| E hene, 08.09.2025, 06:59 PM |
KONGRESI AMERIKAN ME REZOLUTË: SOCIALIZMI NJË IDEOLOGJI E DËSHTUAR!
Nga
Frank Shkreli
Të enjtën që kaloi në Kongresin e
Shteteve të Bashkuara, Kongresistja Republikane nga shteti Florida, Maria
Elvira Salazar dhe Senatori republikan Rick Scott, po ashtu nga Florida --
njëri në Dhomën e Senatit e tjetra në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të
Bashkuara – paraqitën për miratim një rezolutë të përbashkët me të cilën dënojnë
socializmin si një ideologji të dështuar. Një ideologji që të çon drejt
varfërisë dhe shtypjeve e cila është në kundërshtim dhe mospërputhje të plotë
me Ëndrrën Amerikane, shkruajnë ligjvensit nga Florida. Sipas njoftimeve për median nga zyrat e dy përfaqsuesve
të këtij në Washington, Senatori Scott e ka paraqitur tanimë rezolutën në Dhomën
e plotë të Senatit, ndërsa Kongresistja Salazar është sponsorizuesja kryesore e
kësaj rezolute në Dhomën e Përfaqsuesve të Shteteve të Bashkuara.
Në njoftimin e tyre, ligjvensit
republikanë nga Florida nënvijuan qëllimin e kësaj rezolute duke paralajmëruar
se, “Ndërsa politikanë të ekstremit të majtë si Zohran Mamdani (kandidat i Partisë
Demokrate për kryetar bashkie) në Nju Jork pranojnë hapur ideologjitë
socialiste si pjesë e programit të tyre politik, kjo rezolutë shërben si një
paralajmërim i drejtpërdrejt se socializmi nuk është vetëm një politikë e
gabuar, por është edhe një rrugë që, historikisht, ka provuar se çon drejt
tiranisë, urisë dhe vdekjes. Prandaj, si ideologji e tillë, socializmi nuk ka
vend në Amerikë”. Theksojnë ata në njoftimin për media.
Lexuesit mund të kujtojnë se gjatë
viteve të fundit jam munduar të mbuloj veprimtarinë e Kongresistes Salazar dhe
ligjvense të tjerë amerikanë, në krye të përpjekjeve të tyre politike kundër ideologjisë
socialisto-komuniste, qoftë në Shtetet e Bashkuara, qoftë jashtë këtij vendi.
Edhe me këtë rast, María Elvira Salazar – me prejardhje nga Kuba komuniste --
është në krye të kësaj lufte kundër socializmit e komunizmit. "Historia na
tregon qartë pasojat e socializimit e komunizmit: nga gulagët e Stalinit dhe
fushat e vdekjes në Kamboxhia deri tek skuadrat e pushkatimit të Fidel Kastros
në Havana, socializmi gjithmonë ka përfunduar në mjerim, vuajtje dhe vdekje. Si
pasojë e kësaj ideologjie, kombe të tëra janë shkatërruar dhe miliona jetë janë
humbur, duke përfshirë shumë prej tyre edhe në komunitetin tim që janë detyruar
si përfundim i brutaliteti të asaj ideologjie të largohen nga vendlindja. Kjo
është arsyeja pse jam krenare të paraqes me Senatorin Eric Scott këtë rezolutë
të përbashkët në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve me qëllim për të dënuar
tmerrin e socializmit. Por edhe për të siguruar gjithashtu që Kongresi të flasë
me një zë kur është fjala për dënimin e ideologjisë së socializmit, në të
gjitha format e tij dhe kudo që të shfaqet me fytyrën e tij të shëmtuar. Ashtu që
Amerika të qëndrojë gjithmonë si drita e lirisë kundër errësirës së socializmit
dhe premtimeve të tij të rreme për barazi”, citohet kongresistja Salazar në
njoftimin e botuar nga zyra e saj në Washington.
Edhe Senatori Rick Scott në njoftimin
për mediat javën që kaloi në lidhje me rezolutën e paraqitur prej ti në Dhomën
e Senatit, i shpalli luftë socializmit: “Socializmi është një ideologji e
dështuar -- ka shkatërruar vende, ka shkatërruar ekonomitë dhe u ka mohuar
miliona njerëzve, anë e mbanë botës, të drejtat themelore të njeriut. Shikoni
vetëm Kubën dhe Venezuelën, ose flisni me ndonjë nga mijëra familjet në shtetin
tim të Floridës që janë arrratisur nga ato regjime, pasi diktatorët djallëzorë
atje u kanë mohuar atyre të drejtat bazë të njeriut dhe mundësitë për një jetë më
të mirë e normale në vendet e tyre.” Pa
përjashtim, citohet Senatori Scott, se socializmi ka “përfunduar me të njëjtin
rezultat të pashmangshëm: në mjerim, varfëri dhe shtypje të lirive dhe të
drejtave të njeriut”, për të gjithë.
Siç duket, kjo rezolutë po paraqitet si
në një referencë ndaj qendrimeve politike ekstreme kundër kapitalizmit në
fushatën e kandidatit radikal-demokrat për kryetar bashkie në Nju Jork, Zohran
Mamdani, i vet-shpallur si demokrat-socialist, por që kundërshtarët i referohen
atij thejsht si socialist, madje edhe komunist. Senatori i Floridës Rick Scott tha se, “është
e neveritshme të shohësh radikalët e majtë ekstremë që shpifin kundër
kapitalizmit, një sistem që ka ndihmuar miliona amerikanë të realizojnë ëndrrat
e tyre”. Ndërkohë që, radikalët
socialistë po “përpiqen të shkatërrojnë vendin tonë me qëllim për ta rindërtuar
atë në imazhin e tyre radikal, përmes politikave ekstreme socialiste.” Senatori Scott shtoi se Shtetet e Bashkuara janë
themeluar bazuar në liritë dhe mundësitë individuale dhe në të drejtat e çdo
individi për të ndjekur dhe për të realizuar Endërrën Amerikane… pavarësisht se
kush jemi dhe nga vijmë. Rezoluta jonë
është një kujtesë e fortë për ekstremistët e majtë: se socializmi është një
dështim dhe se amerikanët, gjithmonë, do ta refuzojnë atë”, është shprehur
Senatori Rick Scott i shtetit Florida. Rezoluta e plotë mund të lexohet këtu - C:\Users\new\AppData\Local\Temp\NEW25816.loc
Ndërsa pritet që kjo rezolutë të
miratohet njëzëri nga shumica republikane në Senat dhe në Dhomën e
Përfaqsuesve, do jetë interesant për të ndjekur votën e hedhur nga antarët e Partisë
Demokrate në të dy dhomat e Kongresit. Partia
Demokrate në Nju Jork dhe anë e mbanë vendit gjëndet para një dileme politike,
përballë kanditaturës së Zohran Mamdanit
(kandidati zyrtar i Partisë Demokrate për kryetar bashkie në qytetin Nju Jork),
por i vet-shpallur demokrat-socialist, i cili tani për tani kryeson në anketat
e opinionit publik, përballë tre kandidatëve të tjerë: kryetarit aktual të Bashkisë
Eric Adams, ish-guvernatorit Andrew Cuomo dhe kandidatit republikan Curtis
Sliwa. Megjithse mamdani gëzon një epërsi në fushatën e tij për kryetar bashkie
të Nju Jorkut, deri më sot, asnjë prej udhëheqsve kryesorë të Partisë
Demokrate, qoftë në nivel vendor, shtetëror ose federal, nuk kanë shpallur
mbështetjen e tyre për socialistin demokrat Mamdani, për kryetar bashkie të
qytetit Nju Jork. Siç duket, udhëheqsit kryesorë demokratë, sidomos, ata në
nivel kombëtar, kanë frikë se po të mbështesin Mamdanin, ata do të
identifikohen me politikat e këtij socialisti, që synon të zgjidhet kryetar i
bashkisë së qytetit më të madh dhe qëndrës kryesore financiare të vendit dhe
botës.
Kuptohet se duke pasur parasysh
zgjedhjet për Kongres vitin që vjen, liderët demokratë kanë drojë se duke
mbështetur socialistin Mamdani në Nju Jork, Partia Republikane do të përpiqet,
në nivel kombëtar, të identifikojë Partinë Demokrate me një kandidiat ekstrem
socialist si Mamdani – si fytyra e re përfaqësuese e Partisë Demokrate e
shekullit XXI. Diçka që ka filluar
tanimë në disa qarqe republikane që thonë se me një kandidat të vet-shpallur
socialist, që disa e quajnë komunist, sipas
tyre, Partia Demokrate e Shteteve të Bashkuara po shëndrrohet në një
parti socialiste, një epitet që nuk tingëllon mirë në veshët e disa
demokratëve. Ka zëra, pra që kanë
shprehur shqetsimet e veta edhe në radhët e Partisë Demokrate, zëra serioz që
janë kundër kandidaturës së Mamdanit për kryetar bashkie të Nju Jorkut. Një prej tyre është Kongresisti Tom Souzzi nga
lagja Queens (Kuins) e Nju Jorkut. Ai ka
bërë thirrje që anëtarët e Lëvizjes Demokrato-Socialiste të Amerikës si Mamdani
dhe kongresistja radikale e majtë Alexandria Ocasio-Cortez e lagjës Bronks me
shokë e shoqe të tjera, duhet të largohen nga Partia Demokrate dhe të formojnë
partinë e tyre në përputhje me ideologjinë e tyre. Duke shtuar se ai vet
shpreson që Mamdani të mos fitonte në Nju Jork sepse do të ishte shumë keq për
Partinë Demokrate edhe në nivel kombëtar.
Ish-Kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve
Tip O’Neill citohet të ketë thenë dikur se politika është gjithmonë vendore
(politics is always local), por kësaj radhe Nju Jorku po tregon se politika
vendore mund të ketë pasoja të rënda mbarë kombëtare. Demokratët, si
kongresisti Souzzi mendojnë se një fitore e një kandidati radikal socialist,
për të mos thënë komunist, si Mamdani në Nju Jork mund t’i kushtojë rendë,
politikisht, Partisë Demokrate në zgjedhjet e ardhëshme kombëtare për Kongres,
vitin që vjen. Sidoqoftë, mbetet për tu parë, por kjo vjeshtë duket se do jetë
një stinë me temperaturë të lartë politike dhe me pasoja të paparashikueshme
politike dhe ekonomike, jo vetëm për Nju Jorkun, por edhe për mbarë Amerikën,
sidomos sa u përket zgjedhjeve të ardhëshme për Kongres, vitin që vjen,
zgjedhje të cilat Partia demokrate shpresonte t’i fitonte ato si një kundërbalancë
ndaj qeverisjes së Presidentit Trump, por “fenomeni Mamdani” i ndërlikon shumë
ato plane për Partinë Demokrate: a do të distancohet nga politikat radikale
socialisto-komuniste të Mamdanit apo t’i përqafojë ato dhe paguaj një çmim me
pasoja të rënda politike të paparashikueshme.
Kongresistja Republikane e shtetit
Florida, Maria Elvira Salazar
Senatori i shtetit Florida, Rick Scott
Bashkautorët e rezolutës që dënon socializmin si një ideologji të dështuar