| E diele, 24.08.2025, 06:50 PM |
MOHIMI I VOTIMIT TË FSHEHTË - PRAKTIKË KOMUNISTE DHE FASHISTE!
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Saga kuvendore është ende larg dhe
shanset për fundin e saj nuk janë shpresëdhënëse. Pjesërisht, rrjedhojat
negative janë shpërfaqur, qoftë në aspektin material, ekonomik dhe më shumë në
imazhin dinjitar e moral. BE-ja në vend të "këshillimeve" paushalle,
gjithnjë, për të bërë zgjidhje të shpejtë, qofshin ato edhe hiç parimore, të
shoqëruara me shantazhime, ashtu siç ngulmon edhe me kërkesën absurde për
bërjen e Asociacionit, në favor të Serbisë. Edhe me këtë rast është në të
kundërtën e vullnetit të shqiptarëve të Kosovës dhe të atyre botërorë.
Blofi që bëri BE-ja, kur e cilësoi
vendimin e Gjykatës Kushtetuese si "sqarim të rëndësishëm", dëshmon
për katrahurën dhe mjegullnajën e saj, duke u thirrur artificialisht në
"kompromiset e nevojshme", edhe pse është rreshtuar gabimisht përkrah
opozitës PAN-iste destruktive! Kjo konfirmohet edhe me faktin se vendimi i
Gjykatës Kushtetuese është mirëpritur nga opozita, ndërsa është kritikuar nga
pozita. Ndërkohë, LVV shkon edhe me larg, duke e konsideruar "vendim
arbitrar". Përkundër, subjekteve PAN-LDK-AAK e vlerësojnë si "fitore
kustetuese!"
Gjykata ende nuk e ka bërë të njohur
aktgjykimin e plotë të Kushtetutës. Ndërkohë, hamendësimet janë të shumta, për
pasojat e mundshme që pritën, nëse nuk arrihet konstituiimi i Kuvendit, respektivisht,
zgjedhja e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit. Hezitimi, ngurrimi dhe
belbëzimi i Gjykatës Kushtetuese, të kapur nga PAN-i kriminal, vazhdon të bëjë
"fizkultura" me llafollogji boshe, duke i ikur të vërtetës për
mënyrën e votimit, edhe pse Kushtetuta e shpjegon qartazi: "Zgjedhja e
kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit bëhet me votim të hapur, të fshehtë
dhe forma të tjera". Të gjitha interpretimet tjera janë broçkulla,
prrallëzime tupëruese për një institucion të lartë shtetëror, siç është Gjykata
Kushtetuese.
Interpretimi që Gjykata Kushtetuese i
bënë Kushtetutës të Republikës të Kosovës, lidhur me mënyrën e votimit të
kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës, është skandaloz. Të
thuash se vetëm votimi i hapur është i drejtë e ligjor, por jo edhe votimi i
fshehtë, është shkelje e rëndë që i bëhet interpretimit paushall dhe hiç ligjor
të Kushtetutës.
Tashmë, e keqja ka ndodhur. Gjykata
Kushtetuese ka shkelur Kushtetutën, madje "me të dyja këmbët!" Dihet,
"prej si ka mbi lisi", votimi i fshehtë ka pasur prioritetin,
parësinë. Dhe, vetë votimi ka lindur mbi bazën e votës së fshehtë. Hileqarë e
zuzarë, e kanë degraduar, degjeneruar dhe kriminalizuar votimin bazik, votimin
e fshehtë, duke e shpikur formën e çoroditur, krejt të pa drejtë, hiç real
-votimin aklamativ, fiktiv, të rrejshëm, me ngritje dore, pra, votimin e
hapur-.
Votimi i hapur mendësi e autokratëve sundimtarë deri në ngordhje!
Votimi i hapur është shpikje e
sundimtarëve autokratë, me ambicje të sëmura pushtetare, të ardhur në fron
përmes krimeve serike. Dhe, për t`i shpëtuar gjykimit për krimet e bëra, kanë
koduar dhe normuar -votimin e hapur-, për t`u zgjedhur, ricikluar dhe qëndruar
në fron, pushtet, ndër vite e dekada, madje deri në cofjen e tyre.
Pa u lodhur me gjetjen e sundimtarëve
të hershëm, vrastarë e gjakatarë, pushtetarë të përjetshëm, po citojmë disa nga
kriminelët në fron në kohët moderne, deri në ngordhjen e tyre: Stalin, Hitler,
Enver, Pol Pot dhe shumë të tjerë. Është, pikërisht, votimi i hapur të cilëve
ua mundësoi sundimin e pakufizuar dhe të përgjakshëm të përjetshëm. Kjo nuk do
të ndodhte, po të bëheshin zgjedhje me votim të fshehtë. Madje, asnjëri syresh
nuk do ta gëzonte mandatin e dytë në pushtet. Ashtu siç nuk do të kishin fatin
të ricikloheshin në mandate të dyta dhe më tej të inkriminuarit e shumëfishtë
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Isa Mustafa me monsrtumët e sojit
të tyre.
Kur kryesuesi i seancës, Astrit Dehari,
shfrytëzoi të drejtën kushtetuese, për votim të fshehtë të kryetarit të
Kuvendit, menduam se erdhi koha për ta stopuar formën ultra komuniste
"zgjedhore" me votim të hapur, votim që ka fashistizuar jetën politike
në Kosovë. Votimi i hapur u ka mundësuar eksponentëve të krimit të gëzojnë krye
poste partiake, deputetë, ministra, kryetar të shoqatave e deri Kryeministra,
kryetarë Kuvendi dhe Presidentë! Pra, votimi i fshehtë do ta pastronte jetën
politike nga krimi dhe kriminelët.
Lëvizja Vetëvendosje, bazuar në
Kushtetutën e Kosovës, e cila e konfirmon të drejtën e votimit -të hapur, të
fshehtë dhe në forma të tjera-, për zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve
të Kuvendit, ka plotësisht të drejtë ta kundërshtojë -"vendimin
arbitrar", siç e ka cilësuar LVV, për mohimin e votimit të fshehtë. Ky
është provokim i hapur, skandaloz dhe i poshtër, i cili vërteton katërçipërisht
se kjo Gjykatë, stafi i saj mono-etnik i Pronto mafisë të PAN-it, i emëruar nga
ai, për t`i shërbyer atij, në mbrojtje të krimit dhe të kriminelëve, përmes
klauzolës se "mënyra e votimit duhet përcaktuar në nismë të seancës",
e vënë nga vetë ata, cinikisht e poshtërsisht, për ta përdorur sipas nevojave,
interesave të tyre.
Shqiptarët e Kosovës, ata të Shqipërisë
londineze, s`i dhe shqiptarët në trevat tjera ballkanike, kanë vuajtur
komunizmin dhe fashizmin stalinian jugosllav, grek dhe shqiptar të filo-sllavit
Enver Hoxha, e vazhduar edhe pas 12 qershorit 1999, nga bijtë e saj bastardë
shqipfolës, argatë të shteteve armike të Kosovës, përgjakës të burrave dhe
djemve, luftëtarë për liri dhe demokraci.
Të joshur nga dogma satanike të
komunizmit dhe e fashizmit klasik, eksponentët nostalgjikë, kanë shtuar
klauzola "ligjore", për ta vazhduar pushtetin e tyre, me disa
retushime, -me gojën plot demokraci-, por duke ngulmuar në mënyrën e vjetër të
votimit të hapur, i cili në raport me votimin e fshehtë, në themel ka
vazhdimësinë komuniste dhe fashiste. Është anakronike dhe paradoksale kur këtë
dogmë të stërkequr e mbronë edhe njëri nga hartuesit e Kushtetutës, Prof. Dr.
Arsim Bajrami, kuadër i PAN-it kriminal! E turpshme dhe kriminale deri në
skajmëri!
Frika nga VETTING, BYROJA dhe pazaret e pista me Serbinë, penalizojnë PAN-in!
Brezi i ri i Kosovës, aktualisht, i
përfaqësuar nga Lëvizja Vetëvendosje, kjo dëshmohet me votimin masiv të tyre,
kërkojnë ligjshmëri e drejtësi, të pranuar edhe nga Kushtetuta vendore, siç
është edhe e drejta e votimit të fshehtë e demokratik. Për vite me radhë
vazhdon të bllokohet VETTING-u, BYROJA e Verifikimit të Pasurive të Paligjshme,
që prekin, kryesisht, kriminelët vrastarë dhe hajnat zyrtarë, e zbutur me
terminologjinë e huaj -korrupsion-. Dhe, Shtetet e Quintit, BE-ja bëjnë
sehirxhiun, sikur nuk po ndodhë asgjë. Madje, në të shumtën e rasteve, i
mbështetë të inkriminuarit të PAN-it! Pikërisht, si rrjedhojë e kësaj
përkrahje, bojkotuesit trimërohen dhe bllokojnë zgjedhjen e organeve kuvendore,
për muaj me radhë.
Përgjigja prepotente, mujshare, deri në
cinizëm e rrugaçëri e Gjykatës Kushtetuese, për shpalljen të paligjshëm të
-votimit të fshehtë-, pa u marrë me pikat tjera të renditura në përgjigje, nuk
jep asnjë ndihmë, asnjë zgjidhje të ngërçit. Kjo është një "krizë" e
krijuar artificialisht nga opozita e koalicionuar jashtëligjshëm pas
zgjedhjeje. Ky koalicion kishte qëllim të përcaktuar paraprakisht, bllokimin e
konstituimit të Kuvendit, me synim grabitjen në tavolinë, të fitores të
Vetëvendosjes. Dhe, kjo, ndonëse e bërë me paramendim dhe në koordinim të
opozitës, me Gjykatën Kushtetuese, krijesë ekskluzive e PAN-it, acaron klimën
politike në skajshmëri.
LVV me partneret e saj GUXO dhe
ALTERNATIVA, LDK dhe disa parti të vogla të pa inkriminuara, të cilat nuk
prekën nga Vetting-u dhe Byroja e Verifikimit të Pasurive të Paligjshme, të
bashkohen për ta tejkaluar krizën, tashmë, reale, për pastrimin e Sistemit të
Drejtësisë dhe zbatimin korrekt të Kushtetutës së vendit. Në rastin konkret,
votimi i fshehtë ta fitojë qytetarinë, duke qenë parësor në të gjitha votimet,
e çfarëdo natyre qofshin, për ta stopuar revanshizmin e komunizmit dhe të
fashistizimit të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë.
Praktika ka provuar se qeveritë e
arnuara, nuk janë zgjidhje e mirë. Ndoshta, LVV është dashur të mendojë me
kohë, për një partner fisnik, shumësi absolute. Ajo veproi mençurisht, kur
anashkaloi PAN-in kriminal, qoftë edhe Limaj. Sepse një lugë kos, tharton një
kazan qumçusht! Përndryshe, është detyrë, për ta ndihmuar reformimin,
pastrimin, deri në riformim të subjekteve të kriminalizuara. Dhe, kjo barrë u
bie LVV me partnerët e saj, GUXO, ALTERNATIVA si dhe LDK, e cila ka -njëmijë e
një arsye-, për t`i pensionuar politikisht disa "komandantë" PAN-istë
rrast të inkriminuar.
Realisht, nuk është problemi ke
Albulenë Haxhiu, një luftëtare e pa kompromis për -ndryshimin- e madh, duke i
shporrur kriminelët dhe hajnat zyrtarë nga pushteti, përmes një opozitarizmi të
vrazhdë. Ajo është femra më e votuar në Kosovë, me tej 150 mijë vota. Albulenë
Haxhiu dhe Donikë Gërvalla, ishin dy veprimtaret e shquara për
demokracinë. Ato, guximshëm, i dhanë -krimit emër-, gjë që zgjoi reagimin e
ashpër të mbrojtësve të krimit dhe të kriminelëve.
Subjektet politike PDK-AAK-NISMA, të
koalicionuara në PAN, janë, jetësisht, të interesuara ta politizojnë
"fenomenin Albulena", duke e akuzuar si "përçarëse", si
shkas për mos pranimin e kandidaturës të saj për kryetare të Kuvendit, më
saktë, për bllokimin e Kuvendit. Nëse ajo e quajti ish-kryeparlamentarin
-kriminel-, kjo ishte -një e fshehtë publike-, sepse ai ishte në krye të një
organizate ilegale kriminale, e përfshirë gjerësisht në vrasjet e
kundërshtarëve politikë, ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës,
të kuadrove dhe të veprimtarëve të LDK-së, të veprimtarëve të hershëm të
LPK-së, për të shmangur konkurrencën pushtetare në pritje. Të gjitha këto krime
të konfirmuara edhe nga gjykatat vendore e ndërkombëtare. Rrjedhimisht,
Albulena nuk ka shpikur asgjë të re dhe deklarimi i një të vërtete, nuk është
shpifje.
LDK-ja, përkatësisht, klani i Isa
Mustafës, gjithnjë aktiv në strukturat e partisë, i lidhur fort me PDK-në,
është bërë pjesë e saj, duke i rehabilituar eksponentët e saj kriminelë me
kartelë, tashmë, pjesë e Ndërmarrjes të Përbashkët Kriminale. Ndërkohë që ata
flasin në emër të LDK-së, elektorati, anëtarësia dhe shumësia absolute e
strukturave të partisë, janë kundër kalaveshjes pas PDK-së, të disa kuadrove të
LDK-së.
Çuditërisht, me gjithë abuzimet e mëdha
me buxhetin e Kosovës, barrë e panevojshme e tij, 45.500 veteranë të rrejshëm,
për të cilët deri me tani janë shpenzuar 206 milionë euro; vetëm në 7 (shtatë)
vitet e fundit janë paguar për Gjykatën Speciale të Kosovës, me seli në Hagë,
276 milionë euro!
Gjykata Kushtetuese, duke urdhëruar
vazhdimin e votimit të hapur në Kuvend, u tall keqas me shqiptarët. Refuzimi i
pritshëm i këtij vendimi marroq, që shkelë Kushtetutën, e dërgon vendin në
zgjedhje. Askush nuk merakoset për milionat e procesit zgjedhor. Madje, ka zëra
nga opozita se nuk duan bashkimin dator të mbajtjes të dy palë zgjedhjeve,
qendrore dhe lokale, duke bërë ca llogarira, sikur favorizohet LVV.
Politikanë e deputetë mendjen e kanë
tek zgjedhja e Presidentit. Një shtet, një shoqëri serioze dhe atdhedashëse,
nuk do të mendonte për një emër tjetër në Presidencë, sepse përfaqësimi i Dr.
Vjosë Osmanit është domethënës. Vërtet, aktualisht ajo është pa parti. Shqiptarët
nuk janë francezë, siç e zgjodhën Makronin e pavarur. Megjithatë, duhet të jenë
të përgjegjshëm, për hirë të interesave të vendit.
Kosova në hall me politikanët e saj!