Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjon Keka: Motra Smila Micakaj - Nënë Tereza e dytë e Kosovës

| E premte, 15.08.2025, 06:59 PM |


Motra Smila Micakaj - Nënë Tereza e dytë e Kosovës

Nga Gjon Keka

Për jetën e veprën e Nënë Terezës e tërë bota ka dëgjuar dhe mësuar, ajo edhe pse veprojë me besim e pa kryelartësi por në mënyrën më të thjeshtë duke iu bashkuar jetës së përbashkët me njerëzit e varfër, të sëmurët ,të braktisurit e të eturit etj, kështu ajo e bëri jetën e saj një me ta. Ky është në fakt një shembull i madh i kohës së saj dhe i të gjitha kohërave ,sepse sa të gatshëm janë sot njerëzit të hyjnë në përbashkësin e jetës me njerëzit e tillë të lënë pas dore apo të cilët kanë mbetë ne mëshirë të tjetrit apo fatit e Zotit.

Prandaj jeta dhe vepra e Nënë Terezës është një shembull mishërimi të vetë Zotit në jetën e saj me anë të veprave të mrekullueshme dhe të gjetjes së çelësit të vërtetë të hyrjes në zemrën e Zotit më anë të dashurisë ,paqes ,humanizmit dhe mishërimit të fjalës së Krishtit në përditshmërinë jetësore të saj.

Isha në fakt duke menduar për figurën mbikohore të Nënë Terezës dhe duke ditur se ajo tanimë është e përjetësuar në shumë vepra e në shumë shkrime e rreshta ,por edhe e përjetësuar në qiell në bazë të jetës dhe veprave të saj.

E ktheva shikim tek një personalitet që meriton jo vetëm disa rreshta ,por edhe një përmendore për së gjalli, e ajo është Motra Smila (Motra Paulinë Micakaj) që mund të quhet me të drejtë Nënë Tereza e dytë e Kosovës, sepse unë atë dhe Nënë Terezën nuk mund t'i ndaj ,ngase po të shikojmë Nënë Terezën dhe Motrën Smila i bindur se nuk do të mund t'i dalloni që të dyja për nga jeta dhe vepra që kanë të përbashkëta këto dy shenjtore njëra shenjtore për së gjalli e tjetra ,shenjtore në qiell.

Mota Smila jo vetëm që i ngjanë Nënë Terezës ,por edhe është një Nënë Tereza e dytë e Kosovës, ajo dhe veprat e saj flasin çdo ditë si dje ashtu edhe sot,dhe do të flasin nesër dhe përjetë, sepse i ngjajnë veprave të Krishtit dhe poashtu edhe Nënë Terezës që e kishte mishëruar në jetën e saj Jezus Krishtin.

Motra Smila prej se ka nis shërbimin e saj për Zotin ajo nuk e ka larguar kurrë shkimin e saj drejt njeriut që ka nevojë, drejtë të mirës së përbashkët ,drejt shuarjes së etjes për të eturin dhe ndihmës për atë që kanë nevojë. Të gjitha veprat e saj që ajo ka bërë po t'i numërojë nuk do t'i zinte jo vetëm ky shkrim ,por as edhe një libër, sepse janë vepra të panumërta aq sa është edhe vetë jeta e saj deri më sot me plotë respekt e dashuri për njeriun pa dallim feje ,etnie e krahine, në fakt ajo i ka shërbyer njeriut ashtu sikur thotë Zoti në të vërtetë dhe ashtu sikur edhe vetë Nënë Tereza ka vepruar, kështu vepron edhe sot Motra Smila( më saktësisht Smila Paulina Micakaj) ,kjo nënë dhe e shenjta e dytë e Dardanisë.

Motra Smila nuk është vetëm një shenjtëresh ,por edhe atdhetare e vërtetë dardano -arbërore e cila i shërben për çdo ditë kombt dhe Zotit pa u vrejtë nga bota.

Drita e saj mund të shihet vetëm kush e njeh atë ,dhe një ditë kjo dritë do të duhet të njihet dhe të vlerësohet edhe në Kosovë ,madje shteti i Kosovës duhet ta nderojë për veprat e saj si në kohën e luftës ashtu edhe pas çlirimit ,sepse ajo është humanistja për së gjalli e kombit tonë. Unë vetë jam dëshmitar i një nga ata që ajo më ka mbështet në të gjitha aspektet ,madje ajo donte që unë të arrija shumë në studime dhe në fushën e shkencës gjatë kohës kur takoheshim shpesh me të. Kujtimet që kam për këtë shenjtëresh të gjallë të kombit tonë, këtë Nënë Terezë te dytë të Kosovës dhe kombit janë kujtime të paharruara dhe me plotë bekime,sepse ishte e vetmja që i kuptonte hallet e secilit ,të riut ,të vjetërit dhe të gjithëve dhe dinte si të afronte me atë thjeshtësi e butësi Tereziane ,një njeri i respektuar dhe i dashur si ajo vështirë të gjindet sot në mesin tonë.

Me këtë shkrim të shkurtër desha ta falenderoj për të gjitha që ka bërë,e sidomos për kombin në përgjithësi dhe në veçnati për Kosovën tonë të dashur e cila ende po vuan dhe ende nuk i ka çel sytë si duhet për ta parë të ardhmen si një vend që duhet ta ruaj identitetin ,ta dojë atë që ka sakrifikuar dhe të vlerësoj personalitetet mbikohore sikur është Motra Smila - Nënë Tereza e dytë e Kosovës.

Edhe një herë Faleminderit Motra Smila që ishe dje, je sot, dhe do të jesh përjetësisht një bekim i madh për Kosovën dhe kombin tonë arbëror europian. Zoti të bekoftë Motra Smila dhe veprat e tuaja që ke bërë në të mirë të Kosovës, kombit dhe njeriut pa dallim. Zoti e bekoftë Dardaninë dhe tërë kombin tonë, kombin e Gjergj Kastriotit dhe Nënë Terezës.