| E premte, 05.09.2025, 06:53 PM |
Rashel Solomon - simbolikë poetike universale e Vlorës
Vështrim në 5 poezi të Rashelës
Nga Albert HABAZAJ
Vështrim në 5 poezi të Rashelës:
1. Pa dashuri
Është detyrë e privilegj të jesh njeri,
zoti me dorën e tij nga tufa na ndau me
ligj
na dha mendje, zemër e gjuhë të
ligjërojmë
na fali mes nesh dashurinë që jetën ta
shenjtërojmë.
Por duhet ta ushtrojmë këtë detyrë e
privilegj,
të rritim brezat të qeshur e të gëzuar,
të ruajmë gjithësinë nga çdo gjë që i
bën keq,
përndryshe, kthehemi aty ku kemi
filluar.
Gjithçka pra ta bëjmë me dashuri e
ndjenjë
si bujku kujdeset për grurin që sa e
mbjell
si ujku që sa e lind të birin e përkëdhel
si dielli ngroh tokën pa përtim, me
zell
si prindi në çdo hap shoqëron fëmijën e
tij
deri sa jep shpirt e shuhet si qiri.
Pa dashuri, pushon së qeni si njeri
Pa dashuri s’mund të ketë as gjithësi
Pa dashuri, je diçka bosh dhe pa vlerë
Pa dashuri, s’mund të ndryshojnë as stinët që të vijë pranverë.
2. Dy gurë, dy flamurë...
Në trastën e dhimbshme të kurbetit
nuk ka as bukë, as ujë të ftohtë
në zemrën e saj shtrënguar
veç dy gurë të ngrohtë,
njëri nga Vlora - mëmëdhe ,
mëmëdheu i bekuar,
tjetrin nga Jerusalemi - atdhe
atdheu i shenjtëruar.
Joni dhe Adriatiku Vlorës bijë,
buzët ia freskojnë ngadalë
Mesdheu i merakosur,
Izraelin ledhaton
si mëma të vetmin djalë.
Ëndrra ime dallëndyshe,
të tre detet i përshkon
prej të treve me jetë vishet,
bekimi i tyre e shoqëron.
Një kënge do t'ia nis
për ju, at e mëmëdhe,
kumbimin e Shqipërisë
që prej shpirtit më buron
do ta nis në labërishte,
se besa jote mbrojti jetën tonë
si të ish një nënë ujkonjë.
Në gjuhën e vjetër hebraishte
me jehonën e Izraelit
këngën time po e mbyll
për Jerusalemin që e kam atdhe
më të madhin yll,
që shndrit në Mesdhe.
Në trastën e mekur të kurbetit
nuk ka as bukë, as ujë të ftohtë,
në shpirt të saj kush rrëmoi, gjeti
dy flamurë që i mban ngrohtë...
Kur qaj a qesh,
kokën mbështes
te këta dy gurë.
Në krahët e mallit
që më pushton aq sa të vdes,
me lot lagur këta dy flamurë
që s’i ndaj kurrë.
3. Sytë e bukur të nënës time
(Xhokonda Sollomoni-t)
Sytë e tu nën kupën e qiellit
merrnin një ngjyrë gri në blu
si pika ku bëhen njësh qiell e det
ja ashtu, rrëzëllenin sytë e tu.
Buzëqeshjen atyre ua falën yjet
mëkonin veç dashuri
më ëmbëlsi se mjalti në hoje bije
kur vështrimin larg e hidhje ti.
Me ata sy, babai im u dashurua
me ata sy depërtues, gri në blu
si qiell nga qielli tani më sheh mua
me magjepsësit, të kthjellëtit sytë e
tu.
4. Për jetën dollinë ta pimë me fund... Le Chaiim[1]
Në jetë më ka pëlqyer të vesh minifund
ta zgjas më kërkuan, por ai s’kish
fund.
Poezi thur çdo ditë e mendoj se
mbërrita në fund,
por ëndrrat më lënë zgjuar dhe ato
s’kanë fund...
Dashurisë sa herë, kërkon ti japësh
fund,
sa herë zemërohesh e thua: I dhashë
fund!
Premtimet i shkel dhe i shkel pa fund.
Oh, jo dashuria, vërtet s’paska fund!
Rrjedhin ditët, vitet, jeta lumë pa
fund,
botës oqean, ku t’ia gjesh një fund...
Ta lëmë gjithësinë, ashtu, të pafund,
për jetën dollinë le ta pimë me fund!
Le Chaiim! Le Chaiim!
Për jetën dollinë, me fund do ta pimë!
5. Në engjëll shndërruar
Nisa të shkruaj për ne një libër
të ta shpreh mallin më mirë nuk dija
emrat tanë shkruhen në Bibël,
mbesat e Judës jemi që të dyja.
Më largon dita, më afron nata,
te ty e shtrenjta jonë Fortunata.
Stemën e Davidit ...
në trup e mbi rroba ta qepën
mbi shpirtin tënd me këmbë të shkelën,
por harruan se numrat asgjë nuk dinë
për vellon e bardhë që le në Janinë.
Qepur e qëndisur nga e jotja dorë
viteve kur rriteshe, ku linde, në
Vlorë.
U nise në agim mbërrite aty nga nata,
të priti krejt Janina, Fortunata.
Ti ike në Janinë në tëndin fat,
halla jonë e dashur Fortunat’
derisa derën bishat ta shqyen
me burrin e fëmijët mizorisht të
rrëmbyen.
Në kampin e vdekjes kur jeni ndarë
me fëmijët dhe qielli ka qarë,
po ty Fortunata pranë kush të qëndroi,
kur qarjen e fëmijëve dheu e qetësoi.
Nëna jote kulloi dhe u shkri
bashkë me qirinjtë për çdo Shabat,
e rrinte te dera se mos vije ti
halla jonë e shtrenjtë Fortunat’.
Ngadalë ikte dita, në vend rrinte nata,
ylli që nuk shfaqej Fortunata.
Ndoshta shumë ke shpresuar në geto
me Shabat në zemër moj e mira teto,
të shkriu, të përpiu, të gëlltiti nata
me familjen engjëll, Fortunata.
Në engjëj për ne jeni shndërruar
na vini në ëndrra përherë të bashkuar,
ti me sy na ndjek në çdo Shabat
e dorën na jep të ngrihemi lart.
Ti dritë na bëhesh kur afrohet nata
halla jonë prej drite Fortunata.
***
Laureta, faleminderit
për lajmërimin.
Miq të letrave, kur
Laureta Petoshati më tha për sot, pra se më 2 shtator 2025, ora 11:00 në
Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj”, Vlorë do të zhvillohet një paradite
poetike dhe kulturore kushtuar zonjës së
nderuar Rashel Solomon, autore shqiptaro-amerikane e komunitetit hebre,
e prita me dashamirësi këtë njoftim të bukur dhe ndjeva një kënaqësi të dëlirë.
Ne nuk mund t’i bëjmë ftesa njëri-tjetrit, ne kemi detyrë morale të lajmërojmë
njëri-tjetrin për takime të tilla.
Rashel është krenare që
ka lindur në Vlorë. Edhe ne jemi krenarë se Rashel është motra jonë letrare.
Nuk e di përse emri Rashel Solomon
Më tingëllon si harmoni drite
Si një mirësi e ëmbël që këndon
Si e thjeshta krenari tek udhëton e rritet…
Përurimi i katër
vëllimeve poetike të autores Rashel Solomon: “Një
puthje për ty nga Jeruzalemi” (2018); “Dy
gurë dy flamuj” (2020) “Tre ura
kosher” (2023), dhe “Ëndërr
e largët” (2023) të katra botuar në shtëpinë botuese “Nacional”,
Tiranë nga dr. Mujo Buçpapaj, është një
detyrë bujare për bibliotekën e Vlorës dhe poetët e qytetit. Përnjohja me veprën
letrare të botuar deri më sot nga Rashela është një ngjarje kulturore ndoshta
unikale jo vetëm në Vlorë, por që siç shprehet dr. Iltana Koleka, “bashkojnë
kujtesën historike, traditën dhe shpirtin njerëzor” dhe me dëshirë ne
bëhemi pjesë e një udhëtimi poetik që lidh brigjet e historisë me horizontet e
shpirtit.
Edhe ne, edhe Rashel
jemi mesdhetarë, nga rrënja dhe nga degët. Vëreni sa bukur dhe vërtetësisht e përcakton
Mesdheun historiani i shquar francez Fernand Braudel: “Ç’është mMesdheu? Një
mijë gjëra njëhersh. Jo një peizazh i vetëm, por një pafundësi peizazhesh. Jo
një det i vetëm, por një vazhdimësi detesh. Jo një qytetërim i vetëm, por qytetërime
të ngjeshura pas njëri-tjetrit”[2]
Ajo është krenare për
vargjet që thur e qëndis me filigran shpirti, sepse është e vërtetë. Rashel,
edhe në poezi, sikurse në jetë është qytetare e botës në kuptimin e plotë të
fjalës: ajo është vlonjate, ajo është hebreje, ajo është amerikane, po ajo është
labe po aq. Duke qenë ekonomiste në profesion, ajo di ta vlerësojë dhe nderojë
ekonominë e fjalës, lakonizimin e saj për të shprehur me pak fjalë shumë
mesazhe poetike e qytetare. Duke u ndalur vetëm në 5 poezi, pikërisht në ato me
titull: “Pa
dashuri”, “Dy
gurë, dy flamurë...”, “Sytë e bukur
të nënës time (Xhokonda Sollomoni-t)”, “Për
jetën dollinë ta pimë me fund... = Le Chaiim” dhe “Në engjëll shndërruar” kushtuar hallës së saj të dashur Fortunata,
vërejmë se Rashel është poete e dëlirë që i është përkushtuar me tërë qenien
dashurisë së bukur dhe lirisë fisnike njerëzore. Ajo nuk shkruan poezi për
poezi. Falë edukimit qytetar dhe kulturës së gjerë, ajo shfaqet me
individualitetin e saj poetik, që e bën të dallueshme poezinë e saj nga të tjerët
në stilin e të thururit vargje me ritëm të zhdërvjellët, me rima të këndshme,
me figura stilistike, që i shkojnë aq për shtat, ku hijeshon vargjet e saj
metafora. Pa rënë në moralizim Rashela na dhuron poezi morali, me sherbetin e
mjaftueshëm artistik aq të domosdoshme për kohës e sotme, çuditërisht të
çoroditur. Poezitë e Rashel Solomon mund t’i quaj me dinjitet poezi të edukimit
qytetar dhe të mendimit filozofik në vargje. Poezia e saj jep mesazhe të
dashurisë njerëzore, por ajo është edhe revoltë për të drejtat e njeriut dhe
autorja di ta shprehë siç e ndjen shqetësimin intelektual dhe qytetar, revoltën
dhe dëshpërimin për ditë më të mira, për jetë më dinjitoze, për demokraci të
mirëfilltë pastërtore, jo kështu, të
infektuar keq...
Mikesha e miq të dashur! Poeti nuk
është një gjallesë me fantazi letrare në akuarium, poeti është shpirti i bukur
me dritë të ngrohtë njerëzore, është frymë e pastër, është uragan i fuqishëm,
është det i qetë, është emblema qytetare, sinomin i kaltër i një qyteti a
shteti.
Tek poezia “Pa dashuri” Rashela më
kujton thënien e mençur të shën Terezës
që na këshillon se me dashuri të madhe mund të bëjmë gjëra të vogla, se
“gur - gur bëhet muri” siç na mëson përvoja e urtësisë popullore, se pjesë e së
tërës jemi. Ja seç shkruan autorja: “Pa
dashuri, s’mund të ndryshojnë as stinët
që të vijë pranverë”. Apo tek poezia e hareshme “Për jetën dollinë ta pimë me fund... Le Chaiim”, kur shkruan “Ta
lëmë gjithësinë, ashtu, të pafund,/ për jetën dollinë le ta pimë me fund!”
duket sikur thotë, boll me punët e mëdha të gjithologëve, ejani ta jetojmë jetën,
të gëzojmë, të qeshim, të ndihemi mirë me veten, së pari, të bëjmë ato gjëra që
na pëlqejnë, që na rrinë mirë, që na bëjnë mirë. Kjo poezi, ku ravijëzohet me
hijeshi dhe këndon rima dhe ritmi, ka një strukturë të veçantë, se vjen si një
lojë elegante e fjalëve të zgjedhura dhe natyrshëm bëhet romantike, tërheqëse,
simpatike, me një rrjedhshmëri bukurtingëlluese në distikun e vargjeve, me 7 të
tillë.
Një nga poezitë më të ndjera si
strukturë dhe si lëndë poetike, si mall njerëzor, si nivel artistik është ajo
me titull “Dy gurë, dy flamurë...”,
liçensën poetike të të shkruarit e ka vetëm Rashel Solomon me shpirt të madh,
pa komplekse, me dashuri të ndritshme për njerëzit, për 2 shtetet e saj: Shqipërinë
dhe Izraelin, për 2 flamujt e saj, për 3 detet e saj dhe bekimin e Perëndisë së
Mirësisë, që si ajo dallëndyshja shtegtare: “Në trastën e dhimbshme të kurbetit/ nuk ka as bukë, as ujë të ftohtë/
në zemrën e saj shtrënguar/ veç dy gurë të ngrohtë,/ njëri nga Vlora -
mëmëdhe,/ mëmëdheu i bekuar,/ tjetrin nga Jerusalemi - atdhe/ atdheu i
shenjtëruar. Dhe vijon këputur nga trishtimi, për t’u mbushur me frymëzimin
e besimit: “Në trastën e mekur të
kurbetit/ nuk ka as bukë, as ujë të ftohtë,/ në shpirt të saj kush rrëmoi,
gjeti/ dy flamurë që i mban ngrohtë.../ Kur qaj a qesh,/ kokën mbështes/ te
këta dy gurë./ Në krahët e mallit/ që më
pushton aq sa të vdes,/ me lot lagur këta dy flamurë/ që s’i ndaj kurrë”.
Kush nuk shkruan poezi për nënën, mund
të jetë gjithçka, por jo njeri, poet kurrsesi jo. Ç’poezi të dashur, të ëmbël,
të dhembur ka bërë Rashela për Xhokonda Sollomonin, për sytë e bukur të mëmës së
saj, për ata sy që janë burim jete e pasqyrim dashurie, për buzëqeshjen që ia
falën yjet për të lumturuar familjen me ëndrrat më të lumtura të një jete
familjare, edhe pse babai - shkruan autorja “si qiell nga qielli tani më sheh
mua. Nuk bërtasin vargjet e Rashelës, nuk kërcasin, ato herë vallëzojnë lehtë
si ato balerinat, që shprehin gjithçka me gjuhën e trupit e herë egërsohen si
ujkonja e besës dhe hedhin furtunë.
“Në engjëll shndërruar” është një
elegji prekëse, që të drithëron leximin, që të fut në botën e vargjeve të
autores, që të duket sikur e njeh dhe ti Fortunatën si personazh epik, edhe pse
nuk e ke takuar dot hallën kapedane të Rashelës. Poezia ka muzikalitet
melankolik që rritet me nota heroike; poezia është strofike, nis me vargjet njëmbëdhjetërrokësh
(11 rrokësh), por lundron lirshëm, pa e përqendruar këtu vëmendjen, por tek
ndjeshmëria, impresioni që do të përjetësojë nëpërmjet kësaj poezie të dhimbjes
krenare, që rrok pamasa universale. Poezia është ndërtuar me strofa 4 vargjëshe
me rimë të kryqëzuar abab, me një gjuhë alegorike “Më largon dita, më afron
nata”, ku si një shportë të freskët me lule nderimi për heroinën e saj, autorja
na dhuron e na dhuron tufa me metafora e figura të tjera stilistike me aq aromë
nderimi. Rashel, me këtë poezi, ia ke arritur që njeriun tënd të gjakut, ta bësh
njeriun tonë të dashur të leximit. Ia ke arritur Rashel. Halla jote, dritë pastë
është personazh letrar tashmë, udhëton me ne, fluturon me shqiponjat, dritëron
nga yjet e lirisë njerëzore.
Vërej se në vjershërimin e saj, Rashela
ka një mozaik të pasur e bujar temash lirike dhe liriko-epike, ku me dashuri
shkruan për qytetin e saj të lindjes, Vlorën tonë dhe të sajën, për
Jeruzalemin, për heronj e shenjtë hebraikë, pa harruar kurrë, në asnjë rast të
vetëm Jozef Kantozin njërin
nga heronjtë e Luftës Kombëtare të Vlorës, 1920. Edhe dje, më 1 shtator 2025, në
akademinë historike në nderim të 105-vjetorit të Epopesë së Njëzetës, Rashel foli e vlerësoi edhe izraelito-shqiptarin Jozef
Kantozi që mori pjesë me armë në dorë në këtë luftë çlirimtare për Vlorën
e Shqipërinë, krahas luftëtarëve të tjerë, dëshmorëve dhe heronjve
shqiptarë. Ndaj të njëjtin mendim me dr. Mujo Buçpapaj, se poezia e Rashel
Solomon shpreh e kërkon “natyrën
dhe qenien njerëzore në vetëkorrigjim, në kërkim të dashurisë, kontaktit dhe
vëmendjes”. Në poezitë e saj i përjetojmë të gjitha gjendjet shpirtërore,
të gjitha emocionet e mundshme njerëzore që nga gëzimi tek hidhërimi, që nga
mjalti tek pelini. Nuk zvarritet zhavorrishteve të fjalëve të lodhura poezia e
Rashelës, ajo lundron në stilin e saj poetik, e thjeshtë, e lirshme, e bukur, e
hijshme, me një gjuhë të pastër e të pastër dhe mbi të gjitha me peshë
specifike filozofike dhe estetike. Dikur, në lashtësi, ju e dini mirë që poeti
nuk kishte mision vetëm mjeshtërinë artistike në vjershat e poema e tij, por
edhe fusha të tjera të jetës, edhe filozofinë, edhe moralin, edhe edukimin, pa
u futur në rolin e tij në shkenca
teknike apo të natyrës, ato ekzaktet. Ndërkohë, sot po e them me krenari
qytetare, që poezia e Rashel Solomon është e denjë të qëndrojë në lartësinë e
poezisë shqiptare, të moralit qytetar dhe edukimit shoqëror.
Lum ai poet vargjet e të cilit i
shkojnë për shtat dhe të tjerëve! Rashel ia ka arritur.
Faleminderit!
Vlorë, 02.09.2025