Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lekë Mrijaj: Shefqet Dibrani - 'Anatomia e brymës'

| E premte, 15.08.2025, 06:58 PM |


Recension i librit të librave me titull “ANATOMIA E BRYMËS” i shkrimtarit Shefqet Dibranit

Shkruan: Lekë Mrijaj

Shkrimtari mirënjohur Shefqet Dibrani perveq se është një intelektual e atdhetar i formuar, është edhe një ndër poetët dhe publicistët shqiptarë që përmes frymës së tij të lirë letrare, e ka skalitur në fjalë golgotën dhe kataklizmat e popullit të tij, mërgimin dhe përpëlitjet e thella të shpirtit mes atdheut dhe botës së huaj. I lindur në fshatin Gërdoc të Podujevës, me një formim të gjerë shumëdimensional, kulturor dhe me një aktivitet të pasur letrar në Kosovë, Shqipëri dhe mërgatë, ai ka sjellë për lexuesit një frymë të kombinuar të përjetimit personal dhe të kujtesës kolektive.

Libri i librave me titull: Anatomia e Brymës i Shefqet Dibranit, me Parathënie të dr. Gjekë Marinaj, është një botim prej 311 faqesh, që në vete përmbledh disa prej vëllimeve më të rëndësishme poetike të autorit të mirënjohur Dibrani. Autori ofron një larushi poezish që lëvizin nga meditimet intime te dëshmitë shumëdimensionale historike, nga dhimbja personale te dimensioni i përgjithshëm kolektiv. Çdo poezi e këtij libri të librave mbart mesazhe të shumëfishta, letrare, shoqërore, filozofike e shpirtërore, duke krijuar e prezantuar një pasqyrë të gjallë të realitetit shqiptar në kohë dhe hapësirë.

Zbërthimi analitik i titullit të librit të librave Anatomia e Brymës

Anatomia është shkenca mjekësore që analizon dhe zbërthen në thelb çdo pjesë të fizikës së brendshme dhe të jashtme të një trupi, në këtë rast, poeti në këtë libër zbërthen në “mikroskopin” e tij të thellë artistik,  shpirtin e njeriut, rrënjët e kombit dhe plagët e kohës që e kanë dhe po e kapërthejnë kombin dhe shoqërinë tonë. Ndërsa bryma, si fenomen natyror, është një shtresë e hollë e acartë apo e ftohtë, që mbulon tokën e gjelbër, ajo është metaforë për atë çfarë koha dhe përjetimet e rënda kanë lënë mbi kujtesën dhe jetën e poetit. Në titull, “bryma” është si një mbulesë e acartë mbi shpirtin dhe historinë, ndërsa “anatomia” është akti i zbërthimit dhe nxjerrjes në pah të së vërtetës që ajo fsheh. Pra, titulli sugjeron një udhëtim poetik në zemër të kujtesës, ku poeti në mënyrë analitike dhe me dhimbje analizon çdo grimë të ftohtësisë që koha ia ka servirë.

Që në fillim nisim me analizën e vëllimeve poetike dhe poezive të zgjedhura të Larg Pikon Hëna…, ku studiuesi Visar Zhiti, përmes parathënies së tij, këtë libër e quan “dhembje e shpirtit”, dhe me të drejtë: është poezi e lindur në një kohë kur fjala ishte shpëtim dhe protestë. Analizë rreth poezisë “Pagëzimi”: Ditën kur linda e bërtita / Më pagëzuan Durim / Me shpresë t’i duroj kobët, rrebeshet që koha volli mbi mua. Këtu pagëzimi nuk është rit sakral kishtar, por akt i fatit të përgjithshëm. Emri “Durim” bëhet qëndresë dhe mburojë përballë stuhive historike, dhe poeti e sheh jetën e vet që nga çasti i lindjes deri sot si një sfidë për të përballuar kohën, pavarësisht rrethanave jetësore.

Në pjesën e dytë të librit, Pse e Urrej Kadarenë dhe poezi të tjera, ku studiuesi Abdullah Zeneli përmes parathënies së tij, këtë libër e quan “metamofroza poetike e një mërgimtari ”, pra, autori paraqitet me një titull provokues, që nuk është thjesht rebelim ndaj një emri të madh letrar, por metaforë për refuzimin e çdo autoriteti që e sheh letërsinë të ndarë nga realiteti. Analizë rreth poezisë “Ecje nëpër shekuj”: Bëmë udhë shekuj të tërë / jetuam si gjarpri nën gur / nuk u zhbimë…. Poeti përdor shenja e simbole të qëndrueshmërisë (gjarpri, gurët, varret) për të treguar rezistencën lapidare e heroike të popullit të tij. Ironia e “pulës pa patkonj” është thumb për realitetin e vështirë, ku ecja është gjithmonë një përpjekje për jetesë dhe mbijetesë.

Në pjesën e tretë të librit, Ditar Mërgimi, kemi një kronikë të shpirtit të mërgimtarit – jo thjesht një udhëtim fizik, por emocional mes dy botëve. Analizë rreth poezisë “Gjeneza e rrënjëve”: Mentë e njeriut qenkan me rrënjë / E rrënjët tona edhe në varre janë. Poeti zbërthen marrëdhënien e njeriut me vendlindjen si një hallkë zinxhirore të pashkëputshme, edhe përtej vdekjes. Është poezi e kthimit te rrënjët, ku identiteti kombëtar nuk shuhet as në mërgim.

Në pjesën e katërt, Strehët e Gjakut, kemi dëshmi poetike të tragjedisë së Kosovës. Analizë rreth poezisë “Gruaja Kosovare”: …edhe kur kosa mbi kokë i rri / fëmijën çon në përjetësi. Këtu poeti paraqet portretin e gruas kosovare si himn monumental për forcën, dinjitetin dhe rolin e saj si bartëse e jetës dhe kujtesës, edhe në kushtet e dhunës dhe shkatërrimit.

Në pjesën e pestë, Ëndërr e Njëjtë, Tokë Tjetër, ku studiuesi Ahmet Selmani, përmes parathënies së tij, këtë libër e quan “poeti si metaforë personale”. Në këtë pjesë të fundit të këtij librit të librave poeti-Dibrani, e ndan mallin dhe dashurinë që nuk njohin kufij. Analizë rreth poezisë “Koha qan për puthjen”: Tani ndjenjat më janë qullur / nga lotët e dashurisë. Poezi e thjeshtë në ndërtim, por e fuqishme për mungesën, pritjen dhe ndjenjat që treten në kohë. Shiut i jepet dimension emocional, është koha që qan përmes lotit, jo vetëm qielli mbi tokë.

Libri i librave: Anatomia e Brymës, është një itinerarë i plotë në botën poetike të poetit Dibranit

Krejt në fund të këtij recensioni nga këndveshtrimi im e them se libri i librave me titull: Anatomia e Brymës, është një itinerarë i plotë në botën poetike të Shefqet Dibranit. Nga dhimbja e lindjes, rinia, plagët e mërgimit, rezistenca e shekujve, portreti kulminant i gruas kosovare dhe mallkimi i dashurive të humbura,pra, me fjalë tjera përmbledhëse ky libër është një “atlas gjeografik e historik” i ndjeshmërive të thella shumëdimensionale shqiptare, me një gjuhë modeste e të thjeshtë, por të ngarkuar me shënja dhe simbole, poeti i mirënjohur Dibrani arrin ta bëjë poezinë njëherësh dëshmi lapidare dhe dokument historik e shpirtëror. Zbërthimi i “brymes” së kujtesës është akt letrar, kulturor, kombëtar dhe njerëzor, sepse në çdo varg të tij poeti Dibrani, i mbron rrënjët që koha përpiqet t’i ngrijë e t’i zhduk nga sfera...

Mirënjohje dhe urime poetit dhe mikut tim, shkrimtarit të mirënjohur, Shefqet Dibrani, autor i këtij libri të librave me titull:Anatomia e Brymës. Suksese miku im!

.Klinë, më 11 gusht 2025.