Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Jahja Drançolli: Biblioteka e parë publike në Europën Juglindore u themelua në vitin 1465 në Republikën e Raguzës, falë koleksionit të librave të humanistit dhe diplomatit Gjin Gazulli

| E marte, 02.09.2025, 06:50 PM |


Biblioteka e parë publike në Europën Juglindore u themelua në vitin 1465 në Republikën e Raguzës, falë koleksionit të librave të humanistit dhe diplomatit Gjin Gazulli, "Doktor i artit dhe astronom i shkëlqyer" (1430)!

Nga Jahja Drançolli

Pjesë nga testamenti i Gjin Gazullit (Johannis Gazoli, Artium doctoris et astronomi preclarissimi) të përpiluar më 17 shkurt 1465, dhe regjistruar në noterinë e Raguzës më 19 shkurt 1465, dy ditë pas vdekjës së Gazullit, dhe aty Gazulli cilësohet si "Artium doctor et astronomus preclarissimus" ("Doktor i artit dhe astronom i shkëlqyer"). Në këtë testament, ndër të tjera, përcaktohet se ç'duhet bërë me librat e Gazullit pas vdekjës së tij. Sipas traditës dhe normave raguzane, Gazulli së pari Katedralës së Raguzës i dhuroj të gjitha libart që kanë të bëjnë me të drejtën kanonike dhe Librin e Shentë, me detyrimin dhe kushtin që t'i vendosin në një vend, ku do të qëndrojnë gjithnjë [...]. Me këtë legatë Gazulli i vë themelet e një biblioteke publike jo vetëm në Republikën e Raguzës, por dhe në rajonin e gjërë përgjithësisht të Europës Juglindore. Mendohet se fondi i bibliotekës së Gazullit ka qenë shumë i pasur. Mirëpo, deri me sot dihet saktësisht vetëm për dy tituj. Libri parë "Magister Sententiarum" iu dhurua përpiluesit të testamentit të Gazullit, Nikollë Tani nga Ulqini, ndërsa librin e dytë e gjejmë tek Gjon Marin Gjergji. Ai i la të gjitha librat e tjerë në dispozicion të ekzekutorëve të testamentit të tij për të shitur dhe paguar borxhet. Në të vërtetë, Gazulli, në shtratin e vdekjës, ia la dorëshkrimin e veprës gjeografike të Ptolemeut "Descriptione orbis", bujarit arbër, banor i Raguzës, Gjon Marin Gjergjit.

Siç shihet, që të dy librat e vlefshme të bibliotekës së Gazullit u gjendën në duar të bashkatdhetarëve të humanistit, dijetarit tonë dhe diplomatit në zë, gjë që përkon jo vetëm aftësinë, besimin, apo mbështetjen e sigurt në ta, por njëherazi është dëshmi për interesimin e tyre ndaj librit, kulturës dhe diturisë në përgjithësi dhe, rrjedhimisht, dëshmi e traditës më të hershme të kulturës të shumë bashkëvendësve të tjerë, që ishte krijuar qysh më parë së paku nga fillimet e shekullit XIII, dhe sidomos me themelimin e Universitetit të Durrësit në vetet 80 të shekullit XIV!

Burimi: Arkivi Shtetëror i Dubrovnikut (DAD); Arkivi Antik i Universitetit të Padovës (AAUP)