dhe të armiqve tanë.

A mund të shpëtohet ky projekt?

Vetëm nëse hartuesit dhe sponsorizuesit e tij vendosin t’i japin Kosovës edhe një shans. Një shans që nuk nënkupton vetëm mbështetje financiare dhe teknike, por mbi të gjitha ndihmën për të krijuar një elitë politike dhe kulturore që përputhet me frymën e institucioneve demokratike moderne. Në të kundërtën, krejt çfarë do të mbetet është fjalia: Ishte një ëndërr e bukur dhe kaq.

_________________

Terrorizmin e atentateve brenda të majtës radikale perëndimore e kanë futur rusët, duke filluar që nga fundi i shekullit XIX. Edhe gjatë shekullit XX, terroristët e majtë në Perëndim janë frymëzuar dhe financuar kryesisht nga Rusia ( Bashkimi Sovjetik). Vetë Lenini kishte shpallur se “terrori është një mjet legjitim i revolucionit.” Në rrafshin psikologjik ky terrorizëm, në shumicën e rasteve, ishte pasojë e dëshpërimit të radikalëve të majtë, për shkak se nuk arrinin dot të bënin një revolucion bolshevik në Perëndim.

Terrorizmi është, para së gjithash, tregues i pafuqisë dhe dobësisë së një ideologjie për të imponuar imagjinatën e saj politike mbi rendin shoqëror. Terroristi është rëndom një revolucionar i dështuar, që nuk di si të pajtohet me dështimin e tij.

A po ringjallet sërish ky terrorizëm i majtë në Perëndim? Dhe a janë mbështetësit e tij po ata që ishin dikur? Nisur nga fakti se Rusia po përpiqet me çdo mjet ta destabilizojë Perëndimin, ka logjikë të thuhet se përgjigjja është: po.

_________________

Ajo është ma e nalta vlerë, por njikohësisht edhe ma e brishta. Shpesh humbet jo nga armiqtë e jashtëm, por nga çmenduritë e brendshme, të cilat shpesh janë më të rrezikshme se ata.

Kjo është pra liria, e cila gjithmonë mbetet një punë e pakryer. Kuptohet, për ata që duan ta kenë.