| E merkure, 13.08.2025, 06:58 PM |
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (23)
GRATË E VAJZAT DËSHMORE
TË UÇK-SË
FERIDE RAMADAN JASHARI
(16.03.1954-
07.03.1998)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Që
nga fillimi i shekullit XX, Drenica ka zënë një vend të veçantë dhe të dalluar
në hartën e rezistencës dhe të Lëvizjes Kombëtare për çlirim. Brenda kësaj
krahine, Prekazi ka pasur një rol veçanërisht të spikatur. Ai nuk është
përmendur rastësisht në faqet e historisë, por për shkak të veprave të tij të
guximshme dhe të rëndësishme që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen
kombëtare. Ishte këtu, ku idealet e lirisë nuk mbetën vetëm fjalë apo dëshira
të paqarta, por u shndërruan në vepra konkrete, në rezistencë të armatosur dhe
në përballje të hapur me pushtuesin. Po kështu, kjo traditë qëndrese nuk u shua
as në vitet e vështira të Luftës së Drenicës (1944–1945), kur banorët e kësaj
treve u përballën me forca shumë më të mëdha e më të organizuara, dhe nuk
pranuan të dorëzojnë armët, as dinjitetin. Ata mbetën besnikë ndaj idealeve të
tyre, duke e kuptuar se liria nuk është një privilegj i falur, por një e drejtë
që duhet fituar me gjak dhe sakrificë.
Prekazi,
kjo vatër e njohur e qëndresës shqiptare, nuk mungoi të dëshmojë shpirtin e tij
luftarak as në vitet e më vonshëm dhe as në vitin e parë të asaj që historia e
quan me të drejtë Pranvera Shqiptare të vitit 1981. Në mesin e një lëvizjeje
masive studentore dhe popullore që kërkonte barazi dhe të drejta kombëtare, më
13 maj 1981, ndodhi një ngjarje që do të lë shenjë të pashlyeshme në kujtesën
kolektive, qëndresa heroike e Tahir dhe Nebih Mehes.
Në
ceremoninë mortore kushtuar dy dëshmorëve të Prekazit u kristalizua një çast i
veçantë, i ngarkuar me domethënie të thellë historike dhe simbolike. I rrethuar
nga djemtë dhe bashkëfshatarët, Shaban Jashari nuk iu dorëzua vetëm zisë dhe
pikëllimit për humbjen e më të dashurve. Ai e ktheu dhimbjen në një akt solemn
premtimi, duke e ngritur varrimin mbi kuptimin tradicional të nderimit për të
rënët dhe duke e shndërruar në një rit të përkushtimit të shenjtë për hakmarrje
të drejtë dhe çlirim kombëtar.
Në
atë tokë të njomur me gjak dhe të shenjtëruar nga sakrifica e bijve të Kosovës,
Shabani artikuloi një zotim të pathyeshëm, se do ta vazhdonte rrugën e nisur
prej tyre dhe do të kërkonte drejtësinë e mohuar me çdo mjet. Ky akt i betimit
nuk ishte thjesht një premtim familjar, por një deklaratë publike e angazhimit
për rezistencë, që përçon një mesazh të fuqishëm tek brezat e ardhshëm se gjaku
i derdhur nuk do të harrohej, nuk do të mbetej pa u shpaguar.
Me
solemnitetin dhe vendosmërinë e atij çasti, varret e dëshmorëve nuk u panë
vetëm si vendqetesije të përjetshme, por u shndërruan në simbole të gjalla të
kujtesës kolektive dhe të frymëzimit për vazhdimin e luftës së drejtë. Ky betim
u bë një pikë e kthesës, që mobilizoi ndërgjegjen e shtypur kombëtare dhe
vulosi një angazhim historik për të çuar përpara idealin e lirisë dhe të pavarësisë,
duke e shndërruar dhimbjen në forcë veprimi dhe duke e rrënjosur ndjenjën e
përgjegjësisë historike në shpirtin e popullit.
Autoritetet
pushtuese ishin të vetëdijshme për natyrën e pathyeshme të karakterit të Shaban
Jasharit dhe për peshën e fjalës së dhënë prej tij. Ata e dinin mirë se
premtimet e këtij burri nuk ishin fjalë të zbrazëta, por zotime të lidhura
ngushtë me një kod nderi dhe besnikërie që e karakterizonte atë dhe mjedisin
shoqëror ku jetonte. Kjo bindje e tyre buronte jo vetëm nga njohja e
personalitetit të Shabanit, por edhe nga një kuptim më i gjerë i realitetit
politik e shoqëror të asaj kohe, një popullsi e tërë, e zhgënjyer dhe e
shtypur, mbante brenda vetes pakënaqësi të thella dhe një etje të madhe për
çlirim.
Pas
atij viti që në kujtesën kolektive do të mbetej si “pranvera shqiptare” – një
periudhë zgjimi dhe mobilizimi të ndjenjës kombëtare – pasuan tri goditje të
njëpasnjëshme ushtarake, në familjen Jashari, secila më e ashpër dhe më e
pamëshirshme se tjetra. Këto sulme nuk ishin thjesht veprime të zakonshme
represive, por shprehje të një strategjie të mirëfilltë të pushtetit okupues, i
cili kërkonte të shkatërronte bërthamat e rezistencës dhe të mbillte frikë e
nënshtrim në mesin e popullatës shqiptare.
Në
këtë kontekst, familja Jashari përfaqësonte një pengesë të madhe dhe të
paredukueshme për planet e pushtetarëve. Ajo nuk ishte vetëm një njësi
familjare në kuptimin e zakonshëm, por simbol i gjallë i qëndresës, i krenarisë
dhe i gatishmërisë për flijim në emër të lirisë. Fryma e saj e pathyeshme dhe
shembulli i vendosmërisë i jepnin kurajë dhe orientim të gjithë atyre që
ëndërronin çlirimin nga zgjedha e huaj.
Pushtuesit
e shihnin me shqetësim këtë familje si qendër të rezistencës morale dhe
ushtarake, një vatër të pashuar të idealit të lirisë që ngjallte vetëdije dhe
mobilizonte bashkëkombësit. Për këtë arsye, ofensivat e tyre kundrejt saj nuk
ishin vetëm operacione ushtarake për asgjësimin fizik të një grupi patriotësh,
por edhe një përpjekje e vetëdijshme për të goditur simbolin dhe burimin e
frymëzimit kolektiv, me shpresën se kështu do të shuanin shpresën dhe guximin
në zemrat e të tjerëve.
Përplasja
e hapur dhe e dhunshme mes forcave serbe dhe familjes Jashari mori trajtë
konkrete dhe të organizuar më 30 dhjetor të vitit 1991, kur forcat policore dhe
ushtarake serbe ndërmorën një operacion të mirëplanifikuar për të rrethuar dhe
izoluar shtëpinë e tyre në Prekaz. Ky aksion nuk ishte një incident i
rastësishëm apo një masë rutinë sigurie, por përfaqësonte një kulmim të tensioneve
të akumuluara dhe një shprehje të qartë të strategjisë shtetërore për të shuar
çdo qendër të rezistencës së organizuar shqiptare.
Operacioni
i dhunshëm në Prekaz mund të shihet si pikënisja zyrtare e një fushate të
strukturuar represive që synonte të godiste jo thjesht një familje, por
simbolin e një lëvizjeje mbarëpopullore për çlirim. Për pushtetin serb, familja
Jashari kishte kaluar nga statusi i një kundërshtari lokal në atë të një
simboli të fuqishëm të rezistencës së armatosur dhe të ndërgjegjes kombëtare
shqiptare në Kosovë. Ajo ishte bërë një bërthamë frymëzimi, e cila e
artikulonte dhe e kanalizonte aspiratën e kahershme për liri dhe vetëvendosje.
Prandaj,
ky sulm i mirëmenduar shënjonte një përpjekje të qartë për të paralizuar këtë
rol simbolik dhe për të shuar në embrion rrezikun e shpërthimit të një
kryengritjeje më të gjerë. Në mënyrë të heshtur, pushteti serb e pranonte se
lufta për kontrollin e Kosovës nuk do të fitohej vetëm me armë, por edhe me
betejën për zemrat dhe mendjet e njerëzve. Dhe për këtë arsye, familja Jashari
shihej si një rrezik i madh – jo vetëm për armët që mund të mbanin, por për
idenë e lirisë që mishëronin dhe që shpërndanin te të gjithë shqiptarët e
Kosovës. Pas sulmit të parë të organizuar kundër tyre, familja Jashari do të
përballej sërish me dhunën e forcave serbe pas vetëm disa viteve. Më 22 janar
1998, ndodhi një tjetër operacion i armatosur dhe i befasishëm, gjatë të cilit,
në përballjen e ashpër, dy anëtare të familjes – dy vajza të reja – mbetën të
plagosura: Iliriana Rifat Jashari dhe Selvetje Hamzë Jashari
Dëshmitë
e atyre që e përjetuan drejtpërdrejt këtë ngjarje përshkruajnë sulmin si të
rrufeshëm dhe brutal, por njëkohësisht vënë në dukje se edhe kundërpërgjigjja e
familjes ishte po aq e shpejtë dhe vendimtare. Ky konfrontim nuk i gjeti të
papërgatitur, përkundrazi, mobilizimi i familjes Jashari ishte i menjëhershëm,
i guximshëm dhe dëshmoi një nivel të lartë të organizimit dhe përgatitjes
ushtarake.
Ky
reagim i shpejtë dhe i koordinuar nuk ishte rastësi, por produkt i një
ndërgjegjeje të thellë për realitetin e ashpër të kohës dhe i një përgatitjeje
të gjatë përballjeje me pushtuesin. Familja Jashari kishte kthyer shtëpinë dhe
jetën e saj në një fortesë të vërtetë të qëndresës, ku fryma e atdhedashurisë
ndërthurej me disiplinën dhe profesionalizmin ushtarak. Ky mobilizim i
menjëhershëm dhe i organizuar përbënte një vlerë të veçantë të kësaj familjeje,
duke e radhitur atë ndër shembujt më të spikatur të rezistencës së armatosur
shqiptare në Kosovë.
Sulmi
i 22 janarit 1998 nuk ishte thjesht një akt i izoluar dhune, por një shenjë
paralajmëruese dhe mjaft domethënëse për politikën e shtetit serb ndaj
shqiptarëve. Ky veprim ushtarak sinjalizonte qartë se strategjia serbe po hynte
në një fazë të re të përshkallëzimit të dhunës së organizuar, e cila synonte të
përhapte terror në çdo shtëpi shqiptare dhe të shuante çdo aspiratë për liri e
vetëvendosje. Në këtë kuptim, sulmi mbi familjen Jashari ishte edhe një mesazh
i zymtë për mbarë popullin shqiptar të Kosovës se askush nuk do të mbetej
jashtë objektivit të fushatës së dhunës shtetërore, dhe se rezistenca do të
përballej me reprezalje të pamëshirshme dhe të përhapura.
Më
5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, kulmoi faza më e egër dhe më e përgjakshme e
përballjes midis shtetit serb dhe familjes Jashari. Për herë të tretë brenda
një periudhe të shkurtër, forcat shtetërore serbe ndërmorën një ofensivë të
organizuar dhe të gjithanshme kundër kësaj familjeje, duke përdorur trupa të
shumta policore e ushtarake dhe duke angazhuar mjete të rënda lufte, përfshirë
tanke dhe artileri të rëndë.
Shtëpia
e Ademit dhe e familjes Jashari në Prekaz u kthye në shënjestrën kryesore të
një operacioni ushtarak të planifikuar me kujdes, i cili synonte të asgjësonte
jo vetëm një grup rezistence të armatosur, por edhe simbolin më të fuqishëm të
vendosmërisë dhe të aspiratës për liri të popullit shqiptar të Kosovës.
Rrethimi total, i mbështetur nga fuqia shkatërrimtare e armatimit të rëndë,
dëshmonte qartazi për dimensionin shtetëror dhe karakterin e paramenduar të
këtij akti dhune. Përleshjet e përgjakshme që zgjatën tri ditë, deri më 7 mars,
u mbyllën me një bilanc tragjik e makabër: mbi 50 anëtarë të familjes Jashari u
vranë në mënyrë brutale, pa bërë dallim midis burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm.
Ky akt i egër nuk mund të reduktohet thjesht në një përballje ushtarake – ai
përfaqësonte një masakër të mirëmenduar, një formë terrori shtetëror të
ushtruar me synimin e qartë për të shkatërruar jo vetëm rezistencën fizike, por
edhe vullnetin kolektiv për liri.
Në
këtë kuptim, ngjarjet e 5, 6 e 7 marsit 1998 nuk ishin thjesht një sulm mbi një
familje, por një sulm mbi vetë idealin e çlirimit dhe të identitetit kombëtar
shqiptar në Kosovë. Masakra e Prekazit u bë simbol i dhimbjes dhe i sakrificës
sublime, por njëkohësisht edhe pikënisja morale dhe politike e një kapitulli të
ri të luftës çlirimtare, duke shndërruar gjakun e derdhur në thirrje për
mobilizim dhe në testament të pashlyeshëm për brezat e ardhshëm. Familja
Jashari, së bashku me tërë lagjen që mbante të njëjtin emër, u bë shembulli më
kuptimplotë i unitetit dhe vendosmërisë për mbrojtjen e shtëpisë dhe të
atdheut, pa dallim gjinie apo moshe. Kur erdhi ora e rëndë e përballjes me
pushtuesin, aty nuk pati ndarje midis burrave dhe grave, midis të rinjve dhe të
moshuarve – të gjithë u ngritën si një trup i vetëm, të vetëdijshëm për barrën
e shenjtë që mbanin mbi supe.
Në
këtë frymë të fortë bashkimi e qëndrese, veçanërisht spikat figura e grave të
familjes Jashari, të cilat u bënë mishërimi i pastër i atdhedashurisë dhe i
idealit të lirisë. Ato nuk ishin thjesht dëshmitare të asaj drame tragjike, por
aktere të vendosura, të gatshme të ndanin fatin dhe sfidën e madhe të mbrojtjes
së shtëpisë dhe të nderit. Në mesin e këtyre heroinave veçohen me respekt të
veçantë Nënë Zaidja, Zarifja, Feridja dhe Adilja – gra të forta, të mençura dhe
të guximshme që jo vetëm që nuk u larguan nga vatra, por morën mbi vete barrën
e rëndë të udhëheqjes morale dhe fizike të qëndresës. Ato, bashkë me vajzat e
tyre, e dëshmuan dashurinë për atdheun jo me fjalë të zbrazëta, por me pushkë
në dorë, duke u përballur sy më sy me pushtuesin.
Kontributi
i tyre nuk mund të përmblidhet thjesht si ndihmë e çmuar – ishte një sakrificë
madhështore që shërbeu si shtyllë morale dhe strategjike e mbrojtjes kolektive.
Këto gra i dhanë luftës një dimension të ri, duke e dëshmuar se rezistenca nuk
është vetëm çështje force fizike, por edhe forcë e karakterit, dinjitetit dhe
dashurisë për lirinë. Ato lanë pas një trashëgimi të shenjtë që i thërret
brezave të ardhshëm të mos e harrojnë kurrë se liria kërkon gatishmëri për
flijim nga të gjithë – burra e gra, të rinj e të moshuar – pa dallim.
Feride
Mecini-Jashari ishte bashkëshortja e heroit të kombit, Hamzë Jasharit, dhe vetë
një figurë e shquar e sakrificës dhe përkushtimit ndaj çështjes kombëtare. Ajo
nuk ishte vetëm pjesë e një familjeje që mishëroi idealin e lirisë, por edhe
një model i gjallë i grave shqiptare të atyre brezave që u formuan dhe u
kalitën në kushte të vështira historike, duke bartur mbi supe barrën e robërisë
dhe përgjegjësinë për të ruajtur nderin dhe dinjitetin kombëtar.
E
lindur më 16 mars 1954 në fshatin Klinë e Mesme të Skenderajt, Feridja ishte
produkt i një mjedisi thellësisht atdhetar, ku ndjenjat e dashurisë për vendin
nuk ishin thjesht ideale të largëta, por pjesë e edukimit të përditshëm, e
përthithur që në vegjëli. Në këtë ambient ku historia e pushtimeve dhe e
qëndresës përcillej nga brezi në brez përmes tregimeve, këngëve dhe riteve
familjare, ajo u rrit me një vetëdije të qartë për përgjegjësinë që mbante mbi
supe. Ajo përfaqësonte tipologjinë e gruas shqiptare që nuk e konceptonte jetën
e vet të ndarë nga fati i kombit, që shihte çdo detyrë familjare dhe shoqërore
të lidhur ngushtësisht me idealin e lirisë. Feridja nuk ishte thjesht
bashkëshorte dhe nënë, por një figurë morale që e kuptonte thellësisht se çdo
brez kishte një mision të shenjtë që ta ruante dhe ta forconte dashurinë për
atdheun, të ushqente kujtesën historike dhe të përgatitej për sakrificë në emër
të dinjitetit kombëtar.
Jeta
dhe veprimtaria e saj e përditshme, e thjeshtë në dukje, mbante brenda një
heroizëm të heshtur dhe të qëndrueshëm. Ajo nuk ishte vetëm një dëshmitare e
kohës së saj, por një pjesëmarrëse aktive në dramën dhe epopenë kombëtar, duke
mishëruar virtytet e durimit, të përkushtimit dhe të vendosmërisë për të mos
pranuar kurrë poshtërimin apo nënshtrimin. Në mjedisin ku u rrit, fryma e
rezistencës përhapej natyrshëm, si pjesë e edukimit të përditshëm dhe e
kulturës shpirtërore popullore. Nënat e asaj ane, teksa i përkundnin fëmijët në
djep, iu këndonin këngë trimërie dhe iu rrëfenin histori të hidhura për
pushtimet e gjata dhe për “bajlozët e zi” që kishin zaptuar tokën e tyre. Për
Feriden e vogël, këto rrëfime nuk ishin thjesht përralla të natës, por mësime
të gjalla që formuan karakterin e saj dhe i ndezën në zemër një dëshirë të
pashuar për çlirim.
Në
imagjinatën e saj fëmijërore, por të kthjellët dhe të vendosur, ajo ëndërronte
ditën kur do të vinte koha për t’i dëbuar pushtuesit nga vendi i saj dhe për të
sjellë një frymë të lirë në Kosovën e dashur. Ky ideal nuk ishte i vagullt apo
abstrakt, por i ngulitur thellë në vetëdijen e saj, duke u shndërruar në
udhërrëfyesin e jetës së saj. Kur ndodhi sulmi i tretë, vendimtar dhe më i përgjakshmi
në Prekazin heroik, Feride Mecini-Jashari ishte vetëm 45 vjeçe. Ajo nuk e priti
këtë ditë si një grua e zakonshme e ndrojtur, por si një nënë, bashkëshorte dhe
atdhetare e përgatitur për të mbrojtur shtëpinë, familjen dhe nderin e kombit.
Figura e saj mishëron sakrificën sublime të grave shqiptare që nuk e panë kurrë
veten të ndara nga fatet e atdheut dhe që ishin të gatshme të paguanin me jetën
e tyre çmimin e lirisë së brezave të ardhshëm.
Martesa
e Feride Mecini-Jasharit me Hamzë Jasharin, njërin prej figurave më të njohura
të qëndresës së Drenicës, e afroi atë edhe më shumë me idealet dhe ëndrrat e
saja për liri dhe dinjitet kombëtar. Për të, ky bashkim nuk ishte thjesht një
lidhje familjare, por një hap i madh drejt konkretizimit të aspiratave që i
kishte ushqyer që në fëmijëri. Ajo filloi t’i shihte ëndrrat e saj të hershme
jo më si dëshira të largëta e të pamundura, por si synime të prekshme dhe të
realizueshme përmes bashkëveprimit dhe përkushtimit të përbashkët.
Feridja
e ndiente veten të lumtur dhe të plotësuar në familjen e re ku u martua, një
vatër ku dashuria për tokën amtare dhe respekti për traditën ishin themel i
jetës së përditshme. Tek burri i saj, Hamza, ajo gjeti jo vetëm shokun e jetës,
por edhe bashkëluftëtarin e idealeve të lirisë. Përmes syve të saj, Hamza
mishëronte tiparet më të ndritura të figurave emblematike të historisë
shqiptare. Ai i ngjante Isa Boletinit për trimërinë dhe vendosmërinë e
pathyeshme. I përngjante Hasan Prishtinës për mençurinë strategjike dhe
urtësinë politike. Ndërsa në sytë e saj
mbartte edhe një bukuri të veçantë, të pastër dhe të hijshme si ajo që
mitologjia ia kishte dhënë Apollonit.
Kështu,
martesa e saj nuk ishte thjesht një bashkim konvencional, por një akt i
ndërgjegjshëm i partneritetit në misionin e madh të çlirimit. Ajo e shihte këtë
bashkim si bekim dhe si shenjë të fatit që e kishte futur në një familje ku
ideali i lirisë nuk ishte fjalë e zbrazët, por betim i përditshëm dhe përgatitje
e pandërprerë për sakrificë. Në këtë mënyrë, ëndrrat e saj për një Kosovë të
lirë dhe të pavarur nisën të marrin formë më konkrete, duke u rrënjosur edhe më
thellë në jetën dhe identitetin e saj si grua, nënë dhe atdhetare.
Feride
Mecini-Jashari u tregua e aftë të përshtatej shpejt me jetën e re familjare në
Prekaz, duke ndërtuar një marrëdhënie të fortë dhe të harmonishme
bashkëshortore me Hamzë Jasharin. Por lidhja e tyre nuk u kufizua vetëm në
kuptimin tradicional të martesës – ajo nuk ishte thjesht një bashkëshorte e
përkushtuar, por edhe një bashkëmendimtare dhe shoqe e idealit të tij për liri
e çlirim kombëtar.
Në
jetën e përditshme të tyre, shpesh herë bisedat nuk ishin vetëm për punët e
shtëpisë apo për jetën familjare, por për planifikime të ndërlikuara, për
rreziqet dhe përgjegjësitë që vinin nga veprimtaria ilegale e organizuar e
Hamzës dhe e familjes Jashari. Feridja, me një përqendrim dhe përgjegjësi të
jashtëzakonshme, i dëgjonte dhe i përjetonte këto biseda, duke treguar jo vetëm
mirëkuptim, por edhe mbështetje të palëkundur. Ajo nuk e shihte veten të ndarë
nga ideali i bashkëshortit, përkundrazi e konsideronte misionin e tij si edhe
të sajin. Çdo fjalë dhe veprim i Hamzës për rezistencë kundër pushtuesit merrte
miratimin dhe përkrahjen e saj të heshtur, por të vendosur. Në këtë kuptim, ajo
ishte mbështetësja më e madhe dhe më e besuar e tij – një shtyllë morale dhe
emocionale që e ndihmonte Hamzën të qëndronte i patundur përballë sfidave të
jashtëzakonshme që e prisnin.
Përmes
këtij bashkëpunimi të heshtur por të thellë, Feridja u bë pjesë organike e
përpjekjes së madhe për çlirim, duke mishëruar modelin e gruas shqiptare që nuk
ndan dashurinë për familjen nga dashuria për atdheun, dhe që është e gatshme të
mbajë mbi vete barrën e rëndë të një ideali të përbashkët kombëtar.
Martesa
e Hamzë dhe Feride Jasharit ishte një bashkim i ndërtuar mbi dashuri të
sinqertë dhe respekt të ndërsjellë, një lidhje e lumtur që, ndonëse e shkurtër
në vite, u begatua me gëzimin e lindjes së fëmijëve. Jeta e tyre familjare u
mbush shpejt me zërat dhe të qeshurat e vogëlushëve të shëndetshëm dhe të
hijshëm, të cilët e ndriçonin shtëpinë me dritën e pafajësisë dhe gjallërisë që
vetëm fëmijët dinë ta sjellin. Për Hamzën dhe Feriden, çdo fëmijë i ri që vinte
në jetë ishte një bekim i veçantë, një dëshmi e vazhdimësisë dhe e shpresës së
pashuar për të ardhmen.
Ky
çift atdhetar u bënë prindër të shtatë fëmijëve, të cilët i rritën me dashuri,
kujdes dhe ndjenjën e fortë të përgjegjësisë për traditën dhe dinjitetin
familjar. Familja Jashari nuk ishte vetëm një vatër e zakonshme, por një
shkollë e përditshme e vlerave, ku edukata, nderi dhe dashuria për atdheun
përçoheshin natyrshëm nga prindërit tek fëmijët.
Megjithatë,
tragjedia e madhe kombëtare që përfshiu Kosovën nuk kurseu as këtë familje. Në
masakrën e 5, 6 dhe 7 marsit 1998, e njohur tashmë si një prej kulmeve të
terrorit shtetëror serb, familja Jashari pësoi humbje të pariparueshme. Nga
shtatë fëmijët e Hamzës dhe Ferides, pesë prej tyre u vranë në mënyrë mizore:
Selvete Jashari (20 vjeçe), Afete Jashari (17 vjeçe), Lirie Jashari (15 vjeçe),
Fatime Jashari (9 vjeçe) dhe Blerina Jashari (7 vjeçe). Ata ranë dëshmorë në
pragun e shtëpisë së tyre, duke u bërë simbol i pafajësisë së flijuar dhe i
sakrificës sublime për lirinë e atdheut.
Nga
kjo tragjedi mbijetuan vetëm dy fëmijë: Bekim Jashari, i cili më pas u bë një
figurë publike e njohur dhe ka shërbyer si kryetar i Skenderajt, dhe Besarta
Jashari, vajza e vetme që i mbijetoi asaj masakre të përgjakshme. Ata mbartin
sot kujtimin dhe amanetin e të rënëve, duke u bërë dëshmitarë të gjallë të një
historie dhimbjeje, por edhe krenarie dhe rezistence të pashoqe në historinë e
Kosovës.
Hamzë
dhe Feride Mecini-Jashari ishin prindër që shquheshin për përkushtimin e tyre
të palëkundur ndaj familjes dhe për respektimin e traditave të pasura dhe të
çmuara të Drenicës. Për ta, edukimi i fëmijëve nuk ishte vetëm një detyrë
prindërore, por një mision i shenjtë për të formuar breza të ndërgjegjshëm, të
lidhur ngushtë me identitetin kombëtar dhe me idealin e lirisë. Ata bënë çdo
përpjekje që fëmijët e tyre të rriteshin të lumtur, të ndjenin ngrohtësinë e
dashurisë prindërore dhe të jetonin në një atmosferë të sigurt dhe të dashur,
ku vlerat e familjes ishin të shenjta dhe të panegociueshme.
Hamza
dhe Feridja i dërguan fëmijët e tyre në shkollë, duke i nxitur për arsimim dhe
dije, duke e konsideruar atë si një mjet të domosdoshëm për përparimin personal
dhe kolektiv. Por realiteti i ashpër i okupimit serb ua vështirësonte rëndë
këtë rrugë. Shkollat publike u mbyllën me dhunë nga pushtuesi, dhe fëmijët
shqiptarë u detyruan të mësonin në kushte të vështira, në shtëpi-shkolla,
shpesh larg Prekazit, me udhëtime të mbushura me pasiguri dhe rreziqe të mëdha.
Përballë
këtyre sfidave, edukimi i tyre nuk ndalej me mësimet formale. Pas përfundimit
të shkollës fillore, ata përvetësuan një edukatë tjetër, po aq të çmuar, atë që
zhvillohej natyrshëm në gjirin e familjes, përmes bisedave, këshillave dhe
përvojës së përditshme me prindërit dhe të afërmit. Këtu, në këtë mjedis intim
dhe të ngrohtë, ata mësonin se liria nuk dhurohet, por fitohet përmes
përkushtimit, durimit dhe sakrificës. Kjo edukatë morale dhe kombëtare u
rrënjos thellë në personalitetin e tyre, duke i përgatitur për sfidat e rënda
që i prisnin dhe për rolin e tyre si vazhdues të një tradite të lavdishme
rezistence dhe qëndrese kundër pushtimit.
Pas
sulmit të dytë të 22 janarit 1998, familja Jashari e kishte kuptuar qartë
natyrën e përshkallëzimit të dhunës shtetërore dhe planet e pushtuesit serb për
të asgjësuar bërthamën e rezistencës në Prekaz. Të vetëdijshëm për kërcënimin e
afërt dhe të pashmangshëm, ata nuk e lanë veten të zihen më në befasi.
Përkundrazi, ata e shndërruan çdo ditë të mbetur në përgatitje intensive, duke
siguruar armatim dhe duke vendosur një sistem të rreptë rojash e vigjilence
nëpër lagje, në mënyrë që të parandalonin çdo sulm të papritur dhe të
përballeshin me armikun me vendosmëri dhe dinjitet.
Por
përgatitja e tyre nuk ishte vetëm ushtarake. Ishte edhe morale dhe shpirtërore,
e rrënjosur thellë në kodin e tyre familjar dhe shoqëror. Pati përpjekje për
t’i bindur gratë dhe fëmijët që të largoheshin nga lagjja, që të shpëtonin
jetën dhe të shmangnin vuajtjet e pashmangshme të luftës. Por askush prej tyre
nuk pranoi të braktiste shtëpinë dhe vendlindjen. Për ta, një veprim i tillë do
të ishte i papranueshëm, një shkelje e rëndë e nderit dhe e trashëgimisë së
brezave. Ata e konsideronin si herezi të braktisnin pragun e shtëpisë, varret e
të parëve dhe dheun që i kishte lindur e i kishte rritur. Kjo vendosmëri nuk
ishte e rastësishme. Ajo ishte formuar dhe kultivuar gjatë viteve, përmes një
edukimi të vazhdueshëm që i mësonte fëmijët dhe të rriturit se dinjiteti
kombëtar nuk mund të blihet apo të shitet, se vendi dhe shtëpia mbrohen me çdo
kusht dhe se armikut nuk i lejohet të triumfojë pa u përballur me rezistencë të
pathyeshme. Në frymën e atij edukimi, asnjë anëtar i familjes Jashari nuk
pranoi të largohej. Ata zgjodhën të qëndronin të bashkuar, të vendosur dhe të
përgatitur për të përballuar çdo formë agresioni – duke e kthyer shtëpinë dhe
lagjen e tyre në një fortesë të krenarisë shqiptare dhe të qëndresës heroike.
Ky qëndrim i pathyeshëm i dha kuptim të ri nocionit të mbrojtjes së atdheut,
nuk ishte vetëm çështje e burrave me armë në dorë, por një akt i përbashkët i
të gjithë familjes, ku edhe gratë e fëmijët e shprehën me guxim dhe dinjitet
pjesëmarrjen e tyre në betejën e shenjtë për mbijetesë, nder dhe liri.
Më
5 mars 1998, familja Jashari shënoi një akt të jashtëzakonshëm të qëndresës
shqiptare, duke u ngujuar me vendosmëri dhe dinjitet në atë që me të drejtë do
të njihej përherë si Kulla e Rezistencës në Prekaz. Ky ngulim, i pamëshirshëm
në seriozitetin e tij, nuk ishte thjesht një strategji mbrojtjeje fizike, por
një deklaratë e qartë dhe e fuqishme morale, një komunikim i qartë ndaj botës
dhe pushtuesit serb, këtu nuk do të ketë dorëzim, nuk do të bëhej kurrë
kompromis mbi lirinë, nderin dhe identitetin kombëtar.
Në
atë mëngjes të ashpër marsi, kur akoma ngrica mbahej mbi tokën e Drenicës,
forcat policore e ushtarake serbe përgatiteshin për të goditur me gjithë
aparatin e tyre të dhunës dhe terrorit. Por përballë tyre gjetën jo një familje
të frikësuar dhe të gatshme për t’u nënshtruar, por një bashkësi të lidhur në
besë, e cila ishte betuar të mos lëshonte asnjë hap pa e paguar me gjak. Ata ua
bënë të qartë agresorëve se nuk do të mund të hynin në pragun e shtëpive
shqiptare pa u ndeshur me rezistencën më të fortë, më të guximshme dhe më të
vendosur që kishin përjetuar ndonjëherë. Në këtë ngujim të vetëdijshëm dhe
heroik, familja Jashari nuk mbrojti vetëm muret e shtëpisë së tyre – ata
mbrojtën me gjak simbolin e lirisë, nderin e Drenicës dhe të gjithë Kosovës.
Ajo kullë, që u kthye në një fortesë të pathyeshme të dinjitetit shqiptar, bëri
që bota të dëshmojë një shembull të rrallë të trimërisë së kulluar dhe të
vendosmërisë së patundur. Ishte një akt që i kalonte kufijtë e një përleshjeje
lokale dhe që hyri në histori si manifestimi më i pastër i idesë se liria
kërkon jo vetëm guxim, por edhe gatishmëri për flijim deri në fund........
Në
Prekaz, çdo gur dhe prag shtëpie u bë dëshmitar i një vendosmërie të rrallë, ku
nderi dhe besa u ngritën mbi frikën dhe vdekjen. Ishte aty që u konkretizua
betimi i pathyeshëm i Shaban Jasharit, i cili, duke marrë mbi supe amanetin e
të parëve si Tahir dhe Nebih Meha, e kishte shpallur me bindje të hekurt se
rruga e lirisë nuk do të ndërpritej. Ai betim nuk ishte një deklaratë e
zbrazët, por një zotim i shenjtë i paguar me gjakun më të shtrenjtë – me jetën
e djemve të tij, në krye me Ademin trim dhe Hamzën e pathyeshëm.
Gratë
e familjes Jashari përbënin një fuqi të pazëvendësueshme në qëndresën e
Prekazit, duke dëshmuar me vendosmëri dhe kurajë se beteja për liri nuk ishte
vetëm detyrë e burrave, por mision i përbashkët i gjithë familjes dhe i gjithë
kombit. Roli i tyre nuk ishte as simbolik, as pasiv. Përkundrazi, ato ishin
pjesëmarrëse aktive dhe të përkushtuara në përgatitjet dhe në mbrojtjen e
shtëpisë, duke ndarë me burrat dhe djemtë barrën e rëndë të rezistencës. Këto
gra nuk u zmbrapsën përballë frikës, nuk kërkuan shpëtim personal duke
braktisur fshatin e shtëpinë e tyre. Ato e kuptuan qartë se largimi do të ishte
një tradhti ndaj gjakut të të parëve dhe ndaj amanetit të brezave që do të vinin.
Për to, qëndrimi ishte një akt i vetëdijshëm nderi, një shprehje e thellë e
përkushtimit ndaj dheut, familjes dhe lirisë.
Nderimi
më i lartë u takon grave të familjes Jashari, këtyre heroinave të heshtura, por
të pamposhtura, që u ngritën mbi frikën dhe mbi dhimbjen për të dëshmuar se
edhe gratë shqiptare janë shtyllë e fortë e mbrojtjes së atdheut. Ato nuk ishin
thjesht nëna dhe motra që u përpoqën të mbronin familjen në kohë të vështira,
ato ishin bashkëluftëtare të denja të idealeve më të larta kombëtare, të
gatshme të sakrifikonin jetën për të ruajtur nderin, lirinë dhe dinjitetin e
vendit të tyre. Lavdia e tyre është e përjetshme, sepse gjaku i derdhur nuk
ishte vetëm një akt tragjik i humbjes, por një akt solemn i ripërtëritjes së
ndërgjegjes kombëtare. Në flijimin e tyre, ato na mësojnë se liria nuk është
privilegj i një gjinie, por një barrë dhe një e drejtë e përbashkët, që kërkon
përkushtim, guxim dhe flijim të barabartë. Ato u rreshtuan krah për krah me
burrat, të barabarta në vendosmëri dhe të pathyeshme në besë.
Lavdi
gjithashtu të gjitha grave shqiptare që ranë në altarin e lirisë në epoka të
ndryshme të historisë sonë, duke dëshmuar me jetën e tyre se atdhedashuria
është vlerë e trashëguar dhe e ndarë pa dallim. Ato përfaqësojnë kurajën e një
kombi që nuk e pranon robërinë dhe që është i gatshëm të ngrihet e të rebelohet
sa herë që cenohen nderi dhe liria e tij. Përmes këtij nderimi, ne nuk ruajmë
thjesht kujtimin e tyre, por rivendosim obligimin tonë moral e historik për të
mos harruar kurrë se liria u fitua me gjakun dhe sakrificën e bijave po aq sa
të bijve të këtij vendi. Kjo lavdi është pranim i një të vërtete të thellë se
pa guximin, sakrificën dhe vizionin e grave, asnjë betejë për liri nuk do të
mund të ishte e plotë dhe asnjë fitore nuk do të kishte kuptim të vërtetë.
Literatura:
Sabile Keçmezi-Basha,
Kosova 1945-1990, (Vështrim historiko-politik), Instituti i Historisë,
Prishtinë, 2016.
Sabile Keçmezi-Basha,
Qëndresa shekullore e familjes- Tahir Meha, Prishtinë, 2015
Fehmi Ajvazi, Figura e
Adem Jasharit, Prishtinë, 2018
Bardh Hamza& Faik
Hoti, Jasharët, Prishtinë 2003
https://www.radiokosovaelire.com/selvete-hamze-jashari-3-4-1977-5-3-1998/
Bedri Tahiri, Adem
Jashari Jashari legjendë e legjendave, Prishtinë 2008
Ibrahim Çitaku, Drenica 1991-1999, Prishtinë 2004
Bedri Tahiri, Drenica
djep i trimërisë, Prishtinë 2008
Jakup Krasniqi, Flijimi
për lirinë, Prishtinë, 2011
https://www.epokaere.com/qendresa-e-grave-te-familjes-jashari-1998/
https://www.botasot.info/aktuale-lajme/664547/keta-jane-emrat-e-familjareve-te-jasharajve-qe-dhane-jeten-per-liri/
https://www.facebook.com/Hoqacity/posts/beteja-e-prekazitp%C3%ABrmbledhje-e-postimeve-t%C3%AB-mia-t%C3%AB-para-dy-vitesh-ku-p%C3%ABrshkruhet/2563800947064073/