| E merkure, 27.08.2025, 06:57 PM |
“PARTALLMENTI”
(Monodramë,
për Këlyshin e dalldisur me zgjebe pas posteve partiake, që ndërsehet tinëz pas
shpine)
NGA
KALOSH ÇELIKU
Ngjarja
zhvillohet në mesin e librave, në Rezidencën e “Disidentit” të “Partallmentit”, viç i palëpi me një torbë taxhi përqafe i katundit “Përtejzalli”, në Shkup.
Trima pas
lufte
Skena: Libra të hedhur andej - këndej
nëpër skenë. Një tavolinë pune dhe një karrige. Mbi tavolinë një gjygim me çaj
rusi. Një shtrat pranë dritares. Një fotografi e Skënderbeut në mur me
përkronaren me dy brirë në kokë. Përkarshi saj, një e Adem Jasharit me mitrolezin
me dy këmbë mes maleve… Edhe një tjetër e Jusuf Gërvallës me kitarë… Flamuri
kuqezi mbi tavolinë… “Disidenti” partiak, viç i palëpi me tesha të zeza dhe kërpeshin kuqezi përqafe hynë në
dhomë duke e zvarritur një Kukull Femër me pashterkë të kuqe. “Disidentit”
partiak të palëpi, bythët i kanë kërcyer mbi setre. Në gjoks ka
plot dekorata lufte partiake të fushatave parazgjedhore lokale dhe parlamentare.
Rruza për qafe… Tespi kuqezi në dorë… E ka në dorë edhe një libër me pizi - “kryevepër
patriotike”, përkushtuar Hojdodoles me dy mindila…
Ecë, Nusja ime me
pashterkë të kuqe ulu në shtrat, të ikim pak nga “Mulliri i
Arapit”! Shelgjet që ma zënë frymën… Taxhia, me gjithë torbë më ka mbetur në fyt…
Pusho, pak në shtrat! Po, të duash futi edhe një sy gjumë. (E shtri në
shtrat, Hojdodolen). Ashtu. (Këmishën e gjatë të mëndafshit ia çon pak përpjetë duke ia zbuluar bythët). Mos u zemro për këtë veprim patriotik!
E kam për frymëzim artistik, në libra. Ushqim të “Kryeveprave artistike”. (E
ngre gjygymin dhe qetë çaj rusi në gotë, mbi tavolinë). E, do edhe ti një
gotë “hallall”? Jo, ë?! Ehë… Ehë… Ehëëë… E di unë ti e do një shtamë me verë “haram”. “Hallallin”,
siç e ka pagëzuar poeti Rebel Rrapi. E, çain e rusit “haram”. Nuk je “muslimane”
si unë me tespi kuqezi në dorë. Pesë “vakte” nuk i falë në xhami përditë përpara këmbëve
të hoxhës “Allahut”. Edhe “Ramazan” nuk mbanë “Përtejzalli”. Edhe haxhicë, nuk ke qenë në Mekë… Fatkeqësi kombëtare… E di unë, të ka
infektuar Rebel Rrapi me poezi erotike. Edhe, ndoshta të ka larë me verë, nën
Rrap… Kokë e këmbë të ka bërë “haram”. Ku ta di, unë fakiri?!… Megjithatë,
gëzuar! (E cakrron gotën e çajit me bythët e zbuluara të Kukullës Femër
Hojdodole). Vërtetë, jam patriot i madh, po kësaj radhe do të shkruaj pizi
dashurie. E kam vendosur t’ia mbyll gojën atij Poetit Rebel Rrapi, që na i
shurdhoi veshët me atë Miken Di… Verën dhe Rrapin… E sheh
tashti se, si shkruhet poezia për miken. Vërtetë, kam shkruar pizi patriotike,
po ashtu e deshi koha.
Tashti, kur e fituam
luftën, ja i erdhi radha edhe dashurisë… Lirisë… Unë, nuk dola në male me UÇK
-ën, po unë kam luftuar qysh në kohën e komunizmit. Moti, unë i kam nxjerrë
armët nga brezi për liri… I keni harruar shkrimet e mia publicistike në gazetën e “vëllazërim-bashkimit” kundër Rebel Rrapit,
plot patetikë
artistike: Shkina… Shkje… Nëna Parti më përkundte në prehër, më jepte gji… Fuqi,
si Haxhi Deputetit dhe DpoktorZiui t’u bie kryemëshehtas Sarajeve të Qeverisë
në Shtetin e “përbashkët”. Bereqetit të Nënës Parti… Natë e ditë t’ua fërkoj me
duar herdhet “vëllezërve” të Njekës… Shpeshëherë
edhe t’u vihem pas në Qeveri si dhelpëra herdheve të dashit, mos i bien udhës
duke e kërcyer gardhin…
Unë kam qenë edhe
partizan fushe… Mos them, edhe ballist i maleve. Edhe komunist, në Qeveri… Edhe
turk “ehamdurila” në Maqedoninë e Veriut. Nuk e besoni?!… Jo, ë?!… Ja, shiheni
ku e mbaj strukur shokun Tito… Edhe yllin e kuq pesërrembësh partizan! (E
kthen jakën e setres në tjetrën anë. Vërtetë, ku shihen shoku Tito dhe një yll
i kuq pesërrembësh). Në sistemin komunist, kam qenë partizan… Në demokraci
pas lufte, ballistë. Edhe atë, me shqiponjën e zezë dykrenare në ballë…
Flamurin kuqezi në mitingje partiake. Kuvende të Nënës Parti… Nuk e
besoni?! Ja, shiheni në vepër! (E nxjerrë nga xhepi setres një kësulë me
shqiponjën e zezë dykrenare). E ky, këtu kush është me dy brinja, në
përkrenare?!… (E tregon shenjën e Skënderbeut në setre). Skënderbeu, ë?!… Vetëm se, jo ai i Prishtinës: që, e ka ulur shpatën….
Ose, ai i Shkupit: që e ka futur në brez… Edhe, as ai i Dibrës Madhe pa kalë me shalë, që është nisur më këmbë me sejmenë
përmbrapa ta çlirojë Kalanë e Kërçovës… Po, ai i
Tiranës, që e ka ngritur shpatën e madhe lartë në dorë për luftë… Liri…
Punemadhe, më
përgjigjeni… Ku dini ju, çka është patriotizmi…
Nëna Parti… Atdheu… Mëmëdheu… Lufta për Liri… Aqmëpak, polemikat e mia me Rebel
Rrapin të ndërsyera nga Policia letrare në gazetën e “vëllazërim-bashkimit”.
Tërbimi im në Kuvendin e Lidhjes Shkrimtarëve Shqiptar, kur iu turra Rebel
Rrapit me Kopenë me zgjebe të japi dorëheqje nga posti i Kryetarit të Shoqatës
Shkrimtarëve Shqiptar në shkollën fillore “Liria”, në Shkup… Ministri informatave
i Nënës Parti, kur nxirrte shkumë nga goja… E, më vonë pas hapjeve të dosjeve, e shpallën
spiun. Hojdodolja e Facebook -ut
(Trëndafilja), krahëpërkrahu me Këlyshin e Sharrit me nënshkrime falso,
Këlyshi tekenefes me një asht në gojë, matanë Vardarit, dhe atë të Llagut që u
dilnin jargë për goje…
Ehë… Ehëë… Ehëëë... Edhe pak duhet ngritur këmishën e mëndafshit. (Ia zbulon pak më shumë bythën Kukullës Femër Hojdodole.
Përsëri, e çon gotën e çajit të rusit). Gëzuar! Tashti do ta shihni se çfarë vargjesh
do të dalin nga kjo kokë. Antologjike. Udhërrëfyesi im partiak, DoktorZiu: do
ta shti edhe në antologjinë e Tun Batunëve, rrëzë “Sharrit Plak”. (Ulet në
karrike dhe me zë shkruan në kompjuter mbi tavolinë):
S’kam kohë të merrem me frikën
Shpejtoj
t’i dal vdekjes këlyshçe.
E, t’i
futem i tëri në bythë…
Kryevepër
artistike, ë?! Eh,
Rebel Rrapi! Rebel Rrapi! Kësaj i thonë poezi, e jo atyre që i shkruan ti nën
Rrap. E sheh, pse deri më tashti nuk kam shkruar pizi erotike?
Jo, më përgjigjesh. E di, nuk e sheh. Ja, po të tregoj, o poet ashik, dhe rebel! Gëzuar
për shëndetin tënd nën Rrap! Zonën e lirë… Edhe pse, këto ditë në gazetën e “Vëllazërim-bashkimit” u botua një shkrim,
se ka shterë Shadërvani… Nuk ka ujë… ”Boemi i dikurshëm, që tash në demokraci i
kanë ngelur në tru tamam si Rrapit: galat, zogjtë, mizat dhe bullari…” Tre
parlamentarët, që e kishin gostitur vendasin e Shkrimtarit me “nga një uiski
dopio”, siç i thonë në Shqipëri, e kishin porositur kamarierin: Të piqnin prej
mishit më të mirë, dhe sa më shpejtë të hiqte pjatat me qepë, se e kishin
qelbur tërë Rrapin për rreth. E, Yllkuqi i Kërçovës, tha me shumë ironi: ky
Rrapi më nuk është i atij boemi, po është i yni, Nënës Parti.
Hi-hii-hiii… I lumtë! (E ngre gotën e çajit të rusit dhe e cakrron përsëri
me bythët e zbuluara të Kukullës Femër Hojdodole). Gëzuar! Gëzuar, edhe ti, o Yllkuqi i
Kërçovës si deputet i popullit, që më në fund nga “Partallmenti” i Xhaxhit
Kuqezi, zbrite nën Rrap! E lidhe gomarin me samarë nën hije. Kërpeshin kuqezi e
vare në një degë… E pret Nënën Parti edhe njëherë të të hip në foltore… Tym e
flak? të nxjerrësh nga goja…
Çka, më thua se edhe unë jam vonuar nën Rrap?! Moti është
dashur ta varë kalemin në një degë. Mikes Hojdodole t’i shkruaj pizi… Jo. E ke
gabim. Nuk kam shkruar si ato të Rebel Rrapit, se: kemi qenë në robëri… Burg…
Shkau na shkeli te dera… E tashti pasi erdhi liria, mu zgjidhën duart…
Frymëzimi… Kalemi… Erdhi, Muza me ferexhenë e zezë krahëve... E di, Rebel Rrapi do të thotë: në demokraci iu zgjidhën edhe brekët… Po, jo! Nuk ia plotësoj atë dëshirë. Unë kam
lindur dhe do të vdes patriot kuqezi. Unë kam lexuar pizi patriotike edhe mbi
varret e dëshmorëve. Në mesin e tyre kam kërkuar të këndohen këngë patriotike
me çifteli… Po, armiqtë e kombit nuk ma plotësuan këtë dëshirën e fundit. Më
mundësuan t’i lexoj vetëm pizitë e mia, të bëj përurimin e “kryeveprës
patriotike” në një shtëpi kulture. E di se çfarë duartrokitjesh të zjarrta kam marrë unë nga populli? Nuk e dini. Ju, nuk i
dini as edhe dyluftimet që i kam pasur unë me Nënën Parti.
Çka, më pyesni për postet
partiake?! Po dihet, edhe poste partiake kam pasur në Parti. Kryetar dege në Katund. Gazetar dhe redaktor kulture në redaksinë e “vëllazërim-bashkimit”. Vend
pune në Entin e punësimit. Post partiak, në Agjencinë për zbatimin e gjuhës
shqipe. Emërim si anëtar komisioni për botime në Ministrinë e Kulturës për
hakmarrje tendecioze partiake ndaj krijuesve shqiptarë. Institucioneve
Shqipitare. Lidhjes të Shkrimtarëve Shqiptar. Që, nga dhjetë
projekte të aplikuar në konkursin e vitit 2022, e lash pa asnjë projekt. MKTN
TAKIME NËN RRAP XXVII, e fshiva nga programi i Ministrisë Kulturës. Edhe,
revistën letrare STILI ’97 me një traditë tridhjetë vjeçare me 61 numra në
dritë, e futa nën sjetulla në burgun partiak politik të atij viti.
Përinatë, këtë vit u
ndërseva me të katërta edhe pas Institucioneve Tradicionale Kulturore
Shqiptare, që e mbijetuan sistemin e egër komunist… Po, jo edhe atë
Neokomunist. Sot, unë them: të “zbutur” Nekomonist… Po, si jo?! Sot, nuk i
ndërsehet shkau, po edhe unë shqiptari… Nuk jam morr, po plesht… Hoop, kërcej nga
Partia Komuniste te Partia Neokomunsite… E kanë vështirë të më shtypin
partizanët e Qeverisë “demokratike”. Heroikisht, edhe Nëna Parti po jep shpirt… Lidershipi, në
Livadh…
Hi-hi-hiiii… Udhembarë,
në “Xhehnet”! Zoti ua faltë mëkatet!... “Xhehnetin”! Tespitë kuqezi, a i keni
ende dorë?! Jo, më përgjigjeni. E kemi UÇK -ën… Qeverinë... “Vëllezërit” e Njerkës... Pesë vakte i falim në xhami. Përgjigjem: Zoti, u
ndihmoftë!...
Pse, i keni hapur sytë
nga Qielli sot për
pushtet? Ende, bini me lutje pa
mend mbi qilimat e Persisë dhe Turqisë, e jo me këmbë arushe të Shqipërisë?!… Nuk e keni ditur,
se: unë për të ardhur këto parti politike në pushtet, kam punuar tinës me
“miqtë” kundër armiqëve të
popullit shqiptar në Shtetin
e “përbashkët”. Edhe për UÇK -ën kam punuar tinës, nëpër çajtoret e “Bit -
Pazarit”. Kokë më kokë me “vëllezërit” e Njerkës, te “Mulliri i Arapit”.
Nuk e dini?! Vërtetë, nuk
dola në male me kalemin me dy tyta të Rebel Rrapit, po me zemër kam qenë
në çdo betejë të përgjakshme për liri… Edhe në Tanushë… Edhe në Shipkovicë… Edhe në katundet e
Kumanovës… Edhe në Kalanë e Tetovës... Nuk më besoni?! Jo, më duket se më thotë Rebel Rrapi. E di, përsëri do më thotë e bëni për pushtet:
poste partiake… Vende pune në Qeveri... Lekë… Pasuri…
Po, dreqi ta haj, kështu
më mësoi Baba Parti (Tatkoto)… Nëna Parti. U besoj porosive tyre partiake. Ato
e kanë fajin. E para ma hodhi skrrajën në grepin e peshkatarit. Unë isha vetëm
peshku, që vetëm për një krimb e hëngra grepin…
Ecë, tashti e noto në
Hurdhë të lumenjëve malor dhe fushor. Noton, po si
jo, edhe kryemëshehtas rrënjëve të shelgjeve Anës Bregut. Ose, në
grep të peshkatarit. Vetëm ku, në prehërin e Nënës Parti të
“vëllazërim-bashkimit”. Policisë Letrare… Kulturofagëve, të partive politike… Askushi nuk e
çan kokën më për poezi patriotike, përveçse të vdekurit mes varreve. E me çka mund
të të ndihmojë Sot: Skënderbeu?!… Ismail Qemali… Isë Boletini… Kalosh Zajazi…
Shotë Galica… Bajram Curri… Sulltanë
Qafa… Adem Jashari?!… Me asgjë… Nëna Parti është ajo, që ta vë litarin në qafë…
E tërheqë shkamin… I paguan këlyshët me zgjebe të të kurdisin linçe
intelektuale e fizike… Helmime… Kur t’i teket të bënë poet oborri… Shkrimtar…
Kritik letrar… Gazetar… Analist politik… Doktor shkence… Rektor Universiteti…
Profesor Universiteti… Redaktor në redaksi… Drejtor… Ministër në
Qeveri… E ti vazhdo prapë të shkruash poezi patriotike, përderisa nuk të delë
shkuma për goje e për bythe… Megjithatë, unë nuk lejoj që Nëna Parti të ma vë litarin në qafë.
Shkaku, se: nuk jam viç i
palëpi, siç thotë Rebel Rrapi. Qafën ta shtrij vetë te kasapi. U thashë edhe pak më parë, jam plesht, e jo morr… Hooop,
kërcej matanë gardhit… Morrin e shtypin e jo pleshtin… Këlysh me zgjebe jam, që
u ndërsehem tinëz me të katra pas shpine krijuesve rebelë shqiptar. Ecë,
Kryevepra ime Hojdodole të bëjmë dashuri! Ecë! E hëngrëm “jeshil” livadhin me
tërfojë edhe ne patriotët kuqezi… Vdiqëm, në prehërin e partive politike… E di pse?
Jo. Hëngrëm fiç me torba e thasë… E, populli thotë: hëngër fiç dhe vdiq... Vendin e kemi mes varreve… Një mut,
Nesër: do na vënë te koka, një te këmbët, në vend të gurëve të varrit… Rebel
Rrapi, ndoshta edhe do na stërpikë Ditën e Shëngjergjit me ujë xherizi… Bythët,
do t’na i skuqë me thupër thane, të bëhemi të fortë si thana: me shëndet! Përmjerë te koka mbi varr… Ngrehuni, o
burra mejdani!… Turruni në Qeveri pas posteve partiake! E fituam luftën… Erdhi
liria…
E neve, përsëri na duhen “patriotë
melez kuqezi”. Poetë Oborri… Shkrimtarë partiak pa talent me brekët mbi
pantollona… Kritikë letrar teknefesë… Gazetarë… Doktorë shkence për Unionin e
viçave… Redaktorë trusakatë... Drejtorë gjysëmanalfabetë… Ministra të tredhur në Qeveri… Ecë, Kryevepra ime
Hojdodole, shtrihu në shtrat! Ecë! (E rrëzon me egërsi dhe i sulet si mëzat i tredhur katundi). Çka? Nuk do… Mos u turpëro përpara
Skënderbeut… Edhe Adem Jasharit… Ata, i kanë mbyllur sytë. Edhe, kjo luftë është vepër patriotike… (E pushton).
Ashtu. Bukur. Nëse, nuk shkohet në Evropë me politikë madhore… Vepra artistike…
Kështu shkohet në Evropë… Shteti i “përbashkët”, shpallet republikë “demokratike”.
I dalim zot integritetit të Njerkës… Tashti, hipëm përsipër! (E merr dhe e
hip mbi vete Hojdodolen, i shtrirë në skenë). Kërce mbi Kryengritësin! Ashtu!
E, hë… E, hëë… E, hëëë… Kërce! Përdridhu!... Piskatë!… Oh! Ooh! Ooh! Çmendu! Nga ajri e nga toka
përdore gjithë arsenalin ushtarak! Helikopterë rusi… Avionë… Raketa… Predha…
Demostro forcë! Më fortë! Më fortë! Edhe, më fortë! Rroftë Unioni i viçave!
Rroftë Nëna Parti në Qeveri!
Hesht! (Nëpërmes
të altoparlantit dëgjohet zëri i Hutit)… Hu… Huu… Huuu…
Jo! Nuk është Huti, po
Sorraku Qytetit i Tun Batunit… U ngritë edhe ky lugat… Erdhi nga varret me
shokë… Mbylle gojën! (Piskatë). Lufta mori fund. I dorëzuam armët... Gjashtë muaj nuk ua kemi dëgjuar zërin. U arratisët në
Kosovë… Shqipëri… Nëpër botë… Ikët me frikën në shpinë… O Imzot, nga sytë
këmbët! Nuk na duhen trima pas lufte… Jo! Mjaftë, i kemi këlyshët me zgjebe të
Nënës Parti Neokomuniste… Hutin e Tun Batunit, që trumbeton “fitore” në mjetet
e informacionit para Vitit të Ri. I rrumbullaksoi premtimet… Lirinë, ua solli
shqiptarëve me karrocë në vend të Babadimrit… Edhe, u shpërndau dhurata për
Vitin e Ri, shtëpi në shtëpi.
Jo! Jo, nuk e keni
ndërmend që të jepni asgjë, as për mëshirë. Kënga juaj ndjell kob… Vdekje… Robëri… Çka, kush je ti
Sorraku i Tun Batunit?! Po, kush dreqin je ti, që na këndon natën ende mbi
çati?! Komunisti i arratisur?!… Haxhi Ddeputeti… Doktorziu? Apo, Këlyshi me
zgjebe?!… O, Imzot! A, ende e paske kabinetin e Baba Qiros (tatkoto) në Qeveri?! Ende, e bënë politikën antishqiptare edhe Sot në Maqedoninë e
Veriut me argatë të partive politike shqiptare?!… Që, Dje I polli Nëna Parti.
E, Sot i përkundë në Qeveri Baba Parti. Ende, një nga një: në kabinetin tënd
edhe pas vdekjes, hyjnë e dalin për këshilla politike deputetët e popullit
shqiptar… Kryetarët e partive politike… Trusakatët e Unionit të viçave… Ende,
mendon, edhe nga varri, se: si shqiptarë “vëllezër të bashkim -
vëllazërim-bashkimit”, do të na prish për fitore… Liri... Edhe, pesëdhjetë vjet
të tjera me Unionin e viçave…
Hi-hi-hiii… Folë,
Skënderbe! Folë! Pse, heshtë?! (I drejtohet fotografisë të Skënderbeut, varë në mur). Edhe ti ke qenë me ne në ballë të turmave nëpër mitingje
për “fitore”… Fushata parazgjedhore lokale e parlamentare… E kemi valuar
flamurin kuqezi përpara popullit me premtime parazgjedhore… Edhe Shpatën e
Skenderbeut… E kemi vrarë vëllai - vëllanë për pushtet… Po, ti Adem Jashari,
çka i thua këtij rrospillëku të partive politike shqiptare?! Pse, përsëri do të
dalësh nga varri në mal, kësaj radhe jo nga serbët, po nga shqiptarët?! Nxirre
mitralozin me dy këmbë! Ua shkrep në ballë tradhtarëve të popullit shqiptar!… Çka?! Edhe ti, më thua t’i duartrokis
Nënës Parti?!… Babës Parti… Himne t’i kushtoj nëpër kongrese partiake… Tubimeve
parazgjedhore, t’i shkoj përmbrapa, mos i bien udhës herdhet… Në emër të
popullit shqiptar me të katra këmbët t’i sulem “Partallmentit” të Xhaxhit Kuqezi… Ministrive… Zyrave të ndonjë
redaksie partiake, Institucioni qeveritar për një vend pune, post politik…
Emërim të komisioneve partiake… Me preardhje, nga një shoqatë “humanitare”
turko-arabe: skretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës, këshilltar i dy
ministrive?! Kryetar i Bordit për ndarjen çmimeve shtetërore Sekratar shtetëror në Minstrinë e
Kulturës. Këshilltar, i ministrit kulturës… Kryetar
i Bordit për ndarjen çmimeve shtetërore?! Jo, që përsëgjalli nuk
e ka shkruar asnjë varg, por nuk ka as libër në Gjuhën Shqipe në shtëpi… Aqmëpak,
me kulturën shqiptare. Kurrë!...
Jo, o burrë! Jo. Tashti e
tutje do të shkruaj vetëm poezi erotike. U lodha më me pizi patetike, më falni patriotike! Shkurt, nuk ua pash hajrin. Unë jam disident… E disidentit i ka hije në
Parti politike... Deputet në “Partallment”. Ministri… Kabinet… Zyrë redaksie...
Ja, arsyeja pse do ta tradhtoj edhe këtë parti politike. E di, do të thoni, ju: kurva i ndërron burrat.
Punemadhe. Nuk është kurvë gruaja që shkon burrë më burrë, po kurvë është patrioti kuqezi, që shkon parti më parti politike… Populli thotë: Burri i mirë i mbanë shtatë gra. E,
Hojdodolja trumbeton të kundërtën: Gruaja e mirë është për një katund…
Hi-hi-hiii… (Qesh).
Ja, pse të martohem kam pasur frikë. “Vëllai” u martua, i dhash edhe unë do
lekë për dasëm. Pesë vite ia përgaditëm pajën. Nusen, u morëm vesh, se: do ta
kemi përgjysëm. Gruaja, vëllaçko ka shpenzime. E Rebel Rrapi thotë të
kundërtën: burri ka shpenzime. Gra, kemi me bollëk. Sot, na mungojnë burrat.
Burrat. Një burri i takojnë dhjetë gra. E, unë nuk e kam asnjë grua, as për farë në shtëpi. Partia ma gjeti një grua, po iku edhe ajo pas Haxhi Deputetit, në ministri nuse pa koçi. Nuk më gjen më tjetër grua, thotë: nuk je i aftë ti për grua.
Ju, nuk e dini edhe si iu
përgjigja Nënës Parti, kur më gjeti punë në Agjencinë për zbatimin e gjuhës shqipe?! Jo, iu përgjigja.
Vallë, a nuk është më mirë në vendin tim ta pranoni një tjetër aktivist
partiak, p.sh. Këlyshin me zgjebe me një torbë taxhi përqafe. Ai, të punojë në vendin tim, e unë në fund të muajit rrogën me të ta ndajmë përgjysëm? E, me “vëllain”, rreth hijes së Shelgut në medis të Lëmës? Edhe këtë nuk e dini?! Mirreshim vesh me vëllain, që në mëngjes pa asnjëfarë problemi. Vëllaçko, zeje i pari hijen, nëse nuk do t’i përzimë
kësulat! Po, me dy enët me groshë, që mi paguente Piktori? Hi-hi-hiii… (Qesh).
Edhe këtë nuk e dini?!
O Imzot, po çka dini ju?!
Për çdo ditë në restorant i porositja nga dy enë me groshë, që mi paguante
Piktori. E kur më pyeste pronari, pse dy enë, kur isha vetëm në tavolinë?! I
përgjigjesha: e pres edhe një mike, Hojdodolen. Edhe, dikur kur përfundoja enën
e parë me groshë, çka bëja me tjetrën porosi? Jo, nuk e dini. I fërkoja duart.
Barkun. E filloja të dytën. Edhe, i përgjigjesha kurreshtarit matanë tavolinës, nuk erdhi
Hojdodolja.
Për çdo ditë i
rrokullisja nga dy enë me groshë. E ju e dini, sa e gjatë është dita. Po, nata?
Eh, natën të këndojnë zorrët në bark për bukë… Vërtetë, ju nuk dini për mua
asgjë si patriot katundi. Fatkeqësi kombëtare. Edhe po ta dinit, nuk ju hy në
punë. Nuk e dini ku e kaloj ditën… Natën… Cilës partie politike i rrokullisem
në brekë… Xhindet ia përzë mbi çati… I qes edhe fall ndonjë
cuce… E përmbys filxhanin e kafes me një dëshirë… Nuk besoni?! I Pyetni po të
doni, ato Tri Cuca me dajre, se: si e kemi ndarë mejdanin.
Në fund, pasi i shikuam
filxhanat e tyre të kafes, Tri cucat: vendosën ta shikojnë edhe edhe filgjanin
tim, të patriotit kuqezi. Më thanë: cila nga ne dëshiron të ta shikoj
filxhanin? Pasi i shikova me rend të gjitha, ti i thash njërës, më të bukurës.
E mori, dhe bluajti kot fjalë disa minuta. Qeshën me mua si patriot kuqezi. Në
fund, më thanë: vëndoje gishtin në mes të filxhanit dhe mendo për një dëshirë! E dikur, gishtin fute në gojë! Qeshën edhe më me zë, duke ia
mbyllur njëra tjetrës syrin. E mashtruam, thanë me gjysëm zëri. U kënaqëm me këtë budalla “Llagu”. Unë, nuk munda t’i duroj më dot theshethemet e
fallxheshave, ua prita: po, unë asgjë nuk kam menduar, oj cuca asgane! Edhe
njëherë, u shikuan sy më sy me një buzëqeshje xhadie. Përpak, desh plasën nga të qeshurat dhe barkun duke e mbajtur me dorë, ikën te Nëna Parti me brekët nëpër këmbë…
U bindët tashti më në fund, se: unë kam punuar tinës për UÇK -ën. Po. Atëherë, binu
duarve shuplakë! Edhe në këtë pushtet e meritoj edhe një post ministri si argat
besnik Qeverie në shtetin e “përbashkët”! Çka, më thoni t’i dëgjojmë këlyshët
me zgjebe të Nënës Parti?! Mirë. Ja, ku i keni me bishtin ndër këmbë, të
përjagur… Veshët e prerë… Vetëm, se: unë, nuk e dua postin e ministrit. Po, të Kryeminstrit!
(Ngrihet dhe e lëshon radion).
(Folsja): Dëgjues
të nderuar, mirëdita. Në ditën e sotme nga dora e Hutbës jugosllave u vranë nga
pusia Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Patriotë të flaktë të kombit
shqiptarë. Nëpër disa qytete u përkujtuan këta dëshmorë me disa manifestime
kulturore tradicionale: “FLAKA E JANARIT”. Gazetarja jonë gjatë minutave të
ardhshme do të bisedojë me dy shokë që kanë punuar së bashku me Jusuf Gërvallën
në një redaksi. Bashkëbiseduesit tanë janë Honxho Bonxho, poet dhe Ebu Fakiri,
shkrimtar. Gazetarja: Zotërinjë të nderuar, mirëdita dhe mirëse erdhët
në studio. (Mysafirët: njëzëri) Mirëdita. Gazetarja:
Zoti Ebu Fakir, ju keni punuar së bashku me Jusuf Gërvallën në redaksinë e
“vëllazërim-bashkimit”, dhe e keni njohur për së afërmi. Çka do të na thoni diç
më tepër për këtë patriot? Ebu Fakiri: Jufuf Gërvalla ka qenë edhe shok,
edhe patriot i madh. Unë me të kam qenë i afërt në punë. Shpeshëherë, bisedonim për çështjen shqiptare dhe letërsinë.
Dihet, Jusufi shkruante edhe poezi. Po, edhe këndonte bukur. Gjithmonë me vete e merrte edhe kitarën. Më kujtohet si sot, kur Jusufi e
këndonte këngën: O kjo anë e lumit ka bylbyla shumë… Gazetarja: E
ju, zoti Honxho Bonxho si e kujtoni Jusuf Gërvallën? Honxho Bonxho: Ah, (pshertin
në vete me patetikë) kur dëgjova për vrasjen e tyre nga dora tradhtare
e UDB -ës jugosllave, ja mu këtu në zemër mu këput diçka si tunxhi. E kam qarë
atë ditë si fëmijë. Po, si mund t’i harroj ato ditë që i kaluam së bashku në
redaksi kokë më kokë. E nisnim bisedën me letërsinë dhe kalonim në politikë.
Jusufi ka qenë një patriot edhe më i madh se Skënderbeu me shpatën në brez mes
Shkupi, në varrezat e automobilave…
Hi-hi-hiii… (Qesh).
Bërllok shqiptar… Spiunë, që sa qenë gjallë nuk i kanë lënë rehat, duke i
spiunuar në polici. Edhe sot, poashtu nuk i lënë as në varr. (E shuan me
inatë radion). O Imzot, frikë të kesh edhe të vdesësh një ditë. Bërlloku i
këtij soji, nuk të lë të qetë edhe në varr. Edhe, atë: kush të mbanë fjalime të
zjarrta mbi kokë?! Derdhë lotë krokodili… Kurora lulesh të vë mbi varr…
Bërlloku… Këlyshët me zgjebe, që më së tepërmi të janë ndërsyer pas shpine. E
kanë nxjerrë gjuhën na, dy pëllëmbë përpara Vetshërbimit të kukullave, në
“Bit-Pazar” për një asht shpërblim… Torbë taxhi…
Hojdodolja ime, mbuloje
bythën! Rrufjanët nuk kanë besë. (Ia lëshon këmishën e gjatë të mëndafshit deri në fund të këmbëve). Patriotizmi yt mori fund në këtë
“Shtëpi Publike”. Gjithë kohën më paske tradhtuar me Rebel Rrapin... Rrospitë
Meshkuj… Këlyshët me zgjebe… Trusakatët… Patriotët kuqezi… Nuk je ti Mikja ime
Hojdodole, po Nëna Parti me bythët në hava… Këmbët t’i kanë ngritur përpjetë në
“Partallmentin” e Xhaxhit Kuqezi… Patriotët dilinxhi i kanë shterë herdhet…
Lëmën na e mbushën me kopila… Atdheun… Theje qafën, Rrospi! (E merr Kukullën
Femër dhe e tërheq zvarrë nëpër skenë. E hudh jashtë dhe ia përplas me forcë
derën. Edhe çelësin ia rrotullon dy herë. Dikur e merr shpatën e Skënderbeut
varë në mur dhe e ngre lartë në ajër. I hipë një karrigeje si kalë, e rrotullon shpatën në ajër gjoja se pret koka njerëzish. Dhe, bërtet? plot tërbim): O bini burrat e mejdanit, Zot t’i dalim Vatanit!
(Dritat ndizen -
shuhen, në skenë. Vetëtimë mbi malin me lisa në “Çelvjollcë”. Vetëtima shkrep
gjarpër, mbi Rrapin, shti rrufeja).
Fund
Shkup, 02.
prill 2022
(Nga libri
PABESIA, që së shpejti do të dalë në dritë…).