| E premte, 22.08.2025, 06:56 PM |
E vërteta historike - besnike e pjesëmarrësve të saj
Recension për librin e autorit Florim Zeqa "Personalitete që lanë
gjurmë"
Nga Luz P. Thaqi
Për një hark kohor të
afro një shekulli, e posaçërisht në çerekun e fundit të shekullit që e lamë
pas, populli shqiptar në Kosovë ishte populli më i keqtrajtuar, më i shtypur
dhe më i përbuzur në Ballkan. Padrejtësitë historike dhe mbetja pa dëshirën e
saj brenda një krijese artificiale të formuar në mbarim të luftës së dytë
botërore, në të ashtuquajturën ish Jugosllavi, i solli Kosovës një okupim klasik
dhe privim i të drejtës themelore të saj për mëvehtësi, duke e vënë atë në
mënyrë permanente nën okupimin klasik, veçanërisht të Serbisë.
Mospajtimi i vendosur
i shqiptarëve për të jetuar nën okupim ishte konstant dhe i përhershëm si dhe i
ngulitur thellë në qenjen e tyre, andaj me çdo çmim ishin të përcaktuar për të
jetuar të lirë dhe të ndarë përherë me okupusin shekullor.
Saga e jonë për të
fituar lirinë dhe pavaresinë në betejën e pabarabartë me Serbinë dhe makinerinë
e saj vrastare, në fillim të rezistencës sonë nuk ishte kuptuar dhe as aprovuar
nga bota progresiste. Andaj ne, në fillim më forcat tona dhe më shpresën të i
madhi Zot, do e thellojmë luftën tonë për liri të filluar shumë breza më parë,
dhe atë pa e ditur fundin as pa parë dritën në horizont!
Në këtë betejë,
Serbia okupuese e zhbëri çdo lloj të drejte që ne shqiptarët e kishim fituar më
parë, duke na i mbyllur institucionet, mediat, suprimuar Autonominë edhe ashtu
fragjile, duke na e rrënuar arsimin, shëndetësinë, artin dhe letërsinë dhe
gjithçka tjetër shqiptare në Kosovë.
Kesisoji, e vetmja
formë e mbijetesës ishte vetorganizmi dhe rezistenca, në fillim paqesore e
pastaj edhe tek ajo e armatosur. Kjo periudhë e këtij vetorganizimi,
padëgjushmërie dhe veprimi jashtinstitucional të kohës, më plot sakrifica dhe
sfida me çmim jete e mahniti botën.
Refuzimi i robërisë
dhe vendosmëria për të sakrifikuar çdo gjë për lirinë aq të pritur, ka ndikuar
në ngritjen e vetëdijes sublime, me fillimin e demonstratave të vitit 1981, e
cila nuk u ndal as për një moment të vetëm deri në rezistencën e armatosur.
Pra, me lëvizjen
gjithëpopullore të LDK-së dhe filozofinë politike të Dr. Ibrahim Rugovës në
fund të viteve të tetdhjeta, populli mori drejtimin e duhur, për çka, u u arrit
shumë që problemi i Kosovës të ndërkombëtarizohet dhe secilen herë e më tepër
të degjohet dhe pranohet e vërteta dhe e drejta jonë për të qenë të lirë.
Pra kjo periudhë afro
e një çerek shekulli, ishte vendimtare, që Kosova të merrte veten nga brenda
dhe mbështetjen dhe jashtë ne rrugëtimin e saj plot sakrifica, drejt lirisë dhe
pavarësisë.
Historia jonë
bashkëkohore, duhet që në thellësi të shpjegojë këtë rrugëtim tonin unik, në
trajektoren e pavarësisë, që të lë si testament në historiografinë tonë
shekullore kombëtare për liri.
Por, si do të
shkruhet kjo histori, që të jetë e shkruar më kohë dhe t'i qëndroj besnike
realitetit, fakteve dhe të vërtetës historike?!
Patjetër duke u nisur
nga baza për të arritu deri tek vizionet udhëheqëse dhe faktori ndërkombëtar.
Fatkeqësisht, deri më sot na mungojnë shumë histori të tilla nga terreni dhe të
detajizuara madje edhe në nivel kombëtar!
Fatbardhësisht një
çasje të tillë, deri më sot të munguar, për shpirtin rezistues dhe luftarak të
popullit tonë për liri, të përkufizuar në një rreth karakteristik të ngushtë –Bashkësi Lokale, na e sjellë gazetari dhe publicist Florim Zeqa në librin që
e keni në dorë "Personalitete që lanë gjurmë".
Historia më e mirë
dhe më besnike shkruhet nga pjesëmarrësit e krijimit të asaj historie, nga se
ata janë dëshmitarët e vërtetë të cilët fizikisht kanë qenë pjesë aktive e saj.
Mu kjo ndodhë edhe me
autorin e librit, Florim Zeqa, veprimtar i pandalshëm i kësaj kthese historike
për të ardhmën e Kosovës, i cili, si veprimtar dhe mësimdhënës, pjesëmarrës i
organizimeve rezistuese ndaj okupimit, aktivist i paepur i LDK-së, gazetar e
publicist, që ai di të shpjegojë nga brenda gjitha sfidat dhe përkushtimin për
lirinë e Kosovës.
Autori Zeqa, me
shëmbullin që vetë e ka përjetuar, i perkufizon ngjarjet me saktësi përmes 35
personaliteteve të Bashkësisë Lokale Grabanicës (Komuna e Klinës), të ditëve më
të vështira, kur kataklizma mbi neve vetem sa ofrohej, ndërsa zhgënjimi nga
faktori i jashtëm atëbotë sa vinte e shtohej, e kur shpresat duhej koncentruar
në qëndresën tonë.
Autori Zeqa, në
realitet përmes këtyre personaliteteve të shpjeguar në mënyrë të shkurtër
monografike, vë në pah dedikimin e secilit nga ta që përfaqësojnë masen e gjerë
të popullit tonë në ato vite sfiduese, për të sakrifikuar çdo gjë për të dalë
nga robëria dhe pavarësuar nga Serbia.
Dhe vërtetë, në këtë
mënyrë shpjegohet dhe kështu fillon së shkruari historia e e çdo populli dhe e
çdo mjedisi, për t'u shpjeguar dhe pasqyruar në mënyrë reale ideali i atyre që
dhanë shumë nga vetja e tyre për lirinë e vendit, që tashmë janë bërë pjesë e
historisë kombëtare.
Në fund të viteteve
të tetdhjeta, kur isha me qëndrim disa mujor si studiues në Londër, me ra që të
bisedoj me një profesor universitar mu në këtë temë: "Si dhe kush duhet ta
shkruaj historinë e një populli që duhet të mbetet thesar dhe testament
rrugëtimi të për gjeneratat e reja"?
Më mbeti në kujtesë
shpjegimi i tij, se historia përbën historinë vetëm nëse shkruhet nga ata që
janë pjesë e saj, dhe më besnikja është ajo e cila shpjegon bazën tek njerëzit
e thjeshtë. Dhe vazhdon profesori: "Ke ne në Mbretërinë e Bashkuar, presim
nga çdo intelektual që di të shkruaj, që të lë gjurmë me shkrime, dhe atë së
paku për familjen e vet. Ngase, nga familja, rrethi, bashkia fillon çdo
gjë".
Andaj, e vlerësoj
shumë këtë qasje të publicistit Florim Zeqa, si një levë të fortë të ngritur në
historinë më të re të Kosovës, të cilën përmes këtij libri e shpërfaqë, duke
filluar nga vetja, familja, bashkëvendasit, bashkësia lokale, dhe këtë në
mënyrë shumë të bindshme, ku pjesa më e madhe e autorëve sot janë të gjallë dhe
gëzojnë lirinë e arritur më shumë mund dhe gjak.
Për të mos hyrë në
detaje dhe kapituj të librit, pasiqë autori në parathënje i shtjellon shumë
mirë, mund të themë, se përmes këtyre 35 personaliteteve të cilët në Bashkësinë
Lokale të Grabanicës shënuan kohën, Florim Zeqa sjellë për lexuesit tonë një
risi, ku biografitë në fjalë pasqyrojnë më së miri vuajtjet, sakrificat,
krenarinë, shpirtin liridashës në tërësi edhe të shqiptarëve të tjerë, në
kapërcimin nga përbuzja, okupimi, denigrimi, në çlirim, liri dhe shtetndërtim.
Aq më tepër shpreh
konsideratën më të lartë për autorin Florim Zeqa, që është autor edhe i dhjetra
librave të tjerë, e mijëra komenteve dhe analizave politike gati në baza
ditore, për veprimtarinë e tij të pandalur publicistike dhe kombëtare në vitet
më të vështira në atdhe si dhe për punën e tij të pandalur nga mërgimi për
atdheun edhe sot, nga i cili nuk u nda kurrë.
Luz P. Thaqi, Maj, 2026, N.Y.