| E hene, 01.09.2025, 06:55 PM |
Promovim
i denjë i romanit “Shpirti i plagosur” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovë
Nga
MBA Dafina Selimi
Në
ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, u mbajt promovimi i romanit të
tretë të shkrimtarit Ramiz Selimi, “Shpirti i plagosur”. Ngjarja u zhvillua në
një atmosferë të ngrohtë, ku letërsia, muzika dhe emocionet e lexuesve u
ndërthurën në një përvojë të pasur kulturore.
Ky
roman është një trilog që vazhdon udhëtimin e nisur me romanin „Rrënjët e
Kujtesës“ për të vazhduar pastaj me romanin: „Dëshirë e djegur“
Moderatori
Safet Gërxhaliu, që ishte edhe panelist i ngjarjes, foli për biografinë e autorit,
duke e vendosur në kontekst jetën brenda dhe veprimtarinë e tij në mërgim. Ai
nënvizoi se përvoja personale e Ramiz Selimit dhe përpjekjet e tij për të
ruajtur identitetin dhe kulturën shqiptare janë elemente thelbësore që japin
ngjyra dhe thellësi rrëfimit të Dardanit në roman. „Sikur të ishim në nivelin e
duhur, me këto romane duhej të merrej kinematografia, sepse skenarin e kanë të
gatshëm. Ramiz Selimi ka ditur të sjellë në letër jo vetëm një histori, por
edhe emocionin e përjetuar nga një brez i tërë shqiptarësh.”, tha Gerxhaliu.
Për
romanin folën recensentët Prof.Dr. Salih Bashota, Gazetari, Publicisti dhe
Shkrimtari Prof. Prend Buzhala, si dhe Shkrimtari Vilson Culaj, të cilët
ishin panelistët e ngjarjes dhe recensentë tëlibrit. Secili në mënyrën e vet
analizuan romanin me thellësi, duke vlerësuar strukturën narrative, ndërtimin e
personazheve dhe metaforat që pasurojnë mesazhin universal të veprës.
Prof.
Dr. Bashota theksoi: “Ky roman nuk është vetëm rrëfim personal, por edhe një
reflektim mbi gjendjen e atëhershme në shoqërisë shqiptare dhe sfidat e saj
historike. Romani “Shpirt i plagosur” e fut lexuesin menjëherë në një situatë
dramatike, shpirtërore dhe psikologjike të thellë, ku protagonistët, Dardani
dhe nëna e tij, Rina, janë të preokupuar me përballimin e pasojave të një viti
të tmerrshëm. „ Ai tha se romani lexohet me një frymë.
Ndërsa
Prof. Prend Buzhala shtoi: “Shpirti i plagosur na ofron një udhëtim emocional,
ku dhimbja dhe shpresa ndërthuren në mënyrë të jashtëzakonshme. Rrëfimi është
një përzierje e realizmit të hidhur dhe elementëve epikë, ku ngjarjet dhe
veprimet zhvillohen në një kontekst të gjerë historik dhe politik. Edhe pse
ngjarjet janë të shtrira dhe të lidhura me realitetin e dhunshëm dhe të
pasigurt, elementi epik bëhet i dukshëm përmes qëllimeve të mëdha, ideve të
larta dhe sakrificës që kërkohet për t'i arritur ato.”
Vilson
Culaj e përfundoi analizën duke thënë: “ Dikur Rolan Rolan thoshte :,,Romani
është një ankth i përjetshëm deri në vdekje nëse nuk e ke përfunduar‘’. Lidhur
me këtë kontest që në fillim mund të themi se emri dhe përkushtimi i Ramiz
Selimit në këtë zeje letrare është i madh dhe me sfida, por edhe i suksesshëm.
Emri i tij në letërsinë shqiptare po zë vend krejt natyrshëm, triumfalisht dhe
pa imponime e ekspozime patetike. Përmasa e rrëfimit në këtë roman ka tri
dimensione personale, familjare dhe nacionale. Ky roman është çlirimi nga
vuajtja e individit i cili është peng i robërisë nacionale, varfërisë, dhe
mungesës së prestigjit në rrethin se ku jeton.”
Një
dimension të veçantë i promovimit ishte leximi i fragmenteve nga romani nga
gazetarja nga Shqipëria, Mimoza Abrazhda, e cila i dha zë dhe emocione rrëfimit
të autorit, duke e bërë përvojën letrare edhe më të prekshme për audiencën.
Pjesë
nga romani:
“Në
mendjen e tij shihte veten të përgjysmuar, të boshatisur nga qeniet e gjalla,
por që po bënte përpjekje ta largonte shpirtin nga tehu i briskut, i cili ia
ndante jetën me vdekjen. Një muaj më parë, atë natë kur qetësia kishte rënë mbi
fshat si batanije e rëndë pluhuri, ai ishte ndalur përballë një varri bosh në
cepin e harruar të varrezave. Asgjë nuk lëvizte, as gjethet, as ndonjë qen i
humbur. Heshtja dukej si një marrëveshje e përjetshme mes jetës dhe vdekjes.
Atëherë, një mendim i errët, një pështjellim i dendur si nata, i mbështolli
shpirtin:
“Po
sikur të shtrihej vetë në varr, i gjallë, e të mbulohej me dhe me duart e veta,
ngadalë, pa zhurmë, pa britmë?”.
Por
jo, e kishte të pamundur! Jo për vdekjen, por për atë akt të heshtur dorëzimi,
që nuk kishte as lavdi, as falje. Pastaj kishte murmuritur me vete me një
hidhërim, gati si një fëmijë që zbulon se bota nuk është ndërtuar për shpirtin
e tij.
“Njerëzit
qenkan të ndërtuar nga hekuri! Si e mbajnë këtë barrë? Si nuk pëlcasin nga
gjithë ky turpërim dhe poshtërim i përditshëm që s’të lënë as të vdesësh me
dinjitet?”.
Herën
e dytë, gjithçka kishte qenë gati. Litarin e kishte lidhur me kujdes, si të
përgatiste një kurorë për një martesë të fundit me harresën. Asgjë nuk i kishte
mbetur brenda, as shpresë, as tmerr, as pendesë, por vetëm një zbrazëti që
ushtonte si një pus i errët. Dhe pikërisht kur i ishte dorëzuar aktit final,
ndodhi ajo që nuk e priste. Nyja, ajo nyja që ai vetë e kishte lidhur me duart
që nuk i dridheshin më, ishte zgjidhur. Jo nga një mrekulli, por si një dorë e
padukshme, që në momentin e fundit i pëshpëriti:
-Jo
sot!
Ngjarja
u pasurua me pikat muzikore të këngëtarit me zë të mrekullueshëm Shaban
Krasniqi, i shoqëruar nga pianoja e Nashid Drejtës, duke krijuar momente të
ndjeshme që lidhnin fjalën e shkruar me emocionin e tingullit.
Në
fund, fjala iu dha autorit Ramiz Selimi, i cili falënderoi panelistët dhe të
gjithë të pranishmit për nderimin që i bënë veprës së tij. Ramiz Selimi theksoi
se rrëfimi i Dardanit nuk ka marr fund, Shpirti i plagosur ishte vetëm një
stacion i rëndësishëm, por jo i fundit, sepse historia e Dardanit do të
vazhdojë edhe më tej në romanin e ardhshëm, që tashmë është në përgatitje dhe
mban titullin “Hijet e Shpresës”.
Ai
tha: „Romani „Hijet e shpresës“ tani më është redaktuar dhe gjendet në
përpunim, sipas redaktores, libri i radhës do të jetë kryevepra e romaneve të
mia.”
Libri
pritet të dalë në dritë në fillim të vitit të ardhshëm.
Vlen
të theksohet se një grup i dashamirëve të librit nga Vushtria në krye me Selim
Izmakun e zbukuruan ngjarjen, prezent ishin edhe shkrimtarë të njohur si Xhemë
Karadaku, Sherife Thaqi, Syhejl Havolli, Bekim Kelmendi, Shaqir Foniqi, Izet
Avdyli, ish Ministri Ibrahim Makolli, nga Gjermania, Imer Llladrovci, pastaj
gazetari Idriz Zeqiraj, dhe shumë tjerë.....
Promovimi u përmbyll me një koktej rasti, të përgatitur nga familja e autorit, duke lënë tek të pranishmit një kujtim të veçantë të kësaj ngjarjeje letrare dhe artistike.