| E hene, 08.09.2025, 07:00 PM |
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (36)
GRATË E VAJZAT DËSHMORE
TË UÇK-SË
LUMNIJE SHERIF RAKA
(11.6.1976
– 9.4.1999)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Të
synosh të rrëfesh jetën, veprën dhe sakrificën e Lumnije Sherif Rakës pa
përmendur emrin dhe figurën e Jehona Rakës do të ishte një padrejtësi e
pafalshme, një lëshim që cenon vetë të vërtetën e asaj miqësie të
jashtëzakonshme dhe të atij bashkëudhëtimi të pandashëm në jetë e në ideal.
Lumnija dhe Jehona nuk mund të kuptohen si figura të veçuara, por si dy gjysma
të së njëjtës ndërgjegje, si dy zëra të një kori të fuqishëm që këndonte për
liri, dinjitet dhe dashuri për atdheun.
Lumnija
e Jehona ishin një binom i rrallë, shembullor, i miqësisë së pastër dhe i
bashkimit të idealit të njëjtë. Jo vetëm kushërira nga gjaku, por edhe motra të
lidhura nga zgjedhja, nga rritja e përbashkët dhe nga ndarja e çdo hapi të
jetës. Kaçaniku, qyteti i tyre i lindjes dhe i rritës, nuk ishte vetëm një vend
gjeografik, por një truall ku u kultivua miqësia e tyre, ku u kalit karakteri
dhe ku u formua vizioni i përbashkët për një të ardhme më të drejtë.
Vitet
e tyre të hershme, kaluara dorë për dore, shënojnë një udhëtim të pandarë
përmes lojërave të fëmijërisë, rrëfimeve të ëndrrave të rinisë dhe më pas,
rrugës së vështirë të ndërgjegjësimit për gjendjen e kombit. Bashkë ndanë
bankat e shkollës, kujtimet e oborrit familjar dhe rrugicat e Kaçanikut që
ruajnë gjurmët e hapave të tyre të shkujdesur, por edhe të vendosur. Por, mbi
të gjitha miqësia e tyre nuk u mbyll në kufijtë e jetës private. Ajo u
shndërrua në një aleancë të shenjtë për liri, në një bashkim zemrash dhe
mendjesh që nuk hezituan të përqafojnë idealin e rezistencës dhe të flijimit.
Për këtë arsye, të ndash njërën nga tjetra në kujtim apo në rrëfim do të ishte
një cenim i thellë i së vërtetës historike dhe morale. Sepse Lumnija dhe Jehona
janë figurat e njëjta të një narrative të madhe përkushtimi dhe trimërie, të
një dëshmie të gjallë se miqësia mund të bëhet armë, mburojë dhe flamur i
përbashkët në betejat më të vështira.
Për
këtë arsye, kushdo që merr penën për të shkruar mbi njërën, është i thirrur të
shkruajë për të dyja. Sepse ato janë faqet e pandara të të njëjtit libër,
dëshmi të gjalla të një kohe kur vajzat e Kaçanikut nuk pranuan të ishin vetëm
shikues të historisë, por vendosën të bëhen autore të saj me gjakun, guximin
dhe idealet e tyre të pastra. Vetë Kaçaniku, me të gjitha relievet e tij të
ashpra dhe të hijshme njëkohësisht, dhe Gryka e tij legjendare, kanë shërbyer
jo vetëm si vendlindje, por si mësuese për të formuar karaktere të forta e të
pathyeshme. Ishin këto troje që i rritën Lumnijen dhe Jehonën, duke u dhënë
atyre jo vetëm frymëzimin e bukurisë së natyrës, por edhe një vetëdije të
thellë dhe të palëkundur atdhetare.
Në
ato shtigje të ngushta dhe në ato lugina që kanë parë shekuj lufte dhe
rezistence, u nguliti atyre Gryka e Kaçanikut idenë se atdheu nuk është thjesht
një copë toke, por një amanet i shenjtë që duhet mbrojtur me çdo kusht. Ky
peizazh i fortë dhe i pamëshirshëm në pamje të parë formoi brenda tyre një
ndjenjë të thellë përgjegjësie dhe krenarie. Ai i edukoi me bindjen se dashuria
për vendin është një detyrim i shenjtë dhe se nuk mjafton ta ndiesh, por duhet
edhe ta mbrosh. Lumnija dhe Jehona nuk ishin thjesht pasardhëse të kësaj
tradite – ato u shndërruan në mishërimin e saj më të pastër. Ishin ndër të
parat vajza që lanë pas kufijtë e roleve të zakonshme shoqërore dhe morën
vendimin e madh, të kapnin armën dhe të ngjiteshin nëpër malet që i kishin parë
të gjelbëruara dhe të gjakosura ndër breza. Ishte një akt i guximshëm që nuk
mund të shpjegohet vetëm me zemërim apo revoltë, por me një dashuri të madhe
dhe të thellë për atë tokë që i kishte rritur, i kishte ushqyer dhe i kishte
mëkuar me histori krenarie. Ato nuk dolën në male për lavdi personale, por për
ta mbrojtur këtë tokë me gjakun dhe jetën e tyre – siç kishin bërë dikur brezat
e mëparshëm që kishin luftuar në atë Grykë, që ishte bërë sinonim i qëndresës.
Për këtë arsye, historia e Lumnijes dhe Jehonës nuk është vetëm një tregim për
dy vajza të guximshme, por një kapitull i ndritur i një trashëgimie të gjatë,
që dëshmon se dashuria për atdheun është një forcë që nuk e ndal dot as frika,
as pushtimi, as vdekja.
Trimja
shqiptare Lumnije Raka lindi më 11 qershor 1976, nga babai Sherif dhe nëna
Ajshe, në qytetin e lashtë dhe të njohur për tradita atdhetare të Kaçanikut –
një vend që gjithmonë ka qenë kështjellë e rezistencës dhe burim i karaktereve
të forta. Ajo u rrit në këtë truall, ku fryma e dashurisë për atdheun dhe
ndjenja e përgjegjësisë për të mbrojtur nderin dhe tokën ishin pjesë e
pandashme e edukatës së përditshme. Lumnija u lind në një familje të madhe, me
shtatë motra – Barijen, Shyhretin, Safeten, Fevzihen, Salijen, Fetijen dhe
Shkurten – si dhe dy vëllezër: Sulejmanin dhe Kadrushin. Shkollimin fillor e
kreu në fshatin Bob të Kaçanikut, ku themeloi bazat e dijes dhe ku u dallua që
herët për seriozitet dhe përkushtim. Nuk ishte thjesht një nxënëse e zakonshme,
por një shembull për shokët dhe shoqet, duke dëshmuar me sjelljen dhe
rezultatet e saj se disiplina dhe dashuria për mësimin ishin vlera të rrënjosura
thellë në karakterin e saj.
Me
dëshirë për të ecur më tej dhe për të shërbyer më vonë në një profesion të
ndihmës dhe kujdesit për të tjerët, Lumnija vendosi të vazhdojë shkollimin e
mesëm në kryeqytet, në Prishtinë, duke u regjistruar në shkollën e mesme të
mjekësisë “Ali Sokoli” – një ndër institucionet më të njohura për përgatitjen e
kuadrove shëndetësore. Këtu ajo jo vetëm që përvetësoi dijet profesionale, por
e shfaqi plotësisht personalitetin e saj të formuar, duke qenë ndër nxënëset më
të dalluara për nga notat, korrektësia dhe përkushtimi ndaj detyrave. Por jeta
e saj nuk kufizohej vetëm brenda mureve të klasës. Ajo ishte një aktiviste e
palodhur në jetën kulturore dhe artistike të shkollës, duke marrë pjesë në
aktivitete që formonin shpirtin, zgjonin ndjenjat patriotike dhe bashkonin të
rinjtë në ide dhe ideale të përbashkëta. Kjo pjesëmarrje nuk ishte vetëm
argëtim, por një shprehje e një botëkuptimi të thellë që besonte te forca e
kulturës për të formuar karaktere të ndershme dhe të përgatitura për të
përballuar sfidat e jetës.
Në
këtë mënyrë, vitet e fëmijërisë dhe të adoleshencës së Lumnije Rakës përbëjnë
një faqe të ndritshme të biografisë së saj, ku ndërthuren dashuria për dijen,
ndjenja e përgjegjësisë për të tjerët dhe angazhimi i sinqertë në jetën
shoqërore. Kjo periudhë e jetës së saj nuk ishte thjesht përgatitje për
profesionin, por një shkollë e vërtetë formimi moral dhe atdhetar, e cila do ta
bëjë më vonë të marrë vendimin madhor për të lënë gjithçka dhe për t’i shërbyer
kauzës së lirisë me armë në dorë. Pas përfundimit të shkollës së mesme të
mjekësisë, Lumnije Raka u gjend përballë një realiteti të hidhur dhe të
padrejtë, pavarësisht dëshirës së madhe për të ushtruar profesionin human të
infermieres dhe për t’u kujdesur për të sëmurët, dyert e institucioneve
shëndetësore ishin mbyllur për të rinjtë shqiptarë. Sistemi shëndetësor, si
shumë sektorë të tjerë të jetës publike, ishte vënë nën kontrollin e egër të
pushtuesit serb, që e përdorte çdo mjet për të shtrënguar dhe nënshtruar popullatën
shqiptare, duke e lënë pa perspektivë dhe pa shpresë.
Në
këtë klimë shtypjeje dhe mohimi të të drejtave më elementare, Lumnija nuk
zgjodhi të dorëzohet as të largohet nga rruga e dijes. E vetëdijshme se
shkollimi ishte një mjet rezistence po aq i vlefshëm sa edhe arma, ajo vendosi
të vazhdojë studimet universitare në Fakultetin Filozofik të Universitetit të
Prishtinës, duke zgjedhur degën e Pedagogjisë. Ky orientim i ri nuk ishte
thjesht një alternativë pragmatike, por një akt i qëllimshëm që dëshmonte
vlerësimin e saj për rolin e edukimit si mjet për të përgatitur breza të
vetëdijshëm dhe të lirë. Asokohe, mjediset studentore të Prishtinës ishin
shndërruar në një vatër të nxehtë të mendimit kritik dhe të organizimit
politik. Nuk ishin thjesht auditorë ku mësohej pedagogjia formale, por hapësira
ku rininë shqiptare e përvëlonte një ethe e veçantë, etja për liri dhe nevoja
për organizim kundër pushtuesit. Bisedat mes studentëve nuk kufizoheshin në
teoritë pedagogjike, por shkonin më thellë, duke trajtuar mënyrat e mobilizimit
dhe format e veprimtarisë ilegale.
Kështu,
vendimi i saj për të vazhduar studimet në Pedagogji nuk ishte një kompromis i
heshtur me realitetin, por një formë rezistence, një përpjekje për të forcuar
themelet intelektuale dhe morale të një populli që kishte vendosur të mos
nënshtrohej kurrë. Në atë periudhë të zjarrtë të mobilizimit të përgjithshëm
kombëtar, shumë studentë të Universitetit të Prishtinës nuk u mjaftuan me rolin
e tyre akademik, por u radhitën me përkushtim në strukturat e Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës. Ata u angazhuan në një spektër të gjerë detyrash,
shpeshherë larg vijës së drejtpërdrejtë të frontit, por po aq të rëndësishme
dhe të rrezikshme, nga sigurimi i furnizimeve dhe organizimi i logjistikës, te
mbledhja dhe shpërndarja e informacionit, rekrutimi i vullnetarëve, përhapja e
propagandës çlirimtare dhe koordinimi i protestave e demonstratave në
mbështetje të luftës. Në këtë rrjet të gjerë aktivitetesh ilegale dhe të
domosdoshme për kauzën e lirisë, bënte pjesë edhe Lumnije Raka. Nuk ishte e
rastësishme prania e saj atje, ajo kishte trashëguar nga familja një moral të
lartë atdhetar, të ndërtuar mbi virtyte të forta dhe një ndërgjegje të
kristaltë kombëtare. Tradita familjare e kishte brumosur me bindjen se liria nuk
dhurohet, por fitohet me mund, sakrificë dhe përkushtim të palëkundur.
Kjo
traditë e rezistencës dhe e dashurisë për atdheun nuk ishte abstrakte në
familjen Raka, por e mishëruar në histori të gjalla dhe tragjike. Pas vitit
1981, një valë e re dhune dhe represioni ushtrohej mbi shqiptarët, dhe familja
e saj e kishte provuar mbi kurriz ashpërsinë e pushtuesit. Xhaxhai i saj,
Ismajl Raka, ishte një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare dhe ish i
burgosur politik. Ai kishte punuar me vendosmëri për të organizuar dhe
ndërgjegjësuar popullatën e Kaçanikut për luftë të armatosur, duke kontribuar
edhe në sigurimin dhe shpërndarjen e armatimit. Por kjo veprimtari e palodhur
nuk kishte mbetur pa u ndjekur nga syri vigjilent i pushtuesit dhe i rrjetit të
bashkëpunëtorëve të tij vendas. Denoncimet e zellshme, nga disa shqipfolës, i
lehtësuan punën policisë dhe sigurimit serb, të cilët e arrestuan dhe e
torturuan në mënyrë barbare. Pasi e maltretuan pa mëshirë, Ismajl Raka gjeti
vdekjen tragjike në stacionin famëkeq të policisë në Ferizaj – një shembull i
gjallë i mizorisë së pushtetit serb dhe i çmimit të rëndë të paguar nga ata që
guxuan të ëndërronin dhe të punonin për liri.
Në
këtë mjedis të mbushur me dhimbje, por edhe me krenari e sfidë, u formua
karakteri i Lumnijes. Pavarësisht pengesave dhe okupimit të institucioneve
shëndetësore nga pushtuesi, ajo nuk u zmbraps nga ideali për t’i shërbyer
popullit të saj. E kuptonte se mjekësia nuk ishte thjesht profesion, por një
mision human dhe patriotik. Ajo vazhdoi të japë kontributin e saj në
shëndetësi, duke ndihmuar të sëmurët dhe të plagosurit që ishin viktima të
drejtpërdrejta të dhunës dhe shtypjes së okupatorit.
Përveç
kësaj, Lumnija ruante lidhje të ngushta dhe të vazhdueshme me njësitet e
UÇK-së, duke i mbështetur në mënyra të ndryshme. Siguronte dhe shpërndante
medikamente, organizonte strehimin e luftëtarëve dhe kujdesej për mjekimin e të
plagosurve. Kjo veprimtari e saj nuk ishte vetëm shërbim humanitar, por një akt
i vetëdijshëm dhe i guximshëm i rezistencës – një formë e heshtur, por shumë e
fuqishme e luftës për çlirim dhe dinjitet kombëtar. Edhe pse e re në moshë,
Lumnije Raka e kishte të kristaltë ndërgjegjen e saj kombëtare dhe nuk qëndroi
kurrë indiferente përballë padrejtësive dhe dhunës së pushtuesit. Ajo mori
pjesë me vendosmëri dhe entuziazëm në demonstratat studentore dhe në të gjitha
tubimet e organizuara kundër regjimit serb, duke filluar që nga viti 1991 e
deri në ditën kur ra në altarin e lirisë. Këto protesta nuk ishin thjesht
shprehje e revoltës rinore, por ishin aktet e para të një përkushtimi të thellë
dhe të sinqertë ndaj kauzës kombëtare, ku ajo e shihte veten jo si vëzhguese,
por si pjesëmarrëse të angazhuar dhe përgjegjëse.
Vitet
kalonin dhe lufta merrte forma gjithnjë e më të drejtpërdrejta. Njësiti i
Kaçanikut ishte përfshirë në beteja të forta në pikat strategjike të UÇK-së në
Jezerc dhe veçanërisht pas betejës së lavdishme, por të rëndë, të 10 gushtit
1998 në Gabrricë, kundër forcave pushtuese serbe, vetëdija e Lumnijes mori një
kthesë të pakthyeshme. Studimet, të cilat deri atëherë kishin qenë një pjesë
thelbësore e jetës dhe ëndrrave të saj, filluan të zbehen në rëndësinë e tyre
përballë thirrjes së madhe të atdheut. Asokohe, dëshira për të përfunduar
shkollimin u fashit para një ideali më të madh dhe më të shenjtë – të
kontaktonte sa më parë me çlirimtarët dhe të bëhej pjesë e radhëve të tyre. Për
Lumnijen nuk kishte më dilemë, detyra e saj më e lartë ishte të rreshtohej krah
atyre që po sakrifikonin gjithçka për lirinë e vendit. Ky vendim i madh dhe i
pjekur mori formë të qartë më 20 tetor 1998, kur ajo, bashkë me kushërirën dhe
shoqen e saj të pandashme, Jehona Rakën, u paraqitën vullnetarisht në Komandën
e Brigadës për të kryer stërvitjet e nevojshme ushtarake dhe luftarake. Nuk ishte
një veprim i nxituar apo i paarsyeshëm, por një shprehje e bindjes së thellë
dhe e vendosmërisë për të marrë mbi vete barrën e rrezikut dhe përgjegjësisë së
madhe.
Në
prani të eprorëve të njohur të luftës, Qamil Ilazi dhe Hajrush Kurtaj, Lumnija
shprehu me fjalë të qarta dhe të sigurta gatishmërinë e saj për t’iu bashkuar
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo nuk e fshehu as përvojën dhe angazhimin e
deriatëhershëm, i informoi eprorët për aktivitetet e saj të mëparshme kundër
pushtuesit dhe për faktin se edhe shumë vajza të tjera nga Kaçaniku kishin
shfaqur të njëjtën vendosmëri dhe gatishmëri për të hyrë në radhët e UÇK-së. Ky
akt nuk ishte vetëm një vendim personal, por një thirrje morale dhe simbolike
që dëshmonte rolin e pazëvendësueshëm të grave shqiptare në luftën për liri –
të përgatitura jo vetëm për të ndarë dhimbjen dhe varfërinë e popullit të tyre,
por edhe për të marrë armën dhe për të dalë në ballë të përpjekjes kombëtare
për çlirim dhe dinjitet.
Gjatë
muajve tetor dhe nëntor të vitit 1998, Lumnije Raka i nënshtrohet një faze
intensive dhe individuale të stërvitjeve ushtarake, duke dëshmuar një
përkushtim të jashtëzakonshëm për të përvetësuar aftësitë që i duheshin në
betejën për liri. Ky trajnim nuk ishte një ushtrim formal, por një proces i përqendruar
që synonte formimin e saj të plotë si luftëtare e përgatitur, e cila do të mund
të përballonte sfidat e vërteta të terrenit dhe të situatës së ashpër të
luftës. Përgatitja e saj për detyrat e vëzhgimit dhe të mbikëqyrjes u zhvillua
nën kujdesin e komandantit të skuadrës së policisë ushtarake, Fadil Qaka – një
oficer i përkushtuar që i përcolli asaj jo vetëm njohuri teknike, por edhe
frymë disipline, vigjilence dhe përgjegjësie. Në këto seanca stërvitore nuk
ishte vetëm, si gjithmonë përkrah saj stërviteshin edhe Jehona Raka dhe një
grup i zgjedhur vajzash të tjera nga Kaçaniku, duke formuar një bërthamë të
fortë dhe të përkushtuar të grave që vendosën të sfidonin rolet tradicionale
dhe të merrnin pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rezistencën e armatosur.
Pas
përfundimit me sukses të kësaj faze të stërvitjes, Lumnija u sistemua bashkë me
shoqet e saj në njësitin vëzhgues të policisë ushtarake – një njësi e
specializuar që vepronte në brendësi të qytetit të Kaçanikut. Këtu, ajo mori
përsipër detyra të rëndësishme dhe delikate, duke siguruar informacion, duke
monitoruar lëvizjet e armikut dhe duke kontribuar në ruajtjen e rendit dhe
moralit brenda komunitetit të rezistencës. Karakteri i saj i vendosur dhe
ndjenja e lartë e përgjegjësisë e shtynin vazhdimisht të kërkonte më shumë, ajo
iu drejtua disa herë komandës së brigadës me kërkesën që të merrte pjesë aktive
në aksione kundër forcave pushtuese serbe dhe kundër bashkëpunëtorëve shqiptarë
që ishin vënë në shërbim të armikut, duke tradhtuar popullin e vet. Kjo dëshirë
nuk ishte nxitur nga urrejtja personale, por nga një ideal i pastër i
drejtësisë dhe nevoja për të mbrojtur dinjitetin dhe lirinë e bashkëqytetarëve
të saj. Përgjatë gjithë kësaj kohe, deri në fund të muajit shkurt 1999, Lumnija
e përmbushi me përpikëri dhe përkushtim të plotë detyrat e saj në njësinë
vëzhguese dhe në skuadrën e policisë ushtarake. Mirëpo, me fillimin e marsit të
atij viti, ndërsa lufta përshkallëzohej dhe plagët e saj bëheshin gjithnjë e më
të dukshme, ajo u vendos në një pozicion tjetër të rëndësishëm, në pikën e
luftës në lagjen Rakoc të Kaçanikut, ku shërbeu si infermiere e luftës.
Ky
rol i ri nuk ishte më pak i rëndësishëm se ai i armëmbajtëses, ai kërkonte
guxim moral, aftësi profesionale dhe një dhembshuri të jashtëzakonshme.
Nga
njësia vëzhguese dhe skuadra e policisë ushtarake, Lumnija u sistemua në ekipet
mjekësore të Batalionit të Dytë, të udhëhequr nga Azem Guri. Në këtë kuadër,
ajo mishëroi me plot kuptim rolin e luftëtares dhe të shërbyeses së popullit të
vet, një figurë që nuk njihte kompromise as në fushën e betejës, as në
shërbimin humanitar, duke dëshmuar se liria nuk fitohet vetëm me armë, por edhe
me përkujdesje, solidaritet dhe dashuri për njerëzit. Lumnije Raka gjatë tërë
atyre muajve sa ishte luftëtare e UÇK-së, u shqua si një figurë e kompletuar e
rezistencës çlirimtare, duke dëshmuar aftësi të rralla dhe një përgatitje të
gjithanshme që përfshinte si mjeshtërinë luftarake, ashtu edhe dijet mjekësore.
Në përdorimin e armës ajo tregoi shkathtësi të admirueshme, duke zotëruar
teknikën e qitjes në distanca të ndryshme me një siguri që i bënte përshtypje
eprorëve dhe bashkëluftëtarëve. Në të njëjtën kohë, njohuritë e saj në mjekësi
e bënin të vlefshme në çdo situatë, duke i mundësuar të shndërrohej në një figurë
të pazëvendësueshme të luftës çlirimtare.
Shërbimi
i saj ishte i larmishëm dhe i pandalur. Fillimisht, ajo u angazhua si vëzhguese
dhe police ushtarake – një detyrë e ndjeshme dhe e rrezikshme që kërkonte
vigjilencë të jashtëzakonshme dhe vendime të shpejta. Nuk ishte një rol i
thjeshtë periferik, por një angazhim i drejtpërdrejtë, i cili bëhej me porosi
dhe nën drejtimin e drejtpërdrejtë të komandës së brigadës. Aty Lumnija tregoi
integritet, besnikëri dhe aftësi organizative, duke fituar respektin dhe
besimin e të gjithë atyre që e njohën nga afër. Por kontributi i saj nuk u ndal
me kaq. Me riorganizimin e brigadës dhe përshkallëzimin e luftimeve, ajo mori
mbi vete rolin e luftëtares në vijën e parë dhe atë të infermieres së betejës,
ku shkëlqeu për përkushtimin, profesionalizmin dhe humanizmin e saj. Ajo nuk u
kursye asnjëherë, duke u gjendur aty ku plagët e luftës ishin më të thella,
duke qetësuar dhimbjen dhe duke shpëtuar jetë.
Në
njësinë mjekësore, si infermiere, ajo ndërtoi lidhje të forta me shoqet e saj
të armëve dhe të idealit, si Melihate Shehu dhe Valdete Shurdhani. Ato ndanin
jo vetëm përgjegjësinë e rëndë të shërbimit në kushte lufte, por edhe dhimbjen,
shpresën dhe vendosmërinë për të mos u dorëzuar përpara asnjë vështirësie. Me
rastin e riorganizimit të njësive dhe rivendosjes në pozicione të reja, Lumnija
qëndroi pranë bashkëluftëtarëve të saj më të afërt: Jehona Reka, Emsale Frangu,
Fadil Çaka, Ilir Zharku, Nehat Çaka, Muhamet Zeneli, Faruk Dogani, Kadri Trena
dhe Avdylrrahman Shehu. Ata mbetën të bashkuar deri në çastet e fundit, duke
përbërë një bërthamë të pathyeshme të rezistencës që frymëzonte të gjithë
luftëtaret që ndodheshin aty.
Aftësitë
fizike të Lumnijes ishin po ashtu mbresëlënëse. Ajo ishte shtatlartë, e
shëndetshme dhe e fuqishme, ajo përballonte me lehtësi ngarkesat e mëdha fizike
të luftës. Ky qëndrim i saj i vendosur dhe i pathyeshëm në terren nuk ishte
rastësi, por shprehje e një talenti të lindur për përdorimin e armës, të cilin
e zotëroi me shpejtësi dhe mjeshtëri. Dhe rezistenca e luftëtarëve nuk
zhvillohej vetëm në malet përreth, por edhe brenda vetë qytetit të Kaçanikut,
ku njësiti tashmë i dëshmuar i Policisë Ushtarake kryente veprimtari të
guximshme dhe të domosdoshme. Në këtë formacion vepronte edhe Lumnije Raka, e
cila mori pjesë në shumë aksione të suksesshme, duke kontribuar në mbajtjen
gjallë të frymës së qëndresës dhe në mbrojtjen e popullit të saj nga dhuna e
egër e pushtuesit. Ajo ishte shembulli i gjallë i trimërisë, përkushtimit dhe
dashurisë së palëkundur për atdheun.
Me
një ndërgjegje të qartë për rrezikun që i kanosej popullatës civile të
Kaçanikut, e cila ishte përqendruar kryesisht në lagjet e brendshme të qytetit,
luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u angazhuan në një strategji
vendimtare të mbrojtjes aktive. Për të parandaluar depërtimin e forcave
pushtuese serbe, ata ndërmorën një sulm të mirëorganizuar dhe të befasishëm në
hyrje të qytetit, duke goditur me vendosmëri kolonën e motorizuar të armikut.
Ky aksion i guximshëm rezultoi me neutralizimin e një autoblinde dhe
shkatërrimin e një kamioni që transportonte ushtarë dhe municione, duke e
ndalur avancimin e forcave serbe në zonën e njohur si Lagjja e Re. Falë kësaj
ndërhyrjeje, forcat pushtuese nuk mundën të depërtonin më thellë në zemër të qytetit,
aty ku rrezikohej drejtpërdrejt jeta dhe siguria e civilëve të pambrojtur.
Përballë kësaj disfate të papritur, armiku reagoi me egërsi dhe hakmarrje të
shfrenua, filluan granatime të pandërprera dhe sulme me mitralime të kalibrave
të ndryshëm, të drejtuara jo vetëm kundër pozicioneve të UÇK-së, por edhe mbi
vetë vendbanimet civile. Ishte një demonstrim i pastër i doktrinës së tyre
famëkeqe të “tokës së djegur” dhe i strategjisë së gjenocidit mbi popullsinë
shqiptare, të cilën e dëshmuan edhe më qartë gjatë aksioneve të përgjakshme të
8 prillit 1999.
Në
këtë klimë të tensionuar dhe të mbushur me frikë, formacionet ushtarake të
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk e humbën orientimin strategjik dhe moral,
mbrojtja e popullatës civile mbetej obligimi parësor dhe i panegociueshëm. Për
më tepër, ata vepronin në përputhje të plotë me urdhrat e Shtabit të
Përgjithshëm të UÇK-së, duke forcuar pozicionet mbrojtëse dhe duke konsoliduar
praninë e tyre në qytet. Në këtë kontekst, u shtuan përqendrimet e forcave të
UÇK-së brenda Kaçanikut, përfshirë këtu Batalionin e Dytë dhe formacionet e
Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Por armiku, i zemëruar dhe i turpëruar nga humbjet
që kishte pësuar një ditë më parë, më 9 prill 1999, mori masa ekstreme për të
përmbysur rezistencën. Rrethimi i qytetit u bë i plotë, duke përdorur të gjithë
potencialin ushtarak, policor dhe paramilitar.
Sulmi
serb u përqendrua me forcë të veçantë në lagjet Dushkajë, Rakoc, te Përroni i
Rakocit dhe Lagjen e Re. Dushkaja nuk ishte thjesht një shënjestër, ajo u dogj
për të dhënë shembullin e frikës dhe terrorit dhe njëherësh u kthye në një
pozicion strategjik prej nga armiku sulmonte pjesët e tjera të qytetit.
Luftimet që shpërthyen ishin të ashpra, të pamëshirshme dhe të pabarabarta.
Pavarësisht mungesës së armëve të rënda dhe epërsisë numerike të armikut,
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ia doli të shkaktonte humbje në njerëz dhe të
dëmtonte teknikën ushtarake të forcave serbe. Por hakmarrja e verbër e
pushtuesit u derdh mbi civilët e pafajshëm. Kjo ditë tragjike, e mbushur me
heroizëm dhe sakrifica, u pagua shtrenjtë, shumë ushtarë të UÇK-së dhe
pjesëtarë të popullsisë civile ranë dëshmorë, duke e vulosur me gjak
rezistencën dhe dëshirën e pathyeshme për liri të një populli të tërë.
Por,
data e 9 prillit 1999, mbetet një nga ditët më të dhimbshme dhe më të rënduara
në kujtesën kolektive të Kaçanikut dhe të gjithë Kosovës. Në atë ditë të zezë,
28 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë dëshmorë, duke dhënë jetën
e tyre në mbrojtje të vendit dhe të dinjitetit kombëtar. Dy të tjerë mbetën të
plagosur rëndë, ndërsa tmerri i luftës goditi pamëshirshëm edhe popullsinë
civile, duke martirizuar 32 vetë dhe lënë të plagosur tre të tjerë. Ishte një
ditë ku kufiri mes jetës dhe vdekjes u bë i padukshëm, ndërsa guximi dhe
sakrifica shënuan kulmin e tyre. Po atë ditë, në mesin e atyre që dhanë jetën
për lirinë e Kosovës, ra edhe Lumnije Sherif Raka – një figurë e ndritur e
rezistencës, e cila kishte zgjedhur me vetëdije të rreshtohej në anën e
drejtësisë dhe të lirisë. Ajo nuk u tërhoq përballë rrezikut, por qëndroi me
vendosmëri në vijën e parë, duke dhënë dëshminë më të lartë të përkushtimit të
saj ndaj atdheut.
Trupat
e Lumnijes, Jehonës dhe të bashkëluftëtarëve të saj nuk u kthyen menjëherë te
familjet e tyre për një varrim të denjë. Ata u gjetën më pas në një varrezë
masive në fshatin Kaçanik i Vjetër – një dëshmi tjetër e tmerrit dhe mizorisë
së strategjisë së pushtuesit, që kërkonte të fshinte gjurmët e krimeve dhe të
mohonte edhe nderimin e fundit për ata që patën guximin t’i kundërviheshin.
Por, pas çlirimit, në korrik të vitit 1999, shokët e saj, luftëtaret e UÇK-së,
nuk e lan këtë padrejtësi të mbetej e tillë. Organizuan një ceremoni të veçantë
rivarrimi me nderime ushtarake, ku trupat e Lumnijes, Jehonës dhe të dëshmorëve
të tjerë u vendosën në Varrezat e Dëshmorëve në vendin e quajtur “Te Dardha” në
Kaçanik. Ky akt nuk ishte thjesht një detyrim formal, por një përkushtim i
thellë moral për të nderuar jetët e flijuara dhe për të ngritur mbi to themelet
e ndërgjegjes së re kombëtare.
Për
të përjetësuar kujtimin e rënies dhe për të ruajtur gjallë ndër breza
shembullin e sakrificës, në vendin e rënies në Rakoc të Kaçanikut u ngrit një
lapidar i përbashkët. Ai përkujton jo vetëm Lumnijen e Jehonën, por edhe 18 dëshmorë
të tjerë dhe 22 civilë të vrarë në atë ditë të përgjakshme – një monument i
dhembjes dhe krenarisë, që flet pa fjalë për çmimin e lirisë dhe për nderin e
atyre që u flijuan për të.
Sot,
trupi i Lumnije Sherif Rakës pushon në paqe në Varrezat e Dëshmorëve të
Kaçanikut, pranë shokëve dhe shoqeve të saj të armëve dhe të idealit. Ai vend
është më shumë se një hapësirë varrimi – është një altar i kujtesës kombëtare,
ku nderohen ata që me jetën e tyre dëshmuan se liria nuk është dhuratë, por një
e drejtë e fituar me gjakun dhe guximin e më të mirëve të një kombi.
Familja
e Lumnije Rakës në Kaçanik është nderuar dhe vlerësuar për sakrificën e bijës
së saj dëshmore me një sërë mirënjohjesh të rëndësishme, që pasqyrojnë
respektin dhe mirënjohjen e thellë të institucioneve për kontributin e saj të
jashtëzakonshëm në luftën për liri. Në shenjë nderimi për heroizmin dhe
flijimin e Lumnijes, kjo familje ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm
i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – organi më i lartë drejtues i rezistencës së
armatosur, që me këtë akt ka njohur dhe ka vlerësuar përkushtimin e saj si
pjesë e gjeneratës që u ngrit për të mbrojtur dinjitetin kombëtar. Po ashtu,
mirënjohje i është dhënë nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të
Kosovës, duke dëshmuar se kontributi i Lumnijes dhe familjes së saj nuk u shua
me fundin e luftës, por mbeti pjesë e themeleve mbi të cilat u ndërtua
përpjekja për shtetndërtim dhe siguri kombëtare. Ky nderim është thelluar edhe
më tej nga Komanda e Zonës dhe komanda e Brigadës ku ajo shërbeu me guxim dhe
përkushtim, duke treguar se akti i saj nuk ishte vetëm një shembull simbolik,
por një pjesë konkrete dhe e çmuar e organizimit dhe strategjisë së luftës
çlirimtare.
Përveç
strukturave ushtarake, edhe vetë populli ka shprehur mirënjohjen e tij.
Këshilli Komunal i Kaçanikut, vendlindja dhe trualli i formimit të saj, e ka
nderuar Lumnijen dhe familjen e saj, duke afirmuar se ky heroizëm ishte pjesë e
identitetit dhe krenarisë së përbashkët të qytetit. Në mënyrë të veçantë, edhe
shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, të përbëra nga ata që ndanë të njëjtat
sprova dhe ideale, kanë dhënë mirënjohje për familjen Raka, duke e vendosur
Lumnijen në panteonin e kujtesës kolektive si një figurë që frymëzon dhe ngjall
respekt në çdo brez që synon ta mbajë të gjallë kujtimin e sakrificës për liri.
Literatura:
1. Hajrush Kurtaj, Flakë e Pashuar,
Prishtinë, 2016
2. Musli Vërbani, Dëshmorët e 9 Prillit në
Rakoc dhe Lagje të Re, Kaçanik, 2013
3. Hajrush Kurtaj, Shungullon gryka e
Kaçanikut, Kaçanik, 2000
4. Grup autorësh, Në kërkim të dijes dhe
lirisë, 2004
5. https://www.radiokosovaelire.com/lumnije-sherif-raka-11-6-1976-9-4-1999/
6. https://www.radiokosovaelire.com/hajrush-kurtaj-kater-heroina-te-uck-se-ne-zonen-e-kacanikut-lumnije-raka-jehona-raka-emsale-frangu-mukadeze-muhaxhiri/
7. https://sinjali.com/rrefimi-i-nenes-se-deshmores-lumnije-raka-e-kam-kundershtuar-se-kam-ditur-atehere-qe-vajzat-shkojne-ne-lufte/
8. https://orashqiptare.blogspot.com/2014/09/organizimi-i-sektorit-te-shendetsise.html
9. https://www.washingtonpost.com/archive/politics/1999/06/15/in-a-village-signs-of-a-massacre/f6c185e9-ca5d-4a46-af9d-c5c218a18e6a/
10. https://www.facebook.com/GrykaKacanikut/photos/urime-8-marsi-p%C3%ABr-deshmoret-e-ka%C3%A7anikut-deshmoret-e-qytetit-te-kacanikut-mukadez/3351666588199126/?locale=bg_BG
11. https://www.rrenjet.iamalbanian.com/index.php?route=%2Ftree%2Falbanian%2Findividual%2FX5185%2FLumnije-Raka
12. https://deshmoretelirise.com/faqja/lumnije-sh-raka/