| E hene, 25.08.2025, 06:59 PM |
Rikthehet në jetë zemra antike e olimpizmit në Amantian ilire
Nga
Albert Vataj
Në
ditën e dytë të “Vajza Fest 2025”, Amantia u ngrit si një orakull i ringjallur,
ku mijëvjeçarët u përkulën para një çasti të vetëm. Në atë amfiteatër të gurtë,
ku koha ka gdhendur heshtjen e saj madhështore, tingujt e sotëm u përzien me
jehonën e largët të lashtësisë. Gurët, të tharë nga shekujt dhe të rrahur nga
erërat, u bënë altari i një flake të re që digjej me të njëjtin zjarr si dikur,
flaka e garës, e fisnikërisë dhe e lavdisë.
Në
mes të këtij teatri të përjetësisë, shfaqen priftëreshat, sikur të kishin
zbritur nga legjendat, duke bartur me duar të shenjta kurorat e ullirit.
Fitimtarët i morën ato si një dhuratë të dritës, një lidhje të gjallë mes
epokave, ku nderi i lashtësisë fshihet në gjakun dhe djersën e garuesve të
sotëm.
Qielli
i Amantias u mbush me krahët e pëllumbave të bardhë, si simfoni e paqes që
lartësohet mbi rrënoja e mbi njerëz, mbi kujtesë e mbi të ardhme. Dhe aty, në
përplasjen e gurëve të ftohtë me entuziazmin e zemrave të reja, antikja u
shndërrua në të tashme, ndërsa e tashmja mori pamjen e amshueshme të një miti.
Amantia
nuk ishte më një qytet i rrënuar, por një tempull i gjallë ku lashtësia dhe
moderniteti vallëzojnë së bashku, duke rikthyer mesazhin e pavdekshëm të
olimpizmit, se njeriu e gjen përjetësinë e vet jo në gurë, por në garën e
shpirtit.
“Dita
Olimpike” në Amantia nuk qe thjesht një aktivitet sportiv, por një ringjallje e
frymës së lash
tësisë.
Ajo u shndërrua në një përqafim mes kohëve, aty ku gurët e vjetër të stadiumit
dëshmuan sërish për rrahjen e hapave të rinisë. Në mbështetje të KOKSH-it dhe
drejtuesit të saj, Fidel Ylli, kryebashkiakut, Selenicë, Nertil Bellaj,
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, etj., ky rit u bë një urë lidhëse
mes garave që dikur nderonin perënditë dhe përballjeve të sotme që kremtojnë
vlerat njerëzore, fisnikërinë e trupit dhe madhështinë e shpirtit.
Në
stadiumin e Amantias, ku dikur ilirët përjetonin solemnitetin e garës, u ndie
një frymë e re: jo më për të kurorëzuar fitimtarë me dafinë, por për të
ngjallur tek secili vetëdijen e pjesëmarrjes, të paqes dhe të miqësisë
olimpike. Gurët e stërlashtë, që kanë parë shekuj lavdie e heshtjeje, u zgjuan
nga gjumi për të duartrokitur të rinjtë që vraponin në pistë, si hije të
bashkuara me dritën e një tradite që nuk shuhet.
“Dita
Olimpike” i dha Amantias atë që i kishte munguar prej kohësh: ritmin e zemrës
njerëzore, që i jep kuptim gurëve të ftohtë, gjallërinë e trupit që ringjall
mitin, dhe dashurinë për garën që e bën njeriun të kapërcejë kufijtë e tij. Në
këtë rikthim të frymës antike në një format bashkëkohor, Amantia u bë përsëri
ajo që ishte: tempull i garës, i bukurisë dhe i shpirtit të lirë.