| E premte, 15.08.2025, 06:55 PM |
PROVIMI
Nga
Bashkim Saliasi
Herët
në mëngjes, mora rrugën për në qytetin e Kamzës. Na ishte dhënë porosi që në
ora 6 e 30 të paraqiteshim pranë ZA-së.
-Kush
nuk vjen në orar, - komunikoi shefi i personelit të ZA-së, - penalizohet deri
në pushim nga puna.
-Kur
të zë, të zë. S'ke çfarë bën, mos e zgjat! -
tha shoku që kisha në krah,
-
Nesër në mëngjes në ora 6 e 30 takohemi
në mjediset e ZA-së, Kamzë.
Porsa
i afrohem godinës, ku është vendosur ZA-ja, shoh se në mjediset e saj, që herët
në mëngjes, ishin mbushur me mësues të profileve të ndryshme. Mungonin vetëm
mësuesit e lëndës së gjuhës. Dëgjova një zë të njohur.
-Baçi,
ku je sot?
-Atje
ku isha vjet, -iu përgjigja shpejtë e shpejtë. Shoku im qeshi fortë me
përgjigjen që i dhashë, se të dyve na u kujtua batutat e përdorura disa vite më
parë, në qytetin nga ne vinim, me shefin e arsimit. E kishin caktuar në ato
vite të drejtonte arsimin në rrethin tonë edhe pse ai nuk përshtatej me
profilin e mësuesit. Detyra ishte detyrë. I gjori, nuk kishte faj. Vërtetë nuk qe i profesionit,
por halli e kishte zënë. I patën varur një këmborë dhe ai nuk kishte nga t'ia
mbante. Ishte i detyruar ta tundte. Ata që e rrethonin, për ta vënë në lojë,
futnin shokët e tyre dhe e ngacmonin me batuta.
Një
prej batutave mbeti dhe tregohet edhe sot e kësaj dite.
Shefi
shkonte herët në zyrë. Një agronom, që kishte zbritur në qytet, takon një mikun
e tij. Ai kryente detyrën e shefit të kuadrit. Shefin e porsa emëruar nuk e
honepste dot. I dukej se i kishte zënë vendin. Për ta vënë në lojë, dërgoi te
shefi mikun e tij me profesionin e
agronomit. Donin t'i shihnin mendjen, se si do të reagonte në pritjen e
popullit.
Agronomi
trokiti në derë dhe e gjeti shefin të
zhytur në një mori letrash. Shefi ngriti kokën dhe iu drejtua qytetarit, që po
rrinte në derë dhe nuk po dinte si të vepronte: të afrohej pranë tavolinës së
shefit apo ta pyeste, që te pragu i derës.
-Fol,
- ngriti zërin shefi, - siç e shikon nuk
kam kohë të tepërt të merrem me ty, - si e ke hallin, që trokite në derën time?
-Erdha
të të pyes shef, ku jam me punë sivjet?
Shefi
aty për aty, iu përgjigj:
-Atje
ku ishe vjet dhe ik tani. Merr librat dhe shko fillo punë.
Kaq
u desh dhe në mjediset e korridorit plasi e qeshura. Ngjarja u përhap shpejtë
në gjithë qytetin. Nuk harrohet dhe sot e kësaj dite, shefi i shkretë ka
ndërruar jetë. Mendimin ma ndërpreu shoku im me të cilin do shkonim përsëri
atje ku kishim qenë për të kryer detyrën e ngarkuar nga shefat tanë një javë më
parë.
–Eja,
- foli Nikolla, - shkojmë e pimë një kafe. Më
pas shohim e bëjmë. Ka kohë, boll.
-Prit
Nikollë, - i them shokut tim.
-
Nuk ka ardhur akoma përgjegjësi që na kanë caktuar për të administruar
provimin. Kafja pret.
-Hajde
more burrë, se përgjegjësi vjen vet dhe e di rrugën. Nuk është nevoja ta presim
ne. Me këto mendime dolëm në rrugë. Përpara nesh u shfaq Goni, mësues i shkollës
në të cilën ne ishim caktuar administratorë.
-Me
çfarë mjeti do shkoni në shkollë ku ju kanë caktuar? - na pyeti Goni.
-Nuk
e di, - iu përgjigja, - por, unë e Nikolla po shkojmë te furgonat.
Goni
nxori celularin nga xhepi dhe i telefonoi dikujt. Më pas mu drejtua mua:
-Shko
bashkë me shokët, te furgonat që nisen për në Çerkezë. Atje ju pret makina.
E
falënderova Gonin dhe së bashku me
kolegët, morëm rrugën për te furgonat, në qendër të Kamzës. Në stacion na priti
Fredi, roja i shkollës së Çerkezit.
Zumë
vend në makinë dhe u nisëm në drejtim të fshatit. Makina nisi të gulçojë në
maloren e pa asfaltuar.
-Ja,
- tha Fredi, - nuk deshi kryetari të bëhej kjo copë rrugë dhe e vuajmë ne.
Askush
nuk foli. Makina shumë shpejtë u gjend para portës së shkollës.
Zbritëm
dhe hymë në mjediset e shkollës 9-vjeçare Çerkezë. Klasat ishin tepër komode.
Të pastruara dhe të mirëmbajtura me kujdes. Ishin në gatishmëri për ditën e
provimit. Vetëm banjat linin për të dëshiruar. Atje ku zhvillohej lënda e
informatikës, njëri nga mësuesit fliste herë me zë të lartë dhe herë si me
vete. Në një moment e dëgjoi që ngriti zërin dhe ju drejtua përgjegjësit të
administrimit.
-Ju
bëni detyrën, zbatoni rregulloren. Të jeni në rregull me shtetin.
Përgjegjësi
e pa drejtë e në sy dhe nuk foli. Pamë njëri-tjetrin dhe nuk po arrinim t`a
kuptonim mësuesin e shkollës pritëse se, me kë e kishte brengën, që nuk dinte
ku ta zbrazte!.
Ishim
ulur në sallën e kompjuterëve, në pritje të fillimit të provimit. Në mendje më
mbetën fjalët e mësuesit të shkollës, i cili jo vetëm që nuk po largohej nga
territori i brendshëm i godinës, por sa herë që hynte e dilte, shfrynte me
vete. Hera-herës i dilte nga shpirti një zë, disi më i lartë. Përgjegjësi ndau
detyrat. Shorti më ra të rri në mjediset e jashtme të sallave të provimit, në
detyrën e administratorit të katit ose, thjesht, roje i derës.
-Ti,
- m`u drejtua përgjegjësi, - do të nxjerrësh jashtë mjediseve të gjithë
mësuesit e shkollës që punojnë këtu dhe në sallat ku zhvillohet provimi. Nuk
dua asnjë mësues të shkollës, brenda godinës.
-Bën
mirë që urdhrin t'ia komunikosh vet drejtorit dhe ai të merret vesh me mësuesit
e vet. Pasi të vihet në dieni drejtori, jam i gatshëm të kryej detyrën me
përpikmëri, - i thashë përgjegjësit nga vendi ku isha ulur.
-Boll
mirë, - foli Nikolla, - Është detyra jote që të vendosësh rregullin dhe ne ta
zbatojmë.
Ora
shkoi 9.00. Nxënësit u rreshtuan para
shkollës dhe administratorët morën secili grupin e lexuar nga përgjegjësi i administrimit.
Mbeta
në korridor, në ruajtje të derës kryesore. Por shkolla kishte edhe disa dyer të
tjera. Mësuesit, kishin të gjithë nga
një kopje çelësi.
Kur
panë se unë mbylla derën kryesore, filluan të hynin e dilnin nga dyert, me
çelësat që i nxirrnin, sa herë që u duheshin.
Ngjita
shkallët dhe i them përgjegjësit, mësuesit janë brenda mjediseve të shkollës.
Madje po bëjnë zhurmë, prandaj, të lutem, merr masat e nevojshme.
-Përse,
sot e kanë lënë të punojnë mësuesit? - foli përgjegjësi i administrimit.
-Nuk
di çfarë të them, por ju duhet të ndërhyni, për të rregulluar situatën, për të
vendosur rregull dhe disiplinë.
-Shko
dhe u thuaj të dalin jashtë!- foli përgjegjësi.
Komunikova
urdhërin e përgjegjësit tim, në klasën ku mësuesit po qëndronin.
Nga
brenda mjedisit të sallës së informatikës, dëgjoi një zë të çjerrë.
-Ti
na thua që të dalim jashtë, apo të mbyllim edhe derën?
-Kush
je ti që na nxjerr nga shkolla jonë?!
Kolegu
i tij vazhdonte i qetë punën me regjistrin, pa e prishur terezinë.
-Ky
është urdhri i përgjegjësit të administrimit të provimit, - u thashë dhe nuk e zgjata. Zbrita në katin e parë.
Qendrova te porta kryesore, nga e cila nuk hyri e doli njeri, deri sa mbaroi
provimi. Mësuesi që foli në sallë, mbas pak u ul në katin e parë ku rrija unë
dhe midis të tjerash më shkrehet:
-Ti
më thua mua të largohem nga shkolla! Unë jam në shkollën time, përse nuk nxjerr
të tjerët që hyjnë e dalin?
-Zotëri,
unë nuk kam ardhur këtu për të ruajtur derën, por për të zbatuar ligjin, që
nxënësit të jenë të qetë dhe të zhvillojnë provimin normalisht. Urdhërat këtu
nuk i jap unë, por përgjegjësi i provimit, që ka marrë udhëzimet e duhura nga
ZA-ja.
-Ti,
mos u bëjë mashë e të tjerëve, - vazhdoi të shfryjë mësuesi, i cili nuk dinte
se ç`bënte. Doli nga dera që i tregova.
Nuk vonoi dhe erdhi përsëri. Nuk pushonte së foluri. Mesa dukej, kishte
probleme me veten dhe nuk gjente prehje. Përfundimisht, provimi mbaroi. Hipëm
në furgon për në Kamzë. Në mes të rrugës, mësuesi që ishte ulur në vendin e
parë, pagoi biletën dhe zbriti nga furgoni, duke e plasur fortë derën. Iku pa
thënë as "Mirëupafshim!"
-Ç`pati
ky ? - pyeti kolegu që kisha në krah?
-Nuk
e di, - iu përgjigja. Në furgon mbretëroi përsëri qetësia deri sa zbritëm në
Kamzë. Të nesërmen në mëngjes, mora rrugën për në punë. Pa pritur, dëgjoi zilen
e celularit.
Ishte
një miku im, me të cilin kishim studiuar në qytetin e Shkodrës.
-Të
pres te kafja, - më tha.
-Po
vij,- i them nuk vonohem. Mendja më shkoi menjëherë te kolegu që zbriti nga
furgoni dhe përplasi derën, pa na thënë "Mirë u pafshim!" Shoku
im punonte në atë shkollë prej disa
vitesh. Sjellja e tij, siç duket, ishte bërë shqetësim për gjithë kolegët që
punonin në mjediset e shkollës Çerkezit...
Pas
përshëndetjes me miqtë e mi, iu drejtova me fjalët:
-Nuk
di se si t'a titulloj ngjarjen që do t`ju tregoj, pasi unë nuk kam asnjë
shqetësim. Kolegu juaj, që gjendet midis jush, ndoshta kishte shqetësim me
veten. Ju nuk kini përse të shqetësoheni. Rëndësi ka që provimi kaloi mirë dhe
ne u larguam nga shkolla juaj, me përshtypje të mira...
-Po,-
foli mësuesi që gjendej midis tyre, -ti ishe shpëtimtari. Si thua ti, unë që
kisha punuar gjithë vitin dhe doja t`u gjendesha pranë nxënësve, në ditën më të
vështirë, nuk lejohem nga shokët e miqtë e mi ti ndihmoja, kurse kolegët e mi,
hynin e dilnin sipas qejfit. Mësuesi foli gjatë, por unë dhe shokët që
gjendeshim në tavolinë kaluam në një temë tjetër dhe harruam ngjarjen e
pakëndshme, që na ndodhi me mësuesin për të cilin fola më lartë...