Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mihal Gjergji: Bexhet Nivica

| E enjte, 28.08.2025, 06:55 PM |


BEXHET NIVICA

Nga Mihal Gjergji

Bexhet Nivica, i njohur kështu në reagimet e tij të publikuara në gazetën “Demokratia” (gazetë e Xhevat Kallajxhiut e cila doli në Gjirokastër më 28 nëntor 1925 dhe vijoi deri më 1939), apo Bexhet Malaj siç njihej nga bashkëfshatarët e tij niviciotë, prej kohësh ka hyrë në mendimet e mia. Shtysa e brendëshme ishte lidhja e largët e gjakut i cili gjenë shtigje për të trokitur në zemër e për të përcjellë kumtin domethënës; ”jemi tanët”. Gjithmonë më kanë pëlqyer përjashtimet nga rregulli i përgjithshëm; qëndrimi larg turmës, sjellja ndryshe krahasuar me njerëzit që pranonin bindjen e verbër dhe përdhunën e sundimtarëve. Geni brenda sojlliut shoqërohet dhe me guximin që të jep dituria. Këta njerëz, që fatkeqësisht kanë qënë të paktë, gjithmonë kanë tërhequr vëmëndjen time dhe jo rrallë jam mundur t’u vij rreth me penë. Një portret luftëtari apo burri qëndrestar (aq të rrallë në vitet e mia të rinisë) e fikson aparati fotografik, por vetëm dukjen, ndërsa fjala ka fuqinë të shpallë edhe brendinë e njeriut, përmasat shpirtërore. Zemra e Bexhetit ishte krijuar për qëndresë, jo për t’u dridhur, fjalën – të vetmen pasuri, nuk e shiste, e kishte të çmuar. Ai e bëri luftën e tij pavarësisht rezultatit, sepse deshi të mbetej si një kolonë mermeri e pa latuar nga dalta e diktaturës. Mendimet e tij ishin udhë të pashkelura për kryeulurit që nuk shikonin përtej hundës së tyre. Doemos, kishte marrë rrugën e mërgimit qysh herët, në moshën 17 vjeçare, fillimisht në Austri e mandej në Amerikën e largët. Gjurmë të pashlyera kishin lënë ato shoqëri të lira, ku demokracia ishte frymë që ngrohte dhe mërgimtarët e mbritur nga vendet e mbetura nën errësirën osmane për shekuj me radhë, e më vonë nga tirania fshiste siç ishte dhe vendi ynë. Emërat e niviciotëve që u kthyen bashkë me Bexhetin për të mbrojtur interesat e vendit, kanë mbetur në kujtesën e bashkëkohësve, ndoshta dhe në faqet e historikut të këtij fshati. Por vetëm kaq. Përfytryroni disa çaste akullin e ngrirë në sipërfaqen e një liqeni. Mjafton një goditje dhe copat e shkëputura nga masivi lëvizin të vetmuara deri sa treten në thellësi. Kështu ndodhi me shumë njerëz të ditur të Kurveleshit në vitet e gjata të diktaturës së proletariatit. Lufta i ndau njerëzit në dy fronte, pro dhe kundër “pushtetit popullor”. Pikërisht në vitet e luftës, Banushi, djali i madh i Bexhetit, me një letër të mbyllur u dërgua nga këshilli nacional-çlirimtar i fshatit për të mbritur te brigada partizane. Ishte 14 vjeç. Në Lajthizë të Gusmarit u takua me Memo Meton, me të cilin kishin lidhje gjaku. Po çfarë shkuhej në letër? “Ekzekutojeni sa të mbrijë tek ju”. Po përse gjithë kjo urrejtje, përse duhet të shkonte drejt plumbit një djalosh kaq i ri? Shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje. Kështu ndodh gjithmonë, sepse ngatërrestari hedh gurin dhe fsheh dorën. Memo Meto e udhëzoi, i dha një shënim për të shkuar në rreshtat e një brigade partizane. Dhe Banushi luftoi deri në çlirimin e vendit, më vonë do të bëhej oficer. (Kohë më vonë, urdhëruesi i ekzekutimit të tij do të bëhej baxhanak me Banushin). Po kështu, Abazi, vëllai i Bexhetit, u vra në përpjekje me italianët në Tepelenë dhe u shpall dëshmor i Atdheut. E megjithatë, qëndrimi i pushtetit të ri ndaj Bexhetit mbeti armiqësor, deri në fund. Asgjë për tu çuditur, sepse Bexheti ishte ndryshe; nuk i duartrokiste ata që ngjiteshin në tribuna për të mbajtur fjalime, nuk u buzëqeshte atyre që ngrinin mure ndarëse mes njerëzve, nuk i përqafonte ata që kishin lyer duart me gjak të pafajshëm. Me shumë përpjekje arriti që fëmijët t'i shkollonte, të mos mbeteshin të verbër. Dhe kjo e gëzonte pa masë, sepse në një shtëpi që mungon buka, ajo merr pamjen e burgut. Mendoni disa çaste biografitë që na bënte organizata bazë e partisë në fshat, për një vend pune, një të drejtë studimi, një transferim në një qytet tjetër. Edhe unë jam mbërthyer për vite me radhë në kryqin e luftës së klasave. Gozhdët ishin të ngjajshme me ato që Prefekti i Judesë, Pons Pilati, kryqëzoi Jezusin. Besoj se e kuptoni përse merrem me plagët e të tjerëve, sepse dua të harroj dhimbjet e mia. Biografitë shkonin lart, në qendër, atje ku vendosej koha dhe mënyra e ndëshkimit të qytetarëve. Do sjell në vëmëndjen tuaj një vëzhgim jo rastësor. Ndërkohë që sekretari i organizatës bazë në Nivicë shkruante nekrologjitë e të gjallëve (biografitë), Halua, njëri nga djemtë e Bexhetit, jo rrallë shkruante nekrologjitë e atyre bashkëfshatarëve që meritonin të përcilleshin me nderime në botën tjetër. Shikoni çfarë ndryshimi! Ka patur raste që i vdekuri të përcillej vetëm nga familjarët, për shkak të biografisë. Nga lartësia e këtyre vite kam bërë konstatimin tjetër. Para do kohësh lëvizja në afërsi të ish-Kinostudios. Në trotuar kishtë dalë sekretari i dikurshëm i organizatës bazë, tashmë patronazhist. Ishte ulur mbi një stol plastik, në dorë mbante një kuti kartoni me fara luledielli, në krah një peshore. Qendrova disa çaste. Ndalonte ndonjë kalimtar dhe peshohej, hidhte një dyqinshe të vjetër (sadaka), merrte një grusht fara dhe largohej. Ndërsa Halua është në New York, atje ku morën krahë ëndrrat e babait të tij. Shikoni pra, të dy kurveleshas, të dy niviciotë, por seicili përfundoi rrugën që kishte nisur. Mes klasave të dikurshme u krijua një lumë urrejtjeje, i cili vazhdon të rrjedhë dhe të përmbyt pa mëshirë. Sikur kjo urrejtje të kthehej në energji do ndriçohej krahina për një shekull me radhë. Mund të revoltohen fëmijët e Bexhetit ndërsa lexojnë këto rreshta;- po ky, çfarë bën, a nuk është kjo një formë biografie, duke lënduar kështu ështrat e atyre që prehen nën dhe! Jo! Desha të sillja në kujtesë ato gjëra që pretendojmë se ua dimë çmimin, por jo vlerën. Xhixhua e Gumene (dajove të mi) e martuar në Malaj pesë breza më parë, mori përsëri jetë te vajza e vogël e Bexhetit e cila i trashëgoi emërin, edhe gjakun. Lidhje të shumta e gati të harruara ekzistojnë mes fshatrave të krahinës tonë. Shekua e Gjergje (para katër brezash) u martua në Rexhin në fisin Durmishi, por s’bëri fëmijë. Jekua, halla e Fuat Veliut nga Rexhini u martua në Gjergjaj. Ja pra, kjo është arsyeja që fjalët i peshoj me kandar, sepse hunda s’mund ta shajë buzën. Edhe ju që më lexoni, mendojeni vdekjen, që çdo ditë ta jetoni më mirë.