| E merkure, 20.08.2025, 06:59 PM |
JETOI ME MUZIKË DHE IKU SI NJË KËNGË E LEHTË
(NJË
KUJTIM PËR SABAUDIN ZHUTËN)
Nga
Prof. Dr. Avzi Mustafa, Shkup
Duket
e pabesueshme, gati si një ëndërr, por vetëm para një jave teksa e gjerbnim
kafenë në kafenenë “Paris” në Shkup Veri, bashkë me shkrimtarin Halil Zendelin
dhe bisedonim gjatë, qartë e me ngrohtësi e zgjuarsi, duke kujtuar ngjarje të
shumta të së kaluarës së arsimit e kulturës shqiptare, nuk e kisha menduar
kurrë se ai do të ishte takimi ynë i fundit. Ndonëse e pabesueshme, realiteti
është se unë zemërthyer jam i detyruar të shkruaj nekrolog për mikun e mirë,
pedagogun e madh dhe muzikologun e papërsëritshëm, prof. Sabahudin Zhuta.
Humbja
është e madhe jo vetëm për familjen, kolegët, studentët, por edhe për të gjithë
ne që patëm nderin ta njihnin nga afër, ta dëgjonim e t’a ndjenim jo vetëm
zërin, por edhe zemrën e tij.
Sabaudin
Zhuta u lind më 1947 në fshatin Veleshtë të Strugës. Shkollën fillore e kreu në
vendlindje, shkollimin e mesëm do ta vazhdojë në shkollën mesme të muzikës në
Prizren, ndërsa më 1981 diplomon në Akademinë e Muzikës pranë Fakultetit të
Arteve në Prishtinë. Studimet postdiplomike i kreu në Universitetin e EJL
“Neofit Rimski” në Blagoevgrad, Bullgari. Punës edukativo-mësimore do t’i
rreket që nga viti 1966, kur u punësua në Shkollën Fillore “Liria” në Shkup. Më
pas, në vitin 1967, u punësua në SHF “25 Maji” në Hasanbeg të Shkupit, për t’u
transferuar më tutje si mësimdhënës në shkollën e mesme “Zef Lush Marku”,
njëkohësisht duke ligjëruar edhe në shkollat e mesme të Ekonomisë, Tregtisë dhe
Mjekësisë, po ashtu në Shkup. Në vitet 1974-1989 u angazhua si bashkëpunëtor
muzikor dhe redaktor i emisioneve muzikore në TVM – Redaksia e Gjuhës Shqipe.
Në vitin 1995 Sabaudin Zhuta u angazhua si ligjërues në Shkollën e Lartë
Pedagogjike në Shkup për lëndën Metodika e artit muzikor. Pasi i arriti të
gjithë titujt arsimorë në Fakultetin Pedagogjik, nga ky institucion edhe do të
pensionohet në vitin 2012. Që nga themelimi i Universitetit të Tetovës dhe
Fakulteti i Artit Muzikor, profesor Zhuta u angazhua si profesor i lëndës te
Solfezhit dhe Metodikës së muzikës. Herë pas here është marrë edhe me kompozime,
muzikë teatrale dhe filmike. Ai është njëri nga themeluesit e festivalit “Këngë
Jeho” në Strugë, por edhe i festivaleve “Arb Fest”, “Nota Fest” në Shkup,
“Sharri Këndon” në Tetovë dhe “Show Fest” në Prishtinë. Është autor i mbi 120
këngëve për fëmije, këngëve popullore, si dhe atyre zbavitëse.
Ikja
e Sabahut la një heshtje, por edhe një melodi të përjetshme që do të jetë
çdoherë në zemrat tona, në shpirtin e atyre që i mësoi ta dëgjojnë e ta
shijojnë artin muzikor.
Prehu
në paqe, Profesor i dashur. Kafenë e radhës, bashkë me Halilin, do ta pimë duke
e porositur edhe një filxhan për ty, duke i ndërmendur fjalët e tua që jehuan
për kaq vite si një violinë e butë në zemrat e gjithë atyre që i ke mësuar, të
kanë njohur e të kanë lexuar. Lamtumirë Sabahu ynë!