| E hene, 01.09.2025, 06:59 PM |
Msgr. Dr. Lush Gjergji:
Shqiptarët, përmes Nënës Terezë, i kanë dhuruar botës shenjtoren e dashurisë,
dhe kjo është pasaporta jonë më e fortë për të hyrë në historinë e njerëzimit
(Në
nënditëshin kushtuar Shën Nënës Tereze-dita e pestë)
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Figura
e msgr. dr. Lush Gjergjit është ndër ato personalitete monumentale dhe
enciklopedike që ngjallin respekt të thellë dhe ndriçojnë memorien e popullit
shqiptar. Ai lindi në Stubëll të Epërme të Karadakut martir të Vitisë. Aty ku
historia, në kohën e otomanizmit, është shkruar me lot e me gjak. Në atë vend
ku qielli e toka u përqafuan me lutje, dashuri dhe flijim, ai është inspiruar
qysh nga fëmijëria me dhimbjen dhe krenarinë e një populli që jetonte ndërmjet
shpresës dhe kryqëzimit. Kjo trashëgimi e formësoi shpirtërisht dhe
psikologjikisht, duke e bërë Bari të Vyer të Kishës Katolike të Kosovës, pra, i thirrur jo vetëm për Kishën, por edhe
për kombin e tij aq të dashur, për kulturën dhe njerëzimin pa dallim race e
ngjyre, pra, për gjithë vullnetmirët mbi tokë. Ashtu sikurse Rilindasit
Kombëtar të shekullit XIX, të cilët ia kushtuan jetën gjuhës dhe ndërgjegjes
kombëtare, msgr. dr. Lushi ia përkushtoi jetën figurës së Gonxhe Bojaxhiut –
Nënës Terezë. Ai u bë biografi më i afërt i saj në botën shqiptare, duke i
dhuruar kulturës universale dhjetëra libra dedikuar Nënë Terezës, e që sot
lexohen në mbi 35 gjuhë të botës. Disa nga titujt e librave të tij janë: Nëna
jonë Tereze, Dashuria në vepër, Shenjtëresha e dashurisë, Lule për Nënën,
Gonxhe Bojaxhiu – Nëna e botës, pra, këto libra, nuk janë vetëm faqe të
shkruara, por ura që lidhin shpirtin shqiptar me njerëzimin. Ai nuk e pa Nënën Terezë thjeshtë si një
murgeshë shqiptare të Kalkutës, por si Shenjtore universale, që në trup mbante
plagët e botës, ndërsa në shpirt ngrohtësinë e dashurisë së Krishtit. Përmes
penës së tij, Gonxhja e vogël e Shkupit u shndërrua në simbol të një kombi të
vogël me një mision të madh në botën mbarë.
Më
4 shtator 2016, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, kur Selia e Shënjt në
krye me Papa Françesku e shpalli Nënë Terezën Shenjtore, msgr. dr. Lush Gjergji
ishte aty, mes qindra mijëra pelegrinëve nga e gjithë bota. Ai nuk ishte
thjesht spektator i një ngjarjeje historike, por dëshmitar i gjallë i një procesi
që e kishte ndjekur për dekada. Ishte pena e tij që kishte shkruar, rrëfyer dhe
përhapur jetën e saj. Ishte zëri i tij që e kishte sjellë Gonxhen pranë
shqiptarëve e pranë njerëzimit. Në atë ditë të madhe, ai ishte si bir që shihte
Nënën të ngjitej me Aureol në altarin e Shenjtorëve.
Në
interprgjitet e tija, shenjtërimi i Nënës Terezë nuk ishte thjesht lavdia e një
individi, por lavdia e një kombi të vogël që i dhuroi botës një nga shenjtorët
më të mëdhenj të dashurisë. Ai përsëriste shpesh një moto të tij që mbetet
gjurmë në historinë tonë:
“Shqiptarët,
përmes Nënës Terezë, i kanë dhuruar botës shenjtoren e dashurisë, dhe kjo është
pasaporta jonë më e fortë për të hyrë në historinë e njerëzimit”. Por msgr. dr.
Lushi nuk u mjaftua vetëm me libra e altarë. Ai e kuptoi se fjala dhe vepra
duhet të ecin bashkë. Prandaj, më 1990, me mbështetjen e Imzot Nikë Prelës dhe
bashkëpunëtorëve të tij, themeloi Shoqatën Humanitare Nëna Tereze. Kjo u bë
vatër e madhe bamirësie, që në periudhën më të errët të historisë sonë shpëtoi
jetë dhe ringjalli shpresë. Në kohë lufte, kur populli i Kosovës rrezikohej të
shfarosej, shoqata ndihmoi rreth një milion e gjysmë banorë, ngriti mbi 90
ambulanca, hapi qendra për fëmijë e të moshuar, duke e bërë bamirësinë jo vetëm
akt human, por edhe akt shpirtëror e kombëtar. Për të, të ndihmosh nuk ishte
thjesht të japësh bukë, por të ruash dinjitetin e njeriut dhe të shpëtosh
shpresën që shpëton jetën. Së bashku me
prof. Anton Çettën dhe shumë intelektual dhe student karizmatik, ishin nismëtar
i faljes së gjaqeve dhe pajtimeve në Kosovë,,tubime madhështore që
organizoheshin anë e mbanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug
të Drinit-Klinës, Rrafsh të Dukagjinit e n´Verra të Llukës, Shalë e Karadak,
Llap, Drenicë e Gollak, Has, Rekë, Podrime, Lapushë, Podgur e Rugovë, Rrafsh i
Kosovës etj., duke shndërruar urrejtjen në dashuri, betimin e hakmarrjes në
besëlidhje jete. Historia e dy motrave që falën gjakun e vëllait përpara mijëra
njerëzve, duke shpallur se të gjithë shqiptarët ishin vëllezër e motra, është
ndër dëshmitë më të fuqishme të vizionit të tij rilindës.
Me
mbi 60 libra të botuar në shqip e gjuhë botërore, të shpërndarë në të gjitha
kontinentet, msgr. Lush Gjergji është një nga autorët shqiptarë më të përkthyer
në botë. Vepra e tij veq tjerash përdoret si literaturë në shkollat e Italisë
dhe të vendeve të tjera, duke e bërë ambasador të kulturës shqiptare. Ai shkroi
jo vetëm për Nënën Terezë, por edhe për Shën Ndoun, Papa Gjon Palin II dhe
personalitete të kulturës e fesë shqiptare dhe botërore, duke e parë historinë
e popullit të tij si pjesë të historisë universale të njerëzimit. Ai e kuptoi
herët se Kosova, me gjithë plagët dhe dhimbjet, kishte diçka të vyer për t’ia
dhuruar botës: aftësinë për të falur, për të jetuar në dialog, për të mbijetuar
me dinjitet.
Në
këtë kuptim, vizioni i tij ishte profetik dhe kombëtar dhe njerëzor. Ai nuk
ishte vetëm meshtar, por profet i së ardhmes, që mësonte se arma më e fortë nuk
është pushka, por fjala, jo urrejtja, por dashuria, jo hakmarrja, por falja.
Msgr.
dr. Lush Gjergji nuk është meshtar i largët dhe i mbyllur në dogmë, por Bari i
Mirë që ecën përherë me popullin. Ai di të flasë me fëmijët për dashurinë, me
të rinjtë për paqen, me familjet për faljen, me politikanët për drejtësinë.
Fjala e tij është e gjallë, e thjeshtë, por e thellë, si një psalm hyjnorë që
buron nga zemra. Ai e lidhi qiellin me tokën, fenë me kulturën, kombin me
botën.
Për
këtë arsye msgr. dr. Lushi ishte, është dhe mbetet i gdhendur në kujtesën
shqiptare si bari i dialogut, shkrimtari i dashurisë, Rilindasi i shekullit XXI
dhe mbi të gjitha biografi i pavdekshëm i Shenjtores shqiptare-Shën Terezës së
Kalkutës.
Faleminderit
msgr. dr. Lushi për veprimtarin tuaj shpirtërore, kombëtare dhe njerëzore.
Klinë, me 31 gusht 2025.