Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (27)

| E merkure, 20.08.2025, 07:00 PM |


GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (27)

GRATË E VAJZAT DËSHMORE TË UÇK-SË

HAMIDE AJET JASHARI

(4.2.1913 – 5.3.1998)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Numri i grave të rëna dëshmore gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dëshmon për një kapitull të veçantë dhe të ndritur të historisë sonë kombëtare. Ky kontribut i tyre nuk është i kufizuar në statistika të thjeshta, por mishëron sakrificën supreme të dhënë me vetëdije të plotë, të mbështetur mbi dashurinë e pakushtë për atdheun dhe idealin e lirisë. Gratë shqiptare, pa dallim moshe, vendbanimi apo gjendjeje shoqërore, morën rrugët e maleve, duke u rreshtuar në vijat e para të rezistencës së armatosur dhe duke sfiduar strukturat shtypëse të një pushtimi të pamëshirshëm.

Për t’i dhënë kësaj sakrifice dimensionin e merituar, nuk mund të mos përmenden me respekt të veçantë gratë e familjes Jashari, të cilat u shndërruan në simbol të qëndresës dhe martirizimit të Kosovës. Flijimi i tyre i përbashkët ka hyrë në kujtesën kolektive si një altar i shenjtë i lirisë, ku u derdh gjaku për të mbrojtur dinjitetin kombëtar. Mirëpo, lista e grave që dhanë jetën për lirinë nuk përmbyllet me këtë familje emblematike. Ajo shtrihet gjerësisht në tërë hapësirën shqiptare të Kosovës, duke përfshirë një mori heroinash të njohura e të panjohura, të cilat kontribuan jo vetëm duke qëndruar krah për krah me burrat, por shpeshherë duke udhëhequr e frymëzuar njësitë e rezistencës. Ky kontribut thelbësor i grave shqiptare ishte vendimtar për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Ngjarja tragjike e sulmit mbi Prekaz nuk ishte një akt i rastësishëm apo i shkaktuar nga ndonjë konfrontim spontan, por një operacion i planifikuar me kujdes të skajshëm dhe me qëllim të qartë strategjik e simbolik. Forcat serbe, të pajisura me logjistikë dhe armatim të konsiderueshëm, kishin konceptuar këtë ofensivë si një mjet për të dhënë një goditje vendimtare ndaj rezistencës shqiptare dhe për të vendosur një klimë terrori në mbarë Kosovën. Përgatitjet e tyre ishin aq të hollësishme dhe të menduara, saqë sulmi mbi Prekaz u ideua si një operacion shfarosës, me objektivin e zhdukjes së plotë të fshatit nga harta dhe të fshirjes së çdo gjurme të qëndresës. Ideja ishte e qartë, të shkaktohej një masakër me përmasa të mëdha që do të shërbente si paralajmërim për të gjithë popullsinë shqiptare, duke i thyer shpirtin e rezistencës dhe duke mbjellë panik e dorëzim.

Ky akt i paramenduar i dhunës ekstreme ndaj një populli të tërë është dëshmi e qartë e natyrës gjenocidale të fushatës ushtarake serbe kundër çdo gjëje që ishte shqiptare. Në kujtesën historike, sulmi mbi Prekaz mbetet një plagë e hapur, por edhe një dëshmi e pathyeshmërisë së shpirtit të rezistencës, që nuk u shua përkundër dhunës së egër, duke u bërë në fakt nxitje dhe burim frymëzimi për organizimin dhe mobilizimin e përgjithshëm për liri. Okupatorët, në përllogaritjet e tyre të ftohta strategjike, kishin nënvlerësuar një të vërtetë themelore dhe të patjetërsueshme se Prekazi nuk ishte thjesht një lokalitet i zakonshëm gjeografik, por një pjesë e gjallë dhe organike e Kosovës, e banuar nga shqiptarë me një identitet të thellë kombëtar dhe me një ndërgjegje historike të rrënjosur thellë. Ata nuk kishin arritur të kuptonin se kjo popullatë nuk ishte një grumbull individësh të trembur e të nënshtruar, por bartës të një tradite të gjatë rezistence dhe krenarie. Ata harruan se në damarët e atij populli rridhte gjaku i atyre që kishin trashëguar një kujtesë kolektive të mbushur me shembuj të qëndresës ndaj çdo pushtimi dhe padrejtësie. Pushtuesit nuk ishin në gjendje të parashikonin se forca e dashurisë për lirinë, që banonte në zemrat e banorëve të Prekazit, ishte më e madhe dhe më e fortë se frika e vdekjes. Për ta, jeta nuk kishte kuptim pa liri dhe dinjitet; ishte një vlerë e shenjtë që duhej mbrojtur me çdo çmim, edhe me flijimin suprem.

Kështu, Prekazi u shndërrua në një emër që tejkaloi kufijtë lokalë, duke u bërë një emblemë e krenarisë kombëtare dhe një dëshmi e palëkundur se populli shqiptar nuk do ta pranonte kurrë robërinë, sepse për të, dashuria për atdheun dhe lirinë ishte dhe mbetet më e madhe se vetë jeta. Sulmi i ndërmarrë në lagjen e Jasharajve në Prekaz nuk mund të reduktohet në një përpjekje të izoluar për të eliminuar vetëm familjen e ngushtë të Shaban Jasharit. Përkundrazi, ai ishte një operacion i menduar dhe i zhvilluar me logjikë frontale, që kishte në shënjestër gjithë lagjen Jashari si një tërësi të pandashme, duke synuar shkatërrimin fizik dhe moral të një bërthame të tërë. Ky trajtim frontal i lagjes Jashari si një objektiv i vetëm tregon qartë se pushtuesit e perceptonin atë jo vetëm si një grup shtëpish, por si një simbol të ngulitur të vetëdijes kombëtare dhe të rezistencës së armatosur. Kështu, për ta, fshirja e lagjes Jashari nënkuptonte një goditje simbolike dhe praktike ndaj aspiratës shqiptare për liri, me shpresën se shkatërrimi fizik do të sillte nënshtrimin shpirtëror dhe politik të gjithë popullit shqiptar të Kosovës.

Megjithatë, kjo logjikë e dhunës frontale dështoi në qëllimin e saj themelor. Në vend që të asgjësonte shpirtin e rezistencës, ajo e forcoi atë dhe e ktheu Prekazin dhe lagjen Jashari në një mit të gjallë të qëndresës dhe të flijimit për liri, duke frymëzuar breza të tërë dhe duke u bërë një pikë referimi e përhershme në kujtesën historike të kombit. Gjatë tri ditëve të atij sulmi të pamëshirshëm e të planifikuar me egërsi nga forcat okupatore serbe mbi Prekazin, ndodhi një nga tragjeditë më të rënda dhe njëkohësisht një nga qëndresat më të lavdishme në historinë e popullit shqiptar të Kosovës. Brenda atyre ditëve të zjarrit dhe hekurit, u sakrifikuan heroikisht 59 pjesëtarë të familjes Jashari, duke përfshirë jo vetëm familjen e ngushtë të legjendarit Adem Jashari, por edhe tërë rrjetin e gjerë familjar dhe disa miq të afërt që atëherë ndodheshin si mysafirë në ato shtëpi.

Ky akt shfarosës nuk bëri dallim ndërmjet burrave dhe grave, të rinjve dhe të moshuarve, as fëmijëve të vegjël. Ai synonte fshirjen e plotë të një fisi që simbolizonte më qartë se kushdo vendosmërinë e pakompromis për liri. Dhe pikërisht për këtë arsye, përtej dimensionit tragjik, ky sulm u bë dëshmi e pathyeshmërisë dhe e forcës morale të tyre: ata nuk e braktisën asnjëherë vendin, nuk e lanë armën nga dora, nuk iu dorëzuan frikës apo kërcënimit, por qëndruan të palëkundur deri në fund. Në këtë kasaphanë të planifikuar me qëllim për të frikësuar popullin shqiptar, ra një numër i madh i familjes së ngushtë të Adem Jasharit – 20 pjesëtarë që dhanë jetën për të gdhendur emrin e tyre në përjetësi si dëshmorë të kombit. Po ashtu, ranë 12 anëtarë nga familja e Hamit dhe Salë Jasharit, 11 nga familjet e Halit, Zymer dhe Zejnë Jasharit, 6 nga familja e Sadik Jasharit dhe tre nga familja e Kajtaz Jasharit, bashkë me të tjerë që kishin ardhur për vizitë dhe që i zuri tragjedia.

Ata nuk ishin thjesht viktima të dhunës së verbër – ata ishin luftëtarë të ndërgjegjshëm, që zgjodhën të përballeshin me forca shumë më të mëdha, të organizuara dhe të armatosura rëndë, me vetëdijen se sakrifica e tyre do të mbetej udhërrëfyes për brezat që do të vinin. Ishin burra e gra, pleq e plaka, fëmijë të njomë e vajza të mitura – të gjithë bartës të një ideali të vetëm se liria ka çmim dhe se ai çmim duhet paguar për të mos e lënë kombin në robëri. Ky martirizim i përmasave biblike i dha Prekazit një dimension të shenjtë në kujtesën kolektive të kombit shqiptar. Prekazi nuk u shua, nuk u nënshtrua, por u përjetësua si një simbol i pavdekshëm i sakrificës sublime dhe i qëndresës heroike për liri dhe dinjitet njerëzor.

Në mesin e atyre që dhanë jetën në mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe të dinjitetit kombëtar, një vend të veçantë zë edhe figura e nënë Hamide Ajet Jasharit. Ajo nuk ishte vetëm një anëtare e thjeshtë e kësaj familjeje të madhe dhe të njohur për trimërinë, por një simbol i qëndresës dhe i vendosmërisë së pathyeshme. E rrethuar nga vjehrri, bashkëshorti, fëmijët dhe nipat e saj, ajo u bë pjesë e një qëndrese të përbashkët dhe të sinkronizuar, duke dëshmuar se lidhjet familjare në kulturën shqiptare nuk janë thjesht marrëdhënie gjaku, por edhe aleanca shpirtërore përballë çdo rreziku që i kanoset lirisë dhe nderit. Qëndresa e saj nuk ishte një akt i thjeshtë mbijetese, por një manifestim i qartë i vendosmërisë për të mos u nënshtruar, për të mos e përulur kokën para një armiku të armatosur deri në dhëmbë dhe të përgatitur për shfarosje. Bashkë me familjarët dhe nipërit e saj, Hamidja zgjodhi të qëndrojë në shtëpi, në truallin ku ishin rritur dhe edukuar me dashurinë për atdheun, duke e kthyer shtëpinë në një kështjellë simbolike të rezistencës shqiptare.

Ajo dhe të tjerët qëndruan heroikisht, përballuan granatat, predhat dhe zjarrin e pandërprerë të forcave serbe, duke i dhënë atyre një leksion të paharrueshëm mbi natyrën e vërtetë të shpirtit shqiptar. Nuk ishte thjesht një betejë fizike, por një demonstrim i qartë i parimeve morale dhe etike që kanë ushqyer ndër shekuj kulturën e shqiptarëve se nderi, liria dhe dinjiteti vlejnë më shumë se vetë jeta. Në këtë mënyrë, Hamide Ajet Jashari dhe familja e saj nuk u kufizuan në rolin e viktimave të pafajshme të një agresioni të egër, por u shndërruan në mësues të historisë, në dëshmitarë të gjallë të guximit dhe të sakrificës. Ata iu treguan forcave pushtuese, por edhe botës mbarë, se çfarë do të thotë trimëria shqiptare, një guxim i palëkundur, i frymëzuar nga dashuria për tokën amtare dhe i mishëruar në gatishmërinë për të dhënë gjithçka për të mos u nëpërkëmbur.

Ky leksion i dhënë me gjak dhe me heroizëm nuk u shua me rrënojat e shtëpive të tyre, por mbeti i gdhendur në ndërgjegjen kombëtare si një testament për brezat që do të vijnë, duke i kujtuar atyre se liria fitohet dhe ruhet vetëm me vendosmërinë dhe flijimin e atyre që nuk pranojnë të jetojnë të përkulur. Nëna Hamide Jashari përfaqëson një figurë të ndritur dhe të denjë për piedestalin e kujtesës historike shqiptare, një grua që mishëroi në mënyrë të përkryer virtytet më të larta të traditës sonë kombëtare. E lindur më 4 shkurt 1913 në fshatin Marinë të Drenicës, një krahinë e njohur për historinë e saj të pasur të qëndresës dhe përkushtimit ndaj çështjes kombëtare, ajo bartte në vetvete trashëgiminë shpirtërore dhe morale të një shoqërie të rrënjosur thellë në ideale atdhetarie.

Hamidja, bijë e Ajetit dhe e Qamiles, ajo nuk ishte thjesht pjesëtare e një familjeje të zakonshme fshatare, por produkt i një edukimi të qëllimshëm dhe të kujdesshëm, ku vlerat kombëtare nuk ishin koncept abstrakt, por pjesë e përditshmërisë. Prindërit e saj i kishin ushqyer ndërgjegjen me ndjenja të zjarrta patriotike dhe e kishin formuar mbi një taban të pathyeshëm të dashurisë për atdheun dhe respektit për sakrificën. Nëna Hamide u rrit në një mjedis ku historia nuk mësohej vetëm nga librat, por përcillej përmes këngëve epike dhe rrëfimeve të gjalla, që nguliteshin në kujtesën e fëmijëve si mësime jete. Ajo u edukua me legjendat e gjalla të qëndresës shqiptare, duke dëgjuar këngët për Shotën dhe Azem Galicën, për Ahmet Delinë dhe shumë figura të tjera që populli i kishte ngritur në panteonin e heronjve të vet. Këto këngë nuk ishin thjesht art popullor, por një formë e sofistikuar edukimi moral dhe politik, që i mësonte brezave të rinj kuptimin e vërtetë të trimërisë, sakrificës dhe mbrojtjes së nderit kombëtar.

Kështu, Hamidja u formua si një personalitet i fortë dhe i vendosur, e pajisur me një vetëdije të lartë kombëtare dhe një shpirt të pathyeshëm. Ajo nuk ishte vetëm dëshmitare e kohërave të trazuara, por edhe bartëse e vlerave të gjalla të popullit të saj. Nëpërmjet jetës dhe qëndrimit të saj, ajo dëshmoi se edukimi i bazuar në historinë e lavdishme dhe në figurat e saja heroike prodhon personalitete që janë të gatshme të përballen me çdo sfidë dhe të mbrojnë dinjitetin kombëtar edhe përballë sakrificës më të madhe. Figura e Nënë Hamides mbetet kështu një shembull i gjallë dhe frymëzues i asaj se si një grua shqiptare, e formuar me këngët dhe historitë e trimërisë, arrin të mishërojë në vetvete idealin e lirisë dhe të bëhet pjesë e pandashme e epopeve më të lavdishme të kombit. Edhe pse nuk kishte pasur mundësinë të ulej qoftë edhe një ditë të vetme në bankat e shkollës, Nëna Hamide ishte e arsimuar në një kuptim shumë më të thellë e më kuptimplotë, ajo kishte ndjekur shkollën e odës dhe të traditës shqiptare. Kjo formë edukimi popullor ishte institucion i pazëvendësueshëm i kulturës sonë, ku transmetoheshin brez pas brezi njohuritë, vlerat morale, etika e bashkëjetesës dhe, mbi të gjitha, vetëdija kombëtare.

Në periudhën kur ajo u rrit dhe u formua si njeri, realiteti politik ishte i hidhur dhe shtypës. Regjimi okupues kishte vendosur ndalesa të rrepta për shkollimin në gjuhën shqipe, duke e parë përhapjen e dijes në gjuhën amtare si një kërcënim serioz për pushtetin e vet. Ishte një strategji e mirëmenduar për ta mbajtur popullin shqiptar të nëpërkëmbur dhe të nënshtruar, duke i privuar nga arsimimi, synohej shuarja e vetëdijes kombëtare dhe dobësimi i aftësisë për rezistencë intelektuale dhe morale. Si rrjedhojë, një pjesë e madhe e popullsisë mbeti analfabete në kuptimin formal të fjalës, pa mundësi për të mësuar shkrim e lexim në gjuhën e vet. Por kjo nuk do të thotë se mungonte dijenia në kuptimin më të thellë të saj. Përballë kësaj politike të shtypjes kulturore, shqiptarët i kthyen sytë nga institucionet e tyre tradicionale të dijes dhe edukimit, sidomos nga oda. Aty, përballë zjarrit të ndezur, mes burrave e grave të fisit, rrëfeheshin histori, këndoheshin këngë epike, shpërndaheshin këshilla të mençura dhe formohej karakteri i të riut.

Pikërisht në këtë mjedis u formua Hamide Jashari. Edukimi i saj nuk ishte i dokumentuar me diploma, por ishte i gdhendur thellë në shpirtin dhe ndërgjegjen e saj. Ajo mësoi përmes fjalës së gojëdhënës, këngës dhe rrëfimeve historike, duke marrë njohuri mbi vlerat e besës, mikpritjes, nderit dhe mbi sakrificat e panumërta të paraardhësve për liri. Në këtë mënyrë, edhe pse e privuar nga shkolla zyrtare, Hamidja doli një grua e mençur dhe e vetëdijshme për identitetin e saj. Ajo u bë bartëse e trashëgimisë shpirtërore kombëtare dhe edukatore për brezat e rinj, duke treguar se, edhe në kushte të vështira të mohimit kulturor, populli ynë gjeti mënyra për të ruajtur gjuhën, historinë dhe dinjitetin. Babai i saj, Ajeti, i udhëhequr nga traditat dhe zakonet e thella të vendit, vendosi ta fejojë të bijën, Hamiden, me Maliq Jasharin nga Prekazi. Ky akt i fejesës nuk ishte vetëm një lidhje ndërmjet dy individëve, por një ngjarje me rëndësi shoqërore dhe simbolike, që pasqyronte mënyrën si ndërtoheshin aleancat familjare dhe forcohej kohezioni i popullit në ato kohëra. Fejesat dhe martesat e tilla ishin të rrënjosura në një etikë të veçantë respekti, besimi dhe përkushtimi, ku fjalën e dhënë e lidhte nderi dhe e mbante përgjegjësia morale.

Kështu, Hamidja, duke ndjekur rrjedhën natyrore të jetës sipas zakonit, shkoi në Prekaz, ku së bashku me Maliqin ndërtoi familjen e saj. Prekazi nuk ishte vetëm vendbanim, por një hapësirë ku identiteti shqiptar gëlonte i gjallë, ku traditat, mikpritja dhe ndjenja e fortë e popullatës ishin shtyllat mbi të cilat ndërtohej përditshmëria. Në këtë mjedis, Hamidja jetoi e rrethuar nga njerëzit e saj, duke krijuar një familje të ngrohtë dhe duke ruajtur trashëgiminë morale të brezave paraardhës. Por kjo jetë, ndërtuar mbi punë, dashuri dhe respekt për traditën, u ndërpre në mënyrën më të dhimbshme dhe më të padrejtë. Më 5 mars të vitit 1998, kur mbi Prekaz u lëshua dhuna e pamëshirshme dhe e planifikuar e forcave serbe, Hamidja ra viktimë e një akti barbarie të pashembullt. Arma e pushtuesit nuk bënte dallime, nuk njihte mëshirë dhe nuk respektonte asnjë normë njerëzore, ajo synonte shfarosjen, zhdukjen e rrënjës dhe shembjen e simbolit të qëndresës që përfaqësonte familja Jashari.

Vdekja e Hamides nuk ishte thjesht humbja e një nëne, bashkëshorteje apo gjysheje, por një plagë në ndërgjegjen kombëtare. Ajo u shua fizikisht, por mbeti e gjallë si simbol i një brezi që nuk hoqi dorë nga dinjiteti dhe nuk pranoi të nënshtrohej. Historia e saj dëshmon për një jetë të përkushtuar jo vetëm ndaj familjes së saj të ngushtë, por edhe ndaj trashëgimisë kulturore dhe kombëtare, duke mishëruar të gjitha ato vlera që forcuan identitetin shqiptar në kohët më të vështira. Kështu, rrugëtimi i Hamides nga fejesa sipas zakonit tek martirizimi i saj në Prekaz mbetet një tregim i gjallë i qëndresës, i lidhjeve familjare si themel i shoqërisë dhe i sakrificës së skajshme për lirinë dhe nderin e kombit.

Jeta familjare e Hamide Jasharit përfaqësonte modelin tradicional të bashkëshortësisë shqiptare të asaj kohe, të mbështetur mbi dashurinë, respektin dhe përkushtimin e ndërsjellë. Ajo gëzoi një jetë bashkëshortore të mbushur me harmoni dhe mirëkuptim me burrin e saj, Maliq Jasharin, me të cilin ndau jo vetëm përditshmërinë e thjeshtë të fshatit, por edhe barrën dhe përgjegjësinë e ndërtimit të një familjeje të madhe dhe të shëndoshë. Shtëpia e tyre ishte një vatër e vërtetë jete dhe gjallërie. Në të, njëri pas tjetrit erdhën në jetë fëmijët, duke e mbushur oborrin me zëra të gëzuar dhe duke i dhënë asaj dhe Maliqit gëzimin më të madh që njeh jeta: prindërinë. Familja e tyre numëronte katër djem – Kajtazin, Ilazin, Shefqetin dhe Ragipin – si dhe shtatë vajza – Ajnen, Hafizen, Fatimen, Halimen, Sevdijen, Xhylishahen dhe Miniren. Secili prej tyre ishte jo vetëm gëzim i shtëpisë, por edhe një shtyllë mbi të cilën ngrihej forca dhe vazhdimësia e familjes.

Në një shoqëri tradicionale shqiptare, fëmijët ishin dhuratë dhe bekim, por edhe garanci për vazhdimësinë e fisit dhe përballjen me sfidat e jetës. Fëmijët e Hamides dhe Maliqit nuk ishin thjesht trashëgimtarë, por u rritën dhe u formuan si ndihmë e çmuar për familjen, duke marrë pjesë në të gjitha punët e përditshme, nga ato të bujqësisë dhe blegtorisë deri te ruajtja e nderit dhe e traditës së familjes. Kjo familje e madhe nuk ishte vetëm një bashkësi gjaku, por një organizëm i gjallë social dhe moral, ku secili kishte vendin dhe përgjegjësinë e vet. Hamidja, si nënë dhe si shtyllë e kësaj shtëpie, kishte rolin themelor të edukimit dhe formimit të karakterit të fëmijëve, duke i rritur me dashuri, por edhe me ndjenja të forta për punën, respektin dhe atdhedashurinë.

Në këtë mënyrë, jeta e saj bashkëshortore dhe familjare ishte një histori suksesi dhe harmonie, një model i përkushtimit dhe i dashurisë që kalonte përtej marrëdhënies martesore, duke ndërtuar një trashëgimi të fortë njerëzore dhe morale që do të mbijetonte përtej kohës dhe sfidave. Hamidja dhe Maliqi nuk krijuan vetëm një familje të madhe në numër, por një familje të fortë në vlera dhe në lidhje shpirtërore, duke kontribuar në forcimin e komunitetit dhe në ruajtjen e traditës shqiptare në zemër të Drenicës.

Mëngjesi i 5 marsit 1998 do të mbetet i gdhendur në kujtesën historike të popullit shqiptar si momenti kur filloi një nga ofensivat më të egra dhe më të pamëshirshme të ndërmarra nga forcat serbe kundër civilëve të pambrojtur në Kosovë. Rreth orës 6 e 20 të mëngjesit, duke përfituar nga qetësia dhe gjumi i hershëm i banorëve, forcat serbe hodhën në veprim një plan të mirëpërgatitur ushtarak dhe filluan granatimin sistematik të lagjes Jashari në Prekaz. Ky sulm nuk ishte një akt i rastësishëm apo i motivuar nga ndonjë konfrontim i çastit, përkundrazi, ai ishte i planifikuar me kujdes dhe synonte të godiste në mënyrë të sinkronizuar qendrat më të rëndësishme të qëndresës shqiptare në atë lagje. Në shënjestër të parë ishte vendosur “Kulla e Qëndresës”, ajo e Legjendarit Adem Jashari, e cila përfaqësonte jo vetëm një ndërtesë fizike, por simbolin më të fuqishëm të rezistencës së armatosur dhe të vendosmërisë për liri.

Por egërsia e këtij operacioni nuk u kufizua te kulla e Adem Jasharit. Në të njëjtën kohë, nën zjarrin e pandalur të granatave dhe predhave, u goditën edhe shtëpitë e Maliq Jasharit, Hamit Jasharit, Smajl Jasharit dhe shumë të tjerëve që banonin aty. Ky koordinim i sulmeve dëshmon për karakterin e mirëfilltë të strategjisë së shfarosjes. Qëllimi ishte shkatërrimi i tërë trungut familjar Jashari dhe frikësimi i mbarë popullit shqiptar të Kosovës përmes një shembulli të tmerrshëm dhe gjakderdhës. Ky bombardim i sinkronizuar dhe i planifikuar tregoi fytyrën më të egër të politikës shtetërore serbe të asaj kohe. Një përpjekje për të shuar jo vetëm një familje të shquar për qëndresë, por edhe për të thyer moralin e një populli të tërë. Në ato çaste të errëta, granatat nuk binin vetëm mbi mure dhe kulme shtëpish, por mbi një histori të tërë krenarie dhe rezistence, mbi një ideal që nuk mund të shuhej me zjarr dhe hekur.

Forcat serbe, të pajisura me një strategji të përpunuar të frikës dhe shfarosjes, arritën të depërtonin edhe në oborrin dhe shtëpinë e familjes së Maliq Jasharit. Aty, përballë një sulmi të egër dhe të pabarabartë, bijtë dhe nipërit e tij nuk zgjodhën dorëzimin, por rezistuan me gjithë fuqinë e tyre, të vendosur të mos e lëshonin asnjë pëllëmbë të truallit të tyre pa luftë. Qëndresa e tyre ishte heroike dhe e pashoqe, një akt i lartë i dinjitetit njerëzor dhe kombëtar, i rrënjosur thellë në kodin moral të shqiptarit për të mbrojtur familjen, shtëpinë dhe nderin. Kjo përballje e pabarabartë me forca shumë më të armatosura dhe të organizuara mirë nuk mundi të ndalonte tragjedinë e madhe që pasoi. Nga arma vrastare e agresorit serb, u shua jeta e Nënës Hamide, e cila, pavarësisht moshës së thyer, nuk pranoi të largohej apo të përkulej. Trupi i saj u shpartallua nga shtatë plagë të rënda, duke dëshmuar egërsinë e sulmit dhe mizorinë e padiskutueshme të pushtuesit. Në këtë përleshje të pabarabartë humbi jetën edhe djali i saj, Kajtazi, një shtyllë e familjes dhe simbol i rinisë së përkushtuar ndaj tokës dhe familjes. Po ashtu, u vra nipi i saj, Ajvazi, një djalosh vetëm 18-vjeçar, ende në prag të jetës, por i formuar me të njëjtin ideal të pathyeshëm për mbrojtjen e familjes dhe atdheut.

Këto humbje nuk ishin thjesht viktima të një lufte të pamëshirshme, ato ishin dëshmi të gjalla të një qëndrese të pashembullt, një akti sublim sakrifice që sfidonte frikën dhe përpiqej të mbante të gjallë nderin e brezave të tërë. Pasi shuan jetët e tyre dhe shkaktuan këtë tragjedi të rëndë, forcat e këmbësorisë serbe nuk mjaftuan me aq. Ato ndërmorën arrestimin sistematik të të gjithë anëtarëve të familjes që kishin mbijetuar masakrën, duke i trajtuar jo si civilë të pafajshëm, por si objektiva për t’u nënshtruar, për t’u frikësuar dhe për t’u përdorur si mjet presioni. Kjo praktikë e arrestimeve masive pas masakrës ishte pjesë e një strategjie më të gjerë terrori dhe pastrimi etnik, që synonte të zhdukte nga rrënjët strukturën familjare shqiptare, e cila kishte qenë gjithnjë bërthama e rezistencës dhe mbrojtjes së identitetit kombëtar.

Andaj, historia e familjes së Maliq Jasharit nuk mbetet vetëm një kronikë dhimbjeje dhe humbjeje, por shndërrohet në një testament të qëndresës dhe të qëndrueshmërisë shpirtërore të shqiptarëve përballë një agresioni të pamëshirshëm, duke na kujtuar se liria nuk fitohet dhe nuk ruhet pa sakrifica të rënda dhe pa përkushtim të plotë. Forcat serbe, të vendosura të shkatërronin çdo qelizë të organizimit shoqëror dhe familjar shqiptar, nuk kursyen as më të moshuarit në përpjekjet e tyre për të përhapur terror dhe për të nënshtruar me dhunë popullsinë civile. Midis atyre që u arrestuan gjatë dhe pas ofensivës barbare në Prekaz ishte edhe Maliq Jashari, i cili në atë kohë kishte mbushur 93 vjet – një moshë e nderuar, që në çdo shoqëri të civilizuar do të kishte merituar respekt dhe kujdes, jo pranga dhe dhunë. Së bashku me të, u arrestuan edhe Naser Jashari dhe Bekim Bahtir Jashari, pasardhës të rinj të trungut familjar që ishte goditur rëndë nga sulmi. Ata u dërguan në Burgun e Mitrovicës, një vend që në ato kohëra ishte shndërruar në simbol të shtypjes, frikës dhe torturës sistematike ndaj shqiptarëve. Aty, në qelitë e errëta dhe të ftohta, u morën në pyetje dhe u mbajtën nën hetime të ashpra, duke u përballur me praktikat hetimore që shpesh përfshinin torturë, kërcënime dhe dhunë fizike e psikologjike.

Megjithëse pas një farë kohe u liruan nga burgu, ky lirim nuk mund të fshinte gjurmët e thella që kishin lënë mbi ta këto përjetime çnjerëzore. Sidomos Maliq Jashari, i moshuar dhe i dobësuar, nuk mundi t’i përballonte plagët e padukshme që i kishte shkaktuar ky kalvar vuajtjesh – jo vetëm për shkak të torturës së drejtpërdrejtë dhe kushteve çnjerëzore të burgimit, por edhe për shkak të traumës së thellë shpirtërore që kishte përjetuar, duke parë familjen e tij të copëtuar dhe lagjen e tij të djegur e të rrënuar nga dhuna barbare. Ai ishte dëshmitar i një tragjedie të pashoqe, shuarjes së bijve, nipërve dhe mbesave të tij, djegies së shtëpive dhe rrënimit të gjithë strukturës familjare dhe shoqërore që kishte ndërtuar dhe mbajtur gjallë për dekada të tëra. Kjo barrë e rëndë e dhimbjes dhe kujtimit, e shoqëruar me pasojat e drejtpërdrejta të dhunës dhe keqtrajtimit fizik, i shkurtoi ditët e tij. Më 15 maj të vitit 1998, vetëm pak javë pas këtyre ngjarjeve, Maliq Jashari mbylli sytë përgjithmonë në Mitrovicë, larg Prekazit të tij të dashur dhe nga ajo shtëpi ku kishte jetuar, punuar dhe rritur një familje të tërë.

Vdekja e tij nuk ishte një akt i natyrshëm i moshës, por një pasojë e drejtpërdrejtë e një dhune të planifikuar dhe sistematike, që synonte të thyente rezistencën shqiptare duke i goditur themelet e saj më të forta, familjen, pleqërinë e urtë dhe kujtesën historike. Maliq Jashari u shua si një dëshmitar i gjallë i dhimbjes, por edhe si simbol i qëndresës dhe dinjitetit të pathyeshëm të një populli që nuk u dorëzua përballë terrorit. Hamide Jashari nuk ra vetëm – ajo u bashkua në flijimin suprem me të gjithë Jasharët e tjerë që dhanë jetën në ato ditë të zjarrit dhe gjakut në Prekaz. Secili prej tyre la pas një histori të veçantë dhimbjeje, por edhe një testament të përbashkët nderi, duke dëshmuar me gjakun e tyre se liria nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë dhe qëndresë të palëkundur.

Sot, trupat e tyre prehen së bashku në Kompleksin Memorial në Varrezat e Dëshmorëve në Prekaz – një vend i shenjtëruar nga gjaku i tyre dhe i kthyer në një simbol kombëtar që frymëzon brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Ky kompleks është një altar i kujtesës historike dhe një dëshmi e gjallë e vlerave për të cilat ata ranë.

Në Prekaz, mbi ato varre, ngrihet një amanet i pashkruar për mbarë kombin shqiptar, që të ruajë me dinjitet lirinë e fituar me gjak, të nderojë kujtimin e atyre që flijuan gjithçka dhe të mos harrojë kurrë rrënjët e identitetit të vet. Lavdia e Hamide Jasharit dhe e të gjithë dëshmorëve të familjes Jashari mbetet e pavdekshme, e gdhendur në ndërgjegjen kombëtare si simbol i një ideali të pastër dhe i një qëndrese që sfidoi kohën dhe historinë.

Vlerësimi dhe nderimi për sakrificën e jashtëzakonshme të familjes Jashari nuk mbeti vetëm një detyrim moral i pashprehur, por u konkretizua në mirënjohje të qarta dhe të merituara, të dhëna nga instancat më të larta të luftës çlirimtare. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe komanda e Zonës Operative të Drenicës, iu drejtuan me nderimet më të larta pjesëtarëve të kësaj familjeje, duke njohur dhe çmuar në mënyrë të veçantë heroizmin e tyre të pashoq. Po ashtu, shoqatat e dala nga lufta – të përbëra nga ish-luftëtarë dhe bashkëluftëtarë që kishin përjetuar nga afër dhimbjen, vuajtjen dhe madhështinë e sakrificës – shprehën respekt të thellë për familjen Jashari. Ata e kuptuan më mirë se kushdo tjetër dimensionin e këtij flijimi, jo vetëm si akt personal, por si një gur themeli për lirinë e Kosovës dhe për vetëdijen e re kombëtare që po ndërtohej mbi gjakun e dëshmorëve.

Ky vlerësim i organizuar dhe i institucionalizuar mori formën më të lartë të nderimit shtetëror e kombëtar kur të gjithë pjesëtarët e lagjes Jashari që u flijuan më 5 mars 1998 u shpallën zyrtarisht dëshmorë të kombit. Ky status nuk është thjesht një titull simbolik apo ceremonial, ai është një shpallje solemne e përkatësisë së tyre në panteonin e pavdekshëm të historisë shqiptare, ku ruhen emrat dhe veprat e atyre që dhanë jetën për lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen e popullit të tyre.

Shpallja e tyre si dëshmorë të kombit është një dëshmi se sakrifica e tyre nuk u harrua dhe nuk do të harrohet kurrë. Ajo është një garanci morale dhe historike se brezave që do të vijnë do t’u kujtohet gjithmonë çmimi i lartë i lirisë dhe se mbi këtë themel të gjakut dhe të qëndresës do të ndërtohet një shoqëri e lirë dhe e denjë për sakrificën e tyre. Në këtë mënyrë, familja Jashari dhe nënë Hamidja do të mbeten jo vetëm një kapitull i lavdishëm i historisë së Kosovës, por një busull e përhershme që orienton ndërgjegjen kombëtare drejt idealeve të lirisë, nderit dhe unitetit.

Literatura:

1.       Bardh Hamza & Faik Hoti, Jasharët, Prishtinë 2003

2.       https://www.radiokosovaelire.com/selvete-hamze-jashari-3-4-1977-5-3-1998/

3.       Bedri Tahiri, Adem Jashari legjendë e legjendave, Prishtinë 2008

4.       Ibrahim Çitaku,  Drenica 1991-1999, Prishtinë 2004

5.       https://www.radiokosovaelire.com/hamide-ajet-jashari-4-2-1913-5-3-1998/

6.       https://www.drini.us/epopeja-e-jashareve-nje-heroizem-i-pashembullt-ne-historine-e-njerezimit/

7.       https://www.facebook.com/photo.php?fbid=1097290907727609&id=361818081274899&set=a.372630063527034

8.       https://gazetadielli.com/adem-jashari-prijes-i-dekades-se-fundit-te-luftes-per-clirimin-e-kosoves/

9.       https://www.radiokosovaelire.com/kajtaz-maliq-jashari-14-10-1953-5-3-1998/

10.     https://www.radiokosovaelire.com/ajvaz-kajtaz-jashari2-7-1980-5-3-1998/