Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Dedaj: UÇK në Hagë, 'shtëpia e verdhë' në askund

| E premte, 15.08.2025, 06:58 PM |


UÇK NË HAGË, “SHTEPIA E VERDHË” NË ASKUND

(Refleksion politik)

NGA NDUE DEDAJ

Që ditën e parë që janë burgosur dhe mbahen në Hagë udhëheqësit e UÇK, njëherësh dhe të Kosovës së lirë, edhe pse janë bërë disa seanca gjyqi, para kamerave, faqe gjithë botës, prapë dëshmitë e marra nuk është se i kanë çuar të pandehurit drejt ndonjë mase dënimi. Doemos që përgjigja e njerëzve të ligjit është gati, kjo është punë prokurorësh dhe gjykatësish, pse e kemi drejtësinë e pavarur, prisni të shprehet ajo, paçka se pesë vjet nuk janë pak, por ndoshta duhen dhe pesë të tjera, a thua se pesë vjet mbyllur pas hekurave nuk janë dënim?!...

Ti si qytetar shqiptar doemos që do të presësh verdiktin e drejtësisë, mundësisht pa paragjykuar, ndërkohë që e di se një prokuror i huaj, për më tepër parlamentar europian, me emrin Dick Marty, pati ngritur akuzën e rëndë të ekzistencës së “shtëpisë së vërdhë”, në fshatin e largët Gurrë të Matit, e cila nuk u gjet askund, as e verdhë, as e kuqe, as e zezë! Shkurt ajo ishte një legjendë, një mit, një imagjinatë “hollivudiane”, që ngarkonte me përgjegjësi UÇK – në, sikur ajo aty kishte bërë namin, kishte mbytur njerëz dhe u kishte marrë organet për trafik makabër!? Pak rëndësi ka nëse disa kanë simpati e disa të tjerë jo për Hashim Thaçin, si ish - drejtues i shtetit dhe i qeverisë në Kosovë, si dhe për zotërinjtë e tjerë me të në Hagë, Krasniqi, Veseli dhe Selimi, ama nëse ajo “shtëpia e verdhë” u pa qartë që ishte një asgjë, një hiç, një falsifikim i rrezkishëm, një padi në rrenë kundër një ushtrie çlirimtare, fotografia e së cilës nuk u gjend askund, përkundrazi, fotografia e UÇK-së është heroike-historike, që nga ajo diplomatike në Rambuje, te masakra e Reçakut, masakra e Mejës, rënia epope e familjes Jashari, e heronjve Agim Ramadani, Zahir Pajazitit e qindra dëshmorëve të tjerë, si dhe më pas në rindërtimin e Kosovës së shkatërruar nga Lufta, krijimin e institucioneve të shtetit, nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë, njohjen e Kosovës si shteti më i ri në Ballkan etj.

Hashim Thaçi në fjalimin e tij në gjykatë është shprehur se ndjen keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e kësaj lufte, pavarësisht nga përkatësia, por viktimat s’marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen - një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër, thotë ai. Dhe më tej thërret disa personazhe politike e historike të kohës, dëshmitë e të cilëve do të ishin të pamundura: “Më vjen keq që nuk do të kemi mundësi të dëgjojmë në këtë gjykatë dëshmitë e sekretares së Shtetit Madeline Albright, sekretarit të jashtëm Robin Kook, senatorit Robert Dolle, ambasadorit Richard Holbroke, të shefit të parë të UNMIK-ut në Kosovë, të presidentit Ibrahim Rugova, të Fehmi Aganit, të Adem Demaçit e liderëve të tjerë. Ata do të kishin dëshmuar në emrin tim për atë çfarë kam thënë e bërë gjatë asaj kohe të rëndësishme të historisë dhe pavarësisë së Kosovës”.

Hagën e kanë vizituar nga një e dy herë dhe të tjerë drejtues të formacioneve të UÇK-së, me akuza të njëjta apo të ngjashme si katërshja aktuale pas hekurave, por siç kanë hyrë, kanë dalë, pa ndonjë dënim. Dhe jo vetëm kaq, por kur janë kthyer prej andej, populli i ka zgjedhur deputetë e bërë qeveritarë. Nuk mund të thuash se nuk ka një handikap, ai që të njeh nga afër, të voton sa herë të ketë zgjedhje, ai tjetri të heton e heton, gjithnjë për të mbërritur tek e ajo që dyshohet se ka ndodhur, por që ende nuk është vërtetuar! E dimë se çdo krahasim çalon, por, pavarësisht kësaj, katër burrat çlirimtarë të mbyllur në Hagë, që po mplaken aty, i përkasin një vendi të vogël - nuk themi domosdoshmërisht se kjo ngjet për këtë shkak, ama nuk mund të mos vëresh se një burrë i shquar shteti, Donald Trump, që kishte një akuzë të rëndë, atë të sulmit të Kapitolit dhe shkaktimit të trazirave nga mbështetësit e tij, u çlirua nga çdo akuzë, në çastin që populli amerikan e votoi për ta pasur në krye të vet.

Nuk mbajmë askënd për “shenjt” e nuk “amnistojmë” askënd për çfarë mund të ketë ndodhur gjatë Luftës së Kosovës, me apo pa dijeninë e komandantëve kryesorë, as më pas gjatë kohës në pushtet, njihen meritat e tyre, por mbase jo dhe antimeritat, apo lënia mënjanë e kontributit të formacioneve të tjera çlirimtare, ku për të gjitha këto mund të debatohet e të dilet me përfundimet e duhura. (E dimë sa e vështirë është, përderisa dhe sot pas 80 vitesh të Luftës së Dytë Botërore, kontributi i nacionalistëve nuk përmendet zyrtarisht, aq i madh ka qenë dëmi i propagandës komuniste shqiptare dhe asaj jugosllave.) Por tjetër është të kesh mëkate të luftës për pushtet, të keqqeverisjes, korrupsionit dhe tjetër të kesh kryer krime lufte!...

Sa u përket të mbyllurve në Hagë, udhëheqësit aktualë nuk ndihen për ta, a se nuk duan t’i “përzihen” drejtësisë, apo se janë më mirë pa ta në garat për pushtet? Një gjë është, që këta të rinjtë po shkëlqejnë në mosmarrveshjen politike mes tyre, përderisa u mblodhën 54 herë, deri në skadim të afatit të vënë nga Gjykata Kushtetuese, dhe nuk arritën (se nuk deshën) ta konstituonin Kuvendin e Kosovës. Si është e mundur që paraqitet vetëm një emër për drejtimin e Kuvendit, a thua se vetëm një individ mund ta drejtoje atë dhe asnjë tjetër!? Deri këtu shkon arroganca e politikës inatçore, të papjekur dhe cinike me popullin që i ka votuar.

Po çfarë do të shkruhet nesër në librat e historisë në Kosovë? Që komandantët e UÇK-së, aq sa ç’ishin heronj për lirinë e atdheut në vitet 1998 - 1999, ishin po aq dhe... tradhtarë të idealit të tyre, pasi një gjykatë ndërkombëtare i ka mbajtur pesë vjet nën hetim e gjykim për krime lufte, pa mundur t’i shpallte fajtorë!...

Kështu, apo si do të shkruhet?...