Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Vataj: Naile Hoxha, këngëtarja që na la një trashëgimi që nuk është vetëm këngë

| E diele, 31.08.2025, 06:55 PM |


NE PERVJETORIN E VDEKJES SE KENGETARES

Naile Hoxha, këngëtarja që na la një trashëgimi që nuk është vetëm këngë, por është vetë kujtesa jonë shpirtërore

Nga Albert Vataj

Ka zëra që nuk shuhen kurrë, edhe kur jeta mbyll qerpikët e tyre të fundit. Ka këngëtarë që nuk këndojnë vetëm me fyt, por me zemër, me shpirt e me kujtesë të kombit. Një prej tyre ishte Naile Hoxha, bilbili i Shkodrës, që më 29 gusht 2016 i la skenës shqiptare një heshtje të rëndë, por edhe një trashëgimi të pavdekshme.

Zëri i saj u bë strehë për mallin, tingull për dashurinë, gjuhë për dhimbjen dhe urë për gëzimin. Në çdo notë që lëshonte kishte një dridhje zemre, një pëshpëritje të liqenit, një britmë mali e një dritë qyteti. Ajo nuk ishte thjesht këngëtare ishte një rrëfimtare e shpirtit shqiptar.

Më 29 gusht 2016 u shua një nga zërat më të shenjtë të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, Naile Hoxha, këngëtarja që u shndërrua në ikonë të pavdekshme të muzikës popullore shqiptare. Ajo nuk ishte thjesht një interpretuese, por një urë që bashkonte të kaluarën me të tashmen, këngën e hershme me shpirtin e kohës, folklorin me artin e skenës.

Zëri i saj, i pastër dhe i kristaltë, mbante brenda aromën e liqenit të Shkodrës, gjallërinë e malësive dhe mallin e atyre që këndojnë për dashurinë, nderin e mikun. Me një timbër të rrallë e një ndjeshmëri që depërtonte në çdo zemër, Naile Hoxha e bëri këngën popullore jo vetëm argëtim, por lutje, rrëfim, dhe amanet shpirtëror.

Këngët e saj, “Xhamadanin kuq si gjaku”, “Moj e mir synin larush”, “Seç po fryn fllad pranvere”, mbeten sot gurë kilometrikë të trashëgimisë sonë muzikore. Në to ka dashuri e trishtim, krenari e mall, fisnikëri e ndershmëri. Ato nuk ishin vetëm melodi, por rrëfime të shpirtit shqiptar, të sjella me përkushtim, thjeshtësi dhe madhështi.

Për gati gjashtë dekada ajo ndërtoi një karrierë që u bë shkollë për brezat, duke dëshmuar se arti popullor është një gjuhë universale, që nuk vjetrohet kurrë. Kudo që dilte në skenë, Naile Hoxha e stolisur me kostumin popullor të Shkodrës ishte vetë identiteti i një kombi: krenare, e rrënjosur në traditë, e hapur ndaj botës.

Por ajo nuk ishte vetëm një artiste e merituar; ajo ishte ambasadore e kulturës shqiptare, duke e prezantuar Shkodrën dhe Shqipërinë si një vend me zëra të bukur e me këngë që rrëfejnë histori. E thjeshta e saj, buzëqeshja fisnike, përulësia ndaj publikut dhe dashuria e pafund ndaj këngës, e bënë të pavdekshme në kujtesën e atyre që e dëgjuan dhe e duan ende sot.

Naile Hoxha mbetet një yll që nuk shuhet, por ndriçon edhe sot e kësaj dite, në çdo dasmë, në çdo festival, në çdo moment gëzimi e malli ku këndohet kënga e Shkodrës. Ajo na la një trashëgimi që nuk është vetëm muzikë, por është vetë kujtesa jonë shpirtërore.

Le të kujtohet gjithmonë me nderim e mirënjohje, si një nga zërat që e ngriti këngën popullore shqiptare në piedestalin e artit kombëtar.