Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sadbere Emshiu: Katundaria në Pushtet

| E enjte, 28.08.2025, 06:58 PM |


Ese Satirike – Reportazh Politik

Katundaria në Pushtet

Nga Sadbere Emshiu, Hamburg

Hyrje

"Mund ta nxjerrësh katundarin nga katundi, por jo katundin nga katundari." — Dritëroi Agolli

E tha me qetësi poeti, por e la si një thikë të hollë në mishin e politikës shqiptare. Nuk është fjala për fshatin, për arën, për bukën e gojës, as për njeriun e ndershëm që jeton me djersë. Bëhet fjalë për mendësinë – atë "katundari" që e ndjek njeriun deri në sallat e pushtetit, që nuk e shkul as diploma e Oksfordit, as kostumi i qepur në Milano, as titujt akademikë me iniciale të stolisura.

Sot, mjafton të hapësh Kuvendin e Kosovës dhe të shohësh parlamentin: opozita si kor tragjik që harron tekstin, qeveria si trupë komedie e lodhur që riciklon batuta. Dhe thënia e Dritëroit s'është më poezi është manual i realitetit politik.

Teatri i Kuvendit

Seanca e fundit në Kuvend ngjante më shumë me pazar të së dielës sesa me mbledhje shtetërore. Shumë zëra, shumë shkelje këmbësh, shumë ngritje duarsh – për një pazar që nuk u bë kurrë. Deputetët hynin me sy të skuqur nga pazaret e natës, me dosje bosh në dorë, buzëqeshje të ngrira si për Nobel në moral politik. Njëri me hap të shpejtë sikur po hynte në seminar, tjetri me vështrim të humbur si student që nuk ka mësuar leksionin.

Në atë sallë, fjala peshonte më shumë se buxheti: një deputet fliste për miliona, ndërsa në xhep kishte vetëm biletën e autobusit urban. Dhe kur s'u mjaftonin ministritë ekzistuese, shpiknin të reja: një për ajrin e pastër, një për dritën e hënës – mjafton të ketë vend për kushëririn.

Sofra e pushtetit

Ministrat matin shtetin me arshin e oborrit të tyre. Buxheti shihet si çerepi i drekës:

"Ç'ka për vete, ç'ka për kushëririn, ç'ka për pulën e katundit në fund."

Qeveria pret gjithmonë "krushkun e madh" nga diaspora – Brukselin, Berlinin, Washingtonin – që dasma të fillojë. Tenderët ndahen si gotat e rakisë: kush pi i pari, merr më shumë. Ndërsa opozita rri në qoshe, duke kënduar këngë të kritikës, por me të njëjtin ritëm kërkon të vallëzojë sapo t'i vijë radha për privilegje.

Reformë apo ndërrim divani?

Çdo qeveri e quan "reformë" zhvendosjen e divanit në odë. Pleqtë janë po ata, muhabeti po ai – veçse tash me mikrofona dhe kamera televizive. Në vend të vendimmarrjes, shohim një reality show politik: kush i bie tavolinës më fort, merr duartrokitje nga militantët.

Në fshat, kush këndonte më fort, udhëhiqte dasmën. Në Kuvend, kush bërtet më fort, shpallet strateg. Dhe kush shanë më bukur, shpallet "shpëtimtar i kombit", edhe kur nuk dallon ligjin nga receta e bakllavasë.

Liderët e rinj – verë e vjetër në shishe të re

Çdo cikël zgjedhor sjell "fytyra të reja" me buzëqeshje të bardhë e retorikë të ricikluar. Pozita i shet si "liderë të së ardhmes", opozita i quan "maskota të sistemit". Por qytetarët shohin shishen e re dhe e ndiejnë menjëherë se vera është ajo e vjetra – shpesh e thartë.

Oda e burrave

Katundaria nuk hiqet me diploma. Hiqet vetëm kur shteti bëhet shtet – jo odë burrash me rroga deputetësh, ku vendimet merren me shtrëngim duarsh pas dere, si pazaret e dhëndurisë. Sot, Kuvendi është një orkestër e çakorduar: secili do të jetë dirigjent, edhe ata që nuk dallojnë partiturën nga gazeta e ditës.

Bunar i turbullt

Opozita bërtet për popullin, por merr kokrrat për vete. Qeveria flet për reforma, por mbush hambarët e saj. Dhe mbi pusin e politikës sonë, të gjithë hedhin baltë – derisa të notojë vetëm një peshk i gjallë: korrupsioni. Ai nuk ngordh kurrë, qoftë në ujë të turbullt, qoftë në pus të tharë.

Përfundim

Dritëroi kishte të drejtë: katundaria është parlamenti që s'bëhet shtet, opozita që ulëret pa alternativë, dhe pushteti që qesh mbi karrige si në odë dasme. Është filozofia e gardhit që ka rrethuar politikën tonë: shumë zë, pak ide; shumë fjalë, pak shtet.

Çdo zgjedhje bëhet si dasmë, çdo qeveri si odë, çdo opozitë si çifteli e çakorduar. Dhe populli, në vend të pijë ujë të pastër nga pushteti, merr baltën e një bunari që nuk pastrohet kurrë. Edhe kur mbi të vendosin një kapak të ri, era mbetet brenda – sepse era e katundarisë politike është më e fortë se çdo parfum fjalimesh.