Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Llesh Ndoj: Është koha të flasim, ose të heshtim dhe të pranojmë sundimin e absurdit përgjithmonë

| E diele, 07.09.2025, 06:52 PM |


ËSHTË KOHA TË FLASIM, OSE TË HESHTIM DHE TË PRANOJMË SUNDIMIN E ABSURDIT PËRGJITHMONË

Nga Llesh NDOJ

Ata që më njohin nga afër, e njohin edhe shpirtin tim rrebel ndaj çdo padrejtësie, jo domosdoshmërisht vetëm ndaj atyre që drejtohen kundër meje e njerëzve të dashur, sepse siç thuhet, “kur ndjenë dhimbje, je gjallë, e kur ndjenë dhimbjen e tjetrit, je edhe njeri”! Pretendoj t’a kategorizoj veten në këta të fundit. Të tjerët, nisur nga korrektësia e serioziteti me të cilën mundohem të kryej çdo punë, ku dëshira apo detyra më involvon, mund të më marrin edhe si frikacak. Dhe nuk është as ky përceptim larg të së vërtetës, sepse unë jam frikacak sidomos nga vetja ime, pasi mundohem t’a ruaj fytyrën e të mos e shkoj dëm as edukatën familjare, as shkollën. Trembem nga ligji por edhe nga forcat e verbëra, sidomos ato me natyrë njerëzore, por flas hapur e ballë për ballë sa herë më jepet mundësia. Në fëmijërinë time isha rrebel ndaj varfërisë me të cilën e kalonim jetën, ndonëse prindërit e mij punonin si skllevër në bujqësi, në shkollën e mesme isha rrebel ndaj atyre që mua dhe të tjerëve si mua, na etiketonin “malokë”, ndonëse asnjë element qytetarie s’e kishin as sa unë e shokët e mij, përveçse kishin lindur e ishin rritur në zona gjeografikisht më të buta se unë, që vetëm njëherë kisha ra deri në qytet. Në shkollën e lartë u rebelova ndaj pedagogut, që padrejtësisht etiketohej si “gogoli i fakultetit” dhe jo për vlerësime e mosvlerësime që kishin të bënin me personin tim, në koperativë reagova rrebelisht e publikisht ndaj dy prej sekretarëve të ish - komitetit të partisë në mbledhje të hapura të popullit dhe ndaj ish - sekretarit të parë, në një mbledhje të zgjeruar administrate, ku merrnin pjesë edhe drejtuesit e ndërmarrjeve dhe institucioneve të rrethit, që lidheshin me bujqësinë përmes marrëdhënieve kontraktuale ose të vartësisë administrative. Njejtë veprova edhe në ish - prefekturë, ku një klikë pseudosocialistësh drejtonin përmes shisheve me wisky e parave të kontrabandës së drogës e të armëve. E kam bërë këtë, e s’jam  penduar kurrë, edhe pse veç burgut, të tjerat hakmarrje i kam provuar mbi kurriz dhe do të vazhdoj t’a bëj, se besoj fort tek fuqia e së drejtës, tek forca e fjalës e tek rezistenca ndaj të së keqes, qoftë edhe i vetëm e me humbje personale. Sidomos tash, kur formalisht nuk të burgos kush për fjalën. Gjejë mbështetje në mosheshtjen time edhe tek shën Tereza, e cila thoshte: Bëje atë që është e drejtë, edhe në se s’është e lehtë! Dhe e drejta s’është kurrë e lehtë e nuk vjen pa dhimbje, por duke e kultivuar e duke ia hapur asaj rrugën me mund e sakrifica, secili sipas mundësive që ka e mjeteve që zotëron.

Demokraci, aq sa unë kuptoj nga teoritë politike, do të thotë pushtet i populli, do të thotë që gjërat të bëhen duke e pyetur popullin, në shërbim të tij e me transparencë të plotë, e llogaridhënie ndaj tij. E di se kjo është idealizëm i kulluar, por ne duhet të bëjmë atë që kemi në dorë, duke synuar drejt asaj: Për këtë, minimum është t’a shfrytëzojmë atë që na e jep ligji, qoftë edhe formalisht, të drejtën e fjalës. Në se heshtim sot, nuk kemi pse qahemi nesër, kur mund të jemi përballë një diktature, neodiktature apo autoriteti shtetëror arbitrar. Madje, unë mendoj, se edhe pse e kemi kaluar diktaturën e hapur e të ligjëruar që në vitin 1990, këto format e tjera neodiktatoriale, me shfaqje shumëformëshe, nuk na janë ndarë asnjëherë. Më pëlqeu një lloj kategorizimi që profesori universitar, Dr. Pal Nikolli kishte bërë këto ditë dhe botuar në gazetën “Sot”, të datës 27/08/2025

Diktaturën e hapur të Enverit, tek ne e pasoi forma e “diktaturës së heshtur” në sundimin e gjatë berishian, në pushtet dhe në opozitë. Të flisje një fjalë a të mbaje një qëndrim që nuk i pëlqente atij dhe bandave që e shoqëronin nëudhëtimin në pushtet, e nuk përmbushte shijet e tij thekshëm autoritare, etiketimet komunist dhe enverist ishin minimalja e reagimit, ashtu siç duhej të ishe fatlum të mjaftoheshin thjesht me një largim nga puna. Në se në ndryshim nga sistemi i kaluar, burgu nuk mund të hapej për fjalën e gojës, quheshe fatlum në se nuk përfundoje në duart e ndonjë grupi horrash, që të masakronin pamëshirshëm, apo në ndonjë aksident të inskenuar automobilistik, ndonjë vdekje të papritur në spitalet, ku të çonin pa diagnozë, apo nën pushtetin e “plumbave qorr”, që shikonin mjaft mirë e shenjestronin kundërshtarët. Të njejtin fat kishin edhe ata që ishin në të njejtën llogore me të, të cilët, nën shembullin e idhullit të vet Hoxha, nuk nguronte t’i shpallte armiq. E gjitha kjo, ishte një model diktature, që synonte e synon të diktojë heshtjen, me synim që të zhvillohet e pa shqetësuar në habitatin e vet autoritar. “Diktaturë e heshtjes” është etiketimi më i përshtatshëm, për t’mos i thënë hapur me emrin real, diktaturë!

Nano, njihet si më jetëshkurtëri drejtues në demokracinë tonë jofunksionale, por edhe si më liberali mes atyre që e kanë sunduar (nuk mund të them udhëhequr) këtë vend pas vitit 1990 - të. Por as ai nuk i shpëtoi drejtimit autoritar. Ndoshta më shumë se ai, të tjerët rreth tij punuan nën rrogoz për të ndërtuar kultin e udhëheqësit liberal, por fuqiplotë. Herë me arësye e herë pa arësye, në emrin e liberalizmit të tij hiqeshe nga puna, përndiqeshe nga organet tatimore në se kishe biznes, dominoheshe nga të fortit, që vetë shteti i kishte si vegla. Kultin e tij prej liberali, e bëri autoritar e të dëmshëm edhe burgosja prej Berishës, pa fakte e arësye, veçse rrezikonte pushtetin e tij. “Liberalizmi” i tij, ishte mundësi maksimale përfitimi për kameleonët në pushtet e rreth pushtetit, ndërsa përkthehej në “ligjin e xhunglës” për të pambrojturit. Kjo “diktaturë liberale” e Nanos e dëmtoi edhe atë vetë, por së shumti dëmtoi socialistët e të gjithë shoqërinë, sepse pasojat e “liberalizmit” të tij nënshtruan ata që i besonin dhe e ndiqnin verbërisht, dhe fuqizuan horrat socialistë e demokratë, duke e kthyer demokracinë në nocion teorik jofunksional.

Po Rama? Ai është i zgjuar e i djallëzuar, sa dy të tjerët bashkë e ndoshta më shumë se ata. Qeverisja e tij është demokraturë mikse, që luhatet mes demokracisë e diktaturës, e shfaqur kjo herë në formën e heshtjes e herë në formën liberale, por asnjëherë sipas normave ndërkombëtarisht të njohura të përkufizimit të demokracisë funksionale. Jetëgjatësia e tij në pushtet përtej çdo parashikimi e normaliteti demokratik, autoriteti absolut i njëshit në gjithçka ndodh në vend, edhe në korrupsionin galopant besoj unë, s’ka asnjë ndryshim nga diktaturat e pashpallura, por funksionale. Ai, me plotfuqishmërinë e tij, të merr nga hiçi e të ve në maje të pushtetit, të zbret prej aty drejt e në fund të ferrit, të merr “pa brekë” e të largon prej aty duke të dërguar në burg, ose të veshur me flori që mund të jetosh si sheik në Shqipëri ose emigrant, në këmbim të heshtjes. Ai bën vetë edhe luftën edhe paqen, “lëshon” vetë tërmetin e vetë zhduk pasojat, “ndez” vetë zjarrin e mobilizon po vetë zjarrfikëset për t’a shuar atë, “të plagos” e të “operon” po vetë në spital. Vetëm, të paktën deri tash, nuk ka prova se të vret dhe se ka fuqinë e “frymës së shenjtë” për të të ringjallë!

Emrin verja si të duash, por heshtja është aleati më i madh i këtyre modeleve jodemokratike, ndërsa fjala e reagimi gjëja e duhur, ndonëse jo pa pasoja. Por duhet të flasim sot edhe pse vonë, ndryshe do të na duhet të heshtim përgjithnjë e të mos çuditemi aspak kur të mos kemi më asnjë fuqi reaguese. Apo s’po plakemi si shoqëri me një shpejtési skëterrë e reagimi ynë për ndryshim nesër s’mund të vije nga një popullsi natyralisht e plakur e artificialisht e tredhur. Unë zgjedh të mos hesht edhe pse zëri im shpesh tingëllon si një klithmë në shkretëtirë.

Plot një vit më parë kisha botuar në organet e shtypit një artikull - opinion modest, titulluar “Vidh të vjedhim, se ka për të gjithë!”. Mes opinioneve të shumta ku shprehesha se korrupsioni është forca e vërtetë që qeveris fuqiplotë në këtë vend, shprehja edhe një mendim a opinion se vidhemi hapur kudo e në mes të ditës dhe sillja si shembull parkimin publik në sheshin administrativ të qytetit, ku trau ngrihej me para, por askush nuk të jep një kupon tatimor për ato që paguhen cash, megjithëse edhe një kafe ligjërisht nuk ke të drejtë t’a shesësh pa kupon. Aludoja se vidhet, natyrisht si opinion, pa fakte të mëtejshme, se faktet duan autoritet kontrolli, por thjesht nisur nga paligjshmëria e arkëtimit të parasë pa kupon tatimor, nuk përmendja e s’kisha si të akuzoja askënd me emër, se nuk jam politikan t’a bëj këtë, por shprehesha se të tillë nuk mund të ishin ata punonjësit e traut edhe në se “padashje” atyre u mbetej ndonjë qindarkë në xhep. Shpresova të reagonte dikush, por kaloi një vit me të njejtën muzikë. I drejtohem pastaj Zyrës së Bashkëqeverisjes, me të cilën kisha patur një përvojë pozitive para shumë vitesh. Korrekte në afat, por aspak e tillë në përmbajtje, më vjen një përgjigje që citonte fjalët e bashkisë, ku përmendej ligjshmëria e ngritjes së parkimit dhe jepte edhe vendimin përkatës të këshillit me numër e me datë, miratuar edhe nga prefekti, më sqaronte se ai parkim administrohej nga punonjës të emëruar nga bashkia dhe se ishin arkëtuar pak më shumë se 1,5 milion lekë në vitin 2024 dhe pak më shumë se 1,8 milion në 7 mujorin janar - korrik 2025. Por e gjitha kjo s’kishte të bënte me mua e me ankesë - kërkesën time, ndonëse analiza më e thjeshtë e nxjerr zbuluar efektivitetin ekonomik të traut, kur dihet se janë të paktën 3 punonjës që paguhen për këtë, llogaritur qoftë edhe me pagën minimale plus sigurimet shoqërore që paguan punëdhënësi. Unë në artikullin që ua nisa edhe atyre e në kërkesën time ngrija shqetësimin se arkëtimi i parave cash nga një organ shteti, hapur dhe disa herë në ditë, në sytë e kujtdo, pa kupon tatimor, ishte paligjshmëri e paligjshmëria krijon dyshime të arësyeshme për vjedhje. Këtë pakënaqësi ia thashë hapur me e-mail zyrës përkatëse, bashkë me zotimin se ankimi im prej asaj dite, do të kishte të bënte edhe me ata. Unë prap nuk e di kush vjedh, por jam i bindur se aty vidhet, nuk e di sa vidhet, por jam i bindur se shuma e arkëtuar është larg, shumë larg realitetit. Bindem në drejtësinë e ligjshmërinë e vendimit të këshillit bashkiak, konfirmuar nga prefekti i kohës, por habitem se si ai këshill bashkie nuk e analizon ligjshmërinë e funksionimit dhe efektin ekonomik publik të vendimmarrjes së vet!

Pas festës së “të ikurve” përfunduar me 15 gusht, shoh se trau në hyrje dhe në dalje të parkingut qëndron i ngritur si ushtar, duke “nderuar” hyrjen dhe daljen e kujtdo. U habita disi prandaj e shfrytëzova rastin, dhe si me naivitet, pyes dikë që mund të kishte informacion rreth çeshtjes.

- Ouuuu, - më thotë, - ka ardh task forca, e s’mund të ulet trau derisa të vihet makineria që lëshon kuponin tatimor për arkëtimet! Nuk e di sa e vërtetë është kjo, as nuk kam hyrë më në atë parkim që nga dita kur kërkova kuponin tatimor e s’ma lëshuan, por kjo më inkurajon të them se duhet të flasim e duhet të ngremë zërin të gjithë, sepse të gjitha diktaturat instalohen nga heshtja e duartrokitja e veprimeve qeveritare prej të qeverisurve dhe frenohen e rrëzohen nga reagimet qytetare. Nuk jemi akoma aty, por as krejt larg saj jo!