Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjon Keka: Ngjallu, president i pavdekshëm Dr. Ibrahim Rugova, dhe rikthe lidhjet e fuqishme me miken tonë SHBA

| E premte, 12.09.2025, 07:00 PM |


Ngjallu, president i pavdekshëm Dr. Ibrahim Rugova, dhe rikthe lidhjet e fuqishme me miken tonë SHBA

Nga Gjon Keka

Pezullimi i dialogut strategjik me SHBA është jo vetëm tregues i qartë se pushtetarët e sotëm po i këpusin fijet e miqësisë dhe aleancës historike e strategjike të ndërtuara fuqishëm me mikun dhe shpëtimtarin tonë. Është për t’ia vënë gishtin kokës disa që sot janë në pushtet, sepse jo vetëm po e dëmtojnë Kosovën dhe ia kanë ndalur rrotën e ecjes drejt zhvillimit dhe integrimit në institucionet e familjes euroatlantike, por e kanë futur vendin edhe në një udhëkryq.

Si është e mundur që pushtetarët e sotëm të arrijnë në këtë pikë ta lënë Kosovën si shtet pa një mike e shpëtimtare sikur është SHBA? Vetë pezullimi i dialogut strategjik, por edhe më herët pakënaqësitë e SHBA-së me udhëheqjen e tanishme të Kosovës të udhëhequr nga Kurti, tregojnë mjaftueshëm se Kosova nuk i ka më lidhjet e forta sikur i kishte me Presidentin historik dr. Ibrahim Rugova dhe më pas deri para ardhjes në pushtet të pushtetarëve të sotëm.

Është tepër e rëndë të dëgjosh se SHBA, për shkak të politikave të gabuara të pushtetarëve të sotëm, ka pezulluar dialogun strategjik. A ka kush t’i këshillojë ose t’ua hapë sytë pushtetarëve të tanishëm se mospërputhja me politikat amerikane do të thotë përshtatje me interesat e armiqve historikë të kombit tonë?

Është koha që Kosova t’i kthehet rrugës së presidentit historik dhe vizionar dr. Ibrahim Rugova dhe t’i lidhë sërish fijet që i kanë këputur pushtetarët e sotëm të papërgjegjshëm. Një Kosovë e vogël, e pafuqishme dhe e panjohur nga pjesa më e madhe e vendeve të botës dhe ato europiane, nuk mund të qëndrojë, të forcojë shtetësinë e saj, të arrijë njohjet ndërkombëtare dhe integrimin në Bashkimin Europian, anëtarësimin në NATO dhe organizata të tjera, pa mbështetjen e mikut dhe aleatit historik e strategjik, SHBA-së.

Shpresoj se pushtetarët e sotëm do të reflektojnë dhe ta kuptojnë një gjë: se pa SHBA kot përpiqen të tregojnë se gjoja po punojnë për Kosovën dhe të ardhmen e saj, sepse Kosova dhe SHBA kanë qenë deri në fund krah për krah, pra të lidhura me fije miqësie e historike, që e mbajtën të fuqishëm këtë lidhje.

Presidenti historik dr. Ibrahim Rugova e dinte se pa SHBA Kosova mbetet e pafuqishme dhe e rrezikuar, deri edhe në vetëshkatërrim. Prandaj e quajti lidhjen dhe miqësinë me SHBA si speciale dhe të thellë, sepse ai e kuptonte rëndësinë e kësaj miqësie dhe të raporteve me këtë aleat të rëndësishëm të botës demokratike, pra me këtë superfuqi.

Prandaj, nuk kam tjetër fjalë për tani, pas këtij lajmi jo të mirë për atdheun tim (Dardaninë tonë), pos të thërras kështu: ngjallu, president i pavdekshëm dr. Ibrahim Rugova, dhe rikthejë lidhjet e fuqishme me mikeshën tonë SHBA, sepse disa duan t’i prishin lidhjet që u krijuan në periudha të vështira historike për kombin tonë dhe që kanë qëndruar të forta. Por ka një kohë që pushtetarët e sotëm nuk po e kuptojnë, apo nuk duan ta kuptojnë, sa e rëndësishme për shtetin e Kosovës është lidhja e fortë dhe e pashkëputur me miken SHBA.