Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Paulin Z. Zefi: Kroi i Shehrit në lagjen Varosh të Lezhës

| E shtune, 23.08.2025, 06:56 PM |


Kroi i Shehrit në lagjen Varosh të Lezhës

Nga Paulin Z. Zefi

I vendosur në lagjen historike të Varoshit, në verilindje të Kështjellës së Lezhës, Kroi i Shehrit përfaqëson një nga ndërtimet më të hershme hidraulike në kontekstin e infrastrukturës tradicionale, duke u shquar si monument me vlera të spikatura historike, arkitekturore, funksionale dhe kulturore. Ai mishëron trashëgiminë e arkitekturës tradicionale të qytetërimit shqiptar dhe njëherazi materializon ndërthurjen e zhvillimit urban me jetën komunitare në hapësirat qytetare gjatë periudhës së pushtimit osman. Burimi natyror, i njohur gjithashtu si Kroi i Karagaçit, ndodhet në pjesën e poshtme të shpatit veriperëndimor të malit të Shëlbuemit (410 m), në kuotën 130 m mbi nivelin e detit, aty ku pjerrësia fillon të zbutet dhe ku, që në shek. XVI, nisi të marrë formë lagjja e Shehrit. Në këtë shpat shpërthejnë tre burime ujore: vetë “Kroi Karagaç”, “Kruenalti” dhe “Kroi Hasì”, të cilët në të kaluarën ishin disiplinuar përmes kanaleve, muraturave mbajtëse dhe ulluqeve. Ndër ta, Kroi i Karagaçit paraqitet edhe sot si një fontanë monumentale, ndërtuar me kujdes të veçantë mjeshtëror. Struktura arkitektonike e kroit është e ndërtuar në formë U-je, me mur ballor dhe dy krahë anësorë, duke krijuar një skenografi arkitektonike funksionale për grumbullimin dhe kanalizimin e ujit. Trashësia e mureve varion nga 0.50 m deri në 0.65 m. Përmasat e murit ballor, matur nga brenda, janë: 4.30 m gjatësi x 1.86 m lartësi; muri jugor: 4.28 m gjatësi x 1.85 m lartësi dhe muri verior: 2.67 gjatësi x 1.77 lartësi. Lartësia e platformës është 1 m, duke e çuar lartësinë maksimale të monumentit në 2.86 m. Përmasat monumentale të tij, të shoqëruara me trajtim të kujdesshëm të gurit të latuar, reflektojnë një nivel të lartë mjeshtërie ndërtimore. Në qendër të murit është vendosur një tub metalik me lartësi 0.54 m mbi nivelin e dyshemesë, nga i cili rrjedh ujë i pastër dhe i freskët, një burim që për dekada ka përmbushur nevojat jetike të pjesës më të madhe të banorëve të lagjes. Në fasadën lindore ndodhen tri kamare të vogla, të realizuara me korniza prej guri të latuar dhe të mbuluara me harqe të ulëta. Ndërsa në murin verilindor ndodhet një kamare më e madhe, e ndërtuar me gurë të latuar dhe e mbuluar me qemer, tipike për krojet tradicionale shqiptare. Përmasat e kamares së madhe, qemeri i së cilës ka ardhur i ruajtur vetëm pjesërisht, janë: 1.08 m lartësi x  0.82 m gjerësi. Kjo kamare ndodhet 0.46 m mbi nivelin e dyshemesë së kroit. Ndërsa, tri kamaret e vogla që gjenden në fasadën lindore ose në murin kryesor, të cilat ndodhen 0.96-0.97 m mbi nivelin e dyshemesë së kroit, kanë këto përmasa: ajo veriore: 0.34 m lartësi x 0.24 m gjerësi; ajo qendrore: 0.37 m lartësi x 0.27 m gjerësi dhe ajo jugore: 0.43 m lartësi x 0.26 m gjerësi. Thellësia e tyre respektive në brendësi të murit është: 0.27 m, 0.25 m dhe 0.24 m. Kamaret kanë pasur funksione të ndryshme: ajo qendrore, e cila gjendet mbi tubin metalik, përdorej për vendosjen e një feneri ndriçues gjatë natës; dy kamaret anësore shërbenin për mbajtjen e sendeve të vogla nga përdoruesit e përditshëm, ndërsa kamarja më e madhe, në murin verilindor, ka shërbyer si vend pushimi, bashkëbisedimi ose përgatitjeje gjatë mbushjes së ujit, duke reflektuar funksionin shoqëror të kroit në jetën e përditshme komunitare. Muratura e kroit tregon tri faza ndërtimi të dallueshme mjaft qartë. Faza e parë përfshin strukturën origjinale prej gurësh dhe dyshemenë e shtruar me rrasa të trasha gëlqerori, të puthitura fort me njëra-tjetrën. Pjesa e poshtme e murit ballor është e formuar nga vetë shkëmbi natyror gëlqeror, i punuar “in situ” me mjeshtëri të lartë, përmes teknikës së latimit dhe nivelimit të sipërfaqes. Ky trajtim i drejtpërdrejtë i shkëmbit ka shërbyer jo vetëm si bazament natyror i qëndrueshëm për strukturën mbi të, por edhe si element integrues midis topografisë natyrore dhe ndërtimit monumental. Vendosja e blloqeve të gurit mbi këtë bazament dëshmon për një strategji ndërtimore që synonte stabilitet afatgjatë, përshtatje me terrenin dhe reduktim të nevojës për ndërtim me themele. Po ashtu, kjo metodë përfaqëson një nga teknikat tradicionale të ndërtimit në mjedise të pjerrëta dhe shkëmbore, e cila ruan harmoninë mes ndërtimit dhe natyrës, duke i dhënë monumentit karakter të fortë vendës dhe autenticitet arkitektonik. Korita e vjetër e kroit nuk ruhet, por në qendër të dyshemesë origjinale ndodhet një pusetë e vogël katrore, e lidhur me një ulluk të nëndheshëm për rrjedhën e ujit, duke e depozituar atë në një lug të ndërtuar vonë, i cili shërben për të ushqyer kafshët. Faza e dytë ndërtimore lidhet me disa ndërhyrje dhe adaptime në dy krahët anësorë të strukturës së kroit, në veçanti shtesa në krahun jugor. Ndërsa, faza e tretë, e cila i përket periudhës moderne (korrik 1995), përfshin një shtresë betoni, që mbulon dyshemenë origjinale, një brez të hollë betoni mbi mure, një stol pushimi, lugun që zëvendëson rolin e koritës për kafshët, një rampë si dhe shkallë për t’u ngjitur në platformën e kroit. Teknika e ndërtimit dhe tipologjia e mureve të Kroit të Shehrit, sugjerojnë me shumë gjasë se faza e parë e ndërtimit i përket shek. XVII. Elementët konstruktivë si përdorimi i gurit të latuar, trajtimi me qemer i kamareve dhe integrimi i muraturës me shkëmbin natyror të terrenit përputhen plotësisht me praktikat ndërtimore të periudhës osmane në hapësirat urbane shqiptare të kësaj kohe. Madje, edhe vetë emërtimi "Karagaç" rrjedh nga fjala turke, "Karaa?aç", që fjalë për fjalë do të thotë "Pemë e zezë", ku "kara" do të thotë e zezë dhe "a?aç" do të thotë pemë. Në fakt, mbi strukturën e kroit, në anën lindore, qëndronte deri nga mesi i shek. XX një rrap i madh dhe i moçëm, i cili, përveç funksionit natyror si burim hije, përbënte një pikë qendrore të jetës shoqërore. Nën hijen e tij zhvilloheshin biseda të përditshme, pushime pas pune, por edhe kuvende komunitare me karakter vendimmarrës, duke i dhënë kësaj hapësire statusin e një "agore" tradicionale në zemër të lagjes. Po ashtu, përgjatë shekujve, Kroi i Shehrit ka qenë një vend i gjallë komunitar, ku gratë e lagjes mblidheshin për të mbushur ujë, për të ndarë rrëfime të përditshme apo për të ruajtur traditën e bashkëjetesës qytetare. Vetë fjala persiane. “Shehr”, që në kontekstin osman nënkupton “Qytet” ose “Lagje urbane”, thekson edhe më tej pozicionin e tij si një burim i përbashkët për jetën urbane të Lezhës së vjetër. Sot, ndonëse jashtë rrjetit të ujësjellësit modern, Kroi i Shehrit vijon të mbetet një dëshmi e gjallë e ndërthurjes mes natyrës dhe ndërtimit tradicional, një simbol i vazhdimësisë së jetës qytetare dhe i kujtesës kolektive të Lezhës. Pozicionuar në zemër të lagjes Varosh, një lagje e vjetër me trashëgimi katolike e më vonë myslimane, ky monument ruan gjurmët e një kulture komunitare të organizuar dhe të mbështetur mbi ujin si burim jete, mikpritjeje dhe bashkëjetese.

Paulin Zefi,

Lezhë: 14.07.2025.