| E hene, 25.08.2025, 06:37 PM |
Telashe të "vogla" të një njeriu të ndershëm
(tregim)
Nga
Përparim Hysi
Heroi
i këtij tregimi nuk është shpikja ime. Përkundrazi: ka qenë komshiu im dhe, tek
shkruaj për të, gjithmonë më bren meraku
në do jem i zoti që ta paraqesë para lexuesit me gjithë atributet që kishte si
një njeri të ndershëm, siç është ndershmëria. E kam fjalën për MANO OSMAN MAKËN
nga PETOVA e FIERIT. MANO MAKA ka qenë
me kombësi boshnjake dhe, siç më kujtohet, para se të vinin nga Bosnja në
SHQIPËRI, kanë jetuar në Novi Pazar të BOSNJËS. Në Petovë, nga jam dhe vet, erdhën në vitin 1947 dhe u vendosën as dhjetë
çapa larg familjes sonë. Këta, boshnjakët
nga BOSNJA, qenë familje e madhe: 6 burra dhe pesë prej të cilëve qenë të
martuar dhe nga burrat, vetëm ky, MANUA, qe i pamartuar që, siç gjykoj, në këtë
kohë duhet të ketë qenë rreth 18-vjeç. Boshnjakët që u vendosën pranë nesh, ngritën
një shtëpi të re me ustallarë nga BORIÇËT e FIERIT, mjeshtëra ndërtimi, të ardhur nga Dibra e madhe. Petova ku jetonim
ne, familjarisht, quhej Petova e re për
t'u dalluar nga fshati i madh, PETOVA e vjetër.
Petova e vjetër në këto vite që flas unë, kish mbi 100-shtëpi, pothuaj
me banorë vendas, den baba den, hiq nja
6-7 familje vllahe (çobanë). Ndryshe nga PETOVA e vjetër, PETOVA e re kish plot
33 -shtëpi dhe që të gjithë, jabanxhinj. Nuk kish fshat më heterogjen nga PETOVA e re: kish
skraparlinj, kosovarë, shqiptarë nga
trevat e Malit të zi; boshnjakë, çamë dhe dy familje të ardhura, një nga
Karbunara e Lushnjes dhe një tjetër nga një fshat nga rrethinat e Patosit.
Hetorogjen vërtet, por kishte një shkuarje që askund tjetër nuk e gjeje.
Mjafton të them vetëm kaq: tri familje qenë
në varfëri ekstreme, po, kur shihej gruri, secili nga fshatarët
daroviste falur dhe askush në PETOVË të
re nuk kërcënohje nga uria.
Ç'shkruaj,
nuk është hamendësi imja, por kam jetuar në PETOVË të re deri në vitin 1959.
*
Familja
boshnjake me 6-burra qe si një"minirepublikë", krahasuar me familjet
e tjera ku, e shumta, kish deri tri
burra në një famile dhe jo kështu:plot 6-burra! Shto pastaj gratë e fëmijët dhe
bëheshin gati si një lagje më vete. Qenë komshinjtë tanë (kishim ardhur nga
Skrapari qysh në vitin 1941) dhe aq komshinjë të mirë qenë, sa nuk ua gjen kund
të gjashmin. Qenë punëtorë të mëdhenj.Sado që qenë më të rinjtë që u vendosën
në PETOVË të re, u bënë bujqët më me emër jo vetëm në rrethih e FIERIT, por në
mbarë SHQIPËRINË. Prodhonin më shumë se gjithë fshati dhe qenë jo vetëm
bukëdhënës, por dhe miqësorë sa nuk gjej fjalë për t'i cilësuar. Nëse e merni
se po e zmadhoj vlerën e tyre si bujq
(tani thuhet fermerë), ju them vetëm një
fakt: kryetarin e kësaj "minirepublike", BAJRAM MAKËN, e thirri në
takim vet komandanti alias Enver Hoxha që jo vetëm e falnderoi, por
si"suvenir" i dhuroi një kobure!!! Në doni fakt tjetër:jetonin aq
mirë, sa në ato kohë(pra viteve '50-të të shekullit që shkoi), vet Sekretari i parë i komitetit të partisë në
Fier, SABAH HASA, sillte gruan me fëmijë
që veronte në"selinë e kësaj
minirepublike". Qenë shumë të pritur dhe kanë mbajtur nga dy-tri vjet pa zënë punë me dorë, dy vëllezër dhe
një kushëri të ardhur një nga BOSNJA e dy nga Turqia. I trajtonin si miq dhe
veç mik tek MAKAJT të ishe. Në hall, ta nxirrni sakaq dhe në gëzime, shtëpia e
tyre, ishte jotja. Me burra e gra, një
kallëp ishin. Ne, fëmijët, aq u familjarizuan me fëmijët e tyre, sa në atë kohë, mësova të flas në gjuhën e tyre. Me kalimin e
kohës zura të harroja, por, kur shkoja mik tek ish-komshinjtë, këta porosisnin
nuset që nuk më njihnin dhe u thoshin:-Mos flisni në gjuhën tonë , se
PAPI(kështu më thonë të gjithë ata që më njohin), i kupton të gjitha.
*
U
zgjata ca, për t'ju treguar se këtë "minirepublikë" e njoh mirë dhe, po
kaq mirë, MANO OSMAN MAKËN që po e sjell në këtë tregim. MANO qe i gjatë, gati
dymetrosh dhe i trashë nga trupi si një lis shumëvjeçar. Qe i fuqishëm si një HERKUL dhe ky njeri që me duartë e tij
aq të fuqishme mund të mbyste dhe një dem, kish nnjë zemër të brishtë e të butë,
sa nuk therte dot një pulë. Nuk kish
njeri më të gjendur dhe aq bujar. Këto cilsi ia njihnin që të gjithë dhe,
kur kërkohej një roje i sigurt për bostanin në kooperativës, njëzëri propozuan
MANON. Roje MANUA dhe askush nuk afrohet atje.Parcela e bostanit qe goxha e
madhe, por MANO jo vetëm i doli zot, por ngriti mu në mes parcelës një
si"kullë"apo "karakollë" për të treguar se këtu ka
"zot hauri" dhe "zot i këtij
hauri" jam unë tek "karakkolli". Bostani qe pjekur dhe ta bënte me sy, por me MANON
nuk bëhej shaka. Askush nga ata të fshatit nuk afrohej, por, kur s'e priste, sheh nga "kulla" e tij që në bostan, vjedhurazi,
hyjnë tri ushtarë. MANO i pa dhe bëri një sy qorr e një vesh shurdh:ushtar kam
qenë dhe veta.Dashtë! T'ju bëjnë mirë. Nuk luajti nga"kulla", sikur
nuk qe aty, por me sy i ndiqte. Ushtarët hëngrën sa deshën dhe, sakaq, zunë të
mbushnin një thes që kishin me vete. Aha, - tha MANO, - ky është zullum i madh. Zbriti nga "kulla" dhe u doli
para. -
Ku doni me atë thes? NJëri nga ushtarët, si gjasme më"trimi" i
tyre, hoqi rrypin e mezit(qenë nga ata
rrypat me toka) dhe tentoi ta"frikësonte" rojën. Tani MANO nuk ka më
zemër fëmije, por është HERKULI që, mbasi ia rrëmbeu"rrypin" u hyri
dorë dhe i kopanisi aq sa ushtarët gati zunë spitalin.
Kur
shkuan në repart, sikur kishin qenë në luftë dhe komisari e komandanti u alarmuan jo
për shëndetin e ushtarëve, por mos ankohej roja dhe u hapte punë për cënimin e
pronës së përbashkët. Pa u ftohur "pilafi", o burra tek roja. MANO
zbriti nga"kulla" dhe i ftoi mysafirët tek "karakolii" i
tij. I qerasi me bostan dhe, kur ata zbrazën"hallin" e tyre, semos
MANO denonconte më tej, u tha:" I lashë që të hanin, por hajninë nuk e
lejoj." Ata me shëndet dajakët dhe
nuk kam unë pse ankohem.
*
Një
ditë , qe ashtu pasdreke, tek po kthehej në shtëpi, në një mezhdë aty pas
rrugës, shikon një burrë të shtritur
që mend lëshonte jargë nga goja. MANO afrohet dhe e njeh atë burrin shtrirë
për tokë. Ou, - bëri MANO, -po ky qenka kryetari i koopertivës dhe paska pirë
shumë"zavalli". Asht burrë i mirë, por e prish me atë raki. Pa e bërë
dy, i fut dy krahët dhe e hedh në kurriz. E hedh në kurriz, por MANO nuk e di
që kryetari që është"burrë i mirë", ka një huq të keq:kur pi zë e shan, sikur t'ia
ketë fajin kush. Kështu po shan dhe mbi kurriz të MANOS. Manua mundohet ta
qetësojë dhe i thotë:- Po të duroj se të
kam në vend të babës.I dehuri, e shtoi "dozën":-E shan MANON nga
nëna! Deri tek nëna, s'duron MANO:"thesin" që mbante mbi kurriz e
hodhi mu në mes ferrave.
*
Ka
qenë fund marsi, aty pragviteve 'tetëdhjetë të shekullit tjetër. Afër shtëpisë
së MANOS afrohen dy barinj me tufën e
deleve, Janë nga KALAJA e DODËS, kanë
dimëruar bagëtitë këtej, MYZEESË dhe po rikthehen në vendlindje. Tri dele porsa
u kanë pjellë dhe s'mund t'i marrin me
vete.
Të
lutna, - i thonë MANOS, - na i mbaj ti dhe mot, kur të kthehemi i marrim
sërish:Qumështin dhe ndonjë"kinxh" edhe preje. Po ku lë mikun MANO në
mesrruge. I fut delet tek kasollja e tij
dhe malësorët ikën të kënaqur. Mirëpo, sikur
të kishin ruajtur mirëbesimin e MANOS, befas vjen urdhër nga kryeministria që
asnjë kokë bagëti s'duhet të ketë fshatari. Fillon kontrolii dhe në kasollen e
MANOS, u gjetën delet. Vullnetrarët zgjatën duarët të merrni delet.
-
Ku doni burra?- sokëlliu MANO. Është
urdhër, -thanë. -Jo, - tha MANO, - delet mos i prekin sa të vijnë të zotët.
-MANO,
- do të gjobisim!
-Do
e paguaj "dupllo" e miqtë nuk i pres në besë.
*
Kooeperativa
po zinte fundin dhe, për ta ndihmuar sado pak, shteti e ndihmoi kooperativën me
një"park bletësh" me një njëzet zgjonj. Të mira bletët, por kush nuk e do mjaltin dhe kush do
t'u shërbejë e t'i ruajë?
Njëzëri,
në kooperativë, u propozua MANO MAKA. I
ndershëm po.Puntor po. DHe MANO:- Mosni burra!Unë nuk di për bletë e po
"koritem". Jo, - i thanë, - bëj siç të thotë zootekniku. Dhe MANO, sa
mori bletët, e vendosi"parkun"
mu në mes pyllit. Atje, ngriti një krevat me sende rrethanore, dhe
"parku" iu bë si shtëpi. E shoqja, HASNIA, i çonte për të ngrënë dhe
qenë"ndarë së gjalli".Dhe pritej prodhim i mbarë.Manua natë e ditë
aty. Pa pritur, bletët u sulmuan nga një
virus dhe "vdiqën"(për bletët nuk thuhen ngordhën) që të gjitha.
MANUA u alarmua. Por shteti nuk të falte. E morën të pandehur. Qeshë në gjyq se
e kam patur mik. Në gjyq MANUA tregoi se i bëri të gjitha shërbimet siç e
instruktonte zootekniku dhe gjyqi ( po cilii ndershëm nuk u dënua pa faj) e
ngarkoi mikun tim me faj dhe duhej të paguante dëmin. Erdhi radha e Zooteknikut
dhe ky, si me shkollë që qe, po
"dërdëlliste" siç ia donte puna. Befas, u dëgjua britma e mikut
tim.MANO MAKA:- Ndal! Trupi gjykues u alarmua.- Çfarë ke?-pyeti gjykatësi.
Dëgjo, - foli MANO MAKA, - unë dhe të drejtën mezi e them tamam dhe ky, "dejusi"(ishte
fjala për zooteknikun) po rren si thi. Më lini ta mbys dhe unë bletët i paguaj
"dupllo". Qe një britmë që shkallmojë "veshët me dyllë" të
drejtësisë dhe mikunt tim iu dha pafajësia. Është ndarë nga jeta dhe ky shkrimi
im si shenjë mirënjohje për ndershmërinë e tij, një atribut që, sapo vjen e po
shuhet.
Tiranë, 24 gusht 2025