Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sevdail Hyseni: Kënga që s’u këndua

| E diele, 31.08.2025, 06:21 PM |


Sevdail Hyseni

Satirike

Kënga që s’u këndua

Derisa punonin në arë burrë e grua,

Në periferi të fshatit, afër një krua.

Në xhep burrit i vjen një mesazh,

E fton dashnorja për një masazh.

- Vdiq xhaxhai! - thotë burri lanet,

Më shkruan kushëriri n’këtë moment.

- Shko! - i thotë gruaja me pikëllim,

Ara s’pret me lot, veç dorë dhe punim.

Pastaj vijnë dy burra, shpejt si lumë:

- Na këndo një këngë, ose atë “punë”?

Ajo ngriti vetullën, fjalën tha më kot:

“S’këndoj, më zuri zi - burri ka mort!”

Ata u futën në arë, uji rridhte n’kanal,

Brazdat si vargje, frymonin ngadalë.

Ky veprim me vlerë burrave u pëlqeu:

- Pa këngë, po me punë, ara shkëlqeu!

Nga dreka burri kthehet me shpejtësi,

Ishte gënjeshtër, moj xhane, lajmi i zi.

Ma punoi me hile kushëriri ai kodosh,

Xhaxhai ishte mirë, si molla shëndosh.

- Mirë se paska jetë – tha e urta grua,

- Këngën s’e këndova, po ara u punua.

Erdhën dy burra e pyetën: këngë a punë?

Punën desha, more burrë, e zgjodha unë.

Ai, shtangu si këmisha n’ujë të ftohtë:

- Pse s’këndove, moj grua, si një robot?

Ajo qeshi ëmbël, pa u trembur fare hiç:

- Si t’këndoj, zemër, kur xhaxhai vdiq!

Burri e kuptoi se ku qëndron problemi,

Rrenën që e tha, s’e kapte dot kalemi.

Morali mbillet si fara, me çmim të lartë:

-  Kënga është e lirë, po nderi rron gjatë!

(Karikatura nga interneti)