Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fadil Bekteshi: 'Trumbetat e tellallit' bien në një kohë amorfe

| E shtune, 06.09.2025, 06:55 PM |


Në shenjë përkujtimi

“TRUMBETAT E TELLALLIT” BIEN

NË NJË KOHË AMORFE

Kalosh Çeliku: “TRUMBETAT E TELLALLIT” (skica dhe poezi satirike), Shtëpia Botuese Gazetare “ASDRENI”, Shkup – 1992.

NGA FADIL BEKTESHI

Historia e letërsisë botërore na ofron fakte, apo të dhëna të pakontestueshme se, në periudha të caktuara të kultivimit të letërsisë të akcilit popull, ngjajnë aso kthesash të rëndësishme, të cilat shquhen me vokacione të reja krijuese, që i japin një impuls të fuqishëm zhvillimit të diapazonit artistik të saj. Ndërkaq, penën e çdo krijuesi të mirfilltë e provokon, në radhë të parë, realiteti jetësor dhe, për më tepër, realiteti dramatik që rrit tensionin shoqëror e politik dhe që domosdosmërisht para një populli shtron dilema të papritura që kërkojnë zgjidhje vizionare. Në këtë kontekst, edhe roli dhe përgjegjësia e shkrimtarëve vetëvetiu rritet, porse këtë përgjegjësi jo të gjithë e realizojnë me dinjitet dhe në kohën e duhur. Prandaj del në syprinë një fiferencim spontan që shkrimtarët e një populli i kategorizon në dy lloje: Shkrimtarët apo krijuesit letrarë që nuk korrospondojnë me kthesat shoqërore e politike si pasojë e amullisë, mediokritetit dhe shterrjes krijuese; që shkojnë ndesh me çdo vizion pozitiv dhe progresiv, kurse llojin tjetër e përbëjnë shkrimtarët me talent, që marrin hov krijues pikërisht kur bashkëveprojnë me popullin dhe bashkëjetojnë me hallet e tij, dhe që me invencionin krijues mbështesin pulsimin e ri të kohës dhe, në këtë mënyrë, vëhen në radhët e para të avangardës letrare që shtron kërkesa të reja për hapje shtigjesh të pashkelur në lëmin e letërsisë kombëtare. Më pastaj, përcaktimi i tyre presupozon rolin demaskues të letërsisë dhe jorastësisht kjo nisë të shtrohet përmes satirës. Në këtë vazhdë edhe libri më i ri i shkrimtarit Kalosh Çeliku “Trumbetat e Tellallit” përshkohet, fillim e fund, nga satira therrëse, ngaqë autori nuk mund të rrijë indiferent për gjithë atë që ndodh përreth tij, aq më tepër kur është dëshmitar aktiv i humbjesë së kritereve morale dhe gëlimit të dukurive negative që nëpërkëmbin vlerat elementare humane dhe shoqërore. Por më tepër kjo përbën një vazhdimësi të shquarjes së talentit të shkrimtarit Kalosh Çeliku, i cili, përveç disa librave të suksesshëm me prozë e poezi për fëmijë, botoi edhe romanin “Varrimi i sorrave”, ku avancon fuqishëm përmes satirës dhe që autorin e rradhitë ndër shkrimtarët e shquar bashkohorë të letërsisë sonë. Skicat “Intelektuali i rrejshëm”, “Turbinat e aparatit burokratik”, “Palaçoja i oborrit mbretëror”, “Qenin tim ma ndërsyen pas shpine”, “Gjenitë me gunat krahëve”, “Skuadra e futbollit ndjek autorin”, “Flijimi artistik për një okë drith” etj. Do jenë halë në sy për pseudointelektualët, pseudoshkrimtarët, union intelektualët, pseudopatriotët nga radhët e inteligjencisë dhe për të gjithë të tjerët që mundohen të fshihen përmes një mimikrie politike pluraliste. Pikërisht këtu rrah fuqishëm pulsi satirik i shkrimtarit dhe demaskimi është vërtet i pamëshirshëm! Stili i të shkruarit është formësuar aq mirë, saqë demagogjinë, hipokrizinë, dallkaukllëkun, snobizmin, sahanlëpirësinë e individëve dhe klaneve të intelektualëve dhe të vetëquajturve shkrimtarë nëpër disa redaksi si dhe karrieristët neopartiakë i qëllon për vdekje me shpatën e satirës. Ndërkaq, satira e shkrimtarit sikur merr forcë të re sidomos në poezitë e ciklit “ELEGJI PËR ÇIFTELI”, përmes të cilave autori degëzon talentin e vet polivalent. Poezitë satirike “Satrapët kur dalin para popullit”, “Huti poet”, “Kush ma zë Musë Sorrakun”, “Deputeti kur e vesh struken”, “Koordinatori ynë – liberatorë” etj. përbëjnë gradacionin satirik të skicave që këtë herë shprehet përmes vargjeve të poezive që jorastësisht korrespondojnë me formën dhe ritmin e këngëve popullore kërçovare, që përvetësohen me kënaqësi nga lexuesi. (Karikaturat e mrekullueshme të Dhimitër Ligorit, janë vënë në funksion të komunikimit depërtues të librit me lexuesit!). Gjithë këto bashkë përbëjnë vlera letrare – artisike e dokumentuese të librit që kemi në dorë dhe që edhe një herë dëshmojnë për një shkrimtar serioz, të talentuar dhe të angazhuar me guxim krijues në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Mendojmë se libri pa dritën e botimit në një kohë amorfe, kur jemi dëshmitarë të “lindjes së vështirë” të demokracisë ballkanike dhe kur neobilshevikët, neocenzurkuqët, mediokrët e vjetër e të rinj të letërsisë përpiqen t’i konsolidojnë radhët pas ngushtimit të hapësirës manovruese që tkurr privilegjet e pushtetit dhe sidomos kur policia letrare nëpër redaksitë tona lidh pakte të reja me çarshinë dhe klanet hipokrite për pengimin apo sabotimin permanent të shkrimtarëve të vërtetë e sidomos të shkrimeve satirike të këtij lloji, që vetëvetiu përbëjnë lemerinë dhe tmerrin për korbat e sorrat “rreth Mullarit - Bit Pazarit”... Ndërkaq, thumbat satirik të autorit do të nguliten ç’ke në të në lëkurën e trashë të kolltukofagëve monistë dhe postmonistë, që nuk denjojnë ende të pranojnë botërisht dështimin e rëndë historik të një sistemi hipokrit si vetë ata!...

Kumanovë, revista letrare DORUNTINA nr. 2 / 1993. Pastaj, libri, DISIDENCË LETRARE (kritika dhe reçensione) nga shkrimtari Fadil Curri, 2018. Dhe, libri: që posa këto ditë e pa dritën: Parathënja letrare e librit “mish - mash”: “ZGËRDHIRJA” (botimi dytë, 2025 me humor dhe satirë).

(Shkrimin e përcolli për publikim Kalosh Çeliku, shkrimtar).