Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Dedaj: Malet pa nxënës, Tirana pa shkolla

| E premte, 12.09.2025, 06:57 PM |


MALET PA NXËNËS, TIRANA PA SHKOLLA...

(“Astiri” me rreth 100 mijë frymë, pa asnjë institucion arsimor!)

NGA NDUE DEDAJ

Ka filluar viti shkollor dhe tirret muhabeti, andej – këndej për arsimin, por nuk i prek askush problematikat reale të shkollës sot, përveç nxënësve e mësuesve, qytetarëve që i kanë në kurriz. Diku qeveria kritikohet për gjëra të dorës së dytë, diku tjetër lavdërohet për gjera të dorës së tretë. Si gjithmonë, hidh e prit, përzihen politikanë dhe “patronazhistë” dypalësh, pa bërë një analizë të fakteve dhe dukurive sociale, pa sjellur argumente, duke i parë gjerat në mënyrë sipërfaqësore. Vështruar në mënyrë realiste nuk mund të thuash se është “faji” i qeverisë që vetëmbyllën shkollat e zonave më të thella, në jug e veri, atje ku nuk ka mbetur më thuajse asnjë frymë njeriu, por që qeveria nuk ka hapur shkolla në “Astir”, në kryeqytet, ku afro njëqind mijë banorë nuk kanë dhe një shkollë të vetme!? Kjo është kriza e mbipopullimit, që vjen si rrjedhojë e  asaj të shpopullimit. Të tjerat janë propagandë e rëndomtë. Nëse duam të kërkojmë shkaqet e kësaj situate të paparashikuar në kryeqytet, doemos që i gjejmë te politika e dështuar e tranzicionit, që ka ndikuar në shkretimin dhe mbetjen e Shqipërisë rurale pa banorë; siç është dështim i saj dhe  mosarritja e përcaktimit të koordinatave të qyteteve të reja të krijuara nga zbrazja e malësive, duke i përballur qytetarët me një situatë urbane kaotike nga zhvillimi spontan. Politikën dhe institucionet e shtetit u vuri përpara “lokomotiva” e korrupsionit, përmes së cilës u grabitën mizorisht pasuritë kombëtare, për çka do të na gjykojë ashpër historia, por nuk është ky rasti për këtë trajtesë.

Problemi është çfarë mund të bëhet për ta parandaluar shpopullimin e qyteteve, pasi fshatrat malorë, në ekzistencën e tyre klasike, kanë marrë fund, edhe në periferi të Tiranës. Nuk rri kush sot me këmbët në “baltë”, jo se asfalti dhe betoni janë më të mirë, porse në fshatra nuk ka infrastrukturë, më e pakta rrugë normale përtej Saukut, jo më në Apripë të Gurit, vend me bukuri natyrore mahnitëse në breg të Drinit, që konkuron bjeshkët e Europës. Është ky realitet i ri i padëshiruar që i ka mbyllur shkollat në male dhe, në mos sot nesër, do të mbyllën dhe ato që mbahen falë politikave sociale të përkohshme, për të mos i nxjerrë mësuesit në rrugë, pasi shkolla në katund me një nxënës e një mësues nuk mund të ketë (!) Nuk na e çelin udhën për në Bashkimin Europian me këtë situatë arsimore “tërhiq e mos këput” në katundet e epërme, që e kemi tejkaluar qysh në vitin 1945, me kurset kundër analfabetizmit, pasi një dorë fëmijësh që kanë mbetur atje duhet të ishin mbledhur me kohë në konviktet bosh të qyteteve. Nga ana tjetër, ç’është dhe më e rëndësishmja, zor se na e çelin udhën e  intergrimit europian me lagje qytetesh të mëdha me mijëra banorë, por pa asnjë shkollë, kopësht e çerdhe fëmijësh.

“Astiri” është një simbol i “Tiranës së re”, që po e kapërcen Kasharin duke rendur drejt Vorës, e megjithatë, është e habitshme se si qeveria dhe Bashkia e Tiranës nuk kanë ndërtuar asnjë shkollë! Nuk arrinë ta kuptosh këtë pazotësi, dorëzim, mundje përballë industrisë, thoni po të doni dhe oligarkisë së ndërtimeve. Do të ishte jo vetëm lajm, por do të bëhej festë më daulle, nëse banorët do të shihnin se më të vërtetë shteti ka nisur të ndërtojë një shkollë në këtë lagje, le pastaj dy e tre, pasi është një qytet më vete. Na thonë se është ngritur ky problem me dhjetëra herë, në çdo fushatë elektorale, ku mund të takohesh e përqafohesh me deputetët e ministrat, apo dhe vetë kryeministrin, por vetëm themele shkollash nuk ka! Në fushatën elektorale të vitit 2023 u premtuan pesë shkolla, por nuk ka nisur asnjë, shprehën banorët të shqetësuar. “Mungesa e shkollave në zonën e Astirit u kthye në debat politik edhe gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 11 majit”, shkruan shtypi. Kohët e fundit është paraqitur nga Bashkia dhe qeveria projekti i ndërtimit të shkollës dhe çerdhes së parë publike në këtë zonë, por edhë këtë shtator fëmijët e “Astirit” morën, si dhe vitet e tjera, rrugët e rënduara nga trafiku, për në shkollat e lagjeve fqinje. Zakonisht përmendet shifra 70 mijë banorë për këtë lagje të kryeqytetit, edhe pse besohet se ajo është shumë më tepër, pasi rritet çdo ditë. Sollëm një shembull, një lagje vetëm tre kilometra larg Ministrisë së Arsimit, por që nuk është e vetmja në qytetet e mëdha me mungesë të theksuar institucionesh arsimore.

Sipas statistikave të INSTAT-it, në pesë vitet e fundit kemi 10 përqind rënie të numrit të nxënësve, ndërsa në dhjetë vite kemi humbur 112 mijë nxënës në arsimin parauniversitar dhe kjo për një popullsi sa e jona është dramatike. Kemi përherë e më pak regjistrime në klasët e para të arsimit fillor; në gjimnaze qytetesh, që dikur kishin shtatë-tetë klasë paralele a më shumë, sot bëhen apo jo dy të tilla. Çështja është si ta ndalim vërshimin e “përmbytjes” tashti që diga është çarë!? Me retorikë shterpë për mbajtjen e shkollave hapur, aty ku nuk është e mundur, kjo nuk bëhet. Kur nuk është më fshati, s’ka si të jetë shkolla, dyqani, qendra shëndetësore, e mbase as kisha, teqja e xhamia. Por mund të punohet fort nga qeveria për mbajtjen e shkollave në qendrat jo të pakta urbane, që përgjithësisht janë qyteza-njësi administrative të bashkive. Si dhe në disa realitete të reja, në zona le të themi të të ndërmjetme, mes qytetit dhe fshatit, ku agroturizmi, fermat, industria etj. kanë krijuar punë dhe mundësi jetese. A mund të mendohet Valbona, Thethi, Voskopoja, pa shkolla, qendra kulturore, biznesi etj? Qyteza turistike të dorës së parë, që pak nga pak po kthehen nga sezonale, dimër e verë, në qendra me frekuentim gjithëvjetor. Po ashtu, “Mrizi i zanave” në Zadrimë, që është kthyer në “shkollë e lartë” e agroturizmit shqiptar, si mund të mendohet pa një shkollë konkuruese?...

Mirëpo kjo kërkon një strategji, që mund të përpunohet duke dalë nga korridoret e Ministrisë së Arsimit e zbritur në terren. Pse e themi këtë? Aspak për t’iu dhënë mend të zotëve të punës, por nuk bëhet ndryshe. A e dimë ne sa maturantë kanë aplikuar këtë vit për degët e mësuesisë? Kur universitetet mëzi plotësojnë numrin e studentëve në këto degë? Është një problem më të vërtetë kompleks, se nesër mund të vijë puna të kontraktohen mësues matematike, fizike, kimie, informatike etj. nga vendet e BE-së, po mësuesit e gjuhës shqipe, gjeografisë dhe historisë së Shqipërisë nga do t’i marrim? Mësuesit e huaj të mos mendojmë se do të na vijnë me të njëjtën lehtësi që na vijnë punëtorët e ndërtimit nga Bangladeshi dhe kamerieret nga Filipinet. Udhëheqësit e vendit dhe ekspertët e arsimit duhet të kenë përgjigje për këto, pasi ata nuk janë vetëm për të menaxhuar shkollat sot, a u hapën pa probleme, a kanë libra e fletore nxënësit, sa peshojnë çantat e librave, a janë gati drutë e dimrit etj. Kalendari i vitit shkollor është vetëm një anë, kurse “kalendari” i përspektivës së shkollës është tjetër gjë.

Nëse mbyllën shkollat përgjatë Rrugës së Kombit, nga Miloti në Morinë, në një gjatësi prej mbi 110 kilometrash, kjo do të thotë se kjo rrugë madhore nuk është kuptuar që në nisje, nuk është shndërruar në burim të ardhurash e mirëqenieje përtej asfaltit të saj, nuk ka “prodhuar” jetesë të banorëve në vendet që ajo përshkon. Atëherë pse i bëjmë rrugët? Vetëm për të “fluturuar” makinat, nga njëri metropol në tjetrin? Nga thellësitë e trojeve drejt bregdetit? Vetëm kaq? Veç për tranzit? Po jetë ndejtare a do të ketë? Pse duhet të lëvizë “për një jetë më të mirë” drejt Tiranës një familje nga Rubiku, Bulqiza, Klosi, kur kryqendrën e vendit e ka më pak se një orë larg dhe kur mineralet që i kishin krijuar dhe i mbanin gjallë dje këto qendra pune, janë prapë aty?!...

Në gjykimin tonë rruga është shkollë dhe shkolla është rrugë, ato janë si dy “gjymtyrë” të njëra-tjetrës. Rruga e re Qukës - Qafë Plloçë kalon nëpër qytete, zona të banuara dhe a mund të përfytyrohet e zhveshur nga shkollat? Pyetja shtrohet, po në territoret e vendeve të tjera ku kalon “Korridori Tetë”, Maqedoni e Bullgari, a ka njerëz, banim, shkolla, nxënës? A është normal një peizazh modern rrugësh, fabrikash, fermash, resortesh, vetëm me njerëz që shkojnë e vijnë përditë nga qendrat e mëdha? Pa shkolla. Pa shërbime të tjera komunitare. Pa koncerte tradicionale. Pa ngjyrat e “autoktonisë” lokale. Vërtetë që nuk mund të ndalet trendi i përbotshëm i shpërnguljes së njerëzve drejt qendrave të mëdha urbane, por kjo nuk do të thotë që të shuhen, apo të përceptohen vetëm për turizëm fshatrat, qytezat e vogla, burime të pashterrshme të një jetese, që nuk është më as krejt tradicionale e as krejt metropolitane.

Pa u shtyrë më tej, në “dilema” të tilla që lidhën me zhvillimet bashkëkohore, në rrafshin infrastrukturor arsimor, dy mendojmë se janë rrugëzgjidhjet në arsimin parauniversitar, në situatën në të cilën ndodhemi, e para: ndërtimi dhe modernizimi i shkollave të reja në periferi të Tiranës dhe qyteteve të tjera të mëdha, ku ato mungojnë dhe e dyta: forcimi i shkollave të qendrave të banuara, kryesisht ato të arsimit profesional, që duhet pohuar se kanë njohur një zhvillim, pas humbjes së interesit për to në vitet ‘90. Është bukur që në Shkodër po ndërtohet një muze i lundrimit, ashtu siç mund të ketë dhe tjetërkund qoshe të vogla muzeore të peshkimit, por me gjithë këtë hapësirë bregdetare që ka vendi ynë, e kemi shkolla profesionale të detarisë? A do të vazhdojmë ta menaxhojmë vetë bregdetin si mjedis dhe ekonomi prodhuese, edhe pas investimit amerikan në Sazan etj., apo dhe për këto veprimtari specialistët do t’i presim nga jashtë?...

E nëse kjo mund të tringëllojë si diçka e re, që mbase nuk e receptojmë sa duhet, në rrafshin tradicional, a ka kuptim që sot nuk kemi më shkolla të mesme pedagogjike që përgatisin mësues? Po t’i kishim ato, edhe fakultetet e mësuesisë nuk do të ishin bosh. Kemi pasur një shkollë të mesme pyjore në Shkodër mjaft të konsoliduar, që mund të mos jetë në ditët e veta më të mira, jo për faj të saj, kur mund të kishim dhe disa të tjera, sepse jo vetëm që pyjet janë po aq sa kanë qenë si territor, por, për më tepër, janë shtuar zjarret, që emergjencat civile kurrë nuk mund t’i shuajnë pa praninë e specialistëve të pyjeve. Shtoni rojëtarët, teknikët dhe inxhinierët e pyjeve, jepjuni pushtetin e duhur dhe atëherë nuk do ishin të nevojshme forcat e ushtrisë për të fikur zjarret. Pa thënë se kryesore këtu do të ishte mbarështimi i pyjeve, njëlloj si i ullishteve, arrorëve etj. Progres ekonomik, pa shkolla të sferës së ekonomisë nuk mund të ketë.