| E hene, 01.09.2025, 06:58 PM |
Plaga e amëshuar e Skënderbeut në portretin e tij në Galerinë degli Uffizi, në Firence
Nga
Dorian Koçi
Në
Galleria degli Uffizi të Firences ruhet një nga dëshmitë më të çmuara të
ikonografisë shqiptare: portreti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. I realizuar
në mesin e shekullit XVII nga një autor anonim, ky portret është ndër imazhet
më të hershme që mbijetojnë mbi heroin shqiptar. Ai nuk është vetëm një
përfaqësim i tipareve fizike, por një ndërthurje e historisë me mitin, ku
figura e Skënderbeut shfaqet si simbol i qëndresës së një kombi dhe i mbrojtjes
së qytetërimit europian.
Tiparet
e tij janë të ashpra dhe të gdhendura fort: balli i gjerë, sytë e thellë dhe
mjekra e rëndë e japin portretin e
pathyeshëm. Në fytyrë bie në sy
plaga e dukshme, një vijë që nuk është thjesht element estetik, por një shenjë
e mbartur nga betejat. Ajo plasaritje mbi lëkurë është në të njëjtën kohë
dëshmi e dhimbjes dhe shenjë nderi. Piktori ka ditur ta theksojë këtë element
duke përdorur dritë-hijen në mënyrë mjeshtërore, duke e bërë plagën pjesë të
pasqyrimi vizual të heroizmit.
Ky
trajtim nuk është i izoluar, por ndjek një traditë europiane të portretizimit
të prijësve. Federico da Montefeltro, dukë i Urbinos, i pikturuar nga Piero
della Francesca, u paraqit me hundën e shtypur dhe syrin e humbur – plagë që
nuk u fshehën, por u kthyen në simbole të forcës dhe përvojës ushtarake. Në të
njëjtën mënyrë, plaga e Skënderbeut nuk e ul figurën, por e rrit në një nivel
të ri simbolik, duke e shndërruar në dëshmi të guximit të tij.
Gjithashtu,
portreti i Skënderbeut lidhet me ikonografinë e kalorësve të krishterë si Jan
Sobieski, mbreti i Polonisë, apo János Hunyadi, heroi hungarez, që u paraqitën
në pikturë si mbrojtës të krishterimit. Edhe pse anonimi i Uffizit nuk përdor
elemente të hapura militare apo sfond betejash, ai e arrin këtë efekt përmes
ashpërsisë së fytyrës dhe plagës së dukshme, duke përqendruar gjithçka në
shikimin e heroit.
Në
një plan tjetër, portreti i Skënderbeut qëndron pranë portreteve mitizuese të
gjeneralëve të lashtësisë – Aleksandrit të Madh, Cezarit apo Hanibalit – të
cilët shpesh përshkruheshin me tipare të fuqishme, plagë apo shenja që i
shndërronin në figura përtej njerëzores. Kështu, Skënderbeu paraqitet jo vetëm
si një princ shqiptar, por si një figurë universale, pjesë e një galerie të
heronjve që historia dhe arti i kanë ngjitur në përjetësi.
Një
element tjetër krahasues është simbolika e Shën Gjergjit kalorës, mbrojtësit të
krishterimit, i cili në ikonografi paraqitet i plagosur, por triumfues mbi
dragoin e së keqes. Skënderbeu, në këtë portret, shfaqet si një “Shën Gjergj
tokësor”: i plagosur, por i pamposhtur, një shenjtor laik që përfaqëson
shpëtimin e një populli nga rreziku i shuarjes.
për
cilindo që e ka kundrusr portetin e Skënderbeut në Galerinë Uffizi në Firence,
kur drita firentinas përplaset mbi këtë portret, gjithsecili mund të ketë parë
një shkëlqim të veçantë: plaga duket sikur rrezaton kujtesën e betejave, të
kalit të bardhë që fluturonte mbi fushat e luftës, të flamujve që valëviteshin
mbi fortesat arbërore. Në këtë tablo shikuesi sheh më shumë se një fytyrë të
plagosur; sheh një testament të gjallë të historisë dhe një figurë që qëndron
mes kufirit të realitetit dhe mitit.
Kështu,
portreti i Skënderbeut në Uffizi nuk është thjesht një objekt arti. Ai është
pjesë e një tradite të madhe europiane, ku plagët dhe shenjat nuk fshihen, por
kthehen në dëshmi të lavdisë. Ai mund të krahasohet me burrërinë e dukëve
italianë, me pathyeshmërinë e kalorësve të Europës Qendrore, me madhështinë e
gjeneralëve të lashtësisë dhe me spiritualitetin e Shën Gjergjit. Në këtë
ndërthurje, Skënderbeu del si një figurë e përmasave universale – hero i
Shqipërisë, por edhe i Europës.