| E hene, 01.09.2025, 06:56 PM |
Fati i Legjislaturës së 9-të në dorën e Listës Serbe!
Pakoja e Ahtisaarit më pak se shtet për shumicën
shqiptare, më shumë se autonomi për pakicën serbe
Shteti i Kosovës është rezultat i përpjekjeve të
gjata dhe sakrificave të panumërta të shumë gjeneratave, është rezultat i
rezistencës së gjatë paqesore dhe kulminacion i luftës së lavdishme çlirimtare,
por nuk është përmbushje e aspiratave të heronjve dhe dëshmorëve që ranë në
altarin e lirisë për një Kosovë ndryshe nga kjo e sotmja!
Shkruan:
Florim Zeqa
Shteti
"multietnik" i Kosovës përveqse nuk është përmbushje e aspiratave dhe
dëshirave tona kolektive, nuk është përmbushje e amanetit të dëshmorëve dhe
atyre që u martirizuan për idealin e bashkimit kombëtar!
Pra,
shteti "multientik" i Kosovës nuk erdhi si dëshirë e jona, por si
projekt ndërkombëtar, i quajtur ndryshe si 'Pakoja e Ahtisaarit', e cila u
pranua si kompromis i dhimbshëm, i kthyer tashmë në gabim historik të liderëve
të kohës, që e pranuan futjen e shtetit të Kosovës nën varësi të pakicës serbe
(Listës Serbe).
Pranimi
i shtetit "multietnik" me 95 përqind popullatë shqiptare, është
gabimi më i madh historik që nuk i falet politik-bërjes kosovare të 2008-s, e
cila e pranoj shtetin me simbole pa përmbajtje kombëtare, që e pranoj shtetin
gjysmak me Kushtetutë të 'harrnuar' nga kushtetutat e shteteve tjera, e cila
nuk po na përshtatet askund, as në vendimmarrje, as në zgjedhje dhe as në
Parlament!
Një
shtet pa të drejt Referendumi, përveqse gjysmak dhe i varur nga pakica serbe,
është më pak se shtet për shqiptarët dhe më shumë se autonomi për serbët
(projekt i realizuar nga Serbia dhe mbështetësit e tyre perëndimor)!
Për
ironi të këtij fakti nuk po mund ta konstituojmë as Parlamentin shkaku i
moszgjedhjes së nënkryetarit serb!
Anashkalimi
i votimit në 'pako' edhe i nënkryetarit serb e ka futur në telashe të mëdha
vijimësinë e kësaj legjislature, e cila rrezikon të shpërbëhet shkaku i ankesës
së Listës Serbe në Kushtetuese!
Deshën
apo s'deshën ta pranojnë, fajtore për këtë situatë të krijuar në Parlamentin e
Kosovës janë partitë shqiptare që nuk arritën marrëveshje paraprake, duke e
akuzuar njëra-tjetrën për bashkëpunim me Listën Serbe, këtë 'Kalë Troje' të
vendosur me 'Pakon' diskriminuese, të lansuar përmes përfaqësuesit special të
OKB-së, ish presidentit finlandez, Martti Ahtisaari, i cili ishte ndërmjetësi
kryesor për zgjidhjen e problemit mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës, i
nderuar më pas me çmimin 'NOBEL' për një paqe të përkohshme!
Pranimi
i pakicës serbe si kategori Kushtetuese, me vende të rezervuara në Kuvend dhe
me 'veto' në vendimarrje, është kthyer, jo vetëm në 'Kalë Troje', por në kancer
për shtetin e Kosovës, pa të cilën nuk mund të bëhet asnjë ndryshim në
Kushtetutën e Republikës së Kosovës, madje as edhe një amandament i vetëm për zgjedhjen
e Presidentit nga populli, e të mos flasim për Referendumin Popullor, që shënon
vulën e demokracisë së një vendi të pavarur dhe sovran.