Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Tarelli: Përshëndetje!

| E hene, 18.08.2025, 06:55 PM |


Kadri Tarelli shkruan:

Nëse quhet e bukur ajo që të ngjall emocione pozitive, atëherë ne mund të themi, se ”Ky libër është i bukur”, dhe nëse quhet me vlerë gjithçka që mbart një mesazh pozitiv, atëherë mund të themi se “Ky libër ka vlerë”. Ariana (Rrufa) Hoxha.

PËRSHËNDETJE!

Në Durrës, përurim i librit “Filxhani me buzë të kafshuar”. Tregime

Përshëndetje pjesëmarrësve, që duan librin dhe fjalën e bukur!

Para pak ditësh, më saktë më: 08, të gushtit, 2025, në mjedisin e lokalit “Hana”, pranë Gjykatës, ose siç e quajmë ne “Kafe Oborri”, në Durrës, u përurua libri im, “Filxhani m buzë të kafshuar”. (Tregime)

Të ftuar ishin krijues, miq e shokë, nga Durrësi, Tirana, Lushnja, etj. Të gjithë meritojnë falënderim sepse në këto dit të nxehta gushti, patën mirësinë të vijnë, të dëgjojnë, të shprehin dhe të ndajmë mendime e përjetime, rreth këtij libri me tregime.

Përshëndetje dhe mirënjohje meritojnë edhe ata që për arsye të ndryshme nuk mundën të ndodhen këtu fizikisht, por ishin të pranishëm shpirtërisht. Ndjej detyrim t’i përmend:

Berat Batiu, nga Prizreni. Pronar i shtëpisë botuese “Fidani” dhe drejtues i revistës me të njëjtin emër, i cili nuk u ndodh në këtë takim, për arsyet e tij familjare. Por më duhet të theksoj se para dy muajsh, pikërisht më: 09, të Qershorit 2025, organizoi përurimin e librit tim në Prizren, që unë e quaj “Kryeqyteti i Shqiptarëve”, emër që e trashëgoi pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Qershor 1878. Ishte një ngjarje e bukur, e veçantë dhe organizuar deri në përsosmëri. Ai nuk harron të përshëndesë edhe sot: Po shkëpus vetëm pak reshta:

“Kadri Tarelli, me përvojën e tij prej shkrimtari, na dhuron tregime që janë si fotografi të gjalla të jetës sonë. Janë copëza kujtimesh të mbushura me dashuri, humor të hollë, dhembje të ëmbël dhe një urtësi popullore që të pushton pa zhurmë. Në këtë libër, gjithçka merr kuptim nëpërmjet detajeve të vogla, të cilat autori i sjell me një mjeshtëri të rrallë”.

Çifti vlonjat Vilhelme Vrana-Haxhiraj dhe bashkëshorti Fitim Haxhiraj. Vilhelme ësht një nga krijueset më të njohura në letrat shqipe, me pseudonimin letrar “Vivra”, bijë me rrënjë e degë nga familja e madhe e “Vranarëve”, të Kaninës. Vivra është “Mjeshtre e madhe e penës”, Anëtare e Akademisë Shqiptaro-Amerikane me seli në New York, “Ikonë e letërsisë Botërore”, shpallur nga Akademia e shkencave, letërsisë dhe arteve Indiane. Ajo në pamundësi shëndetësore të ishte mes nesh, dërgoi mesazh urimi. Mesazhi u lexua nga Shpendi Topollaj.

Viron Kona, shkrimtar, publicist dhe studiues i njohur, nga Tirana, i cili përshëndeti dhe uroi punime të mbara. Para pak ditësh publikoi shkrimin “Kadri Tarelli dhe libri i tij mbresëlënës”.

Mark Zadeja, filozofi shkodran, i cili u ndodh në Gjermani për arsye shëndetësore familjare. Mik i Durrësit dhe durrsakëve, i cili në telefon u shpreh: - “Më vjen shumë keq që nuk po ndodhem në Durrës, qytetin që adhuroj. Punime të mbara dhe suksese në libra të tjerë!”.

Sejdo Harka, shkrimtar e kritik letrar nga Tirana.

Sokol Demaku, bir i Drenicës, që jeton prej kohësh në Suedi. Shkrimtar, përkthyes, publicist, anëtar i Lidhjes mbretërore të shkrimtarëve dhe artistëve në Suedi.

Ndërkohë një surprizë e bukur: Erjona Fiqo Resulaj, bija e profesorit dhe kolegut të nderuar, na dërgon një tufë me lule në kuvendin e librit. Një simbolikë e fisme, e bukur dhe e hijshme. Ajo nuk mundi të vijë, për arsye  pune. E mirëkuptojmë plotësisht. Me punën nuk bëhet shaka.

Nëse do të vazhdoj kështu, do më duhet të mbush faqe të tëra, pasi të ftuarit ishin të shumtë, jo vetë shkrimtarë e poetë, kolegë mësues e drejtues shkollash, por edhe juristë, dr. shkencash në fusha të ndryshme, artistë të skenës, etj.

Drejtimin e këtij kuvendi letrar e kreu mjeshtërisht znj. Merita Kuçi-Thartori, poete e njohur në mjedisin letrar të Durrësit e përtej në trojet arbnore, duke i dhënë fjalën fillimisht z. Bashkim Saliasi, ardhur nga Tirana, redaktor dhe autor i recencës të librit. Më pas e mori fjalën Shpendi Topollaj, ku qëmtoi vlerat letrare dhe njerëzore, duke u mbështetur në tregimin “Kapelja i solli drutë”. Më pas e mori fjalën Hava Hidri, arkeologe, Dr. e shkencave historike, e cila foli edhe në emër të bashkëshortit Dr. Sali Hidri. Më pas e mori fjalën Dr. i shkencave Politike Hazbi Lika, ish nxënës i Shkollës së Mesme “Jusuf Hoti”, ku edhe unë vite më parë kam qenë mësues në atë shkollë. Disa tregime e kanë marrë brumin nga ajo trevë.

Tërhoqi vëmendjen Dr. i mbrojtje së bimëve z. Enver Isufi, i cili nënvizoi: “I mbaj mend të gjithë titujt e tregimeve, sepse e ndjej se edhe unë jam pjesë e atyre copëzave jete të jetësuara aq thjesht dhe aq bukur nga autori. Më duket vetja sikur edhe unë jam mes atyre njerëzve, që punojnë e bëjnë shaka të kripura. Po qesh sa herë që i lexoj.

Me interes u dëgjua fjala e znj. Lindita Gera Rushiti, mësuese në shkollën 9-vjeçare “Abedin Dino”, në Plazh të Durrësit. Me të drejtë drejtuese Merita e cilësoi “Misionare e librit shqip”. Jo pa arsye.....! Mësuese Lindita u bë mbështetëse e lëvizjes për hapjen e bibliotekës së “Librit shqip” në qytetin e Shkronjave Shqipe në qytetin e “Shenjtë” të Manastirit, ndërmarrë nga studentja Emira Selimi, bijë e atij qyteti. (Unë e quaj Manastirin “Qytet i shenjtë”)._Lindita u bë nismëtare dhe organizatore e grumbullimit të librave nga krijuesit dhe qytetarët durrsak. Më vjen mirë, se edhe unë bashkë me  disa miq shkrimtarë këtu në Durrës, çuam libra nga botimet tona. Lindita është njëkohësisht edhe organizatore e pjesëmarrjes, për dy vite me radhë, në festimet e zhvilluara në Manastir: - Së pari: - Në 115-vjetorin e “Kongresit të Alfabetit”, në Nëntor 2023, dhe së dyti: - në festimet e Një-vjetorit të Bibliotekës së librit shqip, nëntor 2024. Fjalët e saj mbeten në kujtesën kolektive: - “E ndjej veten pjesë të librit, në tregimin “Me fëmijët e Dardanisë”, pasi 26 vjet më parë, si mësuese në shkollën 8-vjeçare “Bajram Curri”, në Plazh, përjetuam dhe përballuam bashkërisht ardhjen e fëmijëve nga Dardania. Fëmijë të shpërngulur dhunshëm nga pushtuesi serb. Ato ngjarje mbeten të pa shlyera në kujtesën tonë”.

Në fund foli edhe Nazo Veli-Belliu, avokate në NewYork, bashkëshorte e Veiz Belliut, të dy shqiptarë nga Lushnja, por që jetojnë prej vitesh në ShBA. Ajo foli edhe në emër të miqve Tahsin Demiri, ardhur nga Tirana dhe Gëzim Baruti ardhur nga Lushnja, i cili si  përkthyes i filozofit francez Mishel dë Montenj, më dhuroi dy libra: “Refleksione nga Montenj”. Në këtë udhë veprimi u ndodh edhe z. Përparim Zaimi, i cili më dhuroi librin “Këndvështrim shkencor-filozofik “Mbi ardhmërinë e shoqërisë njerëzore”.

Shkëmbimi i librave është një praktikë dhe veprim që ndodh shpesh në takime të tilla, sepse edhe unë u dhurova librat e mi, për t’u bërë pjesë e leximit dhe bibliotekave të tyre. Besoj se kështu është bukur......!

I veçantë dhe i papritur çasti kur Gjergji Doçi, artist i skenës, lexoi një pjesë nga tregimi, “Ku ta gjej Nënë Terezën.....!?”. Natyrisht kënaqësia dhe mbresat shtohen. Fuqia e artit e bën fjalën të këndojë.....!

Në freskinë dhe shërbimin e të zotëve të lokalit koha kaloi shumë shpejt dhe pa u ndjerë.

U ndamë me falënderimin tim dhe urimin e tyre: Mirë u takofshim në përurime të tjera. Jetë dhe shëndet për libra me kaq vlera.

Më vjen mirë që TV. “Adria Net”, transmetoi në rubrikën e mbrëmjes, pjesë nga përurimi i librit “Filxhani me buzë të kafshuar”. Është pjesë e natyrës dhe e punës së tyre, për të përcjellë çdo veprimtari letrare, artistike, që i shërbejnë jetës qytetare, publikut durrsak dhe qytetit të Durrësit. Meritojnë falënderim!

Miqësisht! Falënderim dhe mirënjohje!

Kadri Tarelli

Durrës më: 14, të mes gushtit, 2025.

SHËNIM: Falënderim për “Shoqatën e të Përndjekurve Politik”, dega Durrës, dhe kryetarin e saj Agron Hadri, që mundësuan botimin e librit “Filxhani me buzë të Kafshuar”, njëkohësisht edhe mbështetje e këtij kuvendi të bukur letrar.